Politikanët në kapitalizëm, qytetarët në socializëm
Në një ekonomi kapitaliste, qeveria vepron si një organ rregullator dhe plotësues. Ndërsa, në një ekonomi socialiste, qeveria luan një rol gjithëpërfshirës në pothuajse të gjitha aktivitetet ekonomike, si prodhimi, shpërndarja dhe konsumi i një vendi. Këto janë përgjegjësi dhe detyra që i kryen pikërisht ajo.
Në një nivel teorik, të dyja përfaqësojnë shkollat përkatëse të mendimit ekonomik. Një nga ndryshimet më thelbësore midis sistemeve të kapitalizmit dhe socializmit qëndron në shtrirjen e ndërhyrjes së qeverisë brenda një ekonomie.
Në këtë kontekst të sistemit kapitalist, nëse hyjmë në përshkrimin e asaj çfarë ndodh në Shqipëri shikojmë se të paktën në vitet e fundit nuk jemi më në një sistem ku roli i qeverisë është i kufizuar. Në të njëjtën kohë nuk jemi gjithashtu në një sistem të dedikuar për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve si dhe për të ruajtur një mjedis të rregullt që lehtëson funksionimin e duhur të tregut. Shkalla në të cilën funksionojnë këto shtylla dallon në forma të ndryshme prej kapitalizmit.
Në vijim të këtij parashtrimi kapitalizmi në vendin tonë (por në fakt edhe në vendet e rajonit) mund të themi se nuk po shërben sipas përkufizimit, si një mjet për prodhimin e pasurisë duke garantuar lirinë politike, si dhe mirëmbajtjen e institucioneve politike të përgjegjshme për të patur një forcë punëtore të arsimuar me të drejtat e saj themelore të përmbushura.
Jo!
Klasa punëtore shqiptare, por edhe shumë nga ata që nuk janë klasë punëtore nuk i kanë të garantuara të gjitha këto dhe për këtë mund tu referohemi shumë prej indekseve që pasqyrojnë situatën në të cilën është ekonomia, konkurueshmëria, tregu i punës, arsimi dhe kualifikimi i fuqisë punëtore, garantimi i hapësirës për funksionimin e financuar të shoqërisë civile, forcimi i sindikatave, lejimi i hapësirës nga qeveria për tu përfshirë de facto në vendim marrje edhe organizatat dhe përfaqësuesit e biznesit, si dhe lejimi i hapësirës për të qenë të financuar edhe organizatat e reja politike, njësoj si partitë qeverisëse përballë sfidave në zgjedhjen e përfaqësuesve në pushtetin vendor dhe në qendror.
Të gjitha këto sa më lart janë detyra direkte dhe indirekte për qeverinë dhe klasën drejtuese politike dhe ekonomike.
Por, në fakt ku jemi me këto te drejta?
Nisur nga publikimi i fundit i Freedom House[1] Shqipëria në vitin 2023 (32 vite tranzicion) është i kategorizuar si një regjim hibrid për arsye të:
- procesit zgjedhor që është pak mbi gjysmën e pikëve të duhura për tu quajtur efektiv sipas parimeve demokratike liberale[2]
- një qeverisje që nuk kalon më shumë se gjysmën e pikëve të duhura për tu emërtuar si demokratike[3],
- vlerësimit pak më shumë se gjysma për tu konsideruar demokratike aktivitetin e qeverisjes vendore[4],
- mangësive të dukshme të pavarësisë së drejtësisë, e cila ka marrë më pak se gjysmën e vlerësimit të mundshëm[5]
- funksionimit të shoqërisë civile, organizatave të biznesit, sindikatave[6], e cila ka marrë pak më shumë se gjysmën e pikëve, por larg të qenit funksionale sipas përcaktimeve për efektivitetin që duhet të kishte;
- vlerësimit të pavarësisë së media[7] deri në gjysmën e pikëve të mundshme duke u konsideruar si një funksion ende i përmbushur përgjysëm
- korrupsionit, i cili ka marrë më pak se gjysmën e pikëve në dispozicion[8]
Duke marrë në një analizë të gjithë pikët e vlerësimit për:
- sistemin tonë hibrid të drejtësisë (përgjegjësi direkte me emra të përveçëm e politikanëve aktivë),
- procesin zgjedhor hibrid (përgjegjësi direkte me emra të përveçëm e politikanëve aktivë),
- qeverisjen qendrore dhe vendore hibride (përgjegjësi direkte me emra të përveçëm e kabinetit qeverisës dhe drejtuesve/të emëruarve të pushtetit vendor në këshillat bashkiakë dhe në krye të bashkive)
- situatën hibride të funksionimit të shoqërisë civile, organizatave të punës, medias private dhe publike (përgjegjësi direkte me emra të përveçëm e qeverisë dhe drejtuesve të opozitës aktuale)
duket se kemi një vlerësim shumë të qartë edhe për të gjithë sa më lart përmendur. Duket se ata nuk kanë më justifikim për të vijuar edhe më tej me të njëjtën mënyrë dhe të njëjtat instrumente të menaxhimit të organizatave politike dhe funksioneve në administratë.
