Normat tatimore në Shqipëri, Kosovë, Ballkanin Perëndimor
Për vitin 2018, Ballkani është karakterizuar në politika fiskale që janë fokusuar në stabilitet të normës së tatim fitimit, ulje të lehta të normës së kontributeve sociale, si dhe rritje të saj për TVSH-në në rastin e Malit të Zi. Vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë patur zhvillime të dukshme të politikës fiskale me kuadër reformues të sistemit tatimor. Politika fiskale e ndjekur ka synuar në stabilizimin dhe konsolidimin fiskal, si dhe në disa ndryshime të vogla që kanë patur për qëllim harmonizimin e politikave sociale, apo lehtësira për segmente të caktuara të aktiviteteve të ekonomisë kombëtare.
Ndryshimet e ndodhura në 2018 kanë reflektuar me rritje të normës standarde të TVSH në Malin e Zi (21%), si dhe në Shqipëri janë përfshirë me normën standarte apo të reduktuar shërbimi i reklamavepër median elektronike, furnizimin e librave, reduktim të normës së TVSH për autobuzët elektrikë. Ndryshimet e miratuara kanë për qëllim rritjen e të hyrave të buxhetit me objektivin për të mos u prekur në tërësi të ardhurat e buxhetit dhe stabiliteti fiskal.
Norma standarte mesatare e TVSH-së në vitin 2018 për Ballkanin është nga 17% në Bosnjë-Hercegovinë, 18% në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, 20% në Serbi dhe Shqipëri, 21% në Malin e Zi dhe 25% në Kroaci. Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovina zbatojnë normë standarte të TVSH nën mesataren e rajonit (19.9%). Të gjithë vendet e tjera të Ballkanit, përveç Bosnjë-Hercegovinës aplikojnë edhe norma të reduktura të TVSH, kryesisht për konsumin jetik, shëndetësi, furnizimin e popullatës me energji, transport urban, si dhe për edukimin, librat, revistat dhe veprimtari kulturore, sportive (shih grafikun).
Sipas ndryshimeve ligjore për TVSH-në në 2018, Mali i Zi ka filluar zbatimin e normës standarte 21%, e cila rezulton mbi mesataren e rajonit. Kosova ka filluar të zbatojë një normë të reduktuar të TVSH, në fund të vitit 2015, si dhe ka rritur normën standarte me 2%, për qëllime të ruajtjes së stabilitetit fiskal të buxhetit. Mali i Zi dhe Serbia miratuan në 2016 normë të reduktuar të TVSH, respektivisht me 7% dhe 10%, Ndërkohë, Mali i Zi prej Janarit 2018 ka rritur normën standarte me 2% më shumë nga sa e kishte më përpara.
Shqipëria dhe Serbia zbatojnë prej disa vitesh një normë standarte të TVSH në nivelin 20%.
Në 2018, përveç Shqipërisë nuk ka ndryshime të normës së tatimit mbi fitimin në Ballkanin Perëndimor. Në shikimin e ligjit për tatimin mbi fitimin (korporativ) vërehet, se Kroacia, Shqipëria, dhe Serbia zbatojnë norma tatimore mbi mesataren e rajonit (12.5%). Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut, Bosnjë-Hercegovina zbatojnë norma tatimore nën mesatare e rajonit. Normën më të lartë të tatimit mbi fitimin e mban Kroacia me nivelin 18% mbi fitimin tregtar. Normën më të ulët vijon ta mbajë prej 2005 Mali i Zi me nivelin e 9% të fitimit tregtar. Shqipëria ruan një normë tatimore (15%), e cila është mbi mesataren e rajonit. Ndërsa, Kosova mban një normë tatimore të ulët prej 10% të fitimit tregtar, që zbatohet në disa vende (Maqedoni, Bosnjë), si pjesë e politikës së taksimit të sheshtë (me një normë tatimi gjithpërfshirëse).
Në vitin 2018, në Shqipëri u fut një normë e reduktuar e tatimit mbi fitimin me 5% për personat juridikë, të cilët ushtrojnë aktivitet për prodhimin apo zhvillimin e software-ve, ndërkohë që aplikon normë të reduktuar (5%) edhe për kategorinë e biznesit të mesëm, me xhiro deri 14 milionë lekë në vit.
Të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor zbatojnë një normë të sheshtë të tatimit mbi fitimin, përveç Shqipërisë.
Norma mesatare e Ballkanit për tatimin mbi fitimin (korporativ) në vitin 2017 ka patur një ulje me 4% në Kroaci.
Norma tatimore mesatare e Ballkanit Perëndimor për tatimin mbi të ardhurat individuale/paga[1] është 16.9%.
Kroaci (36%), Shqipëri (23%) dhe Serbi (20%) zbatojnë norma mbi këtë mesatare;
Kosovë (10%), Bosnjë-Hercegovinë (10%), Maqedoni e Veriut (10%), Mali i Zi (9%) zbatojnë norma nën këtë mesatare.
Tatimin progresiv për pagat (të ardhurat nga puna) e zbatojnë Kroacia (dy shkallë tatimore), Shqipëria (dy nivele tatimore), Serbia (dy nivele tatimore).
Ndërkohë, për të ardhurat individuale, që taksohen në burim, secili shtet zbaton politika progresivi të shkallëzuara sipas segmenteve të të ardhurave personale.
Normat tatimore për tatimet në burim janë:
- poshtë mesatares së Ballkanit i mbajnë 5 vende; Mali i Zi (taksë e sheshtë 9% për tatimet në burim), Kosova (taksë e sheshtë 10%, kurse dividenti nuk taksohet), Maqedonia e Veriut (taksë e sheshtë 10% për gjithë të ardhurat personale), Bosnjë-Hercegovina (taksë e sheshtë 10%, ku vetëm dividenti tatohet me 5%);
- mbi mesataren e Ballkanit i mbajnë 5 vende; Shqipëria[2] (taksë e sheshtë 15% për tatimet në burim), Serbia (taksë progresive 20% për tatimet në burim), Kroacia (taksë e sheshtë 15% për tatimin mbi interesat bankare dhe për tatimin mbi pasurinë dhe 12% për tatimin mbi dividentin).
Shqipëria, Kroacia, por pjesërisht edhe Mali i Zi dhe Serbia, Maqedonia e Veriut (nga viti 2019) aplikojnë sistem progresiv të tatimit mbi të ardhurat personale. i cili mbart mbi vete ende propblemin e mprehtë dhe ende të pa adresuar për zgjidhje lidhur me zgjerimin e bazës së ngushtë të tatimeve mbi kapitalin dhe punën.
Norma mesatare gjithsej e kontributeve sociale[3] në Ballkan për vitin 2018-2019 është te 30.9%.
Poshtë kësaj norme mesatare renditen 3 vende[4]:
- Kosova (10%), Maqedonia e Veriut (27%), Shqipëria (27.9%), Bosnjë – Republika Serbe (23%);
Mbi këtë normë mesatare renditen 4 vende:
- Kroacia (37.2%), Mali i Zi (34.3%), Bosnjë – Federata (41.5%), Serbia (37.8%).
Shtetet e grupit me barrë të normave tatimore të larta kanë një diferencë të dukshme që varion nga 7% deri 14%. Ndërkohë, nisur nga politikat për rritje pensionesh, për transferta ndaj shtresave në nevojë, por edhe për edukimin profesional dhe rritjen e kapaciteteve të punonjësve vijnë në rritje si nevojë e përballjes së rritjes së konkurueshmërisë së kapaciteteve njerëzore, por edhe ekonomisë.
Nevojitet që politika e barrës së kontributeve të rishikohet për të ngushtuar këtë boshllëk në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri. Nivelet e ulta të normave të kontributeve rrezikojnë në terma afatmesëm dhe afatgjatë edhe zbatimin e skemave aktuale nisur vetëm nga fakti i rritjes së moshës për përfitim nga pensionistët.
Në diagramën më poshtë shikohet se edhe në 2019 pesha kryesore e barrës fiskale në vendet e Ballkanit Perëndimor do të mbahet prej tatimeve mbi konsumin dhe më pak barrë u lihet tatimeve direkte. Ndërkohë, politika për fondet sociale shikohet se nuk ka synuar të jetë konkurruese duke ruajtur të njëjtën barrë si viti i mëparshëm.
Në kontekstin e zbatimit të normave tatimore, nëse analizojmë në tërësinë e tyre këto norma me nivelin e barrës fiskale shihet se kapacitetet e administrimit për tatimet indirekte janë poshtë nivelit të barrës së normave tatimore në secilin vend ballkanik. Por edhe për tatimet direkte, kapacitetet e administrimit mbeten ende të parealizuara plotësisht. Ky ballafaqim kërkon një rishikim të modelit të përshtatjes së normave tatimore me forcim kapacitetesh, përshtatje me ambjentin ekonomik dhe social të tatimpaguesve.
Nga këndvështrime bazuar në raste praktike nuk ka dyshim se politika fiskale ndikon në zgjedhjet ekonomike të biznesit. Nëse uljet e normave të tatimeve nuk harmonizohen mes tyre duke konsideruar edhe zgjerimin e bazave tatimore, atëherë krijohet një situatë buxhetore që ndikon negativisht te konsolidimi fiskal, si dhe te forcimi i vullnetarizmit në pagimin e tatimeve dhe rritjen e kulturës fiskale.
Nga krahasimi horizontal i normës së kontributeve sociale gjithsej ka një tendencë rajonale të mbajtjes së tyre në nivele të njëjta me vitin 2017. Mosndryshimi i normave të kontributeve sociale tregon se politika po relakson tregun e punës dhe po synon të ndihmojë politikat buxhetore, pavarësisht se për disa vende si Shqipëria, Kosova e ndoshta edhe Maqedonia e Veriut ka nevojë për një rritje të kontributeve për disa politika sociale të mprehta në lidhje me politikat e aftësimit të punësimit dhe për disa kategori të tilla, si: personat e paaftë për punë, të rinjtë që hyjnë rishtas në tregun e punës, si dhe të varfërit.
Nëse shikojmë faktin e përmbushjes në buxhet të objektivave të politikës fiskale, provohet se normat tatimore aktuale nuk e plotësojnë dot politikën fiskale në asnjë prej shteteve të Ballkanit Perëndimor. Nëse analizojmë më thellë, konstatohet se disa shtete kanë një barrë fiskale të ulët (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni). Ulja e një norme tatimore të një tatimi të caktuar nuk është zgjidhja e kërkesave të qytetarëve dhe buxhetit. Një sistem kompleks tatimor, i cili vitet e fundit po zbatohet në një ekonomi e cila ka nevojë për të qenë konkuruese në tregun rajonal ka nevojë për një harmonizim të politikës fiskale me normat tatimore. Por, nga ana tjetër kompleksimi i sistemit fiskal rrit vështirësinë e bashkëpunimit vullnetar me ligjin nga tatimpaguesit e vegjël dhe të mesëm, të cilët janë shumica e bazës së taksimit.
Edhe pse studimet e fundit nga organizata dhe kërkuesë të ndryshëm konfirmojnë se ndryshimet e normave të tatimeve mbi konsumin dhe kapitalin janë më pak ndikuese në ekonomi, se sa ndryshimet e normave të tatimeve mbi individin dhe punën, vlen të theksohet se zhvendosja e barrës fiskale nga konsumi dhe kapitali te individi dhe puna është një detyrë mjaft e vështirë për çdo qeveri.
Gjithsesi, politika fiskale lidhur me normat tatimore të ulëta për kapitalet nuk ka patur ndikimin e pritshëm në thithjen e investimeve dhe si rrjedhojë edhe në rritjen ekonomike. Kjo tregon se politika fiskale është instrument mjaft i fortë stimulues/frenues për lëvizjen e kapitaleve dhe konsumit, por nuk mund të anashkalohet fakti se buxheti ka nevojë për para të mjaftueshme që të bëjë politikat për rritjen e tregut të punës nëpërmjet stimulimeve dhe forcimit të kapaciteteve, por edhe nëpërmjet rritjes së infrastrukturës dhe krijimit të ambjentit për futjen e teknologjisë bashkëkohore.
P.sh. Le të shikojmë rastin e Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, të cilat kanë aplikuar normat tatimore mbi kapitalin ndër më të ultat në Ballkanin Perëndimor.
PBB në këtë vend për periudhën prej vitit 2008 – 2017 nuk ka shënuar një rritje të qëndrueshme, por ka shënuar ulje – ngritje gjatë këtij harku kohor. Po kështu ka ndodhur edhe me Maqedoninë, e cila mbahet për normat tatimore më të ulta edhe madje në nivel europian. PBB-ja e këtij vend ka mbetur në nivelet rreth 10 miliard Euro, me ulje ngritje të vlerës së shtuar kombëtare.
Aplikimi i një politike reformuese gjithpërfshirëse duhet të mbështetet te një nivel administrimi dhe me kapacitete të forta. Përmirësimi i sistemit tatimor duhet të trajtojë njëkohësisht si politikën e normave tatimore, por edhe forcimin e administrimit duke u konsideruar gjithnjë një kusht i nevojshëm për funksionimin e zhvillimit të sistemit fiskal në përshtatje me objektivat për zhvillimin e ekonomisë.
[1] përfshirë tatimet në burim, si: tatimi mbi dividentin, tatimi mbi interesa bankarë dhe tatimi mbi të ardhurat nga pasuria
[2] Rasti i normës tatimore për këtë grupim në Shqipëri ka spjegim, për arsye se norma tatimore 13% mbi të ardhurat personale përfshin mbi 95% të bazës tatimore të tij.
[3] për punëdhënësin dhe punëmarrësin
[4] Republika Srpska është përfshirë si Federatë (pjesë e shtetit) dhe jo në nivel shteti
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.