Vlerësimi i vëllimit të ekonomisë joformale në Kosovë

Vlerësimi i vëllimit të ekonomisë joformale në Kosovë

Në prezantimin e raportit të hartuar nga Zyra e Bashkimit Europian rreth shtrirjes së informalitetit në Kosovë, u deklarua se reformat duhet të shtrihen edhe në gjyqësor, në mënyrë që të bëhet më shumë në konfiskimin e pasurive të fituara përmes rrugëve të paligjshme.

“Luftimi i ekonomisë joformale është çështje me rëndësi për BE-në dhe është vështirë ta luftosh një armik pa e gjetur shkakun, andaj jemi përkushtuar përmes raportit të gjejmë shkaktarët për luftimin e kësaj dukurie”, theksoi përfaqësuesja speciale e BE-së. Ajo tha po ashtu se ka një zvogëlim të ekonomisë joformale në Kosovë dhe kjo është për shkak të reformave të marra nga Ministria e Financave, gjegjësisht nga Dogana dhe ATK-ja.

Ministria e Financave dhe Agjencitë e saja tatim-mbledhëse kanë ndërmarrë dhe vazhdojnë të ndërmarrin veprime konkrete që ndikojnë mjaft në formalizmin e aktiviteteve të biznesit “, tha  ministri i Financave Bedri Hamza në takimin e organizuar nga  Ministria e Financave dhe Zyra e BE-së në Kosovë, përmes projektit të financuar nga BE-ja “Mbështetja e mëtejme për institucionet e Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe ekstremizmit të dhunshëm”,  ku u prezantua Vlerësimi i vëllimit të ekonomisë joformale në Kosovë.

Për ne formalizmi i bizneseve dhe aktiviteteve të tyre ka qenë dhe mbetet një nga prioritetet e agjendës sonë, dhe publikimi i këtij raporti do të na shërbej mjaft në identifikimin dhe dizenjimin e veprimeve konkrete që ndikojnë direkt në zvogëlimin  e informalitetit. Niveli relativisht i lartë i ekonomisë joformale, është sfidë për financat publike në njërën anë dhe dëmton konkurrencën e drejtë në treg, në anën tjetër. Për më shumë, punësimi jo-formal dhe shmangia sistematike nga pagesa e kontributeve për të punësuarit, janë duke dëmtuar në masë të madhe interesat e punëtorëve, kur e dimë që niveli i papunësisë është ende sfidë për ekonominë tonë, shtoi ministri Hamza.

Ai gjithashtu theksoi se “Ne do të punojmë në azhurnimin dhe modifikimin e Strategjisë Kombëtare për Parandalimin e Ekonomisë Jo-formale, me qëllim të vendosjes së një mekanizmi më të mirë monitorues dhe implementues të masave për ngushtimin e hendekut tatimor”.

Raporti i vlerësimit mbi shtrirjen e ekonomisë joformale në Kosovë ka për qëllim mbështetjen e mëtejshme të institucioneve të Kosovës kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Raporti paraqet një pasqyrë të gjendjes ekonomike të vendit dhe është i fokusuar në fushat e caktuara ku ka ngecje dhe nuk ka progres.

Sipas raportit, Marrëveshja e Stabilizim Asocimit, ka sjellë efekte pozitive në rritjen e investimeve dhe konsumit, ndërsa shërbimet e ndërtimit shihen si shtytës madhorë të rritjes.

Deficitet tregtare të Kosovës janë financuar nga investimet e huaja direkte dhe remitancave të larta nga diaspora (më shumë se 600 milionë euro në vit) dhe njëherit llogariten si linjat më të mëdha financuese për bilancin e pagesave të vendit me botën. Borxhi publik sipas raportit po ashtu është në trend pozitiv, duke mos e kaluar pragun e artë pozitiv prej 45% për vendet në zhvillim.

Edhe përshkallëzimi i TVSH-së ka sjellë efekte pozitive në Kosovë, me shkallëzimin nga 16% në dy norma: 8% për mallrat elementare dhe 18% për mallrat e shërbimet e tjera. Ky përshkallëzim në vitin 2015 e ka çuar vendin në një shkallë më të lartë të  Produktit Vendor Bruto për tatimet direkte.

Një element që tregon nivelin e varfërisë në Kosovë sipas raportit është shkalla e papunësisë, e cila ishte rritur në 28% në vitin 2016 krahasuar me vitin 2015 që ishte 25.2%.

Por duke e krahasuar punësimin me rritjen e investimeve që kishin ndodhur në vitin 2016 sipas raportit shihet se formalizmi i ekonomisë kishte pasur një rritje më të madhe në vitin 2015.

Pavarësisht zvogëlimit të ekonomisë joformale për periudhat 2013-2015, sipas raportit, në terren shumica e veprimtarisë së ekonomisë së zezë ka mbetur në masë të madhe e pranishme.