Në gjithë këto vite, nëse analizojmë edhe përmbushjen e premtimeve në 20 vitet e fundit duket se përveç mosrealizimit të tyre apo realizimit më pak se përgjysmë, shihet se politikanët kanë shërbyer keq për forcimin e kapitalizmit shqiptar.
Madje në shumë raste, në emër të mbrojtjes së interesit të publikut kanë kufizuar liritë ekonomike nëpërmjet ndërhyrjes në treg, favorizimeve dhe qasjes neopaternaliste duke u pozicionuar direkt kundër lirisë së tregut në të drejtën për të kryer aktivitet lirshëm dhe pa kufizime.
Kjo qasje madje ka ndikuar negativisht në mjedisin e forcimit të tregut e konfirmuar në unison nga gjithë organizatat që përfaqësojnë interest e bizneseve vendase dhe të huaja.
Mospërmbushja e detyrave nga politika dhe qeveria lidhur me gjithë sa përmendim ka ndikim edhe më të thellë, pasi nuk edukon njerëzit me vlerat pozitive që duhet të përcjellë një sistem kapitalist ndaj atij socialist. Kjo i ka detyruar njerëzit të mos ndahen dot nga vlerat e sistemit të kaluar duke ndikuar për keq në drejtim të motivimit për të parë përpara.
Ndërkohë qeveria me rritjen e shpenzimeve në llogari të vetvetes dhe duke marrë vendime me kosto financiare, që e zhbëjnë moralin politik në fillimet e veta 10 vite më parë për një qeverisje të vogël e ka arritur që ta tejkalojë justifikimin se buxheti po përdoret për qëllime të mbrojtjes sociale.
Të dhënat në këtë drejtim tregojnë të kundërtën e asaj që deklaron.
Në një krahasim të transfertave sociale në Shqipëri dhe duke e krahasuar me vendet fqinje vërehet se:
- Transfertat e parave nga buxheti në grupet e ndryshme të popullsisë, siç janë pensionistët, të papunët, shtresat e paafta për punë dhe në nevojë etj. përbëjnë nga 10.6% te 24.1% të shpenzimeve buxhetore në vendet e Ballkanit Perëndimor, respektivisht për vitet 2021 dhe 2022. Ndërkohë transfertat e qeverive në vendet e BE kanë një mesatare sa 20.1% e PBB-së[9] shihet se vendet e BP6 kanë ruajtur nivele që si mesatare 14.2% e PBB-së, Ku Maqedonia e Veriut bën dallim të madh me këtë mesatare pasi ka mbajtur një nivel rishpërndarje deri 24.1% të PBB-së drejt shtresave sociale dhe rigjallërimit të konsumit duke kryer këtë veprim në kohën e duhur dhe për qëllimet e rëndësishme të politikave të mbajtjes në nivele të larta konsumin dhe prodhimin.
- Shqipëria shënon rritje nga viti me vit në këtë drejtim, por në masën e shpenzimeve të shpërndara për mbrojtjen sociale është sa 12,1 dhe 12.8% e shpenzimeve buxhetore, respektivisht për vitet 2021 dhe 2022 dhe mban vendin e katërt në rajon duke lënë pas Malin e Zi dhe Kosovën.
Nisur nga niveli i mbështetjes së ulët për mbrojtjen sociale, si dhe niveli i ulët i mbështetjes për administratën në tërësi duket se kemi dy klasa sociale paralele funksionale në vendin tonë.
Paraleli i parë është klasa politike dhe njerëzit e lidhur me ta. Kjo klasë nuk përbën më shumë se 0.04% të popullsisë rezidente.
Paraleli i dytë është klasa punëtore, nëpunësit e sektorit publik dhe privat, profesionistët, banorët e zonave rurale, pensionistët dhe gjithë ata që konsiderohen si taksapaguesë, ku një herë në dy vite janë edhe votuesë. Kjo klasë paralele me të parën përbën 99.56% të gjithë popullsisë së vendit.
Ndërsa klasa që i përket paralelit të parë zotëron më shumë se gjysmën e të mirave materiale dhe është përfitues i rregullt edhe i mbi gjysmës së buxhetit të shtetit dhe gjithë përfitimeve që vijnë bashkë me të mirat materiale, ndërkohë klasa që është në paralelin e dytë, jo vetëm nuk ka arritur dot ndonjëherë të konvergojë me të parën, por madje po largohet gjithnjë e më shumë nga shanset për të përfituar nga rishpërndarja që duhet të mundësojë sistemi kapitalist.
Mekanizimi politik i funksionimit duket se ka nevojë të zëvendësohet, pasi nëse duhet të vijojmë të udhëhiqemi nga populizmi, i cili vërtet na lejon ta shfaqim pakënaqësinë, por pa ndikuar te sistemi jofunksional, atëherë shfaqja e pamoralshme që jemi duke paguar me taksat tona do të vazhdojë njësoj.
Ne duhet të sigurohemi që institucionet po veprojnë të drejtuara nga qëllimi që të ndikojnë për një mjedis të mirë politik dhe ekonomik dhe japin llogari për lekët që shpenzojnë. Ky funksionim është realisht ajo që na nevojitet ne dhe jo e kundërta.
Nga gjithë sa përfshimë në këtë analizë dhe të ngjashme me to më përpara vërehet se politikanët dhe klasa ku ata bëjnë pjesë po jetojnë në pjesën e benefiteve të sistemit kapitalist. Pjesa tjetër duket se jeton ende në pjesën e kontributeve, ku në mjaft momente janë realisht jo përfitues nga rishpërndarja e të mirave materiale dhe po jetojnë pjesën e keqe të socializmit.
[1] https://freedomhouse.org/country/albania/nations-transit/2023
[2] Vlerësohet cilësia e zgjedhjeve kombëtare ekzekutive dhe legjislative, kuadri zgjedhor, funksionimi i sistemit shumëpartiak dhe pjesëmarrja popullore në procesin politik
[3] vlerësohet karakteri demokratik i sistemit qeveritar, pavarësia, efektiviteti dhe llogaridhënia e institucioneve legjislative dhe ekzekutive
[4] konsideron decentralizimin e pushtetit, përgjegjësitë, zgjedhjet dhe kapacitetet e organeve të qeverisjes vendore, si dhe transparencën dhe llogaridhënien e autoriteteve vendore
[5] vlerësohet mbrojtja e të drejtave kushtetuese dhe të të drejtave të njeriut, pavarësia e gjyqësorit, statusi i të drejtave të pakicave etnike, garancitë e barazisë para ligjit, trajtimi i të dyshuarve dhe të burgosurve dhe respektimi i vendimeve gjyqësore
[6] vlerësohet kapaciteti organizativ dhe qëndrueshmëria financiare e sektorit civil, mjedisi ligjor dhe politik në të cilin vepron, funksionimi i sindikatave, pjesëmarrja e grupeve të interesit në procesin e politikave dhe kërcënimet e paraqitura nga grupet ekstremiste antidemokratike
[7] vlerëson gjendjen aktuale të lirisë së medias, duke përfshirë ligjet për shpifjen, ngacmimin e gazetarëve dhe pavarësinë editorial, funksionimin e një gazetarie private financiarisht të qëndrueshme dhe të pavarur, si dhe funksionimin e medias publike
[8] vlerësohet perceptimi i publikut për korrupsionin, interesat e biznesit të politikëbërësve kryesorë, ligjet për zbulimin financiar dhe konfliktin e interesit, dhe efikasiteti i nismave kundër korrupsionit
[9] https://ec.europa.eu/eurostat/statistics-explained/index.php?title=Government_expenditure_on_social_protection
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.