Sigurimi i detyrueshëm i banesave, një hap drejt sigurisë apo një barrë e re që rrezikon të thellojë pabarazitë?
Në Shqipëri po diskutohen me intensitet të lartë detajet e projektligjit për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet dhe përmbytjet. Nga këndvështrimi analitik i ALTAX, ky ligj mund të shndërrohet në një instrument real mbrojtjeje për qytetarët vetëm nëse projektohet me kujdesin më të madh ndaj realitetit ekonomik dhe social të vendit. Përndryshe, rrezikon të kthehet në një detyrim të ri financiar që godet më fort ata që kanë më pak mundësi.
Familjet me të ardhura të ulëta do të ndiejnë menjëherë presionin e këtij sigurimi. Edhe pse primi duket modest në shifra absolute, ai mund të përfaqësojë një pjesë të konsiderueshme të buxhetit mujor kur krahasohet me shpenzimet esenciale si ushqimi, energjia apo qiraja. Në kushtet e informalitetit të lartë të të ardhurave dhe mungesës së kursimeve, çdo barrë fikse ose proporcionale me vlerën e pasurisë bëhet regresive. Ja pse nevojiten masa konkrete mbrojtëse, si subvencione të targetuara ose prime të ulëta për pronat informale dhe zonat e varfra, pasi reforma mund të thellojë pabarazitë në vend të atyre që synon t’i zbutë.
Një model i mirëfilltë duhet të balancojë disiplinën e riskut me solidaritetin social, duke mos harruar se kapaciteti pagues nuk është i njëjtë për të gjithë.
Kostot totale të implementimit nuk mbarojnë me primin vjetor.
Për individët, përveç mesatarisht 25–35 euro në vit (sipas diskutimeve të fundit të shkurtit 2026), vijnë edhe shpenzimet administrative, vlerësimi i pasurisë dhe formalizimi i policës, shuma që mund të duket e vogël, por që grumbullohet shpejt për familjet që jetojnë muaj pas muaji. Për shtetin, kostoja është edhe më e madhe: krijimi i infrastrukturës institucionale, sistemeve IT, monitorimit të riskut dhe auditimit kërkon investime fillestare dhjetëra milionë euro, plus shpenzime operative të vazhdueshme. Për më tepër, skema krijon detyrime kontingjente fiskale. Nëse fondi nuk përballon një katastrofë të madhe, siç ndodhi në 2019-ën, presioni bie sërish mbi buxhetin publik. Kjo do të thotë që risku privat mund të kthehet shpejt në ekspozim fiskal publik.
Bazimi i primit mbi nivelin e riskut është parim ekonomikisht i shëndoshë, por socialisht delikat. Zonave më të ekspozuara ndaj tërmeteve ose përmbytjeve, që shpesh përkojnë me të ardhura më të ulëta dhe ndërtesa më të dobëta do t’u takojnë prime më të larta. Kjo logjikë aktuariale është korrekte teknikisht, por pa një komponent solidariteti (subvencione të drejtuara ose kufizime për shtresat në nevojë) mund të prodhojë diferencime territoriale dhe sociale që e bëjnë skemën të papranueshme për një pjesë të madhe të popullsisë. Drejtësia aktuariale nuk duhet të sakrifikojë drejtësinë sociale.
Rreziqet financiare në zbatimin praktik janë po aq serioze. Kapaciteti i Fondit Kombëtar për të përballuar një ngjarje të madhe mbetet sfida kryesore: një tërmet ose përmbytje e vetme mund të shterojë rezervat e akumuluara në pak ditë. Nevoja për risigurim ndërkombëtar të fortë dhe plane të qarta likuiditeti, lidhet me pagesat e dëmeve që rrezikojnë vonesa që minojnë besimin publik. Vlerësimi i pasaktë i dëmeve, abuzimet dhe informaliteti në mbledhjen e primeve dobësojnë themelin e skemës. Për më tepër, ekziston rreziku real që shoqëritë e sigurimit privat të përfitjonë përtej nivelit bazë që mbulon fondi, duke “kremuar” klientët më të mirë dhe duke lënë barrën e rrezikut më të lartë mbi fondin publik.
Në përmbledhje, qëndrueshmëria afatgjatë e këtij sigurimi të detyrueshëm varet nga disa vendime kyçe. Drejtësia dhe proporcionaliteti i primit duhet të arrihen duke kombinuar riskun real me mekanizma solidariteti, që skema të mos bëhet taksë regresive për familjet e varfra. Mbrojtja e klientëve dhe transparenca kërkojnë auditim të pavarur, procese të shpejta vlerësimi dhe informim të plotë, për të shmangur abuzimet dhe humbjen e besimit.
Stabiliteti fiskal, ndërkaq kërkon që fondi të mbetet i dedikuar ekskluzivisht për dëmshpërblime, risigurim dhe operacione, pa rrezik ridistribucioni për deficitin buxhetor të përgjithshëm, siç parashikon edhe kuadri i Ligjit Organik të Buxhetit. Në rast katastrofe të madhe, presioni indirekt mbetet real dhe mund të kërkojë kapitalizim fillestar të fortë e risigurim ndërkombëtar.
Reforma ka potencial të madh: të mbrojë mijëra familje nga fatkeqësitë natyrore dhe të nxisë ndërtim më të sigurt. Por për ta bërë këtë realitet, duhet të jetë mbi të gjitha e drejtë, transparente dhe e qëndrueshme fiskalisht. Kjo qasje garanton që sigurimi i detyrueshëm i banesave do të shërbejë si mburojë për të gjithë, e jo si barrë shtesë për më të pafuqishmit.
ALTAX mbetet e gatshme të vijojë me kontribute konkrete në politikat e zbatimit për një model që balancon përgjegjësinë individuale me solidaritetin kolektiv dhe stabilitetin e vendit.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.