Procedurat për pagesa te tatimit mbi te ardhurat personale dhe metodat për llogaritjen
Në zbatim të nenit 9, paragrafi 1), të ligjit 8438 datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të Ardhurat”, Pagat dhe shpërblimet, në lidhje me marrëdhëniet e punës aktuale, do të tatohen sipas tarifave të përshkruara në pasqyrën e Shtojcës 12.
Në zbatim të nenit 10, të ligjit 8438 datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të Ardhurat”, çdo punëdhënës, që paguan një pagë a shpërblim të parashikuar në germën “a”, të nenit 8 të këtij ligji, mban tatimin mbi të ardhurat personale, në përputhje me paragrafin e parë, të nenit 9 dhe e derdh tatimin e mbajtur në favor të organeve tatimore, jo më vonë se data 20 e muajit pasardhës të kryerjes së pagesës.
Të gjithë punëdhënësit mbajnë regjistrime të pagesave te specifikuara në germën “a”, të nenit 8 të këtij ligji, sipas udhëzimeve të Ministrisë së Financave.
Të gjithë punëdhënësit dhe personat e vetëpunësuar janë të detyruar të deklarojnë tatimin mbi të ardhurat vetjake, të mbajtur në burim për punëmarrësit. Forma, përmbajtja, afatet dhe proçedurat e dorëzimit të deklaratave përcaktohen në udhëzimin e Ministrit të Financave .
Në zbatim të nenit 13 të ligjit 8438 datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të Ardhurat”, çdo individ, që realizon të ardhura nga çdo burim, i përcaktuar në nenin 8, për të cilat nuk është mbajtur tatim në burim, në zbatim të dispozitave të tjera të këtij Ligji, duhet t’i deklarojë këto të ardhura në organin tatimor jo më vonë se 30 Janari i vitit pasardhës.
Tatimpaguesi, bën pagesën e detyrimit në bankë, me dokumentin e pagesës të lëshuar nga organi tatimor.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.