Tatimi i pasurisë, lufta ndaj evazionit dhe stopimi parave të pista
Ndërsa shpesh thuhet se të pasurit (përfshirë edhe politikanët bashkë me ta) i kanë të fshehura paratë nëpër parajsa fiskale në vende të ndryshme, në fakt mund të thuhet më saktë se është vetë Shqipëria ajo që ka shërbyer dhe vijon të jetë një parajsë financiare për kleptokratët, shmangësit e tatimeve dhe në përgjithësi kriminelët. Kjo parajsë pa rregullat e qarta të parajsave financiare nëpër botë po funksionon për dekada dhe është vazhdimisht një juridiksion kryesor që po pastron paratë dhe që asnjëherë nuk zbulohen dot nga institucionet e drejtësisë fiskale shqiptare. Vetë drejtuesit e vendit kanë shërbyer për 30 vite për të mos u luftuar asnjëherë me vullnetin e tyre të paqartë ndaj pastrimit të parasë. Madje pastrimi i parasë tek ne nuk bën pjesë as në fjalorin e përditshëm të punës së qeverive.
Por, koha nuk favorizon gjithnjë mendjet e politikës së infektuar. Momenti aktual që ende nuk ka shfaqur efektet prej pandemisë është pjesa më interesante për ta filluar së pari betejën disa dimensionale me tatimin e individëve të pasur dhe aksionerëve të bizneseve e mëdha që kanë rezultuar me fitime të larta dhe i janë shmangur ligjit për të paguar pjesën e tyre të drejtë të taksave. Ata duhet të jenë mbajtësit e një pjese të barrës për të ndihmuar lehtësimin fiskal dhe rimëkëmbjen ekonomike.
Së dyti dhe në të njëjtën kohë me tatimin e të pasurve duhet forcuar lufta ndaj pastrimit të parasë dhe evazionit fiskal.
Një ndër premtimet që do të kishte vlerë të shtuar në këto zgjedhje duhet të ishte “Do të shpërblejmë punën, jo vetëm pasurinë”. Pas këtij premtimi duhet të ishte prezantuar një plan konkret për të aplikuar në rritje normat tatimore për të pasurit dhe pasurinë e pataksuar të tyre. Përndryshe, gjithë premtimet për të luftuar korrupsionin janë pa vlerë, pasi korrupsioni dhe paratë e pista nuk mund ti zbulojnë dot qytetarët. Megjithatë, ata që e kanë zanat mungesën e sinqeritetit dhe që kanë detyrime pa paguar për informalitetin e të kaluarës së tyre nuk munden dot t’i kryejnë detyrat publike.
Arsyeja për të tatuar të pasurit gjendet edhe te analizat që studiuesit e huaj bëjnë për vendet e tyre, pasi fenomeni shmangies tatimeve është i njëjtë, pavarësisht nivelit të zhvillimit të vendeve. Kështu, në mungesë të studimeve për këtë diskutim, po paraqesim disa vlerësime të fundit nga një raport nga specialistë të Shërbimit të të Hyrave të Brendshme në SHBA, që tregojnë se 1% e amerikanëve me të ardhura të larta shmangin raportimin e më shumë se 20% të të ardhurave të tyre, një përqindje dukshëm më e lartë se sa supozohej më parë. Të pasurit përdorin strategji të sofistikuara për të shmangur taksën e të ardhurave, duke përfshirë shmangien e taksave në mënyra të ndryshme.
Por, ndërsa pabarazia ekonomike në Shqipëri është e paqartë për shkak të informalitetit të lartë, qeveria shqiptare si shumë simotra të saj në të gjithë botën kanë zhvendosur barrën e taksave nga tatimi i pasurisë tek të ardhurat nga puna dhe konsumi. Është kjo arsyeja madhore, pse sistemi tatimor sado që mund të modernizohet në mekanizma teknologjikë është kthyer në një barrë për të luftuar evazionin dhe pabarazinë.
Buxheti 2021 ka sfida të forta me likujditetin për të përmbushur objektivat e tij dhe ky moment fiskal është më i keqi për të premtuar për njerëzit ato që nuk janë bërë dot për dekada.
Zbatimi i ligjit nga agjensitë qeveritare të ngarkuar me luftimin e pastrimit të parave, financimin e terrorizmit dhe krimeve të tjera financiare duhet të jenë pjesë e frontit në luftën për të bërë drejtësinë e re të premtuar për ne, shqiptarët.
Por, si ?
Nëse shikojmë vëmendjen e qeverisë dhe buxhetin e alokuar për këto agjensi është e pamundur të arrihet ndonjë rezultat i dukshëm kur ato janë të pafinancuara dhe të painvestuara me kapacitetet e duhura për të luftuar sofistikimin e parave të krimit, si nga politika po ashtu edhe nga vetë bota e krimit.
Është krijuar mendimi se me miratimin e disa ligjeve të bashkërenduara me agjensitë e BE-së dhe me aplikimin e legjislacionit të avancuar në luftën ndaj parave të paligjshme do të arrihet ajo që nuk është përmbushur deri më sot.
Një përmbledhje e analizave të profesionistëve të cilët janë të angazhuar në studimin e nivelit të pajtueshmërisë së tatimpaguesve me ligjin zbulon se problemet me qartësinë e udhëzimeve dhe rregulloreve për zbatim nga zyrtarët, si dhe kultura e ulët e punonjësve nën patronazhin e krahëve politikë në marrjen për të mirëqenë të zbatimit të cunguar të ligjit nuk bën të mundur arritjen e objektivave që vendosen nga ligjet e fundit të miratuara, përfshirë raportimin e aktiviteteve të dyshimta financiare dhe vlerësimin e rreziqeve fiskale.
Në këtë kohë me probleme të shumta, njëra qasje do të ishte rritja e barrës fiskale për të pasurit dhe ata që fitojnë më shumë nga gjithë burimet e të ardhurave të tyre, si dhe qasja tjetër lufta ndaj parave të pista dhe evazionit të përhapur njësoj si Covid-19. Qeveria i ka të gjitha mundësitë për të tatuar të pasurit, për të luftuar evazionin me vullnet të patundur, si dhe për të stopuar pastrimin e parave të pista në Shqipëri.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.