Sa do t’i kushtonte realisht qeverisë rritja e pagave të sektorit publik?
Në fund të marsit 2022, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, në një deklaratë për mediat Kryeministri Edi Rama lajmëroi planin kombëtar për rritjen e pagave mesatare dhe mbi mesatare për administratën publike dhe reflektimin që do të ketë sektori privat në këtë drejtim.
Me këtë nisëm të qeverisë, synohet që rritja e pagës mesatare të arrijë deri në 900 euro (103.500 Lekë)[1], e cila do të realizohet përmes dy fazave.
Më herët, Këshilli i Ministrave miratoi rritjen e pagës së mjekëve dhe të infermierëve me 7%, ndërkohë që mjekëve specialistë paga iu rrit me 50 mijë lekë të reja.
Gjithashtu Kryeministri u shpreh se qeveria do të mbajë zotimin për të realizuar shtesë mbi pensionin prej 5 mijë lekësh të rinj, për të gjithë pensionistët[2].
Plani kombëtar pritet të bëhet transparent për qytetarët dhe gjithë biznesin në javët në vijim.
Në analizën tonë merret në konsideratë edhe pika e programit politik të qeverisë së Partisë Socialiste, pas fitores në zgjedhjet parlamentare të 25 Prill 2021[3], për rritjen e pagës mesatare mujore bruto në administratë me 25% në mënyrë graduale deri në fund të mandatit (nga 72.000 lekë/muaj në 85.000 lekë/muaj).
Në mungesë të një konsultimi paraprak, shumë të domosdoshëm për këtë diskutim teknik dhe mjaft delikat në qasjen gjithpërfshirëse që duhet të marrë, ekspertët dhe partnerët tanë janë duke analizuar dhe studiuar të dhënat që përfshijnë statistikat për pagat në sektorin publik dhe privat, fondet e pagave respektive për këta sektorë, si dhe tendencat e tyre. E gjithë kjo analizë studimore bëhet për të thënë se sa do t’i kushtonte realisht qeverisë një rritje e pagave të sektorit publik.
Llogaritjet mund të jenë më të qarta dhe të sakta vetëm për sektorin publik, pasi sektori privat nuk ka të dhëna transparente për përdorim, por edhe ndikimi i faktorit të informalitetit në tregun e punës, në ekonomi, si dhe evazioni tatimor ndikojnë dhe ndikojnë në pasaktësitë e llogaritjeve.
Nga njoftimi paraprak i Nr.1 të Qeverisë, paga mesatare deri në 2025 do të rritet 39% në krahasim me pagën mesatare në tremujorin e IV-t të vitit 2022.
Me po të njëjtën mënyrë vendim marrje edhe paga minimale do të rritet 32.35% në krahasim me pagën mesatare në tremujorin e IV-t të vitit 2022.
Tashmë është miratuar Vendimi i Qeverisë (113/1.3.2023) për rritjen 17.6% të pagës minimale nga 1 Prill 2023[4] në krahasim me pagën mesatare në tremujorin e IV-t të vitit 2022.
Pra, për pagën minimale rritja e ardhshme do të jetë edhe 14.7% më shumë në vitet 2024-2025.
Por, sa do të kushtonte për buxhetin shqiptar një rritje pagash për t’ja u dhënë punonjësve të sektorit publik me njoftimin e fundit?
Me një rritje pagash mesatare prej 39% përfshirë edhe vitin 2023, fondi total i pagave të sektorit publik në vitin 2025 duhet të arrijë 113 – 114 miliardë Lekë, plus 2 – 2.6 miliard lekë kontribute sigurimesh. Kjo rritje llogaritet ti kushtojë buxhetit deri 25.5 miliardë lekë shtesë, përveç 11.3 miliard lekë që tashmë i ka planifikuar si politika pagash të reja. Politika e rritjes së pagave të sektorit publik, me efekt edhe rritjen e pagës mesatare në total kushton deri 36.8 miliard lekë për dy-tre vitet në vijim.
Duke përdorur shifrën mesatare prej 7% për indeksin e çmimeve të konsumit të paralajmëruar nga banka e Shqipërisë, kostoja reale do të ishte 1.7 miliardë Lekë më pak e kushtueshme.
