Rritja e pagave të sektorit publik ka boshllëk me realitetin

Rritja e pagave të sektorit publik ka boshllëk me realitetin

Madhësia dhe përbërja e shpenzimeve të faturës së pagave publike duhet të kishte gjeneruar debat për shumë çështje që përfshihen në këtë temë duke filluar me madhësinë e qeverisë, implikimet fiskale të shpenzimeve më të larta të pagave publike, ndikimin e saj në rritjen gjithëpërfshirëse, efikasitetin e procesit të përcaktimit të pagave dhe hapësira e buxhetit të shtetit në perspektivën afatmesme dhe afatgjatë të faturave të pagave.

Interesi i punonjësve për shpenzimet e pagave publike nuk është befasues duke marrë parasysh peshën e këtij shpenzimi relativisht të madhe në shpenzimet totale të qeverisë, e cila nga 4.5% e PBB-së në vitin 2023[1] llogaritet të arrijë në fund të vitit 2025 deri në 6 përqind e PBB-së.
Megjithatë krahasuar me nivelin deri 7.4% të PBB-së në vendet në zhvillim, si dhe deri në 10.2 përqind në vendet e përparuara shihet se rritja ende nuk e mbush boshllëkun e peshës së pagave publike në Shqipëri.

Lëvizja e qeverisë e orientuar nga niveli i ulët i një pjese të mirë të pagave të përgjithshme të sektorit publik ishte e detyruar nisur nga presioni inflacionit dhe rënia e vlerës së pagave. Por një nxitje edhe më e fortë duhet të lidhet me proceset e forcimit të kapaciteteve nisur nga konkurrueshmëria e nevojshme e pagave publike me disa kategori pagash në vendet përreth dhe më gjerë, pasi nevojiten për të tërhequr dhe mbajtur staf të kualifikuar në mënyrë adekuate për ofrimin efikas të shërbimeve publike.

Pagat e sektorit publik pas momentit të rritjes së tyre do të duhet të varen nga aftësia e punonjësve të sektorit publik për të konkurruar mbi mundësitë e ardhme të madhësisë së buxhetit publik. Një rritje me të paktën sa 2% e PBB brenda pak viteve është një hap mjaft i guximshëm dhe që e shtrëngon më tej lakun e deficitit buxhetor, nëse performanca fiskale nuk ecën sipas planifikimeve që pritet të ribëhen pas vendimit për rritjen e pagave.

Spjegimet e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për shfrytëzimin e performancës pozitive të të ardhurave tatimore, si dhe duke u bazuar në alokimet e buxhetit janë një moment që duhet të përcillet nga një analizë studimore që duhet të përmbajë detajin fiskal në thelbin e vet.

Kjo qasje politike me pak analizë dhe logjikë ekonomike në të duhet të na sqarojë nëse ka marrë në shqyrtim edhe elemente të tilla apo raste si:

  • punonjësit e sektorit publik nuk mund të marrin uniformisht paga më të larta pasi disa profesione ose grupe specifike shpesh gëzojnë përfitime të tjera jo-monetare ose monetare, të tilla si një shkallë më e lartë e sigurisë së punës, pushime më të gjata dhe skema bujare pensionale.
  • pagat publike duhet të ndikohen nga objektivat e politikës makroekonomike, duke u përdorur shpesh si një mjet politikash për të kufizuar inflacionin e përgjithshëm të pagave, për të mbështetur përpjekjet për konsolidimin fiskal, si dhe për të rritur konkurrencën e nëpërmjet forcimit të kapaciteteve dhe më tej edhe rritjes cilësore të pagave bazuar mbi performancën.

Me këtë rritje që përdori qeveria duket se pak ka reflektuar mbi dallimet që mbartin mbi vete disa shërbime të cilat edhe nëse i paguan më shumë duhet të mos përfitojnë më tej shpenzime lidhur me të mira publike dhe asete që ka në pronësi qeveria. Pra ato duhet të trajtohen me të njëjtin motivim si punonjësit e sektorit privat, që me rrogën e lartë që marrin përballojnë vetë shpenzimet e ndryshme që nuk janë në funksion të aktivitetit të biznesit.

Ndërkohë, në kushtet kur korrupsioni i lartë në sektorin publik tregon se si kanë dështuar programet për të menaxhuar në mënyrë të drejtë dhe meritokratike interesat konkurruese të grupeve të ndryshme shihet se ky fenomen masiv nuk mund të luftohet vetëm me rritjen e pagave të ulëta, të cilat më shumë janë një sebep se sa një arsye e strukturimit të korrupsionit.  Niveli i ulët i kapaciteteve drejtuese, të cilat vijnë nga një vullnet i drejtimit të qeverisë bazuar te individë me besnikëri politike ndaj drejtuesit të organizatës, si dhe mbartja e gjithë frymës partiake mbi frymën e nëpunësit civil e bëjnë shumë të vogël efektin që presupozohet se do të ndikojë rritja e pagave.

Edhe pse mund të shohim një progres pozitiv, korrupsioni është një problem i madh në Shqipëri. Gjithë institucionet tashmë janë të politizuara në nivele të ndryshme dhe shpesh përdoren si mjet për të luftuar zërat kritikë dhe pjesë të pakapura të oponencës qytetare, në vend që të orientohen drejt luftimit të korrupsionit aktual. Mungesa  de facto e ndarjes së pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv, një sistem drejtësie “under construction”, autonomia e cunguar financiare e pushtetit vendor në veçanti kanë penguar luftën kundër korrupsionit. Zbatimi i legjislacionit është penguar nga ndryshimet e shpeshta ligjore, të cilat kanë krijuar një sistem të komplikuar dhe jokoherent. Të gjitha këto përbëjnë një pengesë të madhe në zhvillimin e e një sektori publik më eficient, transparent dhe llogaridhënës, si dhe prodhojnë përditë produkte skarco në krijimin, zbatimin dhe zbatimin e politikave të duhura.

Ndryshe, ajo që deklarohet nga kreu i qeverisë, se me këtë rritje të pagave të sektorit publik do të nxiten edhe bizneset të rritin pagat për punonjësit e tyre, në fakt kjo nuk merr shumë vëmendje, pasi motivimet e punonjësve në dy sektorët janë të ndryshme.

Megjithatë, diferencat e pagave publike-private mund të pritet të ngushtohen sipas sektorëve, si dhe me kalimin e kohës, por kjo do të vijë pasi të studiohen një sërë faktorësh që mund ta ndikojnë këtë vendimarrje private. Rritja e pagave duhet të motivohet nga krijimi i kushteve që ndikojnë mbi biznesin për produktivitet më të lartë duke rritur motivimin dhe moralin e punëtorëve.

Pagat më të larta mund të mbështesin ato dhe të ndihmojnë në shmangien e kërcënimit të largimit të punonjësve dhe uljes së produktivitetit, por dhe të shmangin inflacionin dhe një krizë edhe më të madhe të kostos së jetesës.

Nisur nga këto motivime që përdoren në sektorin privat do të ishte e domosdoshme që të studioheshin edhe për vendimin e rritjes së pagave në sektorin publik. Kështu mungesa e një përvoje të fortë deri më sot në mekanizmin e përcaktimit të pagave, rëndësia e pakët e sindikatave në sektorin publik (dhe privat), madhësia e sektorit publik në ekonomi, masa në të cilën qeveria i jep përparësi politikave që promovojnë pagë të barabartë dhe hapjen e ekonomisë në tregtinë ndërkombëtare, si dhe konteksti i demokracisë dhe politikës duhet të ishin pjesë edhe e një konsensusi të gjerë në vend.

Në fakt, protagonizmi që ka nxitur këtë vendim të qeverisë shihet në masë të madhe si një nismë që kërkon të marrë meritën politike në sytë e votuesve të sotëm dhe të nesërm duke e kapitalizuar këtë kosto fiskale për të ardhmen.

Ende nuk është e qartë se sa do të paguajnë taksa shtesë votuesit shqiptarë që të financojnë këtë nismë të pakonsultuar sa dhe si duhet me ta.

[1] https://financa.gov.al/wp-content/uploads/2022/10/Tabela-4-Treguesit-fiskale-t-2-deri-t2-2023.xls

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: