Rritja e punësimit, si sfidë e një ekonomie jo politike

Rritja e punësimit, si sfidë e një ekonomie jo politike

Në një ekonomi të zhvilluar me një rritje të shëndetshme, punësimi rritet si rezultat i:
✔ Rritjes së investimeve private dhe publike,
✔ Zhvillimit të sektorëve me vlerë të shtuar,
✔ Përmirësimit të klimës së biznesit dhe inovacionit,
✔ Politikave të mirë-orientuara të formimit profesional dhe mobilitetit të fuqisë punëtore.

Për shembull, vende si Polonia, Çekia, Estonia, që kanë pësuar transformime të suksesshme kanë rritur punësimin jo vetëm në numër, por edhe në cilësi duke përmirësuar pagat dhe produktivitetin.
Në Poloni, rritja e punësimit mes 2010-2020 u mbështet në zhvillimin e teknologjisë, industrisë dhe shërbimeve të sofistikuara, jo thjesht në sektorë me paga të ulëta.

Në Shqipëri, gjatë kësaj periudhe rritja e punësimit erdhi më shumë nga formalizimi i vendeve të punës (2015-2017) sesa nga hapja e vendeve të reja në sektorë me vlerë të shtuar.
Nga analizat tona të vazhdueshme, problemi kryesor në drejtim të zgjerimit të tregut të punës është baza e ngushtë e ekonomisë që tregon mungesë të një modeli të qëndrueshëm ekonomik

Kush janë karakteristikat e tregut të punës në gjithë vitet e fundit?
Së pari është dominimi i sektorëve të ulët të produktivitetit. E mbështetur kryesisht në sektorët e tregtisë, shërbimeve, dhe ndërtimit, të cilët kanë produktivitete të ulëta dhe ofrojnë paga të ulëta. Për shembull, në vitin 2019, punësimi në këta sektorë përbënte mbi 75% të totalit të punësimit. Kjo strukturë nuk ka ndryshuar.
Tregtia dhe ndërtimi shpesh kanë vlera të shtuar të ulëta, duke e bërë rritjen më të pasigurt. Në vitin 2023, sektori i ndërtimit kishte një rritje prej 8.1%, por me paga mesatare që mbeten në 700 euro/muaj.
Ekonomia ka një mangësi të industrive të avancuara dhe investimeve në teknologji, që pengon rritjen e produktivitetit dhe konkurrencën. Sipas Bankës Botërore, sektori i industrisë përfaqëson vetëm 21% të PBB-së në 2023, shumë më poshtë se mesatarja e vendeve të BE-së.

Rritja e punësimit mbetet e pasigurt për shkak të varësisë nga sektorët më të brishtë dhe të prekshëm ndaj krizave globale dhe të brendshme. P.sh., pas pandemisë COVID-19, rreth 30,000 vende pune u humbën në sektorët e turizmit dhe shërbimeve.
Nga gjithë panorama nevojitet investimi në industrinë prodhuese, teknologji dhe innovacion është kyç për të rritur produktivitetin dhe paga më të larta.
Rritja e sektorëve si energjetika e rinovueshme dhe teknologjia e avancuar mund të shpëtojë modelin ekonomik dhe të krijojë mundësi pune të qëndrueshme dhe me vlerë të shtuar.

Së dyti është rritja e numrit të punësuarve nuk ka sjellë rritje të fortë të pagave. Rritja e pagave në Shqipëri, veçanërisht në sektorin publik ka qenë e dukshme, por ka krijuar një hendek të thellë me sektorin privat, që nuk ka përfituar në të njëjtin nivel.
Produktiviteti i ulët dhe mangësitë në sektorët kyç si industria dhe teknologjia kanë penguar një rritje të qëndrueshme dhe të balancuar ekonomike.
Paga mesatare në 2013 ishte rreth 360 euro, ndërsa në 2021 u rrit në 576 euro dhe në 2024 arriti 830 euro, ku rritja kryesisht është mbështetur nga vendimi për rritjen e pagave publike.

Sektori Publik
Në 2021, paga mesatare ishte 70,531 lekë (576 €).
Në 2024, paga mesatare u rrit në 100,437 lekë (1,000 €).

