Pse burimet nëntokësore nuk e kanë justifikuar fokusin dhe si duhen orientuar në 2025?

Pse burimet nëntokësore nuk e kanë justifikuar fokusin dhe si duhen orientuar në 2025?

Burimet nëntokësore të Shqipërisë, përfshirë naftën, gazin natyror, minerale si kromi, bakri dhe hekuri kanë një potencial të madh për të kontribuar në zhvillimin ekonomik. Megjithatë, këto burime nuk kanë arritur të japin rezultatet e pritshme për ekonominë shqiptare. Kjo vjen si pasojë e një sërë faktorësh që lidhen me menaxhimin, transparencën dhe mungesën e një strategjie të qëndrueshme zhvillimore.

Shqipëria zotëron fusha të rëndësishme të naftës dhe gazit, si ato në Kuçovë, Patos-Marinëz, Gorisht, por edhe ato më të fundit në Shpirag. Industria e naftës përbën një pjesë të konsiderueshme të eksporteve. Vendi është po ashtu edhe me vendburime të ndryshme minerare dhe kryesisht është ndër eksportuesit kryesorë të kromit në Europë, si dhe ka rezerva të konsiderueshme të bakrit dhe nikelit.

Rezervat e ujit përbëjnë një aset tjetër të rëndësishëm për prodhimin e energjisë elektrike. 

Në teori, këto burime mund të jenë një shtyllë kryesore për rritjen ekonomike dhe zhvillimin industrial.

Por, problemet në shfrytëzimin e  burimeve, të tilla si menaxhimi i dobët dhe mungesa e transparencës janë ato që kanë ndikuar direkt në një përfitueshmëri të ulët në interes të buxhetit, mjedisit dhe mirëqenies publike.

Shumë nga burimet natyrore të Shqipërisë janë dhënë me koncesion kompanive private, shpesh me kushte që nuk sjellin përfitime të drejtpërdrejta për ekonominë kombëtare. Për shembull, industria e naftës shpesh ka përfituar më shumë për operatorët privatë sesa për buxhetin e shtetit.

Edhe pse Shqipëria i ka rezervat e mëdha natyrore, kontributi i tyre në PBB dhe të ardhurat publike mbetet i kufizuar. Mungesa e një sistemi të mirëfilltë të taksimit dhe shpesh shmangia e detyrimeve nga kompanitë janë probleme të përsëritura.

Industria minerare dhe nxjerrja e naftës janë ende të bazuara në teknologji të vjetëruar, që ndikon në eficiencën dhe rentabilitetin e sektorit. Në shumë raste, burimet shfrytëzohen pa planifikim afatgjatë, duke sjellë degradim mjedisor dhe humbje të potencialit të ardhshëm. Në zonat ku zhvillohen aktivitete të nxjerrjes së burimeve, komunitetet shpesh përballen me probleme të rënda mjedisore, si: ndotje të ujit, tokës dhe ajrit, ndërsa përfitimet ekonomike nuk ndihen direkt. Aktivitetet e paligjshme ose shfrytëzimi pa kontrolle mjedisore kanë dëmtuar peizazhe dhe ekosisteme të rëndësishme.

Shqipëria nuk ka ndjekur një strategji të qartë, konsekuente për zhvillimin e burimeve nëntokësore si pjesë e një plani të qëndrueshëm ekonomik. Shumica e aktiviteteve lidhen me eksportin e lëndëve të para dhe jo me krijimin e vlerës së shtuar brenda vendit (p.sh., përpunimi i mineraleve).

Pse burimet nuk kanë dhënë rezultatet e pritshme për ekonominë?

Sektori i naftës dhe mineraleve duhet të jetë një nga burimet kryesore të të ardhurave për ekonominë shqiptare. Megjithatë, një sërë problematikash kanë ndikuar në zhvillimin e tij të qëndrueshëm dhe në maksimizimin e përfitimeve për buxhetin e shtetit.
Më poshtë paraqiten disa nga sfidat kryesore që po pengojnë rritjen dhe menaxhimin efektiv të këtij sektori:

Në disa raste, fondet që duhet të ishin investuar për zhvillimin dhe modernizimin e industrisë minerare dhe të hidrokarbureve janë shpërdoruar ose janë përdorur në mënyrë joefektive. Kjo përfshin projekte të dështuara, investime në pajisje të vjetruara dhe mungesën e investimeve në kërkim dhe zhvillim. Si rezultat, infrastruktura mbetet e papërshtatshme, duke e bërë nxjerrjen dhe përpunimin e lëndëve të para më të shtrenjtë dhe më pak të efektshëm.

Vendimet për dhënien e licencave minerare shpesh merren mbi baza politike dhe jo mbi kritere profesionale. Proceset e tenderimit dhe licencimit kanë qenë subjekt i kritikave për mungesën e transparencës, çka ka favorizuar kompani të lidhura me interesa të caktuara, shpesh në dëm të konkurrencës së ndershme dhe efikasitetit ekonomik. Kjo situatë ka sjellë investime të pamjaftueshme dhe keqmenaxhim të rezervave minerare. Shumë marrëveshje koncesionare janë negociuar në mënyrë të tillë që përfitimet për Shqipërinë janë minimale. Shpesh këto kontrata janë të mbuluara nga sekretet tregtare, duke kufizuar kontrollin publik.

Shfrytëzimi i pandërprerë dhe pa një strategji rigjenerimi ka bërë që disa rezerva të mineraleve të rëndësishme të shterohen me shpejtësi. Për shembull, prodhimi i kromit dhe bakrit ka pësuar rënie për shkak të mungesës së planifikimit afatgjatë dhe të investimeve në teknologji që mund të sigurojnë shfrytëzim më efikas dhe të qëndrueshëm.

Në disa raste, përqendrimi i mineraleve në rezervat e mbetura është i ulët, duke e bërë nxjerrjen më pak fitimprurëse. Kur një mineral ka një përqendrim të ulët, kostot e nxjerrjes dhe përpunimit janë më të larta, duke e bërë sektorin më pak tërheqës për investitorët. Për rrjedhojë, shumë prej këtyre rezervave mbeten të pashfrytëzuara ose shfrytëzohen në mënyrë joefikase, duke sjellë humbje të mundësive për të ardhura më të mëdha për ekonominë kombëtare.

Shqipëria eksporton kryesisht naftë dhe minerale në formë të papërpunuar, duke mos përfituar nga vlera e shtuar që mund të krijohet përmes përpunimit dhe prodhimit industrial. Për shembull, eksportimi i kromit në formë të papërpunuar sjell shumë më pak të ardhura sesa prodhimi i çelikut.

Industria e naftës dhe mineraleve ka luajtur një rol të rëndësishëm në ekonominë shqiptare gjatë viteve të fundit. Megjithëse ky sektor përbën një burim të konsiderueshëm të ardhurash dhe eksportesh, ndikimi i tij në buxhetin e shtetit nuk reflekton gjithmonë vlerën e lartë të prodhimit. Për të kuptuar më mirë këtë fenomen, është e nevojshme të analizojmë të dhënat e prodhimit dhe kontributit fiskal për vitet e fundit.

Sipas të dhënave të INSTAT, prodhimi i naftës bruto në vitin 2022 ishte 902,064 tonë, duke shënuar një rritje të ndjeshme nga viti 2021, kur u prodhuan 697,662 tonë. Vlera e shitjeve për naftën arriti në 44.8 miliardë lekë, një rritje me 31.2% krahasuar me vitin e mëparshëm. Në sektorin e mineraleve, prodhimi i xeherorëve dhe koncentrateve të kromit në vitin 2022 ishte 1,399,017 tonë me një vlerë shitjesh prej 30.9 miliardë lekësh. Këto tregues sugjerojnë një industri të fortë prodhuese, por që nuk reflekton një kontribut të madh në të ardhurat fiskale të shtetit.

Gjatë vitit 2023, prodhimi i naftës ishte 891,400 tonë, ndërsa prodhimi i hekurit bruto dhe çelikut u vlerësua në 474,444 tonë. Gjithashtu, prodhimi i xeherorëve dhe koncentrateve të kromit arriti në 822,206 tonë, ndërsa çimentoja e prodhuar ishte 2,176,865 tonë. Vlera e shitjeve për këto produkte ishte përkatësisht 39,280 milionë lekë për naftën, 33,116 milionë lekë për hekurin dhe çelikun, 20,359 milionë lekë për kromin dhe 19,387 milionë lekë për çimenton. Këto shifra dëshmojnë për një industri me vëllim të madh aktiviteti, por kontributi i saj në buxhetin e shtetit mbetet ende i kufizuar.

Pavarësisht këtyre niveleve të larta prodhimi dhe shitjeje, sektori i naftës dhe mineraleve kontribuon vetëm me 10.1% të totalit të tatimit mbi fitimin. Kjo nënkupton që fitimet e deklaruara nga kompanitë janë relativisht të ulëta ose se ekzistojnë mekanizma që minimizojnë barrën e tyre fiskale. Në aspektin e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe taksave mbi pagat, ky sektor përfaqëson vetëm 7.5% të totalit të të ardhurave tatimore dhe doganore, duke sugjeruar se numri i punonjësve të regjistruar mund të jetë më i ulët se pritshmëritë, ose se pagat në këtë industri nuk pasqyrojnë fitimet reale.

Një tjetër burim i rëndësishëm të ardhurash për buxhetin e shtetit është renta minerare, e cila përbën vetëm 10% të taksave kombëtare dhe 1.1% të të ardhurave tatimore dhe doganore. Kjo tregon se mund të ketë hapësira për një rishikim të politikave të rentës, duke rritur normat që kompanitë paguajnë për shfrytëzimin e burimeve natyrore. Nga ana tjetër, TVSH-ja e mbledhur nga ky sektor përbën vetëm 2% të totalit të kësaj takse, një përqindje e ulët që mund të shpjegohet me skema të favorshme tatimore për investitorët ose përjashtime të ndryshme fiskale.

Nga kjo analizë del qartë nevoja për një rishikim të politikave fiskale në këtë sektor. Rritja e normave të rentës minerare, forcimi i kontrolleve mbi fitimet dhe tatimet e paguara nga kompanitë, si dhe inkurajimi i përpunimit të lëndëve të para brenda vendit mund të ndihmojnë që industria e naftës dhe mineraleve të ketë një ndikim më të madh në buxhetin e shtetit. Këto masa do të kontribuonin në një ndarje më të drejtë të përfitimeve nga pasuritë natyrore, duke siguruar një zhvillim më të qëndrueshëm ekonomik për Shqipërinë.

Industria e naftës dhe mineraleve në Shqipëri ka pasur një ndikim të rëndësishëm në ekonominë e vendit. Megjithatë, pavarësisht potencialit të madh, sfidat e menaxhimit, politikat fiskale të favorshme për koncesionarët dhe mungesa e investimeve në teknologji kanë kufizuar ndikimin e këtij sektori në zhvillimin ekonomik afatgjatë.

Një nga problemet kryesore është përdorimi joefikas i fondeve publike, ku investimet që duhet të shkonin në modernizimin e sektorit shpesh nuk janë përdorur siç duhet. Lidhjet klienteliste në dhënien e licencave minerare kanë krijuar një mjedis ku vendimet merren mbi baza politike duke minuar efikasitetin dhe transparencën. Këto problematika kanë ndikuar edhe në shterimin e disa rezervave, si kromi dhe bakri, të cilat janë shfrytëzuar pa një plan rigjenerimi duke e bërë nxjerrjen e tyre gjithnjë e më pak fitimprurëse.

Një strategji afatgjatë e orientuar drejt rritjes së vlerës së shtuar dhe menaxhimit më të mirë të burimeve natyrore mund të sjellë ndryshime të rëndësishme. Kjo do të mundësohej nëpërmjet:

  • Krijimit të vlerës së shtuar me investime në teknologji që mundësojnë përpunimin e mineraleve dhe lëndëve të tjera brenda vendit, për të minimizuar eksportin e lëndës së papërpunuar dhe për të rritur fitimet.
  • Diversifikimit të shfrytëzimit duke u përqendruar jo vetëm te eksportet, por edhe te zhvillimi i industrive vendase që mund të shfrytëzojnë burimet natyrore.
  • Rishikimit të koncesioneve nëpërmjet Rinegocimi i kushteve më të drejta për shtetin duke siguruar të ardhura më të larta për buxhetin publik.
  • Rritjes së monitorimit dhe transparencës duke filluar me publikimin e kontratave dhe të ardhurave nga burimet natyrore si një praktikë standarde dhe deri te raportet e monitorimit duke mbajtur vetëm konfidencialitetin jashtë publikimit.
  • Investimeve në teknologji dhe kapacitete njerëzore, ku nevojat janë të shumta dhe të mbartura.  Modernizimi i sektorit me teknologji të avancuar për të përmirësuar eficiencën dhe për të reduktuar ndikimet mjedisore, si dhe edukimi dhe trajnimi i fuqisë punëtore.
  • Zbatimit të standardeve strikte mjedisore,  Forcimi i institucioneve që monitorojnë aktivitetet minerare dhe të nxjerrjes së naftës është një nevojë e menjëhershme.
  • Aktivizimit të programeve që sigurojnë përfitime direkte për komunitetet lokale. Këto burime duhet të sjellin zhvillim jo vetëm për kompanitë koncesionare, por edhe për qytetarët e rajoneve ku operohen.
  • Fizibilitetit të një Fondi Sovran nga të ardhurat minerare, i analizuar edhe nga ALTAX . Në  komunikimet edhe me përfaqësuesit e qeverisë mendojmë se ky fond duhet të menaxhohet në mënyrë transparente dhe të përdoret për investime në arsim, infrastrukturë dhe diversifikimin e ekonomisë. Kryeministri Rama u shpreh për krijimin e një fondi prej vitit fundit të verës së 2023 se do të krijohej një fond i ngjashëm duke marrë nga përvoja e vendeve si Norvegjia, Arabia Saudite dhe Azerbajxhani. Fondet sovrane mund të ndihmojnë në sigurimin e mirëqenies afatgjatë të qytetarëve. Këto fonde mund të përdoren për rritjen e pensioneve, investime strategjike dhe zhvillimin e industrive të reja duke ulur varësinë nga shfrytëzimi i burimeve natyrore.
  • Partneritete strategjike me investitorë afatgjatë. Për të shmangur varësinë nga koncesionet afatshkurtra, duhet të krijohen marrëveshje që sjellin investime të qëndrueshme dhe rritje ekonomike.
  • Përmirësimi i menaxhimit dhe efikasitetit të burimeve. Rritja e transparencës në shfrytëzimin e burimeve natyrore dhe vendosja e mekanizmave të fortë auditimi për të parandaluar abuzimet dhe shpërdorimin e pasurisë kombëtare.

Reformat e thella janë thelbësore për të siguruar një shfrytëzim më efikas, më transparent dhe më të qëndrueshëm të burimeve natyrore. Përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse, që përfshin politika të mençura fiskale, investime në teknologji dhe një nivel më të lartë transparence, sektori i naftës dhe mineraleve mund të shndërrohet në një shtyllë të zhvillimit ekonomik afatgjatë të Shqipërisë.

Megjithatë, duhet të merren parasysh edhe mësimet që duhen nxjerrë nga vizioni i shtrembëruar i drejtuesve të qeverive në të kaluarën. Në periudha të caktuara, qeveritë shqiptare kanë qenë të ndikuara nga interesa të ngushta dhe kanë bërë vendime që kanë favorizuar shfrytëzimin e pakontrolluar të burimeve natyrore, duke krijuar pasoja të dëmshme mjedisore dhe sociale. Ky vizion i bazuar në interesat e ngushta të një grushti individësh dhe jo në zhvillimin afatgjatë të shtetit ka minuar mundësinë e një shfrytëzimi të qëndrueshëm dhe të drejtë të resurseve natyrore.

Në krahasim, vendet që kanë pasur një vizion të qartë dhe të orientuar nga zhvillimi i qëndrueshëm, si Norvegjia dhe Kanadaja kanë krijuar politika të integruara që mbrojnë mjedisin, inkurajojnë investimet e qëndrueshme dhe sigurojnë përfitime afatgjata për popullatën. Norvegjia, për shembull ka ndërtuar një fond të pasurive të natyrshme që investon të ardhurat nga nafta për të siguruar stabilitet ekonomik dhe për të financuar politikat e zhvillimit social. Kjo qasje ka kontribuar në një rritje të qëndrueshme të ekonomisë, duke mbajtur gjithashtu një transparencë të lartë dhe një menaxhim të kujdesshëm të burimeve.

Në këtë mënyrë është e rëndësishme që Shqipëria të nxjerrë mësime nga gabimet e të kaluarës dhe të adoptojë një vizion afatgjatë, i cili bazohet në menaxhimin e qëndrueshëm të resurseve natyrore duke siguruar përfitime jo vetëm për brezat aktualë, por edhe për ata të ardhshëm.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.