Tatimi i kapitalit apo super taksa e pasurisë për shqiptarët e pasur në kohën e polarizimit ekonomik

Tatimi i kapitalit apo super taksa e pasurisë për shqiptarët e pasur në kohën e polarizimit ekonomik

“Ne po jetojmë një moment të paprecedentë të krizave të shumta. Dhjetëra miliona njerëz të tjerë po përballen me urinë. Qindra miliona të tjerë përballen me rritje të pamundura të kostos së mallrave bazë ose ngrohjes së shtëpive të tyre. Varfëria është rritur për herë të parë në 25 vjet. Në të njëjtën kohë, këto kriza të shumta kanë të gjitha fitues. Më të pasurit janë bërë në mënyrë dramatike më të pasur dhe fitimet e korporatave kanë arritur nivele rekord, duke shkaktuar një shpërthim pabarazie”. [1]

Oxfam[2] në ditën e fillimit të forumit të Davosit (2023) bën thirrje për taksim progresiv mbi të ardhurat dhe pasurinë e të pasurve, duke përfshirë:

  1. Të ardhurat personale;
  2. Fitimet kapitale;
  3. Fitimet kapitale të parealizuara
  4. Taksën e pronës;
  5. Tatimin mbi trashëgiminë; dhe
  6. Tatimi mbi pasurinë neto[3].

Ajo që konstatojmë lidhur me politikën tatimore dhe taksat që kanë më shumë nevojë për të ndryshuar në Shqipëri është një realitet që nuk përkon me logjikën tatimore në vendet e zhvilluara, të cilat barrën tatimore kryesore e mbështetin te tatimi mbi të ardhurat.

Gjithmonë nëse duhet të jemi të bindur se ka ardhur koha që politika e taksave lehtëson sadopak marëdhëniet e tregut dhe kostot e jetesës së individëve në Shqipëri, më së pari theksojmë se barra tatimore është e varur nga tatimet e konsumit dhe jo nga tatimi mbi të ardhurat.

Megjithatë, gjatë vitit 2022 është diskutuar dhe analizuar shpesh nevoja e uljes së TVSH-së duke u bazuar te logjika e ndikimit direkt të saj në uljen e çmimit. Megjithatë, kundërshtimet për mosaplikim të saj kanë qenë më të shumta duke u nisur nga prezenca me tepri e informalitetit në treg dhe cënimit të integritetit fiskal.

Edhe pse qeveria ende nuk ka adresuar objektivin e minimizimit të evazionit duke mos përcaktuar as afate kohore, por as edhe një metodologji të plotë për luftën ndaj tij, gjithsesi ka ende hapësirë për të diskutuar ndikimin mbi të varfërit ulja e TVSH-së.

Nga qeveria dhe përkrahësit e për të mos ulur TVSH-në argumentohet, se mbështetja e buxhetit të shtetit në tatimet e konsumit, të cilat shihen si regresive, sugjeron një ndikim të kufizuar ose negativ në rishpërndarjen e të ardhurave nëpërmjet sistemit tatimor.

Në fakt, sipas përkrahësve për ta ulur TVSH-në theksohet se tatimet e konsumit i prekin familjet e varfra ndryshe nga ato të pasura. Taksat e konsumit mbi disa mallra të përditshme, p.sh. karburantet, ushqimet e përditshme i pamundëson familjeve të varfra të marrin sasinë e produktit të nevojshëm për to për shkak të burimeve financiare të kufizuara.

Atëherë, përjashtimi/ulja e tatimeve të konsumit për këto produkte mundet të jetë progresiv. P.sh., përjashtimi i ushqimeve nga TVSH do ti mundësonte qeverisë të rishpërndante pasurinë tek të varfërit, nisur nga realiteti se të varfërit shpenzojnë një pjesë më të madhe të buxhetit të tyre për ushqim (46% e buxhetit familjar)[4] sesa të pasurit.