Sektori Privat
Në 2021, paga mesatare ishte 54,482 lekë (445 €).
Në 2024, paga mesatare arriti në 76,000 lekë (760 €).

Diferenca e Pagave mesatare në sektorin privat është 3 vite mbrapa me sektorin publik.
Krahasimi me vendet fqinje na tregon se rritja e pagave në Shqipëri është më e ulët krahasuar me vendet fqinje që kanë përjetuar një rritje më të madhe të pagave dhe një përmirësim më të shpejtë të produktivitetit.
Në një model ekonomik të suksesshëm, duhet të ketë një rritje paralele të pagave dhe produktivitetit. Në Shqipëri, ky paralelizëm ka munguar, duke bërë që rritja e pagave të jetë më shumë një efekt i vendimeve politike, pa pasur një përmirësim të konsiderueshëm të produktivitetit në sektorët kyç të ekonomisë.
Nevoja për një model ekonomik të qëndrueshëm është urgjente, ku rritja e pagave duhet të lidhet ngushtësisht me rritjen e produktiviteteve dhe investimet në industri dhe inovacion.

Së treti është emigracioni i lartë është tregues i dështimit të modelit ekonomik. Gjatë periudhës 2011 2024 llogaritet se 1,100,000 shqiptarë (ku mbi 90% e tyre janë në moshë pune) kanë emigruar gjatë kësaj periudhe, kryesisht drejt Gjermanisë dhe vendeve të BE-së.
Kjo shifër përfaqëson një pjesë të madhe të popullsisë aktive, duke ndikuar drejtpërdrejt në tregun e punës dhe zhvillimin ekonomik.
Mungesa e një ekonomie konkurruese na tregon qartë se ekonomia e modeluar nga qeverisjet, politikanët dhe bizneset nuk kanë arritur të krijojë vende pune me paga të larta dhe stabilitet afatgjatë. Rritja e pagave nuk është reflektuar në produktivitet. Paga mesatare është rritur kryesisht nga politikat publike dhe jo si rezultat i rritjes së produktivitetit.
Dominimi i sektorëve me përfitueshmëri të ulët dhe kryesisht joprodhues e kanë mbajtur ekonominë në një nivel mbijetese. Ekonomia është e mbështetur te tregtia, ndërtimi, si dhe shërbimet, të cilat kanë pagë të ulët dhe pak inovacion. lnvestimet e pakta në industri dhe teknologji dhe të pambështetura në sektorë prodhues të forte kanë detyruar të rinjtë dhe profesionistët të kërkojnë mundësi jashtë vendit.

Një model i suksesshëm ekonomik duhet:
– Të mbajë fuqinë punëtore brenda vendit, duke ofruar mundësi më të mira.
– Të tërheqë investime të huaja në sektorë strategjikë si teknologjia, industria dhe inovacioni.
– Të sigurojë një rritje të qëndrueshme ekonomike, duke shmangur varësinë nga ndërtimi dhe tregtia me vlerë të ulët të shtuar.

Kjo ka ndodhur me raste dhe jo me një gjithpoërfshirje dhe rritje të intensitetit dhe cilësisë së tyre vit pas viti.
Fakti që mbi 1 milion shqiptarë kanë emigruar tregon qartë se ekonomia nuk ka qenë në gjendje të mbajë dhe të zhvillojë fuqinë punëtore. Një rritje ekonomike e vërtetë nuk matet vetëm me paga më të larta, por me qëndrueshmërinë dhe atraktivitetin e tregut të punës. Shqipëria ka nevojë për një ndryshim të modelit ekonomik për të ndalur hemorragjinë e fuqisë punëtore dhe për të krijuar një të ardhme më të qëndrueshme.

Së katërti, formalizimi i detyruar dhe jo një rritje organike e punësimit, të arritura nga fushatat e qeverive kundër informalitetit (më shumë si mbulim të administrimit të dobët, se pjesë e integruar e politikave të shëndetshme) kanë arritur vetëm qasje afatshkurtra dhe aspak të vlefshme në favor të ekonomisë së qëndrueshme dhe afatgjatë.

Gjatë 2015-2017, punësimi në Shqipëri u rrit ndjeshëm, por një pjesë e madhe e kësaj rritjeje nuk ishte organike, por më së shumti formalizim i vendeve të punës nga qeverisja e mëparshme.