Sipas Treguesve fiskalë të buxhetit të konsoliduar deri në 2025[5], si dhe PBA 2023 – 2025 të Qeverisë[6], por edhe Programit të Reformave Ekonomike 2023 – 2025[7], për këto tre vite fondi i pagave është parashikuar të rritet me 13%. Nga kjo rritje, fondi i pagave të sektorit buxhetor nga 88.9 miliardë lekë në vitin 2022 do të arrijë në 100.7 miliardë lekë në 2025.
Për politikat e reja të pagave të sektorit publik gjatë 2023-2025 janë llogaritur të paguhen nga buxheti i shtetit 11.3 miliardë lekë shtesë. Ky fond nuk mundet ta përballojë dot rritjen e kostos për të arritur deri te paga mesatare 900 Euro. Në të kaluarën (2019-2022), fondi i pagave shtesë prej 11.1 miliard lekë ka nxitur një rritje të pagës mesatare deri në 16.6%.
Sipas vendimit të marrë nga Nr.1, një rritje pagash prej 39% (në dy faza) do t’u kushtonte edhe 60 mijë familjeve shqiptare[8] 7.8 miliard lekë tatime dhe kontribute më të larta si një efekt që vjen nga rritja e pagës mesatare 39%[9].
Për secilën familje të paguar prej sektorit publik me pagën mesatare aktuale 74.450 lekë/muaj me rritjen e pagës mesatare me 39% do të paguajë 84.360 mijë lekë/vit më shumë, si detyrime për kontribute dhe tatim mbi pagën.
Kur e zhvendosim analizën në sektorin privat, nëse do të aplikohej një normë rritje të pagave mesatare 39%, duke marrë si bazë për analizën të njëjtën periudhë historike (2019-2022), si dhe të njëjtën periudhë zbatimi (2023-2025), atëherë fondi i pagave mesatare të sektorit privat në vitin 2025 duhet të arrijë deri 173 miliardë Lekë, me një rritje 33.2% nga fondi i pagave mesatare në vitin 2022.
Nga llogaritja e bërë nga ekspertët e ALTAX, fondi gjithsej i pagave (paga minimale, paga mesatare dhe paga të larta) të sektorit privat në vitin 2022 është 424.6 miliard lekë (3.7 miliard Euro). Afër 40% e fondit të pagave përbëhet nga fondi i pagave të nivelit mesatar.
Në vitin 2022, niveli i pagës mesatare është 62.198 lekë/muaj, me rritje 27.5% nga viti 2019, ku ndikimin kryesor e gjejmë në tremujorin IV 2022, me 8% rritje apo sa 30% e gjithë rritjes së pagës mesatare të sektorit privat.
Kur inflacioni filloi të rritet në vitin 2021, i nxitur fillimisht nga inflacioni i energjisë, pastaj edhe nga pengesat e ofertës, veçanërisht për mallrat, por më vonë edhe për shërbimet në kontekstin e rihapjes ekonomike u hap një hendek thelbësor midis rritjes së pagave nominale dhe reale të konsumatorëve.
Kjo pasqyron ndikimin e fuqishëm të punës që deri më tani po rezistonte ndaj ngadalësimit të ekonomisë, si dhe nga njëfarë ngërçi ndërmjet pagave dhe normave të larta të inflacionit. Përtej afatit të afërt, ngadalësimi i pritshëm ekonomik dhe pasiguria rreth perspektivës ekonomike ka të ngjarë të forcojnë presionin që ka filluar të ndihet në rritjen e pagave.
Në vitin 2022, paga mesatare e sektorit privat është sa 84% e nivelit të pagës mesatare të sektorit publik, me një nivel afrimi me 8% nëse verifikojmë deri në 2019.