Nisur nga perspektiva e punësimit raporti pasqyron gjendjen e terrenit duke vlerësuar se 45 mijë punëtorë punojnë me orar të plotë në sektorin joformal ku 11 deri në 15% janë në sektorin e bujqësisë, e pasuar nga sektori i ndërtimtarisë dhe në fund veprimtaritë tregtare.

Sipas llogaritjeve del se Kosova ka humbje prej 60.1 milionë euro në vit nga mospagesa e Tatimit në të ardhura personale dhe tatimi në të ardhura të korporatave.

Duke e ditur se shumica e bizneseve të vogla dhe të mesme në Kosovë janë biznese familjare, sipas raportit kjo situatë tregon se 33.2% e të ardhurave personale për ekonomitë familjare janë joformale.

Këtë shifër e dëshmon fakti se e ardhura totale sipas konsumit nuk përputhet me asnjë burim të njohur të ligjshëm dhe ka gjasë se kjo e ardhur të jetë krijuar nga veprimtaritë që mbahen të fshehura në mënyrë të përhershme.

Zyra e BE-së gjatë krahasimit të normës faktike të kthimit në asete i ka identifikuar disa pika të nxehta që tregojnë se cilat aktivitete ekonomike kanë norma të larta të fitimit e ato janë ndërtimtaria, patundshmëria, veprimtaritë profesionale, tregtia dhe shërbimet hoteliere.

Normat e larta të kthimit në asete në krahasim me normat e ulëta të shitjes që këto veprimtari kanë sipas raportit nuk përkojnë me tiparet globale dhe rajonale për të njëjta aktivitete të vlerësuara mbi bazën e teorisë së çmimit të aseteve.

Sipas sektorëve, pikat e nxehta ku ka informalitet në raport paraqitet sektori i bujqësisë, sektori i ndërtimtarisë, sektori i shitjeve me shumicë dhe pakicë, sektori i patundshmërive, sektori i veprimtarive financiare dhe sektori i sigurimeve dhe shërbimeve profesionale.

Bujqësia si aktivitet kryesor në Kosovë karakterizohet me numrin e lartë të fermave të vogla me më pak se 2 hektarë, me një sipërfaqe prej 70% tokë e punueshme. Sipas të gjeturave në raport te ky sektor ka pagesa minimale të pagesave në të ardhura personale dhe në të ardhura të korporatave (jo më shumë se 2 milionë euro në vit), përderisa të ardhurat nga konsumi për këtë kategori janë të larta.

Sektori i ndërtimtarisë radhitet ndër sektorët me normat më të larta të kthimit të aseteve. Periudha e kthimit të aseteve në Kosovë është më e shkurtër se 3 vite, e ky numër është së paku 2 herë më i lartë se trendi global dhe ai i BE-së. Një mospërputhje e habitshme për financimin e ndërtimit sipas llogaritjeve të paraqitura në raport është niveli i ulët i kreditimit të këtij sektori e kjo sugjeron praninë e mjeteve alternative të financimit të aktivitetit ekonomik. Shitja e ndërtesave banesore ose shitje në këmbim të truallit sipas raportit tregon se ato paguhen sipas gjetjeve vetanake duke e anashkaluar sektorin financiar, e kjo tregon se nuk mund të parandalohen fitimet nga aktiviteti i paligjshëm që hyjnë në sektor përmes skemave të njohura të derës së pasme.

Gjithashtu në këtë sektor numri i punëtorëve joformalë është 9 mijë e 778 me një humbje prej 3.2 milionë euro në të ardhura personale dhe 5.2 milionë euro në të ardhura të korporatave që informaliteti i bie të jetë 4 herë më i lartë se në sektorin e bujqësisë.

Sektori me shumicë dhe pakicë sipas raportit po ashtu është vatër e informalitetit, duke e rritur nivelin e kredive në mënyrë që të tejkalojnë pamjaftueshmërinë e mjeteve financiare për t’i përmbushur detyrimet tatimore. Aktivitetet tregtare sipas raportit të BE-së përdoren si “derë e pasme” për të financuar aktivitet e tjera ekonomike dhe sipas skemave të hulumtuara në sektorin e ndërtimtarisë, prania e aktivitetit të pastrimit të parasë duhet të jetë shumë e mundshme.

Gjithashtu edhe mbledhja e tatimit në qira sipas raportit është shumë e dobët. Tatimet e kësaj kategorie nuk paguhen as nga individët as nga kategoritë e tjera. ATK-ja nuk mban shënime korrekte për këtë kategori të tatimit.

Për të arritur tek informacioni Zyra e BE-së ka përdorur informacionet që gjenden në pagesën e tatimeve, si tatimet nga të ardhurat personale, tatimet nga qiraja, interesi dhe fitimi si dhe tatimet nga konsumi. Vlerësimi ndjek po të njëjtën metodologji si vlerësimet e mëhershme të bëra në 2007 dhe 2014, për të mundësuar krahasimin e të dhënave dhe për të nxjerr përfundime për trendët që lidhen me ekonominë joformale në Kosovë.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: