Rritja e pagës duhet harmonizuar me rritjen e produktivitetit

Rritja e pagës duhet harmonizuar me rritjen e produktivitetit

Punonjësi tipik është produktiv vetëm për 60% të ditës në të gjitha profesionet. Por për punonjësit e zyrës, kjo përqindje bie në mënyrë dramatike. Sipas hulumtimit të Voucher Cloud, punonjësi mesatar në zyra mezi arrin të jetë produktiv për dy orë e 23 minuta në ditë.

Ndryshe nga punonjësi i zakonshëm i zyrës, një profesionist i pavarur në Shqipëri shpesh punon 56 orë në javë. Sipas supozimit se profesionistë të lirë të pavarur punojnë pesë ditë në javë si shumica e njerëzve, ata janë produktivë mesatarisht më shumë se shtatë orë në ditë [1].

Nisur nga këto matje dhe statistika që tregojnë produktivitetin e kohës së punës në sektorin privat dhe publik është me vlerë për të bazuar edhe politikat rregulluese dhe ndërtimin e barrës së përshtatshme fiskale.

Në vitin 2023, mesatarja e pagës mujore bruto në sektorin publik në Shqipëri ishte 30 për qind më e ulët se në ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, si në nivel nominale ashtu edhe në kushtet e rregulluara të barazisë së fuqisë blerëse. Për sa i përket pagave reale, sektori privat pësoi një rritje të ndjeshme prej 10.2 për qind në vitin 2022, ndërsa sektori publik pati një normë modeste rritjeje prej 1.9 për qind.

Pavarësisht nga një periudhë e inflacionit të lartë, sektori publik vazhdoi me rritjen e pagave në 2023, ndërsa sektori privat vazhdimisht ka rritur pagat prej vitit 2019.

Mbi të gjitha, rregullimet në pagën minimale dhe pagat e tjera duhet të jenë të harmonizuara ngushtë me rritjen mesatare të produktivitetit të punonjësve.

Burimet buxhetore të alokuara për rritjen e pagave të punonjësve publikë nevojitet të përfshihen si pjesa më sfiduese tashmë me krijimin e ministrisë së re nën një program transparent monitorimi i bazuar në mekanizma bashkëkohorë për të siguruar përpjekjet që reforma për administratën publike të përkthehet në rezultate më të mira.

Ndërsa punëdhënësit përpiqen të arrijnë produktivitet të lartë të punonjësve, një strategji që shpesh po u kërkohet me forcë edhe nga kryeministri është rritja e pagave në sektorin privat, pa u ndalur nëse kjo rritje duhet të jetë uniforme, gjithpërfshirëse dhe pjesë e rritjes së produktivitetit.

Si rregull me përjashtimet e veta, pagat ndikojnë në produktivitetin e punonjësve në disa mënyra, por ndikimi më i rëndësishëm mund të jetë në motivimin dhe nxitjen e punonjësve për më shumë efektivitet.

Por, rritja e pagave ka të ngjarë t’i bëjë punonjësit më efektivë, sepse ata do të shohin një rritje në pagën e tyre që çojnë në shtëpi. Ata gjithashtu do të jenë më të përkushtuar ndaj punës së tyre, sepse do të mendojnë se po paguhen në mënyrë të drejtë për përpjekjet e tyre. Por pyetja madhore që shtrohet është se sa mund të përkthehet në eficiencë dhe si rrjedhojë në rritje të produktivitetit të tyre e gjithë kjo qasje reformuese, nëse vetë bizneset me mendësinë dhe mundësitë e tyre nuk janë gati ta përçojnë këtë model.

Natyrisht, që ekspertët do tu këshillonin punëdhënësve të përdorin rritjen e pagave për të përmirësuar produktivitetin e punonjësve, por kjo masë e vetme dhe e pashoqëruar edhe me veprime dhe kombinime të faktorëve të ndryshëm duke se ka disa të meta.

