“Porta e Alpeve” përballë mundësisë për modelin e parë alpin të integruar në Ballkan
Shqipëria mund të hyjë në një fazë të re të zhvillimit turistik me nismën “Porta e Alpeve”, një model që synon të transformojë Alpet Shqiptare në destinacionin e parë alpin të integruar në Ballkan dhe të balancojë dominimin e turizmit bregdetar që ka karakterizuar zhvillimin e dekadës së fundit.
Sipas një dokumenti të ri politikash, iniciativa ndërtohet mbi dy shtylla kryesore: “Porta e Alpeve” dhe “Paketa e Maleve”, duke propozuar një model të frymëzuar nga përvojat e rajoneve alpine europiane si Tiroli në Austri, Dolomitet në Itali dhe Julian Alps në Slloveni.
Analiza argumenton se një investim fillestar prej rreth 100 milionë eurosh, i shoqëruar me krijimin e një organizate profesionale të menaxhimit të destinacionit (DMO), mund të gjenerojë një efekt shumëfishues prej 2.5 deri në 3.2 herë mbi ekonominë lokale, të krijojë mbi 6 mijë vende pune direkte deri në vitin 2032 dhe të rrisë kontributin e rajonit verior në Prodhimin e Brendshëm Bruto.
Nisma vjen në një moment kur turizmi shqiptar po shënon rekorde historike.
Në vitin 2025 vendi regjistroi 12.47 milionë vizitorë dhe rreth 5.7 miliardë euro të ardhura turistike.
Megjithatë, autorët e studimit theksojnë se modeli aktual mbetet i pabalancuar. Mbi 70 për qind e flukseve turistike vazhdojnë të përqendrohen në bregdet, ndërsa shpenzimi mesatar për turist mbetet rreth 460 euro, ndjeshëm më i ulët se në Kroaci apo Mal të Zi.
Në këtë kontekst, “Porta e Alpeve” synon të krijojë një ekonomi turistike 12-mujore, me qëndrime më të gjata, shpenzim më të lartë për vizitor dhe përfitime më të shpërndara për komunitetet lokale.
Qendra e modelit është Shkodra, e konceptuar jo thjesht si pikë kalimi drejt Thethit, Valbonës apo Vermoshit, por si “porta hyrëse” e Alpeve Shqiptare. Projekti parashikon menaxhim inteligjent të flukseve turistike, lidhje multimodale përmes rrugëve, liqenit dhe lumit Buna, platforma digjitale rezervimesh dhe integrimin e ofertës malore me atë bregdetare.
Një element kyç i propozimit është krijimi i një Destination Management Organization (DMO), e organizuar si një strukturë hibride publiko-private me autonomi financiare dhe menaxhim profesional. Sipas studimit, pa një institucion të tillë ekziston rreziku që investimet infrastrukturore të mos prodhojnë rezultatet e pritshme dhe që zonat alpine të përballen me të njëjtat probleme që po shfaqen sot në disa zona bregdetare.
Autorët paralajmërojnë për rrezikun e asaj që e quajnë “Thethizim”, një proces ku zhvillimi i pakontrolluar i toleruar nga korrupsioni politik mund të sjellë mbingarkesë turistike, presion mbi mjedisin dhe humbje të autenticitetit lokal.
Ndryshe nga debatet e fundit mbi zhvillimet në Zvërnec, ku diskutimi publik është përqendruar kryesisht te raporti mes investimit, pronësisë së tokës, ndikimit mjedisor dhe konfliktit social, modeli “Porta e Alpeve” e vendos në qendër menaxhimin afatgjatë të territorit dhe komuniteteve vendore.
Debati për Zvërnecin është fokusuar kryesisht te një projekt specifik investimi dhe pasojat e tij mbi një zonë të ndjeshme bregdetare, ndërsa “Porta e Alpeve” propozon një arkitekturë të tërë zhvillimi rajonal që përfshin infrastrukturën, qeverisjen, financimin, ruajtjen e natyrës dhe ndërtimin e kapitalit njerëzor.
Një tjetër dallim thelbësor lidhet me filozofinë e zhvillimit. Ndërsa debati për Zvërnecin është dominuar nga pyetja nëse territori duhet ose jo të zhvillohet përmes një investimi të madh turistik, modeli alpin argumenton se suksesi nuk matet me numrin e ndërtimeve apo shtretërve të rinj, por me vlerën e shtuar që krijohet për ekonominë lokale, kohëzgjatjen e qëndrimit të turistëve dhe ruajtjen e kapitalit natyror.
Dokumenti arrin në përfundimin se Shqipëria ndodhet përpara një dritareje strategjike gjatë periudhës 2026–2028. Nëse investimet fizike shoqërohen me reforma institucionale, standarde të forta mjedisore dhe menaxhim profesional të destinacionit, Alpet Shqiptare mund të shndërrohen në një model të ri zhvillimi ekonomik për vendin. Në të kundërt, ekziston rreziku që potenciali i jashtëzakonshëm natyror i rajonit të mbetet i pashfrytëzuar ose të përsërisë problemet që sot po shfaqen në pjesë të caktuara të bregdetit shqiptar.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.