PBB në 6-mujorin e parë 2021 me nevojat për adresim
Rritja ekonomike e 6-mujorit të parë 2021 me 11.7 përqind është lajmi i mirë i këtij fund Shtatori 2021. Por, krahasimi bëhet me periudhën e parë të vitit 2020, kur bllokimi në tremujorin e dytë u kthye në izolim të paprecedentë. Më poshtë kemi paraqitur edhe të dhënat e pergatitura dhe publikuara nga INSTAT, lidhur me ecurinë e degëve dhe aktiviteteve të ekonomisë bashkë me kontributin e tyre në PBB.
PBB 3-mujori I 2021/ 3-mujori I 2020 >5.53% | PBB 3-mujori II 2021/ 3-mujori II 2020 >17.89% | Ndryshimi i Trem.I/ Trem.II 2021 |
Kontributi pozitiv/negativ në PBB | ||
Industri, Energji dhe Uji me + 2,56 pikë përqindje (pp) | Industri, Energji dhe Uji me +4,13 pikë përqindje (pp) | + 1.57 pp më shumë |
Bujqësi, Pyje dhe Peshkim me +0,01 pikë përqindje. | Bujqësi, Pyje dhe Peshkim me -0,19 pikë përqindje | – 0.18 pp më pak |
Ndërtimi me +1,09 pikë përqindje | Ndërtimi me +3,42pikë përqindje | + 2.33 pp më shumë |
Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia me + 0,97 pikë përqindje | Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia me +1,56 pikë përqindje, | + 0.59 pp më shumë |
Aktivitete të pasurive të paluajtshme me +0,58 pikë përqindje | Aktivitete të pasurive të paluajtshme me +0,64 pikë përqindje | + 0.06 pp më shumë |
Arte, argëtim dhe çlodhje; aktivitete të tjera shërbimi me +0,20 pikë përqindje | Arte, argëtim dhe çlodhje; aktivitete të tjera shërbimi me +0,59 pikë përqindje | + 0.39 pp më shumë |
Aktivitete Financiare dhe të Sigurimit me +0,35 pikë përqindje | Aktivitete Financiare dhe të Sigurimit me +0,50 pikë përqindje | + 0.15 pp më shumë |
Informacioni dhe Komunikacioni me + 0,14 pikë përqindje | Informacioni dhe Komunikacioni me +0,38 pikë përqindje | + 0.24 pp më shumë |
Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative me -0,20 pikë përqindje | Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative me +1,04 pikë përqindje | + 0.24 pp më shumë |
Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor me – 0,14 pikë përqindje | Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor me +4,09 pikë përqindje | + 3.95 pp më shumë |
Taksat Neto mbi produktet kontribuan negativisht me – 0,02 pikë përqindje[1] | Taksat Neto mbi produktet kontribuan pozitivisht me +1,73 pikë përqindje[2] | + 1.71 pp më shumë |
Nga njoftimi i treguesit të PBB-së të tremujorit të dytë 2021 nga INSTAT lidhur me ecurinë e ekonomisë, ku në të njëjtën kohë nisur nga një lexim dhe krahasim edhe të tremujorit të parë, si pjesë e 6-mujorit të parë 2021, vlen që të paraqesim disa fakte dhe komente mbi to duke patur parasysh krahasimin me dy tremujorët e 6-mujorit të parë 2020. Ne vlerësojmë se:
– ka një konsistencë në kohë të aktiviteteve ekonomike që përfshihen në sektorë vitalë të ekonomisë, të tillë si: energjia, uji dhe prodhimet industriale (jo bujqësore) që (a) në rastin e sektorit elektroenergjetik janë ndikuar nga kushtet klimaterike, dhe rritja e numrit të prodhuesve të energjisë elektrike në sektorin privat, (b) në rastin e ujit janë ndikuar nga aktivizimi i konsumit dhe aktivizimit të sektorëve prodhues minerarë, industrialë dhe në përgjithësi përdorues të ujit, (c) prodhimet për eksport dhe ato vendase. Mjafton të përmendim vetëm një fakt për energjinë për të kuptuar rëndësinë e ndikimeve klimaterike në prodhimin industrial energjetik, ku sipas Entit Rregullator të Energjisë, prodhimi i energjisë i dominuar nga HEC-et publike bashkë me HEC-et private, gjeneruese të energjisë elektrike në Shqipëri kanë prodhuar 6 milion megavat orë energji elektrike në 6-mujorin e parë të vitit 2021, apo 55 përqind më shumë se në periudhën e njëjtë kohore të vitit kaluar[3]. Në këtë gjallërim ndikim të madh përbëjnë edhe eksportet dhe importet e lëndëve të para të ndërtimit, të cilat janë me peshë në kontributin e sektorit.