Në mënyrë të ngjashme, prania e një sektori të madh informal (të patatuar) do t’i bënte progresive taksat e konsumit, pasi duke ulur tatimet e konsumit, atëherë pjesa e buxhetit familjar të shpenzuar në sektorin informal bie duke qenë se ajo bëhet konsumatore e tregut formal.

Megjithatë, blerjet në tregun informal meritojnë një studim të thelluar pasi nga natyra e tyre, blerjet janë të vështira për t’u vëzhguar dhe për t’u lidhur me të ardhurat e konsumatorëve.

Në përgjithësi, politikat e administrimit fiskal duhet të marrin parasysh jo vetëm ndikimin e tyre në efikasitet, por edhe në pabarazi.

Zbatimi me sukses i një politike tatimore në uljen e pabarazisë varet jo vetëm nga progresiviteti i saj, por edhe nga niveli i normave tatimore dhe madhësia e bazës tatimore që përcaktojnë pjesën e buxhetit të një familjeje që duhet t’i kushtohet pagimit të taksave.

Politikat fiskale në 3 dekadat e fundit janë miratuar më së pari për interesat e buxhetit të shtetit. Këtë qasje të njëanshme të qeverisjes nëse e vendosim në kontekstin e ndërlikuar që ne njohim, ku qeveria duhet që me burimet e saj të zakonshme, të përballet me shpenzime të jashtëzakonshme mendojmë se e bën atë të pa interesuar të ulë tatime apo të zbatojë politika që mundet të ndikojnë në stabilitetin e të ardhurave.

Nëse i referohemi në vijim analizës sonë, një qasje politike e re për tatimin mbi të ardhurat, duke tatuar të pasurit në parim është pranuar nga qeveria dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë bashkë me Administratën Tatimore Qendrore kanë filluar të hartojnë sipas referencave të asistentëve të huaj (vetëm ata pranohen si referencë ende edhe pas 30 vitesh) si një lëvizje e re fiskale në politikën e qeverisë.

Megjithatë, sipas ligjit aktual të tatimit mbi të ardhurat, por dhe kuadrit ligjor për mbajtjen e llogarive të kontabilitetit, të dyja së bashku nuk bëjnë dallim midis fitimit “të madh” dhe “të vogël”.

Pra, sipas legjislacionit aktual fitimi ekziston ose nuk ekziston.

Në këtë situatë, një individ i pasur në Shqipëri që është aksioner si në një biznes të vogël, por po ashtu edhe në një biznes të madh ndodhet përballë politikës tatimore, jo në pozicion të qartë lidhur me fatin e taksimit të tij si një kapitalist i pasur shqiptar.

Duke u njohur me regjistrin e bizneseve shqiptare, vërehet lehtësisht se mbi 80 përqind e tyre janë me statusin tatimor si Biznes i Vogël apo i Mesëm me xhiro deri 14 milion lekë. Në këto biznese përfshihen me shumicë edhe aksionerë në kompanitë e mëdha apo individë realisht me të ardhura të larta që i përkasin vetëm 5% të popullsisë.

Kjo kategori e bizneseve dhe individëve në Shqipëri aktualisht është e përjashtuar dhe praktikisht kjo super taksë nuk mund të zbatohet apriori mbi ta.

Pra, bizneset dhe individët nën këtë prag madhësie qarkullimi të ardhurash janë të përjashtuar nga tatimi.

Kjo politikë e përjashtimit nga tatimi mbi fitimin nuk duket e mundur të rikthehet, pasi ndikon direkt te humbja e besimit në politikat e qeverisë.

Megjithatë, tashmë disponueshmëria në rritje e teknologjisë dixhitale (e-albania) mundet të ulë këto kosto dhe të bëjë të mundur futjen e bizneseve gjithnjë e më të vogla në rrjetin tatimor, duke hequr arsyetimin administrativ për përjashtimin e firmave të vogla nga taksat për qeverinë.

Por, mbetet vetëm argumenti jo shumë logjik, se përjashtimi i bizneseve të vogla nga tatimi deri në 2029 mund të justifikohet ende mbi madhësinë e kapitalit.

Atëherë, vëmendja e politikës orientohet nga formati i super taksimit, për kompanitë e mëdha dhe individët aksionerë të tyre, por pa përjashtuar individët e pasur që zotërojnë kapitale (aksione dhe llogari bankare dhe tituj) dhe aktive të luajtshme dhe të paluajtshme.

Segment i bizneseve të mëdha përfshin deri 800 kompani, apo vetëm 0.7% të bizneseve në vend. Po ashtu individët që mund të kategorizohen si të pasur nuk tejkalojnë më shumë se 0.1% të popullsisë.

Realisht një pjesë e individëve me të ardhura të larta nuk mund të identifikohen nga sistemi për arsye se kapitalet dhe aktivet në zotërim i kanë të shpërndara në destinacione informale.

Për ti dalë kësaj të keqe para, mundet që të fillohet nga tatimi mbi dividentët, i cili duhet marrë në fokus nga politika, si asnjëherë më parë. Në analizë duhen përfshirë edhe fitimet që kanë mbetur të pashpërndarë ndër vite.

Nëse do të vendoset të taksohen fitimet e pashpërndara në formën e një tatimi retrospektiv, atëherë kjo mënyrë taksimi duhet analizuar edhe për pasojat që bie në investimet dhe qëndrueshmërinë e bizneseve të mëdha, por edhe të tjera, pasi nuk mund të zbatohet një tatim diskriminues për vetëm kategorinë e bizneseve të mëdha. Ndërkohë është me mjaft urgjencë edhe zbulimi i aktiveve dhe kapitaleve, pavarësisht se është një detyrë e vështirë për tu realizuar në pak kohë.

Për përmbushjen e këtij misioni reformues nevojitet një punë përgatitore, një analizë fizibiliteti dhe mbi të gjitha vulosja e vullnetit për të mos u korruptuar gjatë rrugës. Vlera e kësaj lëvizje politike është ndihma e madhe për procesin e vettingut në drejtësi, por edhe për të bërë pikërisht së pari çertifikimin e pastërtisë fiskale të individëve të pasur dhe së dyti edhe super taksimin e tyre.

Kjo lëvizje nevojitet të ketë formatin e një politike me objektiva të arritshme dhe transparencë maksimale.

Por a është politikë e realizueshme dhe në kohën e duhur të tatohen të pasurit me formatin e supertaksës?

Ky është një nga momentet e pakta ku të pasurit mund të tatohen për të mbështetur ekonominë në rrënim në vend që të aplikohet barrë tatimore mbi të njëjtët tatimpaguesë që janë viktimat e barrës shtesë në çdo rast ku janë aplikuar norma të reja tatimore. Tashmë ata e ndajnë barrën tatimore me konsumatorët e thjeshtë nëpërmjet inflacionit dyshifror për produktet ushqimore.

Nëse do të ishim në krahun e kundërshtuesve të kësaj lëvizjeje politike, argumenti kryesor do të ishte se kjo mund të dekurajojë investimet në ekonomi pasi një sektor formal tashmë i taksuar me gjasa do të taksohet me një normë tatimore shumë më të lartë efektive.

Argumenti tjetër do të ishte e bazuar te logjika e tregut të lirë, se taksa të tilla do t’u kalohen konsumatorëve duke rezultuar në inflacion edhe më të lartë.

Kjo është e vërtetë pasi këto biznese të mëdha nuk funksionojnë në një treg të lirë, por më tepër si grupime dhe oligopole. Ata do të bashkëpunojnë për të rritur çmimet për të gjithë tregun dhe kështu do t’ia kalojnë barrën publikut.

Një kundërshtim i këtij teorizimi është se një rritje e tillë e çmimeve do të rrisë të ardhurat e këtyre industrive dhe kështu do të paguajë më shumë taksa, por ato injorojnë aritmetikën e thjeshtë se këto kompani do të fitojnë më shumë sesa do të paguajnë taksa.

Përkrahësit e kësaj mase tatimore, megjithatë besojnë se taksimi i të pasurve është një hap në drejtimin e duhur dhe duhet të shoqërohet me një mekanizëm efikas dhe efektiv të kontrollit të çmimeve për të shpëtuar konsumatorin përfundimtar nga pesha e inflacionit më të lartë.

Si përfundim, një super taksë e përkohshme është vendimi i duhur ekonomik në rrethanat e dhëna, pasi:

– mbështet ekonominë përmes mbledhjes së taksave aq të nevojshme;
– nuk pengon investimin pasi është për një periudhë të shkurtër prej një viti;
– ndihmon qeverinë të shpenzojë për ngritjen sociale të njerëzve që përballen me inflacion të rëndë;
– zhvendos barrën e taksave nga të varfërit tek të pasurit; dhe
– promovon një kulturë të taksimit të atyre që jane përfituesit e mëdhenj nga subvencionet dhe lehtësimet tatimore.

Megjithatë, kjo nuk është një zgjidhje afatgjatë dhe qeveria duhet të zgjerojë bazën e taksave dhe të rrisë raportin e taksave ndaj PBB-së, i cili qëndron në nivele te ulta. Nga ana tjetër, tashme egziston premisa ekonomike të vendosen taksa të rënda mbi pasuritë e paluajtshme te te pasurve dhe të shkurtojë buxhetet joproduktive të institucioneve të ndryshme.

Kujdes! Vendosja afatgjatë e supertakses mundet të largojë nga vendi edhe ato të pasur që janë instaluar në Shqipëri duke humbur edhe atë kapital që tashmë e ka përthithur me shumë vështirësi dhe lobime të lodhshme.

Kjo duhet të jetë një rifillim i taksimit progresiv dhe kuptimplotë dhe mënyrës së funksionimit të ekonomisë, dhe jo një masë e njëhershme në asnjë mënyrë!

[1] https://oxfamilibrary.openrepository.com/bitstream/handle/10546/621477/bp-survival-of-the-richest-160123-en.pdf
[2] Oxfam është një lëvizje globale e njerëzve që po luftojnë pabarazinë për t’i dhënë fund varfërisë dhe padrejtësisë.
[3] Në të gjithë botën, fitimet kapitale përgjithësisht tatohen vetëm kur realizohen. Një fitim kapital konsiderohet i “realizuar”, kur ka një transaksion dhe aktivi shitet për një çmim më të lartë se për të cilin është blerë. Nëse çmimi i një aktivi rritet, por aktivi nuk shitet, ky është një fitim kapital i parealizuar. Mungesa e një tatimi mbi fitimet e parealizuara u lejon njerëzve të pasur të grumbullojnë vlerë nga asetet e tyre pa pasur nevojë të paguajnë tatimin mbi të.
[4] Nga analiza e politikave në vende të ndryshme, ekspertët tanë kanë evidentuar se interesi është rritur në mesin e studiuesve dhe përkrahësve të politikave shëndetësore për taksimin e ushqimeve “të pashëndetshme”, të tilla si pijet e ëmbla me sheqer dhe ushqimet e shpejta, duke tatuar më lehtë ushqimet “e shëndetshme”.
Në këtë rast, nëse do ti ktheheshim propozimit për supertaksat e ushqimit mund të kenë pasoja të padëshiruara për shëndetin publik, të cilat punojnë kundër përpjekjeve për të promovuar një popullsi të shëndetshme dhe të ushqyer mirë, duke inkurajuar familjet që të hanë ushqime më pak cilësore dhe të shëndetshme.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: