Si mundet ti adresojë qeveria problemet e punës informale?
Edhe pse Këshilli Kombëtar i Punës ka në kalendar një herë në vit adresimin e problematikave të lidhura me tregun e punës të industrisë nxjerrëse, përfshirë edhe sigurinë në punë, ende nuk ka një zgjidhje të paktën të atyre problematikave të adresuara tashmë lidhur me informalitetin, sigurinë në punë, si dhe trajtimin e sëmundjeve profesionale.
Një mënyrë për të inkurajuar konsumatorët dhe bizneset të përdorin punën e deklaruar është reduktimi i tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) për mallra të caktuara ku puna e padeklaruar është më e përhapur p.sh. një ulje e TVSH apo një politikë më elastike për TVSH mbi produktet minerare, e kufizuar në kohë dhe e lidhur me treguesit e konjukturave të çmimeve, do të ketë vlerën e uljes së kostove për biznesin me të paktën deri në 10% në rastin e një përgjysmimi të normës së TVSH-së.
Një ide e bazuar te politika fiskale që duhet studiuar në detajet e efekteve dhe pritshmërive do të ishte shpallja e zonave minerare si zona të lira ekonomike për ta bërë edhe më të thjeshtë dhe më ndihmëse për nën – sektorin minerar. Janë pikërisht këto zona që për mbi dy dekada nuk është arritur që të vihen nën kontroll nga asnjë qeveri, duke u lënë në dorë informalitetit në pjesën më të madhe të tyre. Karakteristika mbizotëruese e shfrytëzimit tradicional për këto dy dekada të fundit është shkalla e vogël e bizneseve formale. Numri më i madh i aktiviteteve në zonat minerare kryhet nëpërmjet individëve, të cilët konkurojnë bizneset formale, për të cilat sfida është rritja e produktivitetit dhe të reduktimi i konkurencës së pandershme dhe informalitetit në tregun e punës.
Një nga pengesat kryesore për kalimin nga punësimi informal në atë formal është mungesa e aftësive të duhura për nevojat e industrisë dhe teknologjisë në përdorim. Masat aktive të tregut të punës duhet të udhëhiqen sipas qasjeve më të lehta, fillimisht drejt përmirësimit të aftësive për të mundësuar punëkërkuesit për të hyrë në tregun formal të punës. Punët publike duhet të përdoren për të zhvilluar aftësitë e veçanta të kërkuara në tregun formal të punës.
Është e nevojshme që në përpjekjet për të krijuar një grup të stimujve pozitive për të lëvizur nga informaliteti në formalitet të jepen si mundësi të përkohshme nga qeveria kalimi vullnetar nga puna e padeklaruar në aktivitetet formale, duke e zbatuar në praktikë në një mënyrë që është tërheqëse për bizneset informale, pa kosto shtesë dhe pa rreziqe sanksionesh.
Një adresim të shqetësimit lidhur me përfitimin nga fondet e punësimit, të cilat janë shumëfishuar në këto dy vite të fundit, është orientimi i grupeve të bizneseve dhe punonësve të rinj, të cilët mund të përfshihen në fushat prioritare për zbatimin e fondit të nxitjes së punësimit. Edhe pse çdo biznes, person juridik ose fizik, ka të drejtë të aplikojë dhe përfitojë nga programet e Fondit të Nxitjes së Punësimit, prania e informalitetit në zonat minerare, si dhe mungesa e informimit në kohë për të përfituar nga fondet e ka bërë jo të pranishme sa duhet këtë mekanizëm nxitje për sektorin.
Projektet e reja të nxitjes së punësimit ende nuk kanë arritur një ndikim të dukshëm në numrin e punëkërkuesve të papunë apo sigurimin e profesionalitetit, për t’i dhënë prioritet subjekteve private të industrisë nxjerrëse, që janë mundësitë më të mëdha për forcat punëtore të zonave minerare për punësim të qëndrueshëm me një ndikim më të madh social – ekonomik. Të rinjtë, që duhet të hyjnë për herë të parë në tregun e punës dhe të rinjtë e sapo diplomuar, ende nuk konsiderohen si pjesë e vëmendjes së fondeve për nxitje punësimi.
Shqipëria zbaton grupe politikash për të kryer rolin e rregullatorit e tregut të punës. Ndërkohë, politikat që kanë të bëjnë me pagesën e papunësisë dhe ndihmën ekonomike, janë pjesë që merren nga Buxheti i Shtetit në një nivel të paktën 1.2 përqind të PBB, ose sa 4.1 përqind e gjithë shpenzimeve të Buxhetit.
Në krahasimin e objektivave strategjikë numerikë, vlerorë dhe kualitativë, llogaritjet nga zhvillimi real i tregut tregojnë mospërmbushje të plotë të tyre, si për uljen e papunësisë, po ashtu edhe me rritjen e tregut të punës.
Format e tjera të zgjedhura, gjithashtu nuk e kanë dhënë efektin e pritshëm duke qenë argument për një përzgjedhje më efektive të programeve zbatuese në përshtatje me nevojat dhe kërkesat e tregut të punës.
Marrë nga Raporti Studimor TREGU, MARRËDHËNIET E PUNËS DHE LIDHJA MIDIS INFORMALITETIT, KONKURUESHMËRISË, PRODUKTIVITETIT DHE PAGËS MINIMALE NË INDUSTRINË NXJERRËSE NË SHQIPËRI
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.