Reforma e tatimit mbi fitimin mund ta përmirësojë Shqipërinë
Kur bizneset rezidente, investojnë për të prodhuar mallrat dhe dhënë shërbimet e tyre në Shqipëri, ato kanë ndihmuar në rritjen e standardeve të jetesës të vendit nëpërmjet vendeve të punës që krijojnë dhe të ardhurave nga taksat që ato kontribuojnë.
Me kalimin e kohës, ndryshimet e qasjeve të politikës e kanë bërë më të lehtë për bizneset të gëzojnë përfitimet e statusit të korporatës pa qenë subjekt i tatimit mbi të ardhurat korporative. Reforma duhet të pasqyrojë parimet udhëzuese, që firmat të cilat angazhohen në aktivitete të ngjashme dhe që ato të gëzojnë përfitime të ngjashme ligjore duhet të tatohen me norma të ngjashme.
Duke kërkuar për të promovuar Shqipërinë si një qendër për aktivitete biznesi dhe investimesh, shumë analiza dhe politika janë të përqendruara në nocionin e konkurrencës, me idenë se politika mund të tërheqë veprimtari fitimprurëse në këtë vend ose të zhvillojë aktivitete të kompanive shumëkombëshe në vend. P.sh. Rasti kur në Shqipëri çdo parti politike që ndodhet në opozitë kërkon reduktimin e normave të tatimeve (ulje taksash), si po ndodh në periudhën aktuale ku propozohet ulje e normës së tatimit fitimit nga 15% në 9%, promovohet se bëhet në emër të konkurrueshmërisë.
Si një politikë e pavarur nga të tjerat, një normë më e ulët e tatimit të korporatave teorikisht perceptohet se do të rrisë stimujt për investime, do të zvogëlojë hendekun midis normës efektive të tatimit mbi biznesin e korporatave dhe bizneseve të mesme dhe mikro-bizneseve, do të kufizojë preferencën tatimore për financimin e borxhit në lidhje me financimin e kapitalit, dhe do të reduktojë presionin mbi shoqëritë shumëkombëshe në lidhje me rezidencën fiskale të tyre, vendndodhjen e stabilimenteve të prodhimit/shërbimit, apo në lidhje me shmangien e taksave.
Megjithatë, një disavantazh i dukshëm është se çdo pikë përqindje në ulje e normës së tatimit të korporatave ul të ardhurat e buxhetit të shtetit me rreth 2 miliardë lekë në vit, duke çuar shumë pikëpyetje që duhen shqyrtuar mbi mundësitë e neutralitetit të të ardhurave buxhetore të ndikuar nga reforma e tatimit të korporatave.
Mundësia për reforma me efekte neutrale në të ardhurat e buxhetit gjithsesi duhet të përfshijë politikën fiskale për një shkëmbim midis reduktimit të normës së tatimit mbi korporatat dhe një rritje tatimi diku tjetër. Duke i gjykuar këto kompromise politike me optikën e asaj çfarë ka ndodhur me premtimet e kaluara është veçanërisht e vështirë që në kuadër të sistemit të tatimit të korporatave të zbatohen politika të uljes së tatimeve për gjithë aktivitetet. Shumë prej politikave në Shqipëri kanë qenë politika të destinuara për të nxitur një segment të veçantë të konkurrencës dhe shpesh janë zbatuar si politika populiste për bizneset e mesme dhe mikro-bizneset dhe jo për bizneset që konsiderohen si korporative.
Çdo opsion që parashikon reduktime të rëndësishme në normën e tatimit të korporatave, mund të shikojë të reduktojë pikë së pari disa nga shtrembërimet tatimore të mbartura dhe aktuale, që kontribuojnë në mungesën e efikasitetit në sektorin e korporatave.
Për shembull, korrigjimi i kufizimit të njohjes së shpenzimeve të interesave mund të ndihmojë në arritjen e një balance të trajtimit të investimeve të financuara nga huatë me ato që financohen nga fondet e korporatave. Ndërkohë, një korrigjim tjetër mund të përfshijë rishikimin e vijës ndarëse të asaj çfarë quhet biznes VIP (korporata) nga biznesi i mesëm, i vogël dhe mikro biznesi (i vetë punësuari etj.). Ky rishikim ndihmon që për biznese të ngjashme që operojnë në regjime të ndryshme tatimore për shkak të vijës ndarëse të qarkullimit të trajtohen njësoj.
Por edhe reformat në dukje të dobishme nuk janë pa të meta të mundshme ekonomike apo politike. Është e qartë se ligji aktual i tatimit mbi të ardhurat duhet të përmirësohet për të promovuar standardet e jetesës dhe konkurrencën në Shqipëri. Sfida do të jetë në rënien dakord për një reformë që nivelon fushën e lojës për industri të ndryshme dhe investime të ndryshme në kushtet aktuale dhe në nevojën për të qenë konkurruese dhe për të ruajtur një status quo në të ardhurat që kontribuojnë në buxhet.
Qëllimi i reformës së tatimit të korporatave duhet të jetë për të nxitur rritjen ekonomike dhe për të ndërtuar një bazë të qëndrueshme të të ardhurave për qeverinë, pa kompromentuar barazinë dhe drejtësinë e sistemit fiskal.
Tatimi mbi të ardhurat mbi baza vjetore janë në treguesë historikë jo të kënaqshëm në raport me prodhimin e brendshëm, pasi Shqipëria po përballet me borxhin publik që pritet të jenë në nivele të larta edhe për disa vite të tjera.
Edhe pse norma e tatimit mbi fitimin aktualisht është më e lartë se në disa nga vendet fqinje me Shqipërinë, norma mesatare e taksave – që është, pjesa e fitimit që kompanitë paguajnë realisht taksa është dukshëm më e ulët për shkak të shumë preferencave dhe lehtësirave të legjislacionit tatimor (përjashtime, stimulime, shtyrje tatimore).
Për më tepër, kur matet si pjesë e ekonomisë shqiptare, fatura e tatimit të korporatave për buxhetin e shtetit në të vërtetë është e ulët në krahasim me faturën që paguajnë bizneset korporative në vendet e tjera të Ballkanit. Të gjitha pjesët e buxhetit dhe ligjit të tatimit mbi të ardhurat, duke përfshirë tatimin e korporatave, duhet të kontribuojnë në reduktimin e deficitit buxhetor. Reformat e mirë-projektuara të tatimit të korporatave mund të përmirësojë efiçencën ekonomike dhe të ndihmojë reduktimin e deficitit në të njëjtën kohë.
Në qoftë se reforma tatimore do të ishte e paketuar së bashku me reformën e sigurimeve shoqërore për të lehtësuar rritjen e barrës mbi korporatat, ajo mund ta bëjë reformën tatimore politikisht më se të realizueshme. Për të varfrit, apo klasën punëtore është e mundur për të lehtësuar barrën përmes sistemit të sigurimeve shoqërore dhe me anë të sistemit të tatimit mbi të ardhurat personale.
Nëse politikë bërësit vendosin norma tatimore të korporatave për të qenë edhe më poshtë normës së tatimit individual lartë (personal), ata duhet të vendosin masa mbrojtëse për të parandaluar individët me të ardhura të larta për ti transferuar të ardhurat e tyre në korporata për të paguar taksat me një normë tatimore më të ulët.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.