Rritja ekonomike në 2025, ritëm Po, cilësi Jo

Rritja ekonomike në 2025, ritëm Po, cilësi Jo

Ekonomia shqiptare e mbylli vitin 2025 me një rritje reale të PBB-së prej 3.79% krahasuar me 2024-n, sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga INSTAT më 26 mars 2026. Rritja tremujore ishte 3.39% në T1, 3.51% në T2, 3.75% në T3 dhe 3.80% në T4. Kjo performancë makroekonomike konfirmon stabilitet, por mbetet dukshëm nën nivelin 5.5–6.5% që nevojitet për konvergjencë reale me ekonomitë e Bashkimit Europian.

Nga llogaritjet paraprake, madhësia nominale e ekonomisë në 2025 u afrua në rreth 31.7 miliardë USD (ose rreth 27.1 miliardë euro sipas disa vlerësimeve).

Për krahasim dhe logjikë vijimësie dhe vlerësimi, sipas të dhënave të INSTAT, PBB-ja me çmime korrente për vitin 2024 ishte 2.517.821 milion lekë (rreth 2.518 trilion lekë). PBB-ja për vitin 2023 ishte 2.364.275 milion lekë (rreth 2.364 trilion lekë).

Nëse rritja reale në 2025 do të ishte pranë potencialit optimal (5.5–6.5%), PBB-ja do të kishte arritur rreth 33–34 miliardë USD, krahasuar me rreth 31.7 miliardë USD aktuale, duke krijuar një hendek vjetor prej afërsisht 1–2 miliardë USD dhe humbje kumulative që mund të arrijnë në 5–8 miliardë USD në afatmesëm.

Struktura e rritjes vijoi edhe në 2025 me dominim të konsumit dhe sektorëve jo-produktivë.

Rritja vijoi të mbështetej kryesisht nga kërkesa e brendshme. Konsumi i familjeve u rrit me +2.99% në T4 (kontribut i ngjashëm gjatë vitit). Formimi bruto i kapitalit fiks (investimet) shënoi +6.73% në T4, por i përqendruar kryesisht në:

  • Ndërtim me +7.36% rritje (+1.17 pikë përqindje kontribut në T4)
  • pasuri të paluajtshme me +6.25%.

Kontribut pozitiv dhanë edhe administrata publike, arsimi dhe shëndetësia (+1.02 pikë përqindje në T4, me +8.30% rritje). Nga ana tjetër, kontribut negativ erdhën nga:

  • bujqësia me – 0.27 pikë përqindje (-2.19% rritje)
  • industria/energjia me – 0.16 pikë përqindje.

Konsumi përbën ende 75–80% të PBB-së, ndërsa investimet 25–27%. Ky konfigurim e bën modelin aktual më shumë konsumues sesa prodhues.

Deficiti tregtar është “vrima” nga ku doli rritja ekonomike e 2025.

Në vitin 2025, deficiti tregtar u shndërrua në “vrimën” nga ku kaloi një pjesë e rritjes ekonomike. Të dhënat tregojnë se eksportet ranë me –6.1% krahasuar me 2024, ndërsa importet u ulën vetëm me –0.79%. Ky kombinim tregon një pabarazi strukturore: ekonomia jonë vazhdon të blejë shumë më tepër nga jashtë sesa mund të shesë jashtë.

Në terma të thjeshtë, edhe pse ekonomia po rritet, një pjesë e konsiderueshme e parave që qarkullojnë brenda vendit “rrjedh” jashtë përmes importeve, duke zbehur efektin real të rritjes.

Kjo firo e ndikoi jetën e përditshme dhe ekonominë reale. Efekti i parë ishte rritja e konsumit dhe investimeve brenda vendit. Por një pjesë e madhe e mallrave dhe shërbimeve që u përdorën ishin të importuara. Rezultati i kësaj ekonomie ishte se një pjesë e rritjes ekonomike nuk qëndron brenda ekonomisë shqiptare

Pasojat kryesore janë te fakti që e kemi parë në shumë vite me rritjen ekonomike që është më pak efektive, sepse një pjesë e vlerës së krijuar “shkon jashtë vendit” dhe nuk kontribuon në zhvillim të brendshëm.

Kjo e dikton ekonominë dhe familjet që të vazhdojnë të varen nga faktorë të jashtëm, pasi u duhet për të mbuluar këtë hendek. Dhe tashmë me treguesit e bilancit të pagesave për 2025 shikojmë se remitancat janë rritur me rreth 72 milionë euro më shumë. Po kështu turizmi është varka që po mban një pjesë të barrës së ekonomisë edhe në 2025 dhe po kështu edhe investimet e huaja, që kanë një rritje të dukshme me flukse valutore që po shkojnë te pasuritë e paluajtshme (561 milionë euro gjatë 2025) duke mbajtur tashmë pjesën kryesore të investimeve të huaja në vend që të shokonin për prodhimin dhe aktivitetet e lidhura me të.

E gjithë kjo e mban ekonominë më të brishtë ndaj rreziqeve që po përsëriten me një shpeshtësi më të madhe se vite më parë. Çdo goditje në tregjet globale, në remitanca apo turizëm, mund të ndikojë ndjeshëm në performancën ekonomike.

Pra edhe pse PBB-ja rritet (rreth 3.79% në 2025), një pjesë e konsiderueshme e kësaj rritjeje nuk përkthehet në zhvillim të brendshëm të qëndrueshëm.

Problemi i ekonomisë sonë tashmë po vërejet se nuk qëndron te ritmi, por te cilësia e rritjes. Kjo cilësi lidhet pikërisht me mungesën e shfrytëzimit të potencialeve të vendit që duhet të mobilizohgen dhe koordinohen me gjithë burimet dhe kapacitetet e nevojshme.

Ekonomia shqiptare operon nën potencialin e saj për shkak të investimeve jo-produktive (kryesisht në sektorë me kthim të ulët), por edhe prej produktivitetit të kufizuar të punës dhe kapitalit, si dhe asaj që përmendëm më herët dhe që është deficiti i lartë në sektorin e jashtëm të mallrave.

Modeli aktual mund të përshkruhet si një ekonomi që rritet përmes konsumit, financohet pjesërisht nga jashtë dhe investon pa rritur ndjeshëm produktivitetin afatgjatë në sektorë eksportues.

Çfarë kërkon një ekonomi e qëndrueshme?

Për të mbyllur hendekun me potencialin real dhe për të siguruar zhvillim afatgjatë, nevojitet një rikonfigurim i thellë.

Konsumit duhet t’i jepet një rol më i matur duke synuar ulje graduale të peshës së tij drejt 65–70% të PBB-së,

Investimet duhet të rriten dhe të orientohen drejt sektorëve me vlerë të shtuar dhe eksportues, pra rritje e investimeve produktive duhet të arrijë deri në 30%+ të PBB-së,

Ndërsa deficitit tregtar duhet t’i vihet fre përmes politikave që nxjerrin në pah prodhimin konkurrues dhe rritjen e eksporteve

Viti 2025 konfirmon stabilitet makroekonomik, por jo transformim strukturor, dhe duket se e njëjta rrugë do të vazhdojë në 2026, bazuar në dokumentet kryesore të miratuara për zhvillimin ekonomik dhe investimet.

Treguesit mbeten pozitivë, por sfida reale për politikëbërësit nuk është vetëm të ruajnë ritmin e rritjes, por të ndryshojnë burimin e saj, duke e drejtuar drejt prodhimit vendas, eksporteve dhe rritjes së produktivitetit.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.