Remitancat na tregojnë difektet e qeverisjeve, dje dhe sot
Në përgjithësi, kur merret parasysh ndikimi i flukseve të remitancave në ekonomi është e rëndësishme të mbahen parasysh efektet pozitive dhe krahas tyre edhe efektet negative që mbartin në kohë dërgesat e parave në formën e transfertave për konsumin bazë dhe kreditim të shpenzimeve të familjeve dhe bizneseve të vogla të tyre.
Në analizën që mund të bëhet në rastin e historikut të dërgesave të parave që vijnë nga jashtë vendit në drejtim të familjeve, individëve dhe bizneseve të vogla nuk mundemi të përdorim të njëjtat ndikime që ka në një vend si ndikime të njëjta edhe për Shqipërinë. Arsyeja kryesore është e bazuar të dallimeve të ekonomisë, të kulturës së shoqërisë, historisë dhe kulturës, si dhe traditave dhe statusit që jeton vendi në kontekstin e shoqërisë globale dhe ndryshimeve gjeostrategjike të dekadës së fundit.
Rritja e fluksit të remitancave ka ushqyer një debat të gjatë mbi pasojat pozitive dhe negative.
Në efektet pozitive që bien janë ato ndikime që:
– mund të rrisin mirëqenien e familjeve duke zbutur konsumin dhe përmirësimin e kushteve të jetesës.
– mund të lehtësojnë akumulimin e kapitalit njerëzor duke bërë të mundur përmirësimin kushteve higjenike, mënyrë jetese më të shëndetshme, kujdes shëndetësor me te mire dhe arsimim më të mire.
– mund të lehtësojnë kufizimet e kredisë për familjet e varfra ato me vështirësi në banking në zonat e varfra rurale, lehtëson blerjen dhe akumulimin e aseteve, investimet per biznese te vogla dhe ndikon ne aftësimin ne profesionin e shtresave qe kane pak aftësi paguese duke reduktuar një pjese te varfërisë
Në pasojat negative që bien remitancat, janë ato ndikime që:
– mund të reduktojnë ofertën e punës dhe të krijojnë një kulturë varësie që pengon rritjen ekonomike
– mund të rrisin konsumin e mallrave të patregtueshëm (makina, banesa, sende me vlere dhe mallra dhe shërbime te tjera te ngjashme), si dhe të rrisin çmimet e tyre
– mund të mbivlerësojnë monedhën vendase nëpërmjet ofertës me te madhe te valutës ne tregun e këmbimit valutor duke dëmtuar kështu edhe eksportet pra edhe konkurrencën e produkteve shqiptare.
Në vetvete, edhe nëse flukset e parave mund të konsiderohen se përmirësojnë momente të jetës së individëve dhe familjeve përfituese, ato nga ana tjetër kanë treguar se shkaktojnë edhe sëmundje të ekonomive të ndryshme, duke u shfaqur më shumë në formën e asaj që mund të përkthehet si nocion si “sëmundja holandeze”[1]. Për më tepër, ndikimet e remitancave mund të ndryshojnë me kalimin e kohës brenda një kohe të caktuar duke u ndikuar si nga politikat zhvillimore të vendit, tendencat e pastrimit të parasë dhe tentimit për të penetruar në ekonomi, por po ashtu edhe nga ndryshimet që ndodhin në karakteristikat e emigrantëve, të cilët me kalimin e viteve i ftohin marëdhëniet me vendin e origjinës, për arsye të ndryshimit të status quo-së nga emigrantë në qytetarë që asimilohen vit pas viti nga vendi ku ata kanë emigruar.
Duke hyrë në diskutimin mbi ndikimin shkakësor të remitancave çdo analizë mbetet një sfidë duke pasur parasysh shqetësimet për endogjenitetin[2] e tyre, ku vështirësia e ndarjes së ndikimeve të migrimit nga ato të dërgesave të parave në tërësi, si dhe përfshirja e plotë e emigrantëve të lidhur me shumën e dërgesave të parave është e pamundur të dallohet.
Për shkak të madhësisë dhe qëndrueshmërisë së flukseve të parasë që hyn nga jashtë vendit, remitancat kanë potencialin për të ndihmuar vendin në një sërë mënyrash, nga përmirësimi i stabilitetit ekonomik në një periudhë vështirësie dhe rimëkëmbje ekonomike dhe sociale dhe deri te nxitja e mundësive kredituese për tërheqjen e fondeve në zhvillimin e aseteve individuale/familjare dhe forcimin e mbështetjen e bazave fillestare në kapitalin njerëzor. Sfida kryesore e qeverive në vitet e para të remitancave (dekada e parë dhe gjysma e dekadës së dytë pas viteve ’90) ishte hartimi i politikave që të promovonin këto flukse për tu përdorur në mënyrë produktive duke marrë parasysh veçoritë e vendit në ato momente të caktuara kohore, si: kultura e munguar financiare, nevoja për konsumin bazë, nevoja për transferta për të përmirësuar kushtet e jetesës dhe shumë veçori të tjera që diktoheshin nga pamundësia e ekonomisë për të gjeneruar më shumë mirëqenie pas një periudhe ekonomie të izoluar dhe anemike.
Mirëpo, me kalimin e viteve duket se vijimësia e dërgesave të parave ende në nivele të larta na provojnë politikën miope, të gabuar dhe të bazuar në një vullnet politik mjaft të dyshimtë, pra jo në funksion të zhvillimit afatgjatë dhe të qëndrueshëm të ekonomisë dhe forcimit të mirëqenies së familjeve.
Ky konstatim është i argumentuar te fakti dhe realitetet se si ka ndikuar politika e përgjegjshme, e pakorruptuar dhe vizionare në ato vende ku remitancat kanë funksionuar si ndihmë e vlefshme në momentet fillestare, por më pas ato nuk kanë shërbyer si burimi kryesor në financimin e nevojave të konsumit dhe varfërisë.
Politikat mund të ndikojnë në madhësinë, stabilitetin dhe destinacionin e flukseve hyrëse të remitancave (dhe anasjelltas) dhe për shkak të shumë ndikimeve potencialisht të rëndësishme të tyre, analizat e ndikimit të tyre ekonomik shpesh kërkojnë të informojnë hartimin e politikave për të përmirësuar ambjentin ekonomik dhe social për kanalizimin efektiv të hyrjeve të reja të parave. Megjithatë, aty ku ka prevalencë të korrupsionit qeveritar dhe ofertë të ulët në shërbimet publike, nisur nga realiteti social ekonomik vërehet lehtësisht, se pse remitancat ende shihen prej qeverive, si një burim financiar që plotëson premtimet e papërmbushura të tyre për mirëqenien, standartin e jetesës dhe shërbime publike cilësore.
Prania e shtuar e remitancave madje konsiderohet si një kreditim për shtresat në nevojë por pa u dhënë në këmbim emigrantëve të paktën lehtësinë për të votuar mbi politikat nga vendi i tyre i rezidencës, një faktor me peshë që me sa duket nuk përkon me kokëfortësinë e politikanëve shqiptarë për të mbetur në pushtet. Duke e ndërtuar argumentin nga kjo logjikë, një fakt që provon pikërisht orientimin e remitancave bazuar te mungesa e të ardhurave për të përballuar koston e jetesës në vitet 2022 dhe 2023 (6-m.I) është vlera e shtuar e këtyre dërgesave të orientuara nga rritja e çmimit të naftës, të ushqimeve, të shëndetësisë, të arsimit dhe atyre shpenzimeve që përballojnë mungesën e të ardhurave familjare dhe bizneset e vogla që konkurohen në çdo ditë nga oligopolet e forcuara në sektorin e tregtisë, prodhimit dhe shërbimeve publike të dhëna me koncesion. Në këtë kontekst, flukset hyrëse të parave janë dëshmi e fuqishme që dërgesat e parave nxisin edhe më tej korrupsionin e bazuar në patronazhin politik, pasi shmangin ballafaqimin e individëve përfituesë kërkesën e llogarisë ndaj qeverisë për mospërmbushjen e të drejtave që qytetarët i paguajnë nëpërmjet taksave dhe tarifave, pra kjo politikë e hyrjes së sa më shumë flukseve monetare e ka lehtësuar presionin e publikut ndaj qeverive për të ofruar shërbimet publike.
Edhe pse analiza nuk bazohet thjesht mbi një model qeverisje, por në tërësinë e modeleve qeverisëse në këto tre dekada, jeta dhe dëshmitë e përditshme mbi ekonominë dhe shoqërinë na tregojnë
se qeveritë në vendet me politikë të dobët demokratike ndërtojnë edhe institucione që mund të veprojnë duke e kundërshtuar potencialin dhe efektet e dobishme të politikave. Si e tillë, modeli aktual i logjikës së financimit ende bazuar edhe mbi remitancat nuk konsiderohet një sukses i politikave ekonomike dhe sociale, por ky fakt lidhet me tërësinë e flukseve të kapitalit që ka hyrë dhe ka dalë nga Shqipëria në formën e granteve, kredive dhe arkëtimit të taksave të qytetarëve, por edhe emigrantëve duke mos rimarrë mbrapsht ende investimet e deklaruara nëpërmjet shitjes së burimeve natyrore në tregjet ndërkombëtare, si dhe investimet që duket se nuk do të mbarojnë kurrë në infrastrukturën që ka përthithur 1.8 triliard lekë për të paktën tre dekada[3].
Flukset hyrëse të ndihmës së huaj (si dhe flukset hyrëse të granteve dhe kredive, si dhe remitancave), pra në tërësi së bashku me të ardhurat nga taksat duket se nuk janë efektivizuar drejt zhvillimit të ekonomisë, pasi dukshëm një pjesë e tyre është instrumentalizuar duke ndihmuar gjithashtu korrupsionin politik dhe zhvillimin e paqëndrueshëm të ekonomisë së vendit.
[1] Sëmundja holandeze është një koncept që përshkruan një fenomen ekonomik ku zhvillimi i shpejtë i një sektori të ekonomisë (veçanërisht burimet natyrore) precipiton një rënie në sektorë të tjerë. Gjithashtu shpesh karakterizohet nga një mbiçmim i konsiderueshëm i monedhës vendase.
[2] Endogjeniteti i referohet rastit kur efekti i një variabli të pavarur në një variabël të varur nuk mund të interpretohet rastësisht, sepse ai përfshin shkaqe të papërfshira, që çojnë në njëanshmëri
[3] http://financa.gov.al/raporte-dhe-statistika-fiskale/
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.