2 Prill 2021, Dita e Lirisë Fiskale në Shqipëri
ALTAX ju prezanton me Raportin e fundit lidhur me Ditën e Lirisë Fiskale në Shqipëri, Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor në 2021.
Raporti i mbi Lirinë Fiskale, së bashku me studimin mbi Barrën Fiskale janë produkti kryesor studimor i përvitshëm, si një vijimësi prej vitit 2012. Ky produkt është pjesë e analizave të procesit monitorues të sistemit dhe legjislacionit fiskal dhe ekonomik, të renditura si Seria e Studimeve Fiskale shqiptare.
Në vitin 2021, ALTAX e prezanton publikimin e Ditës së Lirisë Fiskale, si një analizë më vete dhe jo pjesë të raportit të barrës fiskale, ashtu si ka bërë për tetë edicionet e kaluara, duke filluar prej vitit 2012.
Arsyeja për këtë vendim në mënyrën dhe formatin e publikimit është e lidhur me rëndësinë e veçantë që ka për kushtet aktuale të politikës fiskale dhe administrimit tatimor në Shqipëri, Kosovë, por edhe në secilin vend të Ballkanit Perëndimor.
Kjo ditë u tregon gjithë shqiptarëve se sa u është dashur të punojnë për buxhetin e shtetit të tyre dhe u tregon se kjo periudhë ka zgjatur deri në mbylljen e tremujorit të parë të vitit 2020. Dita e Lirisë Fiskale bie në ditën e dytë të Prillit. Liria Fiskale për vitin 2021 është në ditën e 92të të vitit, që bie në datën 2 Prill. Pas kësaj periudhe, fitimet nga puna dhe kapitali i përkasin individit dhe biznesit, pasi tashmë konsiderohet se buxheti ka arritur për vetëm 3 muaj të arkëtojë në buxhet nga taksapaguesit një pjesë të fitimeve të gjeneruara nga puna apo kapitali duke lënë hapësirë për 3 tremujorë të tjerë të vitit që ata të punojnë për veten e tyre.
Me barrën e taksave tani prej të paktën 10 vitesh, të cilat kanë ngecur në nivele që pavarësisht promovimit të taksave të ulta nuk kanë ndryshuar dukshëm në funksion të një barre të ndryshme, ne duhet të dialogojmë me qeveritë që të bëjmë gjithçka që mundemi për të përshtatur normat tatimore në funksion të ekonomisë dhe produktivitetit që kërkojmë të kemi bazuar mbi politikën e taksave të ulëta.
Faturat më të larta të taksave godasin më shumë familjet më pak të pasura dhe është zhgënjyese për taksapaguesit që punojnë shumë deri në fillim të Majit vetëm për të paguar faturën e tyre vjetore të taksave. Lejimi i taksapaguesve me të ardhura të larta nga kapitali për të mbajtur më shumë nga paratë e tyre të fituara në këto tre dekada ekonomi tregu është një tregues i dukshëm, se qeverisjet e Ballkanit Perëndimor (BP) janë të rreshtuara fort në anën e tyre dhe kjo është një nga arsyet që përsa kohë të vazhdoje nuk do të gjenerojë rritjen ekonomike të premtuar nga çdo qeveri që merr pushtetin, pasi e kundërta është më efektive, që do të thotë paga më të larta dhe më shumë punë.
Ndërkohë, për qytetarët shqiptarë, kosovarë dhe ata të Maqedonisë së Veriut ne shikojmë një realitet të ndryshëm të barrës mesatare nga ajo që provojnë qytetarët e Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi dhe Serbisë. Për grupin e parë të vendeve, qytetarët vazhdojnë të shijkojnë ditën e lirisë fiskale më afër se qytetarët e grupit të dytë të vendeve, ndërsa kjoi tregon edhe për një diferencë të madhe që vjen nga administrimi fiskal dhe jo nga politika fiskale.
Një ekonomi e taksave të ulta, por me korrupsion dhe kapacitete të dobëta administrative godet rëndë njerëzit në xhepat e tyre njësoj si taksat e larta, mbyt rritjen ekonomike dhe parandalon investimet në vijimësi, që krijojnë vende pune.
Njerëzit në Ballkan duhet të punojnë për gati katër deri pesë muaj për të paguar taksat.
Ne duhet të synojmë që të ndërtojmë një politikë të re, që do të ndryshojë rrënjësisht barrën tatimore, duke mos bërë zvogëlim dhe heqje të tatimeve dhe taksave duke rritur barrën nëpërmjet tatimit të konsumit dhe taksave nacionale. Ne duhet të tentojmë të mos pranojmë më tej një politikë që rrit kompleksitetin në sistemin e taksave dhe taton familjet dhe bizneset e lira duke u lënë në fund të viti më pak nga ato që fitojnë.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.