Rritja e pagave mes realitetit ekonomik dhe sfidës së qëndrueshmërisë

Rritja e pagave mes realitetit ekonomik dhe sfidës së qëndrueshmërisë

Rritja e pagës mesatare nga 75,025 lekë në fund të vitit 2023 në 83,401 lekë në tremujorin e katërt të vitit 2024 është një zhvillim i rëndësishëm që ka tërhequr vëmendje të gjerë. Kjo rritje e pagave, që arrin në 8,376 lekë më shumë për muaj, ka ngritur pyetje lidhur me justifikimin e saj, mundësitë për një rritje të qëndrueshme të jetesës, dhe për pasojat që mund të ketë në ekonominë kombëtare. Për të kuptuar thellësisht këtë dinamizëm të tregut të punës, është e nevojshme të analizojmë disa faktorë kyç: produktivitetin e punës, rritjen ekonomike, inflacionin, migrimin e të rinjve, përdorimin e borxhit dhe sfidat e informalitetit.

1. Produktiviteti i punës dhe rritja e pagave

Teoria ekonomike thotë se rritja e pagave duhet të jetë e lidhur ngushtë me rritjen e produktivitetit. Kur produktiviteti rritet, punonjësit janë në gjendje të krijojnë më shumë vlerë për çdo njësi pune dhe kjo duhet të pasqyrohet në pagat që ata marrin. Megjithatë, të dhënat nga INSTAT për vitin 2024 sugjerojnë se kjo lidhje mes rritjes së pagave dhe produktivitetit është e paqartë.

Produktiviteti i punës në Shqipëri ka mbetur i ulët në sektorë të ndryshëm, duke përfshirë industrinë, shërbimet dhe bujqësinë. Sektori i industrisë ka pësuar një rritje prej 3.6%, por sektori i shërbimeve ka një rritje më të ngadaltë prej 1.5%, ndërsa sektori i bujqësisë ka mbetur pothuajse i pandryshuar. Ky hendek mes rritjes së pagave dhe produktivitetit mund të krijojë presion inflacionist dhe të rrisë kostot e punës për sipërmarrjet. Nëse kjo rritje e pagave nuk mbështetet nga një rritje realisht e produktivitetit, mund të çojë në rritjen e çmimeve dhe një rënie të vendeve të punës në të ardhmen.

2. Rritja ekonomike me bazë të ngushtë

Shqipëria ka arritur një rritje ekonomike prej 3.94% në vitin 2023 dhe një rritje të vlerësuar në 3.8% për 2024. Por, kjo rritje është kryesisht e përqendruar në disa sektorë të caktuar si ndërtimi, turizmi dhe shërbimet financiare. Kjo rritje me bazë të ngushtë sektoriale është më tepër afatshkurtër dhe e paqëndrueshme, duke krijuar pasiguri për zhvillimin afatgjatë të ekonomisë.

Sektori i ndërtimit dhe turizmit, që janë motorët kryesorë të rritjes janë të ndjeshëm ndaj ndryshimeve të politikave fiskale dhe ndikimeve të jashtme, si investimet nga diaspora. Ato mund të ndodhin nga kriza të paparashikuara, por të pritshme dhe nëse investimet zvogëlohen, apo ekonomia informale fillon të mos jetë si më parë për arsye të luftimit të korrupsionit mund të ndodhin ndryshime të papritura në ofertën e këtyre sektorëve. Po ashtu, sektori i bujqësisë dhe i industrisë përpunuese mbeten të dobët, duke mos ofruar një bazë të qëndrueshme për zhvillim dhe rritje të pagave.

Ky ngushtim në bazën e sektorëve ekonomikë ndikon në pabarazinë e shpërndarjes së të ardhurave dhe mund të ndikojë negativisht në stabilitetin ekonomik të vendit. Një rritje e paqëndrueshme mund të sjellë edhe një rritje të papunësisë nëse zhvillimi i sektorëve të tjerë mbetet i kufizuar.

3. Inflacioni i lartë dhe fuqia blerëse

Në kushtet kur inflacioni është i lartë për afër 35 – 40% të shpenzimeve të përditshme, rritja e pagave mund të mos përmirësojë fuqinë blerëse reale të qytetarëve. Sektori i ushqimeve, që është pjesë e shpenzimeve kryesore të konsumatorëve ka pësuar një rritje të shpejtë çmimesh, sidomos për produktet bazë si buka, vaji, perimet e frutat, mishi dhe bulmeti. Çmimet e produkteve ushqimore kanë kaluar inflacionin mesatar të vitit, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë për qytetarët të përballojnë koston e jetesës.

Në këtë kontekst, rritja e pagave mund të duket si një përpjekje për të mbajtur fuqinë blerëse në nivele të ngjashme, por kjo nuk sjell një përmirësim real të standardeve të jetesës. Për më tepër, tregjet oligopolistike, ku disa kompani kontrollojnë çmimet e furnizimeve ushqimore i bëjnë çmimet më të pakontrollueshme dhe të vështira për t’u ulur. Kjo do të thotë se rritja e pagave është më shumë një mënyrë për të mbajtur balancën se sa një përmirësim i ndjeshëm të jetesës për qytetarët.

4. Migrimi i të rinjve dhe mungesa e fuqisë punëtore

Një faktor kyç që ndikon në rritjen e pagave është emigrimi i të rinjve dhe humbja e fuqisë punëtore të kualifikuar. Shqipëria po përballet prej vitesh me një valë emigrimi të të rinjve që po largohen për mundësi më të mira punësimi e shkollimi jashtë vendit, duke krijuar boshllëqe të konsiderueshme në tregun e punës. Sektorët e ndryshëm, veçanërisht ata që kërkojnë punëtorë të kualifikuar janë të detyruar të ofrojnë paga më të larta për të mbajtur punonjësit në vend.

Kjo tendencë po e ngarkon gjithashtu administratën publike, e cila është e detyruar të rrisë pagat për të parandaluar largimet e mundshme, duke krijuar një ngarkesë shtesë për buxhetin publik. Megjithatë, kjo nuk është një zgjidhje afatgjatë, pasi rritja e pagave mund të rrisë shpenzimet e qeverisë, duke sjellë nevojën për financim të jashtëm ose borxh, i cili ka pasojat e tij.

5. Borxhi publik dhe financimi i rritjes së pagave

Rritja e pagave në administratën publike dhe sektorët e tjerë mund të financohet në pjesën më të madhe përmes borxhit publik, pasi të ardhurat tatimore janë ende të ulëta dhe nuk mblidhen në masën që do të duhej për shkak të informalitetit. Borxhi publik i lartë rrit kostot e shërbimit të borxhit dhe ul mundësitë për investime në sektorë produktivë dhe nxitjen e konsumit.

Nëse borxhi vazhdon të rritet, ai mund të bëhet i papërballueshëm dhe do të çojë në nevojën për rritjen e taksave ose shkurtime investimesh publike gjë që do të ndihmonte në vështirësitë ekonomike. Për të arritur qëndrueshmëri të rritjes së pagave është e nevojshme që qeveria të diversifikojë burimet e saj të të ardhurave dhe të zvogëlojë informalitetin, detyrë që duket se nuk po e bën ende sa dhe si duhet.

Nga analiza e mësipërme, mund të konkludohet se rritja e pagave në sektorin publik dhe privat nuk është një fenomen i bazuar në një ekonomi të qëndrueshme, por është kryesisht e shtyrë nga:

  • Mungesa e fuqisë punëtore si pasojë e emigracionit.
  • Përpjekjet e sektorit publik për të ruajtur punësimin në administratë.
  • Inflacioni i lartë për deri 40% të shpenzimeve, që po e detyron qeverinë dhe bizneset të rrisin pagat.
  • Financimi me borxh dhe jo me të ardhura të qëndrueshme.

Nëse politika ekonomike nuk ndryshon drejt një rritjeje të produktivitetit dhe uljes së informalitetit, rritja e pagave do të jetë efektive përkohësisht dhe mund të pasohet nga probleme ekonomike më të thella në vitet e ardhshme.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.