Pesha e pabarabartë e taksave vendore, barra fiskale për qytetarin dhe diskutimi për norma progresive
Në një analizë depërtuese në përbërjen e strukturës së barrës tatimore vendore vërehet se taksa e ndikimit në insfrastrukturë përbën pothuajse 1/3 e barrës tatimore vendore për vitin 2021. Kjo barrë e kësaj takse është tregues i numrit të madh të lejeve të ndërtimit të dhëna në vitin 2019-2021. Veçanërisht Bashkia e Tiranës mban nje peshë sa 81% e totalit të kësaj takse. Dukshëm kjo taksë është një barrë e shtuar për gjithë projektet ndërtimore, duke ndikuar në një masë të madhe në kostot e ndërtimit dhe në ofertën për familjet shqiptare.
Barra tatimore vendore ka një ndikim edhe nga taksa mbi ndërtesat, e cila është sa 18% e totalit të barrës së taksave dhe tarifave vendore. Nëse përfshijmë edhe barrën e kalimit të së drejtës së pronësisë (sa 3% e totalit të barrës tatimore vendore), shihet se pushteti vendor financon pjesën e shërbimeve të veta në mbi gjysmën e tyre me taksat dhe tarifat nga ndërtimi.
Nëse konsiderojmë edhe përfaqësimin e taksave dhe tarifave të tjera vendore për ndërtimin dhe pasuritë e paluajtshme (mbi 50% e barrës tatimore vendore), mund të shikohet se barra tatimore është e shpërndarë në mënyrë të pabarabartë sipas sektorëve të ekonomisë. Tarifat për zënien e hapësirës publike (përfshin baret, restorantet dhe shërbimet dhe hapësirat e reklamimit të mallrave tregtare) përfaqëson vetëm 5% të barrës tatimore vendore, në kushtet kur afër 75% e aktiviteteve janë në sektorin e tregtisë dhe shërbimeve. Në mungesë të një analize të detajuar, kjo përqindje e ulët tregon indirekt edhe për problemin e korrupsionit në administratën tatimore vendore.
Por, një tjetër drejtim i analizës është i lidhur edhe me shpërndarjen e pabarabartë të taksave dhe tarifave vendore, të cilat nuk analizohen dhe të propozohen të vendosen sipas specifikave ekonomike të bashkive, por edhe një mungesë të dialogut midis dy niveleve të qeverisjes. Një tjetër reagim që duhet të analizohet është fakti se kur ndësrtohen sistemet fiskale vendore kanë nevojë për analiza të thella fizibiliteti fiskal, dhe jo të reflektojnë nxitimin e politikës për ti konsideruar të kryera reformat që ndërmarrin pa analizuar efektet dhe përshtatjen me një vizion që ka kusht themelor një proces të zgjeruar të konsultimit publik me të gjitha grupet e interesit dhe me shoqërinë civile dhe sindikatat.
Në analizën e taksave vendore që paguajnë takspaguesit për llogari të pushtetit vendor, shihet se orientimi i barrës tatimore është kryesisht mbi individët që janë rezidentë në qytete dhe më pak mbi individët që janë rezidentë në fshat.
Kështu, barra e tatimeve mbi tokën bujqësore përfaqëson deri 2% të totalit të barrës tatimore vendore. Ndërkohë, edhe taksat për ndërtesat dhe për ndikimin në infrastrukturë bien më shumë mbi lejet e ndërtimit në qytete dhe kryesisht në zonat më të urbanizuara.
Kjo barrë e pabarabartë është një tjetër tregues i dështimit të zbatimit të një politike neutrale dhe të drejtë për të gjithë, dhe aq më tepër bie ndesh me filozofinë politike të qeverisë socialiste për taksimin e ndershëm.
Nisur nga fakti që mbi gjysma e popullsisë shqiptare është me rezidencë fiskale në njësitë bashkiake të fshatrave, atëherë ky grup social i popullsisë është edhe më i lehtësuari nga barra fiskale e pushtetit vendor.
Barra tatimore vendore dhe disa tatime kombëtare sipas individëve dhe familjeve
Kur analizojmë se sa është barra tatimore, që paguajnë individët dhe bizneset për llogari të pushtetit vendor duhet mbajtur në konsideratë që ata mbajnë edhe barrën nga tatimet dhe taksat e buxhetit të shtetit (tatime mbi konsumin dhe tatime mbi të ardhurat, si dhe kontribute të sigurimeve dhe taksa kombëtare).
Për të krijuar një perceptim të përgjithshëm përsa lidhet me faktin se sa barrë fiskale mesatare i takon secilit individ, që është rezident fiskal në Shqipëri, pavarësisht nëse është taksapagues aktiv ose jo, në varësi të bashkisë ndryshon edhe barra fiskale mesatare për banor.
Kështu, barra fiskale mesatare për banor në qarkun e Tiranës është 22.1 mijë lekë/vit për qytetarët dhe 18.2 mijë lekë për gjithë banorët nëse përfshihen së bashku qyteti dhe fshati edhe pse fshati kontribuon relativisht me më pak taksa të paguara se qyteti.
Në kuptim më të thjeshtë një qytetar i Tiranës si individ paguan mesatarisht në vit 22.100 lekë taksa e tarifa në vit, ndërsa nëse përfshijmë edhe fshatin kjo velrë ulet duke arritur në një nivel pagese prej 18.200 lekë në vit, nisur nga fakti se një ngarkesë të caktuar taksash dhe tarifash vendore paguhen edhe nga taksapaguesit që janë banorë rezidentë të fshatit.
Ky ballafaqim paraqet qartë faktin se buxheti i shtetit ka marrë më shumë se sa ka dhënë për to. Por, nëse përfshijmë në këtë analizë edhe investimet kapitale të buxhetit, për projekte infrastruktutore, arsimore, shëndetësore, si dhe shpenzime të tjera atëherë situata e shpenzimeve që shpërndahen nga buxheti për gjithë qarqet tregon një rritje të peshës së tyre ndaj PBB, nisur nga projektet zhvillimore, por pa u ndikuar nga pagesat në buxhet nëpërmjet barrës fiskale.
Kjo mospërputhje spjegohet, me përqëndrimin e konsumit dhe industrisë e tregtisë me shumicë në këto qarqe të mëdha. Por, nga ana tjetër dallimet e ndryshme zonale nëpër shumë dekada janë objekt i transferimit apo shëprndarjes së shpenzimeve sipas nismave për zhvillim.
Një tregues interesant për shpërndarjen e barrës tatimore është edhe barra e tatimeve të konsumit (TVSH dhe akcizat) për secilin individ, pavarësisht vendodhjes së tij. Në vitin 2021, secili individ rezident fiskal, por dhe jorezidentët (të huajt), ka kontribuar në buxhet, me 100 mijë lekë në vit (78 mijë lekë TVSH dhe 22 mijë lekë akcizë) për blerjet e mallrave dhe shërbimeve të ndryshme, përfshirë karburantet dhe ushqimet. Kjo llogaritje është më afër perceptimit korrekt, për arsye se ky tatim paguhet nga secili individ kur blen mallra apo shërbime.
Kur marrim në konsideratë faktorët ndikuesë të barrës tatimore edhe për taksën e qarkullimit dhe karbonit, duket se nga matja e taksave që paguajmë për karburantet dhe gazin për mbi 560 mijë automjete (afërsisht 550 mijë familje shqiptare) duket se përveç barrë tatimore vendore paguhen edhe 40 mijë lekë në vit edhe taksa nacionale (taksë qarkullimi dhe karboni).
Edhe pse këto tatime për konsumin dhe taksat nacionale janë pjesë e barrës tatimore qendrore, këto i rëndojnë buxhetit të secilës familje shqiptare, dhe janë pjesë shtesë mbi barrën e tatimeve dhe taksave vendore.
Taksim progresiv për taksat vendore
Në një mesatare të barrës tatimore të një taksapaguesi llogaritet se pjesa e barrës tatimore vendore (përfshirë tarifat) është nga 25 mijë lekë/familje në vit për bashkitë e vogla deri në 45 mijë lekë/familje në vit në Tiranë. Nëse barrës tatimore vendore i shtojmë edhe barrën tatimore të tatimeve të konsumit dhe taksave të ambjentit, atëherë barra tatimore për familje varion nga 265 mijë lekë në vit në bashkitë e vogla deri në 290 mijë lekë në vit në Tiranë.
Kjo barrë tatimore është mesatarisht nga 22 mijë lekë – 24 mijë lekë në muaj apo pak më shumë sesa minimumi jetik ende i padeklaruar. Nëse llogaritim që përjashtimi nga taksat vendore është për kategori shumë të papërfillshme familjesh dhe individësh27, atëherë shihet se barra tatimore reale është dukshëm në nivele të ndjeshme për familjet e varfëra dhe kategoritë me të ardhura të ulëta.
Nisur nga llogaritjet mesatare, nevojitet që sistemi fiskal të konsiderojë që të zbatojë një model progresiviteti në normat tatimore për taksat vendore, me qëllimin e zbatimit të politikës së taksimit të ndershëm, ku familjet me të ardhura të larta të paguajnë më shumë dhe për të komensuar edhe për barrën më të ulët për familjet e varfëra dhe me të ardhura të ulëta. Kjo politikë është edhe një ndihmë për të ndikuar mbi frenimin e informalitetit dhe shmangies së pagimit të taksave vendore nga ata që nuk kanë mundësi të paguajnë.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.