Përshkrimi | 2019 | 2020 | 2021 | 2022 |
Paga mesatare mujore për të punësuar me pagë | 53 458 | 54 951 | 59 565 | 66 014 |
Paga mesatare mujore në sektorin shtetëror | 63 826 | 66 479 | 70 531 | 74 450 |
Paga mesatare mujore në sektorin privat | 48 767 | 49 440 | 54 482 | 62 198 |
Raporti pagës Sek.privat/ Sek.publik | 76% | 74% | 77% | 84% |
Paga minimale e miratuar | 26 000 | 26 000 | 30 000 | 34 000 |
Burimi i informacionit: DPT, INSTAT |
Kjo tendencë duket se do vazhdojë të afrohet me shpejtësi, për arsye të shkurtimit të fuqisë punëtore, si dhe rritjes së kërkesave të punonjësve të rinj për një pagë më të lartë dhe dinjitoze si kompensim të kontributit të tyre bazuar në aftësitë që zotërojnë.
Përshkrimi | 2022/ 2021 | 2022/ 2020 | 2022/ 2019 |
Paga mesatare mujore për të punësuar me pagë | 10,8% | 20,1% | 23,5% |
Paga mesatare mujore në sektorin shtetëror | 5,6% | 12,0% | 16,6% |
Paga mesatare mujore në sektorin privat | 14,2% | 25,8% | 27,5% |
Paga minimale e miratuar | 13,3% | 30,8% | 30,8% |
Burimi i informacionit: DPT, INSTAT, Llogaritjet ALTAX |
Paga mesatare ne sektorin publik, në vitet 2019 – 2022 u rrit me 16.6%
Paga mesatare ne sektorin privat, në vitet 2019 – 2022 u rrit me 27.5%[10]
Pavarësisht një ndikimi kaq të larmishëm në sektorët e ekonomisë, ndryshimet në rritjen e përgjithshme të pagave për shkak të përbërjes sektoriale mbetën të kufizuara pasi skemat e mbajtjes së vendeve të punës përmbanin ndryshime të punësimit. Gjatë rimëkëmbjes, ndryshimet në punësimin nëpër sektorë kanë pasur vetëm një ndikim të lehtë pozitiv në kompensimin për punonjës dhe kompensimin për orë për ekonominë totale.
Megjithatë, vlera e punësimit ndoshta nuk ka ndryshuar thjesht brenda sektorëve, veçanërisht në ata sektorë ku punësimi ka rënë, por edhe sipas strukturës së punonjësve dhe profesioneve. Ndryshime të tilla, të parë për shembull në nivelin arsimor dhe specializimin kanë ndikim në rritjen e pagave në nivele të ndryshëm.
2022/ 2021 | 2021/ 2020 | 2020/ 2019 | 2022/ 2019 | |
Menaxherë, Ligjvënës, nëpunës të lartë/ drejtorë | 7,0% | 9,1% | 0,1% | 16,2% |
Specialistë me arsim të lartë (profesionistë | 8,9% | 7,2% | 2,5% | 18,6% |
Teknikë dhe specialistë në zbatim | 7,6% | 10,0% | 4,8% | 22,4% |
Nëpunësit | 10,9% | 2,9% | 5,1% | 19,0% |
Punonjës të shitjeve dhe të shërbimeve | 11,3% | 9,6% | 3,7% | 24,6% |
Punonjës të kualifikuar bujqësi/ pyje/ peshkim | 17,0% | 12,0% | -0,9% | 28,1% |
Zejtarë, artizanë dhe të lidhura me to | 13,3% | 11,4% | 1,4% | 26,1% |
Punonjës montim/përdorim makineri-pajisje | 15,9% | 11,9% | 2,0% | 29,8% |
Punëtorë (Profesione elementare) | 19,6% | 8,9% | 0,4% | 29,0% |
Forcat e armatosura | 20,8% | 1,9% | 0,4% | 23,1% |
Niveli më i lartë i rritjes së pagës mesatare për këtë periudhë ka ndodhur për punëtorët, teknikët, fermerët, profesionet e lira dhe punonjësit e tregtisë.
2019/ 2018 | 2020/ 2019 | 2021/ 2020 | 2022/ 2021 | 2022/ 2018 | |
Bujqësia, pyjet dhe peshkimi | -6,0% | -7,5% | 10,5% | 18,2% | 15,3% |
Industria gjithsej | 1,7% | 1,2% | 11,2% | 11,7% | 25,7% |
Ndërtimi | -2,7% | -1,8% | 8,2% | 13,5% | 17,2% |
Tregtia; transporti; akomodimi; shërbim ushqimor | 4,8% | 2,5% | 11,8% | 15,6% | 34,7% |
Informacioni dhe komunikacioni | 2,9% | 3,6% | 9,5% | 14,1% | 30,1% |
Aktivitetet financiare dhe të sigurimit | 3,1% | 0,1% | 6,0% | 16,4% | 25,6% |
Pasuri paluajtshme; Shkencë/ Teknikë; Shërb. administrative | -1,0% | 3,8% | 5,7% | 11,3% | 19,8% |
Administrata; Sigurimet; Arsimi; Shëndetësia; Puna sociale | 2,4% | 4,5% | 6,4% | 6,2% | 19,5% |
Arte, argëtim dhe çlodhje; Aktivitete të tjera shërbimi | 6,8% | 0,5% | 6,8% | 6,7% | 20,8% |
Burimi i informacionit: INSTAT, Llogaritjet ALTAX |
Rritja e pagave ka ndryshuar shumë në të gjithë sektorët kryesorë të ekonomisë që nga fillimi i pandemisë.
Pandemia dhe masat e qeverisë për të zbutur ndikimin e saj kanë kontribuar në ndryshime të mëdha në vlerën e shtuar sektoriale, orët mesatare të punës, produktivitetin dhe në veçanti, rritjen e pagave. Kjo pasqyron shkallët e ndryshme në të cilat rritjet e pagave dhe pjesëmarrja në skemat e mbajtjes së vendeve të punës ndikuan në sektorë të ndryshëm gjatë viteve të fundit.
Pagat mesatare më të larta sipas sektorëve të ekonomisë e shikojmë në sektorin e tregtisë dhe shërbimeve, komunikacionit dhe informatikës, si dhe në prodhim dhe përpunimet industriale, por edhe në sektorin financiar dhe të sigurimeve.
Një moment ku analiza ndalet për të shprehur shqetësimin lidhur nga momenti delikat që prodhojnë rritje të mëdha dhe të menjëhershme, të cilat nuk kanë ndodhur prej shumë kohësh. Një shqetësim që përcillet nëpërmjet kësaj analize lidhet me rrezikun e cënimit të standardeve, apo të Drejtave të Punës, që në Kodin e Punës konsiderohen si marëdhëniet e punësimit[11].
Tashmë, duhet të rikthehen në vëmendjen e qeverisë me një program të ri. Arsyeja që është pas kësaj është e lidhur me efektet që vijnë nga zbatimi i vendimit të qeverisë për rritjen e pagës minimale nga 1 Prill 2023, si dhe njoftimi për rritjen si pasojë edhe të pagës mesatare të sektorit publik duke u kërkuar edhe bizneseve të kenë të njëjtën qasje.
Por, një rritje e pagës minimale, si dhe rritja e pagës mesatare do të rritë edhe fondin e pagave, që në rastin më minimal do të duhet të rritej me të paktën 30% në krahasim me vitin 2022.
Një rritje e kostove të biznesit nga efekti i rritjes së pagës rrezikon të përcillet në mosrespektimin e të drejtave të punonjësve lidhur me kohën maksimale të punës dhe kohën minimale të pushimit, kohëzgjatjen minimale të lejes së paguar vjetore, kushtet e punësimit, dhe ato të punës, si dhe uljen e shpenzimeve për trajnim dhe forcim aftësish.
Të gjitha këto ndikojnë mbi gjithë punën e bërë deri më sot, ndikon mbi marëdhëniet e sindikatave me punëdhënësit, si dhe mbi organizatat profesionale të biznesit dhe shoqëria civile, të cilët pasi kanë punuar dhe kanë arritur disa standarte më të mira nga më përpara, tashmë mund tu rrezikohet kontributi. Në këtë rast ata kanë patur përballë mentalitetin për moszbatuar ligjin, institucionet e munguara me mosveprimin për uljen e informalitetit dhe krijimin e kushteve për një ambjent më të mirë të bërit biznes.
Konsiderata kryesore këtu është efikasiteti i politikave për zbatimin e standardeve në punë.
A do të përmirësojnë ato të drejtat e njeriut midis partnerëve të mundshëm në treg?
Apo do të ngadalësojnë përparimin drejt të drejtave të njeriut duke i mbajtur punëtorët politikisht të pafuqishëm dhe të zhytur në varfëri?
