Politikani dhe interesi personal*
Njerëzit janë të tërhequr nga interesi personal çfarëdo qofshin ata: konsumatorë, mësuesë, biznesmenë, punëtorë krahu, votues, politikanë, tregtarë apo nëpunës publikë. Dëshirat e tyre ndryshojnë me lëvizjen nga një funksion te tjetri. Të vepruarit për interesin personal do të thotë se secili, vetëm po bën një zgjedhje në lidhje me interesat e dëshirat që ka. Nëse kanë dëshirë të ndihmojnë të tjerët, atëherë kjo zgjedhje së pari është në interesin personal të tyre.
Ky model funksion edhe për politikanët. Kur ata flasin në publik hiqen ose te paktën duket sikur përpiqen në shërbim të interesit të elektoratit. Kushdo qofshin motivet e tyre, arritjen e qëllimeve dhe dëshirave në funksion të interesit personal, ata mund ta realizojnë vetëm nëse zgjidhen. Por dhe pasi ata janë zgjedhur dhe kanë kaluar një legjislaturë, përsëri interesi i tyre është që te rizgjidhen ose te paktën të ndihmojnë ne zgjedhjen e një pasardhësi nga partia ku janë të angazhuar.
Supozojmë se një sipërmarrës, i cili është i suksesshëm si drejtues i një kompanie ndryshon funksionin dhe emërohet drejtues i një institucioni të caktuar publik.
A mund të gjenden në këtë rast arsye për të besuar se ky individ do të ndryshojë karakterin e tij?
Për të hyrë në botën e tij përpiquni t’a vendosni veten në vend të tij.
Në thelb është i njëjti person. Në politikë, ky qëndrim është i motivuar në të njëjtën mënyrë si motivohet në biznes një ide e thjeshtë. Është pjesë e ndjesisë sonë të përbashkët. Individët që merren me biznes, ashtu si njerëzit e tjerë kudo qofshin, shpesh sakrifikojnë mirëqenien e tyre për interesin e të tjerëve, por kuptohet jo në mënyrë të tepruar.
Në këtë kuptim, ne presim që dhe qeveritarët të bëjnë të njëjtën gjë. Por, atëherë a ka kuptim, ne rastin e miratimit te disa ligjeve apo mbajtjes se qëndrimeve qe nuk ndihmojnë shoqërinë dhe ekonominë?
Si mund ta shpjegojmë faktin që ligjvënësit shpesh miratojnë ligje që çojnë në dështimin e tregut, në vend që të nxisin ecjen e tij përpara?
Shpjegimin e kësaj pyetje e gjen te fushatat e zgjedhjeve, inefiçenca dhe mungesa e traditës politike të lidershipit dhe te tregtia apo trafiku i votave.
Supozojmë sikur ju zotëroni një grup minierash dhe hidrocentralesh dhe kohët e fundit ju keni humbur klientë në vazhdimësi për shkak të produkteve të rënies se çmimeve te eksportit apo edhe çmimeve te importit te energjisë që janë më të lira se prodhimi tuaj. Ju besoni se duke u bërë një ligjvënës, ju do të keni mundësinë që të rrisni tarifën e importit për këtë produkt ose dhe ta ndaloni fare atë nëpërmjet lobimit në parlament. Është interesi tuaj personal që ju nxit të bëheni një ligjvënës. Nëse ligjvënësit e tjerë do të jenë të informuar për këtë kuptohet që ata do ta bëjnë të vështirë kalimin e një ligji në favorin tuaj. Në fakt, në vende me traditë demokratike ligjvënësit janë profesionistë në politikë dhe nuk kanë asnjë lidhje direkte apo indirekte me kompani ose aksione kompanish.
Por, edhe në rast se do të kishim edhe në Shqipëri modelin e një politikani profesionist, ai në pozitën e një ligjvënësi mund të jetë në rolin e agjentit për të tjerët. Duke rënë dakort që një ligjvënës të ndihmojë individë ose grupe individësh ata mund ta ndihmojnë atë duke kontribuar të fitojë betejën e ardhme elektorale. Ai madje mund të krijojë dhe favore nga kontribuesit për familjen e tij. Shembuj të këtyre favoreve janë pushimet falas, dhurata makinash e pronash, punësime të rrethit të të njohurve e familjes e kështu me radhë.
Motivimi i vërtetë që ka çdo ligjvënës është në thelb i pandashëm nga të ardhurat, statusi social i tij dhe pushteti qe i jep fuqi.
Të ardhurat, në rastin e një ligjvënësi përbëjnë interesin kryesor të tij, si te çdo njeri tjetër. Ai është i interesuar menjëherë pasi zgjidhet se sa do të jenë të ardhurat e tij. NË fakt, të ardhurat e një ligjvënësi nuk janë të kufizuara vetëm me rrogën që merr. Pozicioni i tij si ligjvënës mund të rritë mundësitë për të fituar të ardhura shtesë, si këmbim i favoreve që ju bën individëve apo grupeve të individëve. Mundësitë egzistojnë edhe duke u thirrur si një lektor në forume të ndryshme, ose dhe duke përfituar nga nderet dhe favoret. Por, ai gjithashtu mund të marre dhurata, ftesa udhëtimesh e pushimesh. Në demokracitë ku fitimet direkte janë më të mundshme, mund të pritet që ata të duan të bëhen ligjvënës. Atje ku janë më të mundura fitimet indirekte mund të pritet që kush zotëron biznese dhe ja ka arritur të fshehë fitimet e tij është rruga më e natyrshme për të, që të përpiqet të bëhet ligjvënës.
Statusi dhe pushteti janë të lidhura me faktin se si të tjerët e shikojnë dhe e konceptojnë një ligjvënës. një ligjvënës ndihmon të kontrollohet përdorimi i një monopoli të caktuar. Këtu hyn dhe pushteti i një ligjvënësi, që zakonisht është i kufizuar kur bën pjesë në grupe të mëdha parlamentare.
Një ligjvënës miraton ligje që të zbatohen nga qeveria dhe si rrjedhim pret të prodhohen të mira publike në interes të votuesve. P.sh. me iniciativën e një deputeti miratohet një ligj që i shërben votuesve të zonës së tij elektorale. Këtë vendim ai e konsideron si të drejtë ne kuptimin moral. Por, është e pamundur të përmbushen dëshirat e të gjitha grupeve, sado e madhe të jetë dëshira e deputetit.
Kjo është dhe kostoja e tij ne tregun elektoral për radhën tjetër kur të rizgjidhet.
* Pjesë nga libri SYRI EKONOMIK NE DEMOKRACI
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.