Varfëria dhe pabarazia në Shqipëri dhe koha për një Drejtësi të re Fiskale

Varfëria dhe pabarazia në Shqipëri dhe koha për një Drejtësi të re Fiskale

Në një vend ku rreth gjysma e popullsisë jeton në rrezik varfërie të thellë, çdo politikë që injoron këtë realitet nuk është thjesht e padrejtë. Kjo është ekonomikisht e paarsyeshme dhe politikisht e paqëndrueshme. Shqipëria nuk mund të pretendojë zhvillim pa barazi, nuk mund të kërkojë integrim pa reformë, dhe nuk mund të ndërtojë besim pa një sistem fiskal që shpërndan drejt.

Shqipëria mbetet një shembull domethënës i një sistemi fiskal që, në vend që të zbusë pabarazitë, shpesh i përforcon ato. Sipas raportit Barra Tatimore në Shqipëri dhe Ballkanin Perëndimor 2024, vendi ynë ka një nga strukturat më regresive të taksimit në rajon[1], me një ndikim modest në uljen e pabarazisë dhe varfërisë.

Ekonomia rritet, por pabarazia thellohet

Të dhënat e fundit nga Eurostat ngrenë alarmin. Shqipëria mban vendin e parë në Europë për përqindjen e popullsisë në rrezik varfërie dhe përjashtimi të thellë social. Në vitin 2023, rreth 42% e popullsisë shqiptare, mbi 1 milion qytetarë jetojnë në kushte të varfërisë së rëndë, të paaftë për të përballuar të paktën 7 nga 13 tregues të privimit ekonomik dhe social, si pagesat e qirasë apo kredive, pushimet minimale vjetore, ushqimi bazë, ngrohja, ose ndërrimi i mobilieve të vjetra.

Krahasuar me vendet e rajonit, situata është dukshëm më e rëndë. Mali i Zi (34.1%), Maqedonia e Veriut (32.6%), Serbia (30%), shifra që tregojnë se Shqipëria nuk është vetëm një rast i veçuar, por një rast i mprehtë që kërkon riformulim rrënjësor të politikave ekonomike dhe fiskale.

Shifra që flasin vetë

Ndërsa BE arrin një ulje prej 36% të koeficientit Gini përmes sistemit tatimor dhe transferimeve sociale, Shqipëria arrin një ndikim vetëm prej 20% më pak se Kosova (13%), dhe shumë larg vendeve si Sllovenia apo Çekia që kanë kombinuar politikat progresive me mbështetje të synuar.

Ekziston një pabarazi strukturore që po i kushton zhvillimit të vendit, jo vetëm në aspektin shoqëror, por edhe ekonomik. Një ekonomi ku një pjesë kaq e madhe e popullsisë është e përjashtuar nga mundësitë bazë nuk mund të rritet në mënyrë të qëndrueshme. Rritja e PBB-së bëhet e pakuptimtë nëse nuk shoqërohet me rritje të përfshirjes dhe drejtësisë ekonomike.

Ndërsa Bashkimi Evropian arrin një ulje prej 36% të koeficientit Gini përmes politikave fiskale dhe transferimeve sociale, Shqipëria e redukton atë vetëm me 20%, dhe Kosova me vetëm 13%. Kjo do të thotë që, ndryshe nga BE që arrin të zbusë ndjeshëm pabarazitë përmes sistemit të saj tatimor dhe përfitimeve sociale, Shqipëria nuk arrin të bëjë të njëjtën gjë, kryesisht për shkak të tatimeve të sheshta, përjashtimeve selektive dhe mbështetjes së cekët sociale.

Punësimi informal është një tjetër plagë e thellë. Me afro 30% të fuqisë punëtore jashtë skemave formale, shumë qytetarë mbeten të pambrojtur dhe jashtë rrjetës së sigurisë sociale. Kjo përkthehet në mungesë sigurimesh, të drejta të kufizuara dhe varfëri afatgjatë, veçanërisht për të rinjtë dhe gratë.

Pasojat?

Një sistem me efekt rishpërndarës të zbehtë dhe barrë regresive

Për të ndikuar realisht në uljen e varfërisë dhe pabarazisë, Shqipëria duhet të kalojë në një sistem progresiv, gjithëpërfshirës dhe me fokus tek drejtësia sociale.

Realiteti i sotëm përbëhet nga evazion, përjashtime tatimore dhe informalitet

Përmasat e evazionit fiskal janë alarmante. Me rreth 33–38% të potencialit tatimor të humbur, Shqipëria renditet ndër vendet me nivelin më të lartë të evazionit në Ballkan, në linjë me Kosovën, por me kapacitete më të ulëta për të adresuar problemin. Sektorët si ndërtimi, tregtia dhe shërbimet, ku shpesh lulëzon ekonomia informale, nuk kontribuojnë proporcionalisht me fitimet e tyre reale.

Ndërkohë, përjashtimet fiskale, që në teori synojnë nxitjen e zhvillimit, në praktikë janë kthyer në kanale favorizimi për sektorë të përzgjedhur si energjia, turizmi dhe teknologjia. Në vend që të ndihmojnë barazinë, ato e thellojnë atë, pasi përfitojnë më së shumti bizneset e mëdha dhe të formalizuara.

Të dhënat janë të qarta!

Koha për një drejtësi të re fiskale

Raporti thekson se nuk mjafton të rriten të ardhurat publike, por ato duhet të jenë të drejta dhe progresive.

Koha për një drejtësi të re fiskale është më shumë se një thirrje etike, pasi është një domosdoshmëri strategjike, për tre arsye madhore:

  1. Qëndrueshmëria ekonomike afatgjatë kërkon një sistem që nuk e bazon rritjen te përjashtimi social apo informaliteti, por te kapitali njerëzor dhe përfshirja aktive;
  2. Besueshmëria e institucioneve publike lidhet drejtpërdrejt me ndarjen e barrës dhe përfitimeve aty ku drejtësia mungon, ndëshkimi i qytetarëve përmes mosbesimit është i pashmangshëm;

Procesi i integrimit në Bashkimin Europian, i cilësuar si prioritet kombëtar nga qeveria aktuale pas fitores së Partisë Socialiste në zgjedhjet e fundit  nuk është më vetëm një çështje politike, por një provim i vështirë ekonomik dhe institucional.

Me synimin politik të deklaruar për anëtarësimin në BE deri në vitin 2027, Shqipëria duhet të përshpejtojë zbatimin e reformave thelbësore në disa drejtime:

  • Reforma në financat publike, për të rritur efikasitetin dhe transparencën në mbledhjen e të ardhurave, dhe për të garantuar përdorimin e drejtë e të ndershëm të fondeve publike;
  • Përmirësimi i sistemit të mbrojtjes sociale, me skema më të targetuara, më gjithëpërfshirëse dhe më të koordinuara me tregun e punës;
  • Krijimi i një sistemi tatimor progresiv, që përafron standardet e BE-së dhe promovon barazinë nëpërmjet kontributit proporcional mbi të ardhurat dhe pasurinë;
  • Zhvillimi i tregut të punës formal, përmes dekurajimit të informalitetit dhe fuqizimit të mekanizmave të sigurimeve shoqërore, edukimit profesional dhe mbështetjes për sipërmarrjen produktive;
  • Fuqizimi i institucioneve të pavarura fiskale dhe statistikore, për të garantuar monitorimin objektiv të pabarazisë dhe për të vlerësuar ndikimin real të politikave publike.

Reforma fiskale si prova e vërtetë e integrimit

Nëse Shqipëria do të anëtarësohet në BE si një vend që jo vetëm ndjek rregullat formale të acquis communautaire, por edhe respekton vlerat thelbësore europiane solidaritetin, barazinë dhe drejtësinë sociale, atëherë drejtësia fiskale është prova e parë që duhet kaluar.

Jo thjesht për të përmbushur kapitujt e negociatave, por për të ndërtuar një ekonomi funksionale, një shoqëri më të barabartë dhe një shtet më të drejtë.

Ky është momenti për të ndarë qartë modelin e rritjes së së shkuarës, të përqendruar, të pabarabartë dhe të ndikuar nga interesa të ngushta, nga modeli i zhvillimit të së ardhmes, i bazuar në përfshirje, drejtësi dhe transparencë.

Sepse drejtësia fiskale nuk është një kapitull në negociata është kushti për t’u bërë realisht pjesë e Evropës.

Shqipëria nuk mund të ecë drejt integrimit europian me një sistem që i shërben pakicës dhe përjashton shumicën. Drejtësia fiskale nuk është luks  është kusht për një ekonomi funksionale dhe një demokraci të shëndetshme. Dhe ajo nis tani.


[1] Shqipëria ka një nga strukturat më regresive të taksimit në rajon, sepse:

  • Takson më shumë të ardhurat e ulëta sesa ato të larta në mënyrë relative;
  • Nuk përdor mjaftueshëm mjetet e rishpërndarjes si transfertat sociale;
  • Lejon përjashtime, evazion dhe informalitet që mbrojnë të pasurit dhe ngarkojnë të dobëtit.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.