Ndikimi afatshkurtër i dëmeve të tërmetit në ekonominë e Shqipërisë

ndikimi termetit

Ndikimi afatshkurtër i dëmeve të tërmetit në ekonominë e Shqipërisë

Studime të mëparshme për ndikimin e katastrofave natyrore (përfshirë tërmetet) në ekonomi mund të grupohen në vlerësime të ndikimeve afatshkurtra dhe ndikimeve afatgjata.

Një mënyrë tipike për të zbuluar këtë ndikim është të krahasojmë nivelin e zhvillimit ekonomik para dhe pas një katastrofe. Kur ekzaminojmë të dhënat e vendeve të ndryshme që janë studiuar lidhur me efektet dhe pasojat që lë pas një fatkeqësi natyrore, disa studiuesë kanë zbuluar se katastrofat kanë pak ose aspak efekt në planin afatgjatë, në vendet e pasura. Ndërsa vendet e varfra, si dhe shtetet e vogla shfaqin rreziqe më të mëdha si dhe ndikime që vijnë më të mëdha në terma afatgjatë.

Ndikimet afatshkurtra të katastrofave janë fokusi kryesor i këtij diskutimi, por edhe më i vlefshëm për të qenë një dialog i hapur midis qeverisë dhe qytetarëve. Për të pasur një pamje më të mirë duhet të përdorim disa statistika dhe gjithashtu argumente duke kryer një krahasim të treguesve kryesorë makro para dhe pas fatkeqësisë natyrore, përfshirë Produktin e Brendshëm Bruto (PBB), shkallën e rritjes ekonomike dhe nivelin e inflacionit me një kohëzgjatje 1 – 3 vite para dhe pas katastrofës.

Nëse shikojmë situatën para tërmetit, rritja ekonomike e Shqipërisë ka fituar ngadalë ritmin gjatë viteve pas krizës financiare evropiane. Ndërkohë, ka patur edhe një ngadalësim të vogël në dy vitet e fundit si pasojë edhe e ndikimit të ngadalësimit të ekonomive të mëdha evropiane.

Treguesit ekonomikë për periudhën 2016-2019 tregojnë se Shqipëria nuk ka kaluar në një trajektore të re të rritjes së lartë, por ka disa tregues që po zhvillohen në një tranzicion të ngadaltë drejt një modeli më të qëndrueshëm të rritjes.

Rritja e PBB-së reale për tre vitet e fundit vlerësohet mbi 3% dhe Shqipëria ka parë një rritje të moderuar, por të qëndrueshme në të gjithë sektorët dhe një nivel në rënie graduale të papunësisë, që nga mesi i 2014, kurse në vitin 2019 ishte niveli historik më i ulët i papunësisë në dy dekada me 11.9%.

Niveli i rritjes duke analizuar periudhën prej 8 vitesh më parë duhet të shihet si një arritje nëse nuk harrohet fakti, (a) kur Shqipëria ndërmori një program stabilizimi fiskal të mbështetur dhe ndihmuar edhe me burime financiare nga FMN, si dhe (b) ndikimi me pasoja edhe në dy vitet pasi ndodhi lidhur me çmimin e eksporteve të naftës në rënie të madhe 4-5 vite më parë.

Në rastin e katastrofës natyrore të Shqipërisë, në Nëntor 2019 është ende herët për të marrë të dhëna dhe për të bërë krahasime të periudhave.

Por, mundet që të përdorim konkluzione të studimeve dhe argumenteve të referuara vendeve të tjera për të sjellë në vëmendjen tonë dhe për të patur një pamje të qartë se çfarë drejtimi është më mirë të ndiqet, nisur nga përvoja që ata përcjellin.

Kështu, Albala-Bertrand (1993)[1] verifikoi statistikat e 28 katastrofave natyrore të shkaktuara nga rrisqe natyrore të natyrave të ndryshme në 26 vende për periudhën 1960-1979. Ai zbuloi, se PBB nuk ndikohet dhe rritja e PBB-së stimulohet paksa pozitivisht në periudha afatshkurtra nga këto katastrofa natyrore.   

Ndërkohë, Noy (2009) ndërmori një tjetër studim të vendeve të ndryshme duke përdorur të dhënat e që disponohen nga Baza e të dhënave të ngjarjeve Emergjente (EM-DAT) për një grup prej 109 vende, për periudhën 1970-2003. Rezultatet tregojnë se në vendet në zhvillim katastrofat natyrore kanë një ndikim negativ në rritjen e PBB-së deri afër 9%. Kjo përqindje ndikohet kryesisht nga niveli i tre treguesve si më lart në momentin para katastrofës natyrore.

Për vendet e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, katastrofa natyrore ka ndikim pozitiv mjaft të vogël, i cili vlerësohet më i ulët se 1%.

Hochrainer (2009) analizoi një përqasje në një projeksion që krahason vlerën e PBB-së para katastrofës me vlerën aktuale të PBB-së pas katastrofave. Bazuar në përzgjedhjen e tij të 225 ngjarjeve të mëdha të fatkeqësive natyrore nga viti 1960 deri në 2005, ai zbuloi se ndikimi negativ i katastrofave natyrore në PBB zgjat deri në 5 vite, me një rënie mesatare prej 4% krahasuar me periudhën bazike 5 vjeçare pas katastrofave natyrore.