Mbrojtësit e të drejtave në punë mundet në këto momente të kërkojnë me forcë zbatimin e gjithë kërkesave që duhet të respektohen nga punëdhënësit sipas Kodit të Punës dhe akteve të tjera të lidhur me të.
Ndërkohë, kur rregullat do të kërkohen me forcë edhe nga institucionet rregullatore, që kanë për detyrë monitorimin e standarteve të punës, atëherë presioni i rritur do të shtojë edhe më tej kostot mbi bizneset. Në këtë rast do të rriten edhe kosto shtesë, përveç atyre që mund të diktohen sipas nismës së qeverisë për rritjen e pagës mesatare. Kjo është një kërkesë për të falimentuar kompanitë, se sa një kërkesë e drejtë që mund të gjejë rrugën e zgjidhjes që nuk e ka gjetur për shumë vite.
Por, përveç rriskut të zbatimit dhe formalizimit më të madh të punës shihet se edhe punonjësit e rinj kanë rritur tashmë kërkesat dhe presionin ndaj punëdhënësve për paga më të larta dhe ambjent pune dinjitoz, nisur nga vështirësia në treg për të gjetur punonjës. Me një cilësi të avancuar, punonjësit e rinj dallojnë pozitivisht dukshëm me punonjësit e vjetër, që nuk e njohin si dhe sa duhet kulturën e kërkesave për rritje page dhe ambjent pune të denjë. Kultura e re po zëvendëson të vjetrën duke nxitur një ambjent dhe marëdhënie shumë të ndryshme, ku punëmarrësit janë më të fortë në ngritjen e zërit për të drejtat e tyre.
Megjithatë, koha më e mirë për të kërkuar normalisht një rritje page është tani, pasi momenti është në favor të punonjësve. Shumica e kompanive janë duke kërkuar punonjës të rinj me performancën e duhur për bizneset dhe përmbushjen e kontratave tregtare, pas shkurtimeve që nisën të jenë me shumicë gjatë pandemisë.
Është gjithmonë një ide e mirë që të ringrihet dialogu midis punëdhënësve dhe punëmarrësve dhe të freskohet kontrata sociale. Por tashmë dialogu është i domosdoshëm dhe jetik për të diskutuar mbi modelin e kontratave të reja të punës, si dhe kostot që duhen për të përballuar zbatimin e gjithë të drejtave të punës. Në këtë raport të riformatuar, Këshilli Kombëtar i Punës dhe institucionet që kanë fushë veprimi tregun e punës duhet të shërbejnë si rregullatorët për të mos lënë që kërkesat dhe oferta në treg të disbalancohen nisur nga momenti jo favorizues për administratorët e kompanive.
Tashmë ka ardhur momenti edhe për qeverinë, që të rishfaqë vlerat e saj të humbura nëpër vite, të cilat i ka përfshirë në Strategjinë e re për punësimin dhe aftësimin 2023 -2030[12], por edhe në shumë politika të reja që ka në proces përpunimi apo zbatimi. Edhe për Nr.1 të Qeverisë ky moment mund të shërbejë shumë mirë për një politikë/paketë të sistemuar/grupuar rreth adresimit të problematikave pse nxitin migrimin kaq fort vitet e fundit.
Pavarësisht rritjeve nominale të pagave, që po arrijnë një nivel të lartë historik midis janarit 2022 dhe janarit 2023, punëtorët po shohin rënie të fuqisë së tyre blerëse ose pothuajse të kompensuar, bazuar në shifrat paraprake të inflacionit. Nisur nga momenti historik, ku përcaktimi i pagës minimale u bë nën hijen e niveleve të larta të inflacionit, për të mbrojtur edhe të ardhurat e punonjësve me paga të nivelit mesatar, qeveria mori një vendim të drejtë për të rritur pagën minimale në një masë shumë më të madhe se në vitet e mëparshme.
Fuqia blerëse e punonjësve mund të monitorohet duke parë zhvillimet reale të pagave në përballjen konsumatore. Konsumi përveç tremujorit të IV ka patur një nivel shumë të ulët dhe me këtë kuptojmë se kemi të bëjmë me një faktor kostoje dhe jo me një zë të të ardhurave, kështu që llogaritja kërkon një pikërisht një rritje të pagave, por në nivele të ndryshme, pasi të jenë analizuar dhe llogaritur gjithë efektet dhe ndikimet e ndryshme.
