Rritja e pagave të administratës publike vs. Motivimit për tu korruptuar
Qeveria po zbaton masa të reja për të lidhur kompensimin e punonjësve të saj me pajtueshmërinë për të trajtuar korrupsionin me një fokus të qartë: asnjë kompani apo person nuk është mbi ligjin.
Kjo qasje e freskuar synon të parandalojë marrëdhëniet korruptive kryesisht me bizneset, përpara se ato të ndodhin, duke synuar transferimin e përgjegjësisë drejtpërdrejt tek individi. Nëpërmjet programeve efektive të pajtueshmërisë dhe qeverisjes solide kundër korrupsionit, drejtuesit e lartë të institucioneve duhet të parandalojnë praktikat e këqija dhe në raste korrupsioni, t’i zbulojnë, sanksionojnë dhe raportojnë në njësinë përkatëse kundër korrupsionit.
Në këtë kontekst ende larg pritshmërive të luftës ndaj korrupsionit nëpërmjet forcimit të performancës dhe cilësisë së shërbimeve publike, në vitin 2023 u prezantua nga Kryeministri edhe rritja e pagave të sektorit publik, si një mbështetje e fortë financiare për motivimin e burimeve njerëzore edhe kundër korrupsionit. Masa financiare me një kosto të lartë për shpenzimet buxhetore synon të zvogëlojë përfitimin relativ të korrupsionit dhe të rrisë koston relative të shumicës së dënimeve.
Megjithatë, kjo zgjidhje në gjithë sa përshkruam më lart mund të jetë edhe e kushtueshme edhe politikisht jopopullore.
Një zgjidhje alternative dhe potencialisht më kosto-efektive që ne sugjerojmë duke u bazuar në përvojat e mira të disa vendeve partnere me Shqipërinë përfshin zbatimin e pagesës së pagave në varësi të performancës dhe jo në mënyrë uniforme dhe pa analizuar thellësisht problematikat e mbartura dhe të reja.
Pagesa e punonjësve bazuar te performanca është bërë një mjet i përdorur gjerësisht për të përmirësuar produktivitetin dhe për të ulur kostot në sektorin publik.
Kjo, të paktën, ka qenë shpresa dhe pritshmëria edhe në rastin kur reforma në administratën publike filloi të ndërtohej kryesisht mbi këtë parim themelor.
Logjika që vlen, nëse rritja e pagave do të kushtëzohej nga cilësia e performancës së punonjësve publikë mund të shërbejë si zëvendësim për paratë e marra nga korrupsioni, duke i lejuar burokratët të mbajnë (ose edhe të rrisin) të ardhurat e tyre pa u përfshirë në akte korruptive.
Në këtë kuptim, pagesa e performancës mund të konsiderohet si një “ryshfet ligjor”, efektiv, pavarësisht nëse korrupsioni është i motivuar nga nevoja apo nga lakmia.
Nga shumë referenca të studimeve të kryera, pavarësisht disa sukseseve të dukshme, ashtu si dhe disa dështimeve të dukshme, rezultatet në përgjithësi kanë qenë jopërfundimtare.
Arsyeja është se pagesa për performancën nëse nuk është projektuar me kujdes dhe e mbështetur në një objektiv afatgjatë nga një vullneti i fortë politik, atëherë skemat e pagesës nuk duket se kanë potencialin për ti bërë njësitë e shërbimit civil më produktive dhe me kosto efektive18[1].
Një arsye tjetër gjendet edhe te dilema se kush dhe si kontrollohen vetë ata që kontrollojnë performancën.
Për të aktualizuar idenë e pagesës bazuar te performanca, ne kemi kryer një analizë bazuar në anketat e bëra me qytetarët në disa bashki të vendit, lidhur me perceptimin qytetar për vendimin politik për rritjen e pagave dhe ndikimin në administratën vendore.
Ne kemi marrë si reagime se bakshishi (korrupsioni) varet nga pagat e ulëta. Por ai nuk ulet nëse bëhen punësime politike apo nepotike, si dhe nëse nuk bëhet me përgjegjshmëri vlerësimi i performancës bazuar në kriteret e ligjit për nëpunësin civil.
Ndërkohë, ne morem si reagim gjithashtu se ndikimi i patronazhit politik apo varësisë së administratës vendore në forma ekstra ligjore, marrja e bakshishit ulet nëse rritja e pagës rritet në nivele më të larta se indeksimi19[2]. Ky reagim i qytetarëve vlen në rastin e rritjen së lartë të pagës për institucionet qendrore, por jo në rastin e administratës vendore, ku rritja e pagës është më e vogël20[3].
Pra, karakteristikat dhe specifikat e zbatimit të një reforme të caktuar janë të rëndësishme për efektivitetin e saj, nëse barazia në trajtimin e punonjësve nuk është e barabartë. Kjo pabarazi në trajtimin e punonjësve publikë vendorë më pak se ata qendrorë krijon situatë kompromentuese për reformën. Nëse administrata vendore nuk do të ndihet e plotësuar me këtë masë, kjo vetëm do të pengojë edhe më tej produktivitetin e tyre dhe cilësinë e administratës dhe distancimin nga joshja prej bakshisheve.
Këto argumente vlejnë, pasi pagesa e performancës duhet të motivojë nëpunësit vetëm në atë masë që performanca dhe shpërblimet janë (perceptohen të jenë) në fakt të ndërlidhura, ku rritja e pagës dhe shpërblimeve duhet të bazohet vetëm në vlerësimet e ndershme të performancës dhe jo në diferencime sipas niveleve të qeverisjes. Megjithatë, matja e performancës dhe vlerësimet e sakta dhe të paanshme janë të vështira. Nëse pas rritjes së pagave nuk do të ketë veprime vetëpastruese nga modeli i patronazhistëve, kjo reformë është në rrezik potencial të përmbushet, ose do të vijojë të kryhet shkel e shko.
Në kontekste të tilla, pagesa e performancës mund të përdoret për të shpërblyer sjelljen e fshehtë, duke nxitur dhe jo duke e reduktuar korrupsionin. Në kontrast me kapjen e shtetit nga interesat private, kapja e programeve nxitëse me politika shpërblimi për nëpunësit publikë të korruptuar minon performancën e shërbimit publik nga vetë ata që kanë marrë përgjegjësi për të luftuar korrupsionin (Hellman et al., 2003).
Nga analiza e performancës së institucioneve publike në përmbushje të programit qeverisës, por edhe programeve vjetore të institucioneve, vërehet se duke shfrytëzuar zgjedhjet konkurruese për të përzgjedhur një individ në lidhje me partinë në pushtet, identifikojmë praninë e një favorizimi të konsiderueshëm politik në punësimin publik, ku të qenit mbështetës politik i partisë në pushtet rrit mundësinë për të pasur një punë në sektorin publik.
Ky favorizim është i madh në të gjitha nivelet e hierarkisë së institucioneve, por më shqetësues është në nivelet e larta të hierarkisë, të cilët në vitet e fundit janë kapur në flagrancë të akteve korruptive, si një tregues i mungesës së kontrollit, si dhe efekt i patronazhimit.
Patronazhi është mekanizmi vendimtar pas favorizimit në punësimin publik, duke çuar në përzgjedhjen e punonjësve publikë më pak të kualifikuar, e cila konstatohet nga mungesa e përmbushjes së objektivave institucionalë[4], por edhe në performancën e tyre[5].
Duke supozuar një raport konstant të punësimit në sektorin publik në raport me totalin e popullsisë, nisur nga statistikat parashikuese për të ardhmen e vendit nevojitet që të ketë një masterplan pikërisht për raportet e punësimit për çdo sektor në mënyrë që shpërndarja e burimeve dhe nxitja për rekrutime meritokratike të jenë të harmonizuara me faturën. buxhetore të pagave si ofertë afatgjatë në tregun e punës, ku oferta e të rinjve dhe të rejave për këtë treg pune duhet vlerësuar më shumë nga të gjitha të ofertat e tjera.
Kjo lidhje duhet ta gjejë të harmonizuar tregun e punës së sektorit publik, së pari me universitetet e vendit, dhe së dyti me gjithë tregun e punës jashtë kufijve të vendit.
Në mbyllje, edhe pse qasjet më lart ofrojnë argumente bazuar te faktet se si qeveria dixhitale ka mundësi të kontribuojë në uljen e korrupsionit, i gjithë ky mekanizëm nuk pritet të ndikojë ndjeshëm në frenimin e korrupsionit. Dixhitalizimi mund të shihet në kontekstin e aksesit të qytetarëve në teknologji, në niveli i zhvillimin e aftësive për të përdorur teknologjinë dhe përdorimi aktual i saj do të rritet gjatë çdo nisme të qeverisë dixhitale, pasi është jetike për të shërbyer si transparencë dhe mjet kundër korrupsionit. Por në të njëjtën kohë, ky mekanizëm nuk do të thotë sukses pasi administrata dhe vendi ende përballet me shumë sfida të ndryshme shoqërore, të cilat janë refleksione të veprimeve dhe ndërveprimeve midis grupeve të ndryshme brenda shqoërisë shqiptare.
Arritja e reformimit të administratës publike dhe jetës sociale në vend nuk mund të ndryshojë edhe pas vendimit për rritjen e pagave të administratës publike, pa zbatuar më së pari gjithë detyrat që përshkruhen në relacionet për matjen e performancës bazuar te meritokracia dhe distancimi ndaj patronazhimit politik të administratës.
Vendi tashmë ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në zbatimin e masave anti-korrupsion në shumë plane të reagimit ndaj korrupsionit. Por ajo që mungon ende është angazhimi bazuar te programi i qeverisjes së hapur dhe një transformimi të mendësisë për përfshirje, ndërlidhje dhe komunikim me të gjithë sektorët dhe shtresat e shoqërisë.
Ka aktorë të tjerë relevantë jo shtetërorë, si: media, shoqëria civile dhe bizneset të cilat nevojitet të jenë të përfshira në luftimin e korrupsionit, direkt ose indirekt duke vepruar si monitorues për gjurmimin e të gjitha veprimeve të bëra nga qeveria për të mos reaguar pasi kanë ndodhur veprimet korruptive.
[1] https://www.mfa.gov.tr/making-performance-pay-more-successful-in-public-sector.tr.mfa
[2] Rritja e pagave të sektorit publik me një mesatare mbi 30%
[3] Rritja e pagës për administratën vendore është 5.000 lekë/muaj bruto apo 60.000 lekë bruto në vit
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.