Është e vërtetë që tërmetet shkaktojnë një rënie fillestare të prodhimit për shkak të shkatërrimit të kapitaleve njerëzore dhe financiare. Por, për shkak të fluksit të nxitur të hyrjes së kapitaleve të jashtme dhe investimeve, si dhe normës së rikthimit të kapitalit më të lartë pas tërmetit, atëherë trajektorja e vlerës së shtuar në ekonomi si dhe prodhimit të brendshëm të vitit pas tërmetit mund të kthehet në të paktën në nivelin e vitit paraardhës.

Fatkeqësi të ndryshme natyrore mund të krijojnë skenarë të ndryshëm të ndikimit makroekonomik. Kjo lidhet me mekanizmin e dëmtimit të shkaktuar nga katastrofat natyrore. P.sh. në krahasim me tërmetet, katastrofat meteorologjike ndodhin më shpesh në periudha specifike të vitit, gjë që i bën ato më të thjeshta në parashikim[2].

Nisur nga ky këndvështrim, Chhibber dhe Laajaj (2008) konsideruan se një tërmet ka më shumë të ngjarë të rezultojë me ndikim në “ndërtimet pas shkatërrimit” ose “ndërtime më të mirë se më përpara”, sepse rindërtimi me një përqëndrim të konsiderueshëm të burimeve njerëzore, financiare dhe teknike mundet të shkaktojë prosperitet dhe përfundimisht egziston mundësia që të çojë edhe në ndryshime teknologjike. Në të kundërt, një thatësirë apo përmbytje ​​nuk mund të sjellë shumë efekt në rritjen ekonomike sepse humbja në përgjithësi është e kufizuar në prodhimin vjetor ose sezonal.

Korrelacioni i lartë midis niveleve të zhvillimit, llojeve të katastrofës dhe rritjes ekonomike të vendit në fakt e sfidon të kuptuarit tonë të sjelljeve të menaxhimit të fatkeqësive prej qeverisjeve.

Në krahasimin e tërmetit në Shqipëri, me rastin e tërmetit në Turqi në vitin 2020, efekti pozitiv kërkon një kohë më të gjatë (te ky i fundit) në zbatimin e investimeve për rindërtim, ndoshta për shkak të dimensioneve financiare dhe teknike të përthithjes së dëmit të bërë në vende të tilla të industrializuara, të cilat mbajnë standarde më të larta të rindërtimit sesa vendet në zhvillim.

Ndërkaq duhet mbajtur parasysh, se kufizimet financiare janë arsyeja tjetër e madhe për Shqipërinë, e cila mund të konfirmohet se do ta garantojë reagimin ndaj situatës së rindërtimit vetëm nga transferta financiare ndërkombëtar, e cila ndoshta nuk do të mundet të plotësojë hendekun që ka mbetur paplotësuar nga financat e vendit. Gjithashtu, kufizimet teknike (përfshirë njohuritë e nevojshme) drejtohen nga çekuilibri midis kërkesës së tepërt për aftësi të caktuara dhe furnizimit të kufizuar.

Shqipëria përballet me një kufizim unik të njohurive që është i rrënjosur thellë në të kaluarën e saj të mbyllur[3].

Sidoqoftë, ndikimi pozitiv i tërmeteve në rindërtim për vende si Shqipëria, që kanë kaluar të njëjtën situatë katastrofe natyrore është rritur dhe ka qenë ndihmues për financat publike në aspektin e të ardhurave që janë gjeneruar nga proceset pas tërmet. Në përgjithësi, skenarët e zhvillimit ekonomik afatshkurtër janë ende të fuqishme në çdo këndvështrim.

Tërmetet do të kenë një ndikim më afatgjatë në rastin e Shqipërisë në vitin 2019, sepse do të gëzojnë akoma stimulimin pozitiv të investimit për rindërtim deri në fund të vitit të dytë, për arsye të funksionimit më të ngadaltë të ‘mekanizmave të rindërtimit”.

Tani qeveria shqiptare ka shpresë të madhe, që pas katastrofës do të pasohet nga një përpjekje e fuqishme në të gjithë botën për të ndihmuar qytetarët dhe ekonominë, me një shumë të madhe që mundet të arrijë rreth një miliard dollarë, përfshirë fondet e qeverisë dhe qytetarëve, si dhe fondet e donatorëve vendas.

Në vitin e vështirë pas tërmetit 2019, ekonomia shqiptare megjithatë pritet të shënojë një rritje më të fortë, nëse i gjithë mekanizmi i qeverisë qendrore dhe lokale dhe sektorët e ekonomisë dhe bizneseve do të sinkronizohen së bashku me kërkesën qytetare.

Është një ushtrim i vështirë!

Sidoqoftë, edhe nëse jo një rritje më e fortë ajo që do të nevojitet në të ardhmen është gatishmëria për të ulur ndjeshëm papunësinë dhe varfërinë. Kjo do të kërkojë përparim në një numër fushash prioritare të reformave, përfshirë reformat në vazhdim në sistemin e qeverisjes ekonomike të Shqipërisë, i cili është më i rëndësishëm se gjithçka në këtë vend.

Kompensimi i humbjeve është forca shtytëse e rikuperimit pas katastrofës prej tërmetit dhe produktiviteti social dhe zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik janë baza ekonomike e kompensimit për humbjet nga kjo katastrofë.

Për këtë qëllim, zhvillimi ekonomik është dhe mbetet mënyra më efektive për të kompensuar humbjet nga katastrofat.

Ekonomia është e para!


[1] Impact of Economic Development Levels and Disaster Types on the Short-Term Macroeconomic Consequences of Natural Hazard-Induced Disasters in China, September 2019, www.springer.com.13753

[2]Skidmore and Toya 2002

[3] https://growthlab.cid.harvard.edu/files/growthlab/files/alb_growth_diagnostic_report.pdf

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: