Të ardhurat fiskale dhe tatimore në Ballkanin Perëndimor, 2021- 2023
Për sa i përket të ardhurave të buxhetit në vendet e Ballkanit Perëndimor (BP6), si në madhësi ashtu edhe në trend ka dallime të mëdha midis tyre. Bosnja dhe Hercegovina, Serbia dhe Mali i Zi arrijnë të futin në buxhet (tatime dhe hua) mbi 40% të PBB-së së tyre. Ndërsa Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut arrijnë të futin në buxhetin e tyre më pak se 1/3 e PBB-së së tyre, me një diferencë që arrin deri në 11 pikë përqind diferencë brenda rajonit të BP6.
Ndërsa të ardhurat tatimore janë në nivele të larta për tre vendet (Bosnja dhe Hercegovina, Serbia dhe Mali i Zi) me një nivel sa 36 deri 37 përqind e PBB-së së tyre. Tre vendet e tjera (Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut) mbledhin të ardhura në nivelet sa 25 deri 28 përqind të PBB-së së tyre. Pra, diferenca edhe në të ardhurat tatimore është e lartë mes dy grupeve brenda rajonit dhe arrin deri në 9 pikë përqind më e ulët në vendet me të ardhura tatimore të ulëta.
Një mënyrë tjetër për të matur të ardhurat tatimore të mbledhura është mbi bazën e llogaritjes për frymë.
Ballkani Perëndimor mbledh mesatarisht 5.700 EURO PPP. Kjo përfaqëson rreth një të katërtën e mesatares së BE-së. Megjithatë, të ardhurat tatimore për frymë në Ballkanin Perëndimor janë rritur më shpejt se ato të vendeve të BE-së në dekadën e fundit.
Të ardhurat buxhetore (fiskale) [1] në BP6 (shih Tab.) në vitin 2023 krahasuar me vitin 2021 tregojnë rritje sa 0.1% e PBB-së së gjashtë vendeve. Në vitin 2021 të ardhurat buxhetore arritën në nivelin sa 35.4% të PBB-së dhe në vitin 2022 në një nivel më të ulët (34.5% të PBB-së), ndërkohë që viti 2023 shihet se ka patur një rritje të të ardhurave në buxhet, ku Serbia, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina kanë mbyllur vitin 2023 me të ardhura buxhetore më të ulta se 2021. Të ardhurat buxhetore janë rritur si mesatare e BP6 dhe kanë nivel të njëjtë me të ardhurat e periudhës para pandemisë (35.5% e PBB-së).
Të ardhurat e buxhetit në BP, 2021 – 2023 | % e PBB | |||
Vendet | 2021 | 2022 | 2023 | Ndryshimi 23/21 |
Mali i Zi | 43.0 | 38.8 | 42.1 | -0.9 |
Serbia | 43.3 | 43.3 | 42.1 | -1.2 |
Kosova | 27.7 | 27.2 | 29.3 | 1.6 |
Bosnjë-Hercegovina | 40.5 | 39.7 | 40.1 | -0.4 |
Maqedonia e Veriut | 30.3 | 31.0 | 31.7 | 1.4 |
Shqipëria | 27.5 | 26.8 | 27.8 | 0.3 |
BALLKANI PERËNDIMOR | 35.4 | 34.5 | 35.5 | 0.1 |
Burimi: FMN, MF |
Ky grup me të ardhura të larta buxhetore kanë një tjetër ndikim në buxhetet e tyre pasi nga njera anë nuk kanë performuar sipas objektivave ekonomikë me eksportet dhe ndërkohë edhe të ardhurat tatimore kanë ardhur në rënie në vitin 2023 duke u ndikuar edhe nga frenimi i ekonomisë për arsye të rritjes së normave bazë të interesit, si dhe ndikimeve politike të brendshme
Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë me rritje të të ardhurave të buxhetit që varion nga 0.3% të PBB-së në Shqipëri, 1.4% e PBB-së në Maqedoninë e Veriut dhe 1.6% e PBB-së në Kosovë.
Grupi i vendeve me të ardhura më të ulta buxhetore ka ndikime më së shumti strukturore të ekonomisë së tyre, por edhe ndikime nga ndryshimet e brendshme të ndikuara nga konsumi i popullatës dhe projektet e investimeve dhe shpenzimeve për kategori të caktuara të ekonomisë.
Në vitin 2023, të ardhurat tatimore përbëjnë 89% të totalit të të ardhurave buxhetore. Në vitin 2022, të ardhurat tatimore përbëjnë 90% të të ardhurave buxhetore, si dhe në vitin 2021 ku të ardhurat tatimore përbëjnë 90% të të ardhurave buxhetore. Nisur nga ky raport i të ardhurave tatimore vërehet se vendet e BP6 kanë patur një ekspozim më të lartë në huamarrje, por edhe në një rënie të lehtë të të ardhurave tatimore në vendet me të ardhura buxhetore më të larta (shih Tab.).
Të ardhurat tatimore në BP, 2021 – 2023 | % e PBB | |||
Vendet | 2021 | 2022 | 2023 | Ndryshimi 23/21 |
Mali i Zi | 37.9 | 34.3 | 36.2 | -1.7 |
Serbia | 38.6 | 38.9 | 37.1 | -1.5 |
Kosova | 24.5 | 24.8 | 25.7 | 1.2 |
Bosnjë-Hercegovina | 36.8 | 36.0 | 36.1 | -0.7 |
Maqedonia e Veriut | 27.2 | 27.7 | 28.5 | 1.3 |
Shqipëria | 25.6 | 25.3 | 25.8 | 0.2 |
BALLKANI PERËNDIMOR | 31.8 | 31.2 | 31.6 | -0.2 |
Ecuria e të ardhurave tatimore duket se ka patur me të njëjtin trend si dhe të ardhurat buxhetore. Kështu, vendet e BP6 që kanë rënie të të ardhurave tatimore në raport me PBB, po ashtu shihet se kanë rënie të të ardhurave buxhetore.
E njëjta tendencë që tregon ndikimin e të ardhurave tatimore te ato buxhetore duket në vendet e tjera që kanë performancë në rritje në 2023, ku edhe ajo buxhetore është në rritje.
Por, tendenca rënëse e të ardhurave tatimore në vendet me të ardhura të larta është më e madhe se rënia e të ardhurave buxhetore në tërësi.
Nëse shihet se si kanë evoluar të ardhurat tatimore si peshë në PBB për Shqipërinë shihet se kanë një qëndrueshmëri në nivelin e ¼ e PBB-së, që konsiderohet një efektivitet i dobët i politikës tatimore dhe administrimit tatimor.
Maqedonia e Veriut zbaton të njëjtin legjislacion tatimor dhe me norma tatimore të ngjashme, por duket si do ta shohim se ka një politikë tatimore të qëndrueshme dhe të matur, por edhe një administrim më të mirë në zbatimin e misionit të vet.
Kosova ndërkohë mund të shihet si një rast për tu studiuar për arritjen e saj në administrimin tatimor, ku tashmë është afruar shumë afër me nivelin e barrës tatimore të Shqipërisë, duke treguar një politikë të hartuar në përshtatje me ambjentin ekonomik dhe me kapacitetet administrative.
Të ardhurat tatimore në vendet me të ardhura më të larta tatimore shihen se kanë hyrë në një periudhë stanjacioni, duke reflektuar edhe probleme me performancën e politikave tatimore në transformim, por edhe varësinë e madhe që kanë nga taksat e punës dhe të konsumit. Në momentin që Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina kanë edhe pakësim të popullsisë, kjo ka ndikuar edhe në tregun e punës dhe si rrjedhojë edhe në taksat e punës
[1] përbëhet nga të ardhurat e buxhetit apo ndryshe të ardhurat fiskale të qeverisë (të ardhurat nga tatimet, taksat, tarifat dhe të ardhurat e tjera)
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.