– ka një vijimësi të zhvillimit të projekteve të ndërtimit në sektorin publik (me fonde buxheti direkt dhe për projektet PPP), si dhe lejeve të ndërtimit për ndërtime civile nga sektori privat kalojnë nivelin e mbi 4.5 milionë m² leje në periudhën 2019-2020, të cilat tashmë janë në faza zhvillimi dhe kontribuojnë në PBB-në e 6-mujorit të parë 2021. Ndërkohë, nga këto leje ndërtimi, 1.1 milionë m² janë dhënë vetëm për 6-mujorin e parë 2021, por që në fakt pritet të zhvillohen pas 6-mujorit të parë 2021, si një rezervë e mundshme për të kontribuar në vlerën e shtuar të ekonomisë.
– ka një vijimësi të aktiviteteve që i përkasin pasurive të paluajtshme, e cila lidhet me tregun e zgjeruar tashmë edhe për të rezidentët e huaj[4] për blerjen e pasurive të paluajtshme në Shqipëri, që është një nga ndikuesit kryesorë, krahas blerjeve nga qytetarët shqiptarë dhe emigrantët.
– ka një vijimësi të kontributiti në PBB të aktiviteteve të argëtimit, të aktivitetve financiare, si dhe aktiviteteve të informacionit dhe komunikimit. Ndikimi kryesor në këtë vijimësi konsistente është prej efekteve sezonale të qytetarëve, pas një periudhe dimri dhe pranvere mjaft të kufizuar në pjesëmarrje në këto aktivitete dhe të lidhura me to. Ndërkohë, aktivitetet financiare kanë të bëjnë me zgjerimin e tregut financiar në drejtim të shërbimeve të shtuara, por edhe rritjes së kontributeve të detyrueshme për tu paguar si efekt i kuadrit rregullator detyrues për shërbimet financiare bankare, si dhe të instituteve financiare dhe atyre të sigurimit. Ndërkohë, tregu i informacionit, teknologjisë dhe komunikimit vjen në rritje pas kërkesave në rritje për shërbime të shtuara online, si rrjedhojë e ndryshimit të shërbimit për një pjesë të aktiviteteve të kufizuara nga pandemia Covid-19, por edhe si reagim në rritje i tregut privat ndaj nismës së dixhitalizimit të shërbimeve të sektorit publik.
Ndërkohë, bujqësia, tregtia, transporti, shërbimet ushqimore të ndikuara nga kufizimet prej pandemisë Covid-19, shfaqin luhatje të caktuara nga tremujori i parë në atë të dytin duke reflektuar direkt efektin që prodhon bllokimi/kufizimi i tyre në mbarë ekonominë e vendit. Bujqësia dhe sektori i turizmit, gjithsesi kanë nevojë për një zinxhir furnizimi me kosto të ulta të çdo hallke të tij. Kjo mbetet edhe sfida e adresimit të kostove të shtuara dhe mungesa e koordinimit ndërsektorial.
Megjithatë, është ironike që gjallërimi ekonomik i tremujorit të dytë të bazohet jo në sektorët kryesorë që përbëjnë strukturën e ekonomisë (tregti e shërbime), por në tregues sasiorë që performojnë jo për arsye konkurueshmërie dhe zhvillimi tregu cilësor, por të lidhura me faktorë indirektë/jashtë tregut, si: klima, kontrata sezonale bazuar mbi nevojat dhe kërkesat e eksporti duke shfaqur edhe në këtë rast problemin e madh të varësisë së ekonomisë sonë nga kërkesat e tregut të huaj voluntarist, si dhe nga zhvillime jo të qëndrueshme të prodhimeve të energjisë, naftës, produkteve minerare dhe importeve të produkteve me akcizë, si karburantet dhe mallrat e luksit. Por kujdes me menaxhimin e rezervave energjetike. Treguesit e mirë në eksport janë një e panjohur për të ardhmen e harmonizimit të kërkesës me ofertën.
Historikisht, kjo rritje është nxitur pothuajse plotësisht nga shfrytëzimi i burimeve natyrore dhe investime preferenciale jashtë vizionit të zhvillimit të qëndrueshëm. Rritja ekonomike frenohet nga një ekonomie që nuk bazohet te diversifikimi i burimeve dhe harmonizimi i zinxhirit të furnizimit për sektorë tradicionalë, si bujqësia, por te politika e ditës.
Në këtë argument ndërhyn me logjikën e faktit edhe vijimësia e thellimit të deficitit tregtar me kalimin e muajve të vitit. Aktualisht deficiti tregtar në fund të Korrikut 2021 është 39 miliard lekë (22.6 pikë përqind më i lartë se në korrikun 2020). Në fund të Marsit 2021, deficiti tregtar ishte 33 miliard lek. Duhet përmendur se importet e mallrave me akcizë, ku karburantet bëjnë dallimin për volumin e importeve janë pjesa që ka ndikimin e vet në treguesit fiskalë, pra edhe në PBB.
Ndërsa rritja ekonomike është një tregues që na sqaron se konsumi tashmë ka hyrë në funksion rritës duke rikuperuar edhe muajt e një konsumi të cunguar nga viti 2020, vlen të përmendim se rreziku i inflacionit tashmë na flet për një zhvleftësim të lekut, që në fakt duhet të rritë vëmendjen e qeverisë (Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë) për të qenë e fokusuar për shtresat në nevojë, që të mos ndiejnë fort pasojat e rritjes së çmimeve dhe spekullimeve në treg, por edhe për të adresuar kostot e munguara për humbjet që vijnë për grupet shoqërore pa të ardhura dhe në përgjithësi gjithë ata që jetojnë me të ardhura minimale afër minimumit jetik.
Me këtë rast, në një zhvillim të tillë të PBB-së, administrata fiskale duhet të analizojë menjëherë gjithë treguesit për të azhornuar targetet e veta lidhur me mbledhjen e të ardhurave, për të reaguar në kohë për të marrë kontributin tatimor nga secili sipas parimit të taksimit të ndershëm.
Në mënyrë të përmbledhur, gjithë sa lidhet me rritjen ekonomike është lajmi i mirë, por që të mbetet për shumë tremujorë të ardhëm i tillë ka nevojë për kapjen e ritmit për reformat e stopuara, por edhe thellimin në sektorët ku konkurueshmëria është ende sfidë dhe problematikat e konstatuara janë ende nëpër rreshtat e dokumenteve strategjike.
Programi qeverisës jo vetëm që duhet të japë përgjigje për problemet afatshkurtra, duke dëgjuar dhe reflektuar me përgjegjshmëri ndaj komenteve, por gjithashtu duhet të fokusohet në çështje afatgjata pasi një nga nxitësit kryesorë të konkurrencës është orientimi afatgjatë. Sidoqoftë, vështirësia këtu është se shumica aktuale politike ka ngecur me reformimet që mbështeten në vizionin afatgjatë, sepse udhëheqësit e vendit janë prirur të përqëndrohen në rezultate të shpejta (të ngjashme me treguesit tremujorë që po analizojmë) në një përpjekje për të fituar terren, jo për sot, por për zgjedhjet e ardhshme.
Comments (1)
Mnedoj se analiza duhet te perfshije edhe nje krahasim me vendet e rajonit