Rritja e pagave në T2 2025 dhe sfida e qëndrueshmërisë ekonomike
Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2025, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar në Shqipëri arriti në 83.906 lekë, duke shënuar një rritje prej 11,7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Kjo rritje e pagës mesatare duket si një shenjë pozitive për ruajtjen e fuqisë blerëse dhe stabilitetin e tregut të punës, por kur e ballafaqojmë me zhvillimet reale ekonomike, dalin në pah disa shqetësime të rëndësishme.
Rritja e pagave është kryesisht e përqendruar tek sektori publik dhe profesionistët e kualifikuar, ndërsa pjesa më e madhe e punonjësve në sektorin privat dhe grupet e mesme nuk përfitojnë rritje të konsiderueshme në përputhje me kostot reale të jetesës.
Ky hendek sugjeron se zhvillimi ekonomik dhe rritja e produktivitetit nuk po përkthehen në një shpërndarje më të drejtë të të ardhurave, duke thelluar pabarazinë brenda tregut të punës.
Në nivel sektorial, diferencimi është i qartë. Aktivitetet financiare dhe sigurimet, së bashku me informacionin dhe komunikacionin mbeten mbi mesataren kombëtare në terma absolutë, por rritja për këto sektorë është relativisht e ulët, rreth 5,3%.
Ndërkohë, administrata publike, arsimi, shëndetësia dhe shërbimet sociale kanë shënuar rritje deri në 16,9%, duke reflekttuar një përpjekje të shtetit për të stabilizuar shërbimet publike dhe për të mbajtur staf të kualifikuar.
Kjo lloj rritjeje selektive ngre pyetjen se sa reale është përmirësimi ekonomik për pjesën më të madhe të punonjësve?
Ndërsa disa sektorë përfitojnë, pjesa tjetër e ekonomisë reale, që kontribuon në prodhim dhe inovacion, mbetet në një gjendje relativisht të ngurtë.
Edhe nëse e analizojnë sipas rofesioneve, situata është e ngjashme.
Forcat e armatosura dhe specialistët me arsim të lartë kanë përfituar rritje të larta, përkatësisht 23,2% dhe 13,6%, ndërsa menaxherët dhe drejtuesit ekzekutivë kanë regjistruar vetëm 8,8%.
Kjo strukturë sugjeron një ekonomi që favorizon disa grupe të caktuara, ndërsa segmentet që mbajnë peshën e zhvillimit ekonomik, si profesionistët e sektorëve inovativë ose të teknologjisë, përballen me rritje të kufizuar dhe me presion të lartë kostosh.
Kjo gjendje mund të dëmtojë motivimin dhe të kontribuojë në migrimin e talentit të kualifikuar, duke cenuar perspektivat afatgjata të zhvillimit ekonomik.
Shpërndarja e punonjësve sipas nivelit të pagës tregon një ulje të atyre me paga minimale dhe një rritje të kategorive mesatare dhe të larta.
Edhe pse kjo është pozitive, realiteti është më kompleks.
Rritjet e pagave të mesme dhe të larta nuk duket se janë shoqëruar me përmirësim të mjaftueshëm të produktivitetit, gjë që rrit presionin mbi kompanitë private për të përballuar kostot e punës dhe rrit riskun e uljes së konkurrueshmërisë së tyre.
Përveç kësaj, grupet me pagat më të ulëta, që përfaqësojnë shumicën e punonjësve, mbeten të ekspozuar ndaj inflacionit dhe kostove të jetesës, duke u rrezikuar nga humbja e fuqisë reale blerëse.
Nga një perspektivë parashikuese, tendencat janë të qarta por shqetësuese, pasi rritjet më të mëdha do të mbeten të përqendruara tek sektori publik dhe profesionistët e kualifikuar.
Ndërsa, pjesa më e madhe e sektorit privat dhe grupet e mesme do të përballen me rritje të kufizuar.
Në kushtet kur politikat nuk janë të qarta për të përfshirë gjithë tregun e punës dhe për të lidhur rritjen e pagave me produktivitetin dhe koston reale të jetesës, rritja e pagave mund të mbetet selektive dhe jo e qëndrueshme. Kjo mund të çojë në thellim të pabarazisë, presion mbi bizneset dhe, në një afat më të gjatë, në rrezikimin e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.
Në përfundim, statistikat e pagave tregojnë rritje dhe një përqendrim më të balancuar në nivelet mesatare dhe të larta, por kritika realiste është se kjo rritje nuk përfshin të gjithë aktorët ekonomikë në mënyrë proporcionale.
Por, nevojitet ndërhyrje strategjike, që ekonomia të mund të përballet me një situatë ku përfitimet e zhvillimit ekonomik të mos mbeten të përqendruara tek disa grupe, por për një rishpërndarje edhe për pjesën më të madhe të punonjësve.
Një formë e tillë e pabarazisë në rritjen e pagave është duke kompromentuar stabilitetin social dhe qëndrueshmërinë ekonomike.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.