Pastrimi i parave të pista dhe Shqipëria: Në gjurmët e kriminelëve fiskalë

Pastrimi i parave të pista dhe Shqipëria: Në gjurmët e kriminelëve fiskalë

Pastrimi i parave është një proces që krijon perceptimin se paratë e fituara nga veprimtaritë e krimit, të konsideruara si vepra penale, të tilla si: trafikimi i drogës, prostitucionit, armëve, parave të padeklaruara në sistemin fiskal, veprimtarive terroriste e kanë origjinën nga një burim legjitim.

Procesi i pastrimit të parasë ka përmasa të gjera.

Në përgjithësi, paratë pastrohen në një numër të madh mënyrash të ndryshme. Natyrisht, që për të kryer këto veprime nevojiten vende që nuk zbatojnë rregulla të forta në verifikimin e burimeve, të tilla si parajsat fiskale, por edhe shtete të cilat kanë nivel korrupsioni të lartë dhe ku kriteret ndërkombëtare për verifikimin e burimit të parave nuk zbatohen nga institucionet që e kanë detyrë.

Tradicionalisht pastrimi i parave ka qenë përshkruar si një proces i cili zhvillohet në tre faza të ndryshme.

Përfshirja e parave në qarkullim është faza në të cilën fondet që vijnë nga veprimtaritë kriminale futen në sistemin financiar (depozita, fonde investimesh) apo në ekonomi (blerje aksionesh të kompanive, dhënie parash në formën e huave shoqërive).

Realizimi në praktikë i hedhjes së parave të pista bëhet p.sh. Nëpërmjet paketimit në valixhe dhe futjes kontrabandë në një vend, apo nëpërmjet transferimit të shumave të parave nën kufirin e dyshueshëm dhe të lejuar për të mos u diktuar nga institucionet që verifikojnë transfertat bankare.

Mënyra të tjera të futjes së parave të pista janë pagesa e borxheve me procedura joligjore, vendosja e basteve në ndeshje sporti në shuma të mëdha, blerje e valutës me para të pista nëpërmjet shkëmbimeve monetare, përfshirjen në qarkullimin e parave të një biznesi të regjistruar edhe paratë e pista duke i përzier bashkë për të ngatërruar gjurmimin.

Pastrimi, përbën fazën thelbësore të procesit në të cilin prona apo fondet jane duke u pastruar dhe pronësia dhe burimi i tyre është i maskuar nën emrin e një biznesi të regjistruar në mënyrë të rregullt në sistemin fiskal dhe financiar. Kjo fazë është më komplekse dhe shpesh përfshin lëvizjen ndërkombëtare të fondeve. Qëllimi kryesor i kësaj faze është për të ndarë paratë e paligjshme nga burimi i tyre, apo për të humbur gjurmët. NË këtë fazë të procesit, pastruesi i parave të pista fillon të realizojë lëvizjen e sofistikuar dhe kryen veprime një pas një në formën e transaksioneve financiare si pjesë e bizneseve të ligjshme dhe kryen aq transaksione sa gjykon se ka arritur të fshijë gjurmët për të mos qenë objekt i auditimit dhe të mos ketë më asnjë lidhje direkte me paratë që kanë ardhur prej anëtarëve të krimit në fillimin e procesit të pastrimit të parave të pista.

Gjatë kësaj faze, për shembull, pastruesit e parave mund të fillojnë duke lëvizur fondet në mënyrë elektronike nga një vend në tjetrin, pastaj t’i ndajnë ato në projekte investimesh sipas opsioneve financiare të tregut apo duke i investuar në tregjet jashtë shtetit. Duke i lëvizur vazhdimisht ato arrihet të evitohet zbulimi nga institucionet. Për të bërë këto lëvizje të parave, pastruesit e parave konsultohen nga studio ligjore apo krijojnë vetë të tilla, që të kenë një njohje të mirë të dobësive të sistemeve të vendeve të botës. Në çdo herë që ata veprojnë, shfrytëzojnë pikërisht boshllëqet ose mospërputhjet në legjislacione dhe natyrisht duke përfituar edhe nga vonesat në bashkëpunime midis vendeve dhe duke përfshirë këtu edhe korruptimet në raste të ndryshme.

Për sa kohë institucione të shteteve të ndryshme nuk janë bashkëpunues apo i zvarritin në kohë korrespondencat verifikuese të një shteti tjetër që ka dyshime për transaksione të caktuara, përfiton direkt personi apo biznesi që kryen pastrimin e parave të pista.

Integrimi i parave në ekonominë formale është dhe faza e fundit e procesit.  NË fazën e integrimit paratë i kthehen kriminelëve përsëri nëpërmjet transaksioneve në llogaritë që ata hapin duke patur një biografi të pastër dhe burim të ligjshëm. Duke qenë para të futura në sistemin ligjor me një justifikim që nuk mund të cënohet nga ligji, i arritur me mundime përmes një numri të transaksioneve financiare, të ardhurat e botës kriminale tani janë integruar plotësisht në sistemin financiar dhe mund të përdoren për çfarëdo qëllimi. Tashmë, anëtarët e krimit janë bërë edhe biznesmenë të suksesshëm dhe me para të ligjshme për ti shpenzuar si tu interesojë atyre.

Megjithatë, objektivi kryesor në këtë fazë është për të bashkuar paratë e pastra me ato me origjinë fillestare nga burime kriminale në një mënyrë që nuk do të tërheqin vëmendjen dhe të duken se rezultojë nga një burim legjitim. Për shembull, blerjet e pronave, veprave të artit, gurëve të çmuar apo makina dhe mjete transporti luksoze dhe pajisje të teknologjisë së fundit.

Shqipëria si një vend i vogël me ekonomi të hapur ka edhe rrisk të madh për të qenë i prekur nga fenomeni i pastrimit të parasë. Stabiliteti i sektorit financiar është shumë themelor për rritjen ekonomike, por gjithashtu edhe për të shërbyer nëpërmjet forcimit të zbatimit të rregullave si një parandalues i skemave të pastrimit të parave të pista dhe jo si platformë ku mund të realizohen transaksionet e dyshimta.

Shqipëria konstatohet se i ka zbatuar masat për të luftuar pastrimin e parasë  me qëllim shmangien e të qenurit vend nën monitorim për pastrimin e parave nga këshilli i Evropës. Ky fakt ndodhi në fund të vitit të kaluar.

Përmbushja e detyrimeve në fushën e parandalimit të pastrimit të parave prej vitit 2014 është e bazuar në rezultatet me shifra të realizuara në nivele shumë më lart se më përpara. Pa hyrë në analizën e punës së njësisë që funksionon nën juridiksionin e ministrisë së Financave, në 5 vitet e fundit gjithë lufta ndaj pastrimit të parave ka rezultuar në bllokimin e 66 milionë eurove që janë konsideruar nga institucioni si para të dyshimta. Por, produkti 5 vjeçar në 72% të tij është arritur në vitet 2014 – 2015.

Këto treguesë pasqyrojnë politikën përkatëse përgjegjëse për tu përballur me atë luftë që ishte lënë e pa luftuar apo shteti me nivelet e zbulimit dhe veprimit kishte arritur në nivelet e dorëzimit përpara parave të pista.

Pra nëse vijohet me rezultate gjithnjë e më të larta dhe të cilat janë të krahasueshme dhe afër statistikave të vendeve të rajonit, dhe vendeve me përvoja të mira në luftën ndaj pastrimit të parave do të thotë se është arritur (a) të pengohen për të depërtuar në sistemin financiar dhe ekonominë shqiptare pastruesit e parave dhe financuesit e terroristëve dhe sistemi financiar nuk po përdoret për qëllime të paligjshme, (b) bllokimet e vlerave monetare tregojnë se nuk është ulur ritmi krahasuar me periudhat më të mira të luftës në vend dhe (c) janë rritur kallëzimet penale të individëve apo bizneseve që kanë lidhje me këto rezultate.

Deri më sot kemi vetëm shifra shumë premtuese, por të lidhura me individë që përfshijnë vetëm botën e biznesit, kur dihet shumë mirë se paratë e pista në shumicën e tyre ndodhen në duart e individëve që kanë historik kriminal apo politikanëve dhe zyrtarëve që nuk justifikojnë dot pasuritë e tyre.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: