Ristrukturimi i modelit ekonomik shqiptar pas rritjes së vitit 2024
Analizë kritike mbi bazën e tri metodave të llogaritjes së PBB-së: Prodhimi, Shpenzimet dhe Të ardhurat
Nga të dhënat e përpunuara dhe publikuara nga INSTAT për produktin e brendshëm bruto 2024 (gjysëmfinale) duket se ekonomia duhet të rifokusojë prioritetet pasi jemi brenda një ekonomie që rritet, por nuk po zhvillohet.
Në vitin 2024, ekonomia shqiptare u rrit me 4,05% në terma reale, një shifër që në pamje të parë mund të përçohet si shenjë e stabilitetit dhe vitalitetit të sistemit ekonomik[1]. Por kur kjo rritje analizohet në thelb, duke përdorur tri metodologjitë standarde të llogaritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto: metodën e prodhimit, të shpenzimeve dhe të të ardhurave, tabloja del më komplekse dhe, në disa aspekte, shqetësuese.
Ajo që zbulohet është një strukturë ekonomike e njëanshme, e mbështetur gjerësisht mbi konsum, sektorë joprodhues dhe shpenzime publike, ndërsa baza prodhuese dhe eksportuese vijon të tkurret ose të mbetet në vendnumëro.
Struktura e rritjes, ku prodhohet vlera?
1. Metoda e prodhimit, ngjitja e shërbimeve, rënia e prodhimit
Nëse e pyesim ekonominë shqiptare “ku e prodhon ajo vlerën?”, përgjigjja për vitin 2024 është e qartë: në shërbime. Ato përbëjnë 48,69% të PBB-së dhe kontribuan me +6,51% në rritjen reale. Brenda kësaj kategorie, dominon sektori publik (administratë, arsim, shëndetësi), i ndjekur nga turizmi, tregtia dhe transporti.
Kundërpeshë negative kanë dhënë industria dhe bujqësia: përkatësisht me -4,55% dhe -2,00% rënie reale. Bujqësia, megjithëse përbën 15,45% të PBB-së, vazhdon të vuan nga informaliteti, mungesa e infrastrukturës dhe fragmentimi i tokës. Industria përpunuese, që përbën vetëm 6,51% të PBB-së bie me -3,65%, duke sinjalizuar mungesë të transformimit strukturor.
Edhe ndërtimi, me një rritje pozitive prej 4,52%, mbetet një sektor që nuk krijon lidhje të forta me prodhimin apo eksportet. Rritja e tij është më së shumti ciklike dhe spekulative, e ndikuar nga investimet private dhe remitancat, më shumë sesa nga strategji prodhuese.
Struktura e kërkesës, një ekonomi e mbështetur në konsum.
2. Metoda e shpenzimeve, motori i konsumit dhe pesha e rëndë e deficitit tregtar
Një ekonomi ku 81,93% e PBB-së buron nga konsumi final, është një ekonomi që rritet më shumë duke konsumuar sesa prodhuar. Konsumi i popullsisë dhe i administratës publike ka qenë forca shtytëse kryesore e rritjes së 2024-s. Kjo mbështetet në rritjen e pagave, remitancave dhe një zgjerimi të shpenzimeve qeveritare.
Ndërkohë, Formimi Bruto i Kapitalit Fiks (FBKF), një tregues kyç për investimet në të ardhmen është rritur me 5,81%, duke përbërë 24,36% të PBB-së. Por mungesa e transparencës mbi përbërjen sektoriale të këtyre investimeve (a janë në pasuri të paluajtshme apo në kapacitete prodhuese?) lë vend për dyshime.
Më shqetësues është bilanci i jashtëm: eksportet neto kontribuuan negativisht me -2,59 pikë përqindje. Eksportet e mallrave ranë me -15,8%, ndërkohë që importet u rritën me +5,99%. Ky zhvillim thekson përkeqësimin e konkurrueshmërisë së mallrave shqiptare dhe rritjen e varësisë ndaj importeve, madje edhe për mallra bazë.
Struktura e të ardhurave, pabarazia ndërmjet kapitalit dhe punës.
3. Metoda e të ardhurave, fitimet dominojnë, subvencionet mungojnë
Në vitin 2024, fitimi operativ bruto, që i referohet të ardhurave që mbeten pas pagimit të pagave dhe taksave prodhuese përbën 61,49% të PBB-së, ose rreth 1,4 trilion lekë. Ky është tregues i dominimit të të ardhurave nga kapitali, ndërsa kompensimi i punonjësve përbën 29,39% të PBB-së. Rritja e pagave, e vërejtur sidomos në sektorin publik, ka ndikuar pozitivisht në fuqinë blerëse dhe konsumin.
Nga ana tjetër, subvencionet publike përbëjnë vetëm 0,06% të PBB-së, një nivel simbolik, që flet për mungesë vullneti apo kapaciteti për të mbështetur sektorët që realisht kanë nevojë për ndërhyrje shtetërore për të konkurruar në tregje.
Çfarë thotë kjo për shëndetin e ekonomisë shqiptare?
Nëse do ta përshkruanim gjendjen ekonomike të Shqipërisë në vitin 2024 jo vetëm përmes statistikave, por përmes një narrative që shpalos tensionet e brendshme të modelit të saj ekonomik, atëherë do të duhet të ndalemi në disa vektorë themelorë të zhvillimit:
Rritja ekonomike ishte pozitive në shifra, me një normë prej 4,05%, por ajo qëndron mbi baza të brishta strukturore. Nuk kemi të bëjmë me një rritje të ndërtuar mbi transformim prodhues, por me zgjerim konsumi dhe rritje pagash që nuk lidhen drejtpërdrejt me përmirësim produktiviteti. Ajo është rritje numerike, jo rritje cilësore.
Struktura sektoriale mbetet e njëanshme, me një dominim të fortë të shërbimeve publike si administrata, arsimi dhe shëndetësia, dhe me rënie të vazhdueshme të sektorëve prodhues si industria dhe bujqësia. Në vend që të shohim një ekonomi që zhvendoset drejt transformimit, ajo po thellohet në një profil konsumator dhe jo konkurrues.
Bilanci tregtar ka shfaqur një përkeqësim të ndjeshëm. Kemi të bëjmë me rënie të eksporteve, veçanërisht të mallrave, dhe rritje të varësisë ndaj importeve, duke ulur kontributin e neto-eksporteve në rritjen ekonomike. Kjo tregon jo vetëm mungesë konkurrueshmërie, por edhe një dobësi të thelluar në kapacitetin për të gjeneruar të ardhura të qëndrueshme nga jashtë.
Tregu i punës ka përjetuar rritje pagash, sidomos në sektorin publik, por shoqërohet me produktivitete ende të ulëta dhe me përmasa të mëdha të informalitetit, veçanërisht në zonat rurale dhe sektorët e shërbimit. Pra, punësimi është rritur më shumë në aspektin nominal se sa në cilësi.
Politikat publike mbështetëse rezultojnë të jenë të përqendruara në konsumin e brendshëm, me mbështetje të pamjaftueshme për prodhimin, inovacionin dhe transformimin e sektorëve konkurrues. Subvencionet janë minimale dhe mungon një qasje aktive që e orienton ekonominë drejt rritjes së bazuar në prodhim.
Ky bilanc, i lexuar në mënyrë narrative, e bën të qartë se ajo çfarë rritet nuk është domosdoshmërisht ajo që zhvillohet. Dhe në këtë kontrast qëndron nevoja për një politikë të re ekonomike, një politikë që e njeh të tashmen jo si destinacion, por si pikënisje për transformim.
Nga kjo panoramë del qartë se duhet të ndërmarrim një zhvendosje thelbësore nga konsumi drejt prodhimit, duke adoptuar një qasje të re dhe të patundshme, që i përgjigjet me përgjegjësi sfidave të së ardhmes dhe siguron një zhvillim të qëndrueshëm e të qëllimshëm.
Për të dalë nga kurthi i një rritjeje të paqëndrueshme, Shqipëria ka nevojë për një rikthim tek prodhimi dhe eksporti. Kjo nuk do të thotë braktisje e shërbimeve, por balancim i modelit përmes politikave të mëposhtme:
Politika sektoriale
Zhvillim i industrisë përpunuese përmes fondeve të bashkëfinancimit, përmirësimit të infrastrukturës dhe lidhjes me universitetet, duke shfrytëzuar mundësitë që ofron integrimi në BE për akses në tregje më të gjera, standarde më të larta dhe fonde zhvillimore.
Modernizim i bujqësisë, me theks te bashkimi i fermerëve, zinxhirët e furnizimit dhe integrimi me agroturizmin, duke përfituar nga politika e përbashkët bujqësore e BE-së dhe mbështetja për zhvillim rural.
Politika fiskale dhe të investimeve publike
Rishikim i strukturës tatimore, për të ulur barrën mbi prodhuesit dhe për të ndalur disbalancën ndërmjet konsumit dhe ofertës, duke integruar praktikat fiskale të BE-së për konkurrueshmëri dhe qëndrueshmëri afatgjatë.
Rritje e subvencioneve për sektorët strategjikë dhe për rritjen e produktivitetit rural e industrial, në përputhje me standardet evropiane dhe mundësitë e fondeve të BE-së.
Punësim dhe arsim
Reformë në arsimin profesional dhe teknologjik, për të lidhur më ngushtë arsimin me nevojat e tregut dhe për të përgatitur fuqinë punëtore që përputhet me kërkesat e integrimit evropian.
Nxitje e punësimit të qëndrueshëm dhe cilësor, me politika që stimulojnë formalizimin dhe rritjen e produktivitetit, duke shfrytëzuar mbështetjen e BE-së për zhvillim social dhe ekonomik.
Rritja ekonomike e vitit 2024 nuk është një fund, por një pasqyrë.
Ajo reflekton një sistem që rritet nga brenda, por jo në thelb.
Pa një reformë strukturore që i jep përparësi prodhimit, eksportit, inovacionit dhe ndarjes më të drejtë të të ardhurave, Shqipëria rrezikon të ngelet në një model të rritjes së konsumit me import, pa aftësi reale për të ndërtuar pasuri të qëndrueshme.
Hartimi i politikave të së nesërmes duhet të mbështetet në njohjen e plotë të realitetit të sotëm. Ajo duhet të ndryshojë drejtimin e rritjes, nga rritje që ushqehet nga konsumi, në një rritje që ndërtohet mbi produktivitetin, eksportin dhe krijimin e vlerës reale.
[1] PBB-ja me çmime korrente u vlerësua në 2.517.821 milion lekë për vitin 2024 dhe 2.364.275 milion lekë për vitin 2023
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.