Arsyeja kryesore ishte formalizimi i detyruar, përmes kontrolleve tatimore intensive dhe penaliteteve për bizneset që operonin në informalitet. Kjo politikë solli rritje artificiale të numrit të të punësuarve të deklaruar, por jo domosdoshmërisht një zgjerim real të ekonomisë dhe vendeve të punës.
Punësimi duhet të vijë nga zhvillimi ekonomik, jo nga frika e ndëshkimeve. Shumë biznese u detyruan të legalizojnë punëtorët, por pa përmirësuar kushtet e tyre reale. Ekonomia nuk pati një rritje të ndjeshme të produktivitetit në këtë periudhë. Një pjesë e bizneseve të vogla u mbyllën, duke reduktuar numrin e vendeve të punës në sektorin privat.

Pas presionit fillestar të formalizimit, shumë biznese gjetën mënyra të reja për të shmangur taksat, duke treguar se problemi nuk ishte zgjidhur në mënyrë të qëndrueshme.
Papunësia e fshehtë dhe emigracioni vazhduan të rriteshin, duke dëshmuar se rritja e punësimit nuk ishte pasojë e një ekonomie më të fortë.

Formalizimi është i nevojshëm për një ekonomi të shëndetshme, por ai duhet të vijë paralelisht me lehtësira për biznesin dhe zhvillim ekonomik, jo vetëm përmes ndëshkimeve. Modeli i ndjekur në Shqipëri në këtë periudhë solli një rritje të detyruar të punësimit, por jo një rritje të qëndrueshme. Pa një ekonomi që prodhon vlerë të shtuar dhe mundësi të reja, formalizimi i detyruar vetëm sa e zhvendos problemin, por nuk e zgjidh atë.

A mund të quhet sukses i politikës ekonomike numri më i lartë i punësimeve në krahasim me 2013?
Nëse krahasohet vetëm me periudhat e mëparshme të Shqipërisë, natyrisht që:
✔ Është arritur një formalizim më i madh i tregut të punës.
✔ Numri i vendeve të punës është rritur me mesatarisht 27,500 vende pune në vit.

✔ Ekonomia nuk ka përjetuar një krizë të madhe gjatë kësaj periudhe.

Por, nëse krahasohet me një model të suksesshëm ekonomik, vlerësohet se:
❌ Punësimi është përqendruar në sektorë me produktivitet të ulët dhe paga të ulëta.
❌ Nuk ka rritje të fortë të pagave dhe mirëqenies për të balancuar emigracionin.
❌ Emigracioni masiv tregon se qytetarët nuk e perceptojnë ekonominë si të qëndrueshme. ❌ Nuk ka pasur një transformim të modelit ekonomik drejt inovacionit dhe prodhimit me vlerë të shtuar.

Çfarë do të përbënte një sukses real të politikës ekonomike?
✅ Diversifikimi i sektorëve të punësimit , që do të thotë më shumë industri të qëndrueshme dhe teknologji.
✅ Rritje e investimeve të huaja në prodhim dhe inovacion.
✅ Përmirësim i pagave dhe kushteve të punës, jo thjesht rritje e numrit të punësuarve.

✅ Reduktim i emigracionit, duke krijuar kushte që fuqia punëtore të qëndrojë në Shqipëri.
✅ Lidhja e arsimit me tregun e punës, për të rritur cilësinë e fuqisë punëtore.

Rritja e punësimit në Shqipëri gjatë kësaj periudhe nuk është domosdoshmërisht një sukses i politikës ekonomike nëse krahasohet me modelet e zhvilluara.
Rritja e punësimit nuk ka qenë i qëndrueshëm dhe nuk ka sjellë rritje të dukshme të mirëqenies së qytetarëve.
Modeli ekonomik shqiptar ka mbetur i mbështetur në sektorë me produktivitet të ulët dhe emigracioni masiv e dëshmon këtë dështim.

Si duhet të ndryshojnë politikat fiskale dhe ekonomike të Shqipërisë për të ndjekur një model më të suksesshëm?
Një integrim i politikave dhe një qasje transformuese janë thelbësore për të ndërtuar një model të suksesshëm ekonomik. Kjo kërkon bashkërendimin e politikave fiskale, tatimore, arsimore dhe zhvillimore me qëllim krijimin e kushteve që nxisin përmirësimin e produktivitetit, inovacionin dhe cilësinë e fuqisë punëtore. Një qasje transformuese gjithashtu përfshin rritjen e përfshirjes së teknologjisë, diversifikimin e sektorëve ekonomikë dhe rritjen e konkurrencës në treg.

Për të realizuar këtë, duhet të:
– Reformohet arsimi profesional dhe universitetet, duke e lidhur atë me kërkesat e tregut të punës dhe industrisë.
– Nxiten investimet e huaja dhe atyre vendore në sektorët që ofrojnë vlerë të shtuar, si teknologjia, prodhimi i avancuar dhe shërbimet profesionale.
– Shkurtohen burokracia dhe patronazhimi që mbajnë korrupsionin si mekanizëm për tu mbajtur pushteti. Në vend të kësa duhet të stimulohet inovacioni me një administratë të poastruar nga varësia politike dhe korrupsioni, duke krijuar një mjedis ku bizneset mund të rriten pa pengesa administrative.

A është e mundshme për tu realizuar këto ndryshime në Shqipëri, duke marrë parasysh gjithashtu përballjen me interesat e ndryshme politike dhe ekonomike?
Mendojmë se po, pasi një angazhim gjithpërfshirës është kyç për realizimin e një transformimi të qëndrueshëm.
Për të krijuar mundësinë e një modeli ekonomik të suksesshëm, duhet të përfshihen të gjithë aktorët e interesuar, përfshirë:

pushtetin shtetëror dhe politikat publike. Qeveria duhet të luajë një rol udhëheqës duke krijuar një mjedis të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm për bizneset dhe investitorët.
Angazhimi për reforma të thella që përfshijnë transparencë të politikave, reduktim të burokracisë, dhe një sistem të drejtë tatimor mund të japë besim dhe të tërheqë investime të reja.

– sektorin privat dhe sipërmarrësit. Bizneset duhet të jenë të angazhuara për përmirësimin e produktivitetit, rritjen e investimeve në teknologji dhe inovacion, dhe zhvillimin e mundësive për punë me paga dinjitoze.
Bizneset duhet të kontribuojnë në zhvillimin e një ekonomije të qëndrueshme, duke investuar në e-komercin, energjinë e rinovueshme, dhe sektorët inovativë që ofrojnë mundësi punësimi me vlerë të shtuar.

shoqërinë civile dhe sektori edukativ. Arsimi dhe trajnimi profesional duhet të jenë të orientuara drejt nevojave të tregut të punës, për të siguruar që fuqia punëtore të jetë e aftë të përballojë sfidat e një ekonomie gjithnjë e më të globalizuar.
Shoqëria civile, përmes OJQ-ve dhe grupeve të interesit, mund të ofrojë monitorim të politikave dhe ndihmë në sensibilizimin e publikut për rëndësinë e reformave dhe përmirësimeve të mundshme.

përfshirjen e diasporës dhe mundësitë për integrim global. Diaspora shqiptare, si një burim i rëndësishëm i njohurive dhe investimeve, mund të luajë një rol të madh në orientimin e politikave dhe krijimin e mundësive për marrëdhënie të reja biznesi dhe investime.

Shqipëria duhet të shfrytëzojë marrëveshjet e tregtisë dhe mundësitë e integrimit në Bashkimin Evropian për të rritur konkurrencën dhe për të arritur akses në teknologji dhe financa.
Këto janë disa qasje që mund të ndihmojnë në arritjen e një mundësie gjithpërfshirëse për zhvillimin ekonomik.

Angazhimi i të gjitha grupeve të interesit në zhvillimin e politikave dhe strategjive për zhvillim për një dialog të hapur midis pushtetit, biznesit, shoqërisë civile dhe edukimit për të ndihmuar në përshtatjen e kërkesave të tregut dhe aftësive të fuqisë punëtore kanë shanset për krijimin e një modeli të suksesshëm dhe vizioni afatgjatë, duke ruajtur balancin midis zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së interesave sociale.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.