Nafta me buxhetin, një marëdhënie që koha po e ndryshon

Nafta me buxhetin, një marëdhënie që koha po e ndryshon

Në vitin 2017, prodhimi i naftës arriti te 935 mijë tonë. Krahasuar me periudha të mëparshme, ai nuk ka shënuar ndonjë rekord, por tashmë është arritur garantimi dhe qëndrueshmëria e prodhimit në këtë sektor.

Ndërsa importi i nënprodukteve të naftës në vitin 2017 ishte 400.2 mijë tonë. Ky volum importi, nëse analizohet së bashku me naftën e përpunuar në vend përbën një zhvillim të ri që flet për zgjerimin e konsumit të nënprodukteve të naftës në Shqipëri. Në vitin 2016 niveli i deklaruar i importeve të nënprodukteve të naftës ishte 507.3 mijë tonë, apo afër 43.5 mijë tonë më pak se në vitin 2015. Viti 2016 është dhe viti më i mirë i dekadës me importe të karburanteve.

Në këtë kontekst të tregut hidrokarbur shqiptar ka hyrë tashmë edhe gazi i lëngshëm i naftës (GLN), i cili gjen përdorim te përdorimi si karburant për automjete, si dhe për ngrohje dhe gatim në familjet dhe sektorin e shërbimeve dhe sektorë të tjerë të ekonomisë.

Gjatë vitit 2016 janë importuar në Shqipëri 203 mijë tonë GLN nga vende të ndryshme. Ndërsa gjatë vitit 2017 janë importuar në Shqipëri 234 mijë tonë GLN, ose te 31 milion litra më shum se në 2016 (15.2% më shumë importe të GLN).

Por, cilat janë detyrimet fiskale që kanë kontribuar në buxhet prodhuesit apo edhe importuesit e nënprodukteve të naftës?

Kontributi i sektorit të naftës dhe gazit në Buxhetin e shtetit përllogaritet sa 3 % e prodhimit të brendshëm.

Renta e paguar nga prodhuesit e naftës në vitin 2017 ka mbushur buxhetin e shtetit me 2.5 miliardë lekë, ndërsa në vitin 2016 me 6.2 miliard lekë. Akciza e paguar për naftën dhe gazin e lëngshëm është 16.7 miliard lekë në vitin 2017 dhe akciza e naftës në vitin 2016 ishte 15.4 miliard lekë. Taksat nacionale (taksa e qarkullimit dhe karbonit) te paguara për 2017 janë te 11.5 miliard leke, ndërsa në 2016 janë te 12.8 miliard lekë. Po kështu nëse llogaritet për 2017 edhe efekti zinxhir i tatimit mbi vlerën e shtuar në ekonomi, si dhe tatimit mbi fitimin e rezultuar nga kryerja e aktivitetit kontributi, por edhe tatimet mbi punën dhe taksa lokale në buxhet, atëherë rezulton një kontribut në buxhet me jo më pak se 52 miliardë lekë.

Pra, nga një krahasim i thjeshtë i të ardhurave buxhetore për vitin 2017 me 2016, efekti minus në buxhet duket se vjen si nga importi, po ashtu edhe nga çmimet e eksportit të naftës së prodhuar në vend. Buxheti ka marrë induktim negativ duke u ndikuar si nga çmimet e tregut ndërkombëtar, por edhe nga një deklarim ende i mangët sasisë së importeve të nënprodukteve të naftës.

Pikërisht, kjo kundërshti e dukshme e efekteve negative në të dy kahet e tregtisë ka nevojë për një ballafaqim me konsumin, tregun e brendshëm shqiptar, ku konsumatorët kryesorë janë automjetet.

Sipas raporteve për sigurinë rrugore, në fund të vitit 2017 numri i automjeteve në Shqipëri ka arritur te 480 mijë me një hyrje mesatare vjetore prej 8.500 automjete të të gjitha llojeve. Në strukturën e automjeteve, rreth 72% përbëhen nga autovetura, rreth 19% janë kamionçina dhe kamiona dhe rreth 9% janë furgona, motoçikleta dhe traktorë me rrota. Por, në qarkullim prej gjithë këtij numri janë afër 70% e tyre të  cilat konsumojnë karburantin që shitet në tregun shqiptar.

Karburantet që konsumon Shqipëria nëpërmjet automjeteve kanë arritur deri në 500 mijë tonë në vit, që përbëjnë një peshë qarkullimi të parasë nga llogaritë personale të konsumatorit shqiptar te 88 miliard lekë në vit (6% e PBB). Sektori i tregtimit të karburanteve shton me afër 0.07% vlerë të shtuar në ekonominë shqiptare.

Qëllimi i përfshirjes së konsumit të karburanteve nga automjetet lidhet pikërisht me faktin e uljes se sasisë së importit të karburanteve në 2017, kur numri i importit të makinave rritet me të paktën 1 – 2 % në vit. Arsyeja kryesore e uljes së importit do të ishte nëse qarkullimi i automjeteve është ulur dhe në këtë rast ka kuptim një ulje e importit. Ndërkohë, problemet e evazionit në sektorin e tregtimit të karburanteve nuk janë të reja. Asnjëherë nuk është shkuar deri në fund për të kuptuar se kush bën evazion më shumë në segmentin e qarkullimit të naftës dhe nënprodukteve te saj: prodhimi, përpunimi apo tregtimi?

Aksioni antinformalitet i vitit 2015 nuk arriti dot të na jepte përgjigjen finale.

Shqipëria si vend eksportues i naftës, ku buxheti në vite ka arkëtuar shuma të rëndësishme buxhetore, mund t’i përdori ato për të zbutur ndikimin afatshkurtër të problematikave që ka sjellë shfrytëzimi i vendburimeve, por edhe ato që krijohen aktualisht