Pagat reale të prodhuesve mund të nxirren duke rregulluar pagat nominale duke përdorur deflatorë me vlerë të shtuar, të cilët masin çmimet e ngarkuara për prodhimin e mallrave dhe shërbimeve në ekonomi.
Pagat reale të konsumatorëve tregojnë se sa të rënda kanë qenë humbjet e fuqisë blerëse për punonjësit. Në masën që punonjësit përpiqen të kompensojnë këtë humbje të fuqisë blerëse, kjo mund të ndikojë në kërkesat për paga nominale.
Pagat reale të prodhuesve reflektojnë presionet e kostos të nënkuptuara nga rritja e pagave nominale në raport me rritjen e përgjithshme të çmimit të prodhimit.
Gjithë çfarë ka nevojë tregu i punës (punëdhënës dhe punëmarrës) është lajmi se qeveria ka një plan të mirëstrukturuar, real dhe të fokusuar drejt për të ardhmen. Ky plan, i cili duhet ti bashkëlidhet strategjisë së re për punësimin duhet që të reflektojë edhe problemet që mundet të lindin nga nismat e befta të qeverisë për të bërë politikë me problemet ekonomike dhe sociale të qytetarëve shqiptarë.
[1] Sipas kursit të këmbimit mesatar Janar – Mars 2023, 1 Euro = 115 Lekë (llogaritja jonë)
[2] https://www.kryeministria.al/rritje-e-pages-mesatare/
[3] Programi Qeverisës 2021 -2025. Faqe 16. Mirëqenie për të gjithë. Rrisim pagën mesatare mujore bruto me 25% në mënyrë graduale deri në fund të mandatit.
Programi Qeverisës 2021 -2025. Faqe 18. Rritja e Pagave. Rrisim pagën mesatare në administratë, nga 72 mijë lekë/muaj në 85 mijë lekë/muaj deri në fund të mandatit të tretë
[4] https://qbz.gov.al/eli/vendim/2023/03/01/113/44a50860-2278-43a8-8835-2206bd468149
[5] https://financa.gov.al/wp-content/uploads/2022/12/Tabela-4-Treguesit-fiskale-t-2-deri-t2-2023.xls
[6] https://financa.gov.al/programi-buxhetor-afatmesem-2023-2025-faza-iii/
[7] https://www.konsultimipublik.gov.al/documents/RENJK_596_draft-ERP-2023-2025-1.pdf
[8] Numri i punonjësve të sektorit buxhetor (pa ndërmarrjet publike) në 2023 arrin 84.818 punonjës. Një pjesë e punonjësve, afër 30% janë me pagë minimale, apo poshtë pagës mesatare
[9] Për rritjen 39% të pages mesatare, për 2 fazat së bashku paguhen afër 2.34 miliard lekë kontribute sigurimesh plus afër 5.44 miliard lekë për 2 vite tatim mbi pagën
[10] https://www.instat.gov.al/media/11344/statistikat-e-pagave-t4-2022.pdf
[11] Marrëdhënia e punësimit, që krijohet sipas rasteve të parashikuara në pikën 1, të Nenit 3/1, rregullohet nga dispozitat e legjislacionit shqiptar, lidhur me:
a) kohën maksimale të punës dhe kohën minimale të pushimit;
b) kohëzgjatjen minimale të lejes së paguar vjetore;
c) nivelin e pagës minimale;
ç) kushtet për agjencinë e punësimit të përkohshëm;
d) sigurinë, shëndetin dhe higjienën në punë;
dh) kushtet e punësimit, ose të punës, për gratë shtatzëna ose gratë që sapo kanë lindur, për të rinjtë, fëmijët dhe personat me aftësi të kufizuar;
e) parimin e trajtimit të barabartë, përfshirë dispozitat e kontratës kolektive.
[12] https://qbz.gov.al/eli/vendim/2023/03/24/173/006a8e4b-bc79-4032-9553-60814bc2527f
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.