Produktiviteti, si një nga faktorët kryesorë që bizneset vlerësojnë më shumë,  përcakton nivelin e prodhimit dhe mund të përmirësohet me mjete të ndryshme, si trajnime dhe programe zhvillimi.

Për më tepër, një mjedis i mirë pune dhe motivimi i punonjësve janë gjithashtu thelbësorë për arritjen e niveleve të larta të produktivitetit.

Por, përtej këtyre kërkesave të nevojshme ambjenti i të bërit biznes në vend lë shumë për të dëshiruar në arritjen edhe në nivele minimale të këtyre faktorëve. Një pjesë e moszbatimit të tyre vjen nga vetë struktura e orientimit të ekonomisë dhe modeli i biznesit, i cili kryesisht bazohet në masë të madhe te nivelet e vetëpunësimit dhe punësimit me anëtarë të familjes.

Kjo do të thotë se 53% e të pounësuarve në vend janë të vetëpunësuar dhe biznese familjare dhe vetëm 47% janë punon jës me pagë dhe që janë pjesë e sektorit publik dhe privat.

Mirëpo, në çdo strukturë biznesi është e nevojshme që punonjësit të jenë produktivë dhe të kursejnë kohë dhe para, e cila përbën thelbin e të qeneit produktiv.

Vendimi për të rritur pagat mund të ndikojë ndjeshëm në motivimin e punonjësve dhe lidhjen e tyre me vendin e punës, gjë që mund të çojë në një angazhim më të madh ndaj roleve dhe përgjegjësive të tyre brenda kompanisë.

Kjo mund të ndodhë nëse vërtet bizneset shqiptare arrijnë që të kenë një organizim më të mirë dhe që të arrijnë të jenë konkurues përtej zonës fillestare të aktivitetit. Ndërkohë, në administratën publike kjo është edhe më e vështirë, pasi dominimi i një pjese të qenësishme të saj prej punonjësve që nuk e lidhin praninë e tyre në vendin e punës me këto faktorë, por me lidhjen me grupimin politik dhe lidhjet e ngushta nepotike, rritja e pagës që po ndodh gjatë 2023 dhe do të vijojë edhe gjatë 2024 mundet që të ndodhë pa lënë gjurmë në rritjen e produktivitetit.

Në dekadën e fundit, produktiviteti u rrit me një ritëm mesatar të ngadaltë (përtej rritjes së ulët në 2019 dhe më e madhe në 2021) [2] në krahasim me dekadën e mëparshme [3]. Por për shkak se rritja e pagave për punëtorët me pagë minimale u ngadalësua edhe më shumë, duket se ka ndikuar negativisht midis produktivitetit dhe pagës. Hendeku në rritje mes ngadalësimit të rritjes së produktivitetit na tregon se të njëjtat politika që frenuan rritjen e pagave për shumicën dërrmuese të punëtorëve gjatë viteve të fundit u shoqëruan gjithashtu me një ngadalësim të rritjes së përgjithshme ekonomike. Me pak fjalë, rritja ekonomike u bë edhe më e ngadaltë dhe rrënjësisht e pabarabartë.

Dallimi në rritje midis produktivitetit dhe pagës së punëtorëve u ndikua fuqimisht nga politika e gabuar dhe e dëmshme e qeverive, lidhur me vlerësimin si prioritet fuqinë e lirë punëtore dhe nisur nga kjo qasje u orientua gabim edhe biznesi i huaj dhe investimet në përgjithësi, ku të ardhurat që gjeneroheshin nga aktivitetet e çdo sektori nuk shkonin në drejtim të rritjes së pagesave të punëtorëve, të cilët kanë patur një rritje page edhe më pak se inflacioni ndër vite.

Nëse nuk përfundonin në pagat e punëtorëve, ku shkoi e gjithë rritja e të ardhurave e nënkuptuar që përfitonin edhe nga rritja e produktivitetit?

Në realitetin e vërejtur në shpërndarjen e të ardhurave në bizneset private, të ardhurat u shpërndanë në pagat e drejtuesve me pagesë të lartë dhe në fitime më të larta që u përfituan nga pronarët e bizneseve (d.m.th., drejt kthimeve të aksionarëve).

Ky përqendrim i të ardhurave në drejtim të drejtuesve të bizneseve dhe drejt pronarëve të kapitalit  janë dy nga nxitësit kryesorë të pabarazisë ekonomike në përgjithësi që nga fundi i viteve 2000.

Por, që përfitimet e ardhshme të produktivitetit të çojnë në rritje të fuqishme të pagave dhe mirëqenies së përbashkët, qeveria së bashku me drejtuesit e bizneseve dhe sindikatat duhet të krijojnë politika që lidhin fort pagën dhe produktivitetin dhe të ndërtojnë atë fuqi që mungon dhe që quhet fuqia e punëtorëve.

Pa ndërhyrje të politikave, rritja ekonomike do të vazhdojë të jetë e zbehtë dhe rritja që ne shohim do të dështojë në masë të madhe të nxitë rritje për pagat e punëtorëve.

Ndërsa, në lidhje me efiçencën e qeverisjes (qendrore dhe vendore) është evidente se rritja e pagave ka vërtet rëndësi, por duhet të bazohet dhe të varet në çdo rast nga produktiviteti që bazohet te performanca e institucioneve. Nga ana tjetër, ne mendojmë se nuk ka formula apo udhërrëfyes të gatshëm dhe specifikë për secilin rast dhe institucion.

Arsyeja kryesore është e lidhur me natyrën komplekse dhe kontekstuale të qeverisjes. Faktorët social, ekonomikë, kulturorë dhe mjedisorë ndërhyjnë për të komplikuar narrativën dhe institucionet janë më shumë të komlikuar në mënyrën se si ata operojnë se edhe vetë rregulloret dhe modeli që mund tu përçohet nga drejtuesi i institucioneve. Kështu, megjithëse mund të jetë më efikase të ofrohen shërbime në një mënyrë të veçantë, në fund të fundit mund të mos jetë efektive dhe ky vijon të jetë problem madhor në stadin në të cilin tashmë ka hyrë modeli i drejtimit të qeverisë.

Qeverisja lokale dhe ajo qendrore kanë qenë praktike në menaxhimin e krizave të viteve të fundit, duke ndryshuar vazhdimisht qasjet e tyre përballë informacioneve që u diktonin edhe situatat në mjaft raste. Ndërsa disa shërbime jetike kanë një qasje që shfaq shenja përmirësimi, të tjera shërbime janë rritur shpejt dhe teknologjia ka ndikuar që të jenë tejkaluar mundësia për ti përdorur efektivisht duke krijuar ngrëçe dhe probleme për popullatën dhe biznesin.

Por, rritja e pagave dhe teknologjia duhte të lidhen së bashku prej produktivitetit dhe këtë harmonizim të tyre ka gjasa që të mos arrijë ta përmbushë dot asnjë institucion, edhe pse struktura e qeverisë po ndryshon këtë fillim viti 2024.

Arsyeja është e thjeshtë!

Qeveria tashmë ka brenda saj krimbin e korrupsionit që ka përfshirë prej kohësh shumë sektorë të saj dhe e ka të nevojshme që të fillojë të pastrohet nga ata që krijoi nën logon e patronazhistit me aq sa ka mbetur nga vullneti politik fillestar

Nëse ka diçka që na ka mësuar kjo përvojë e viteve të fundit është që njerëzit, bizneset dhe qeveritë mund të përshtaten kur të jetë e nevojshme [4].

[1] https://quixy.com/blog/employee-productivity-statistics/

[2] https://www.ceicdata.com/en/indicator/albania/labour-productivity-growth

[3] https://www.bankofalbania.org/rc/doc/sources_of_labor_productivity_in_albania_9741_1_9011.pdf

[4] https://www.oecd.org/regional/W3-S1-Krawchenko.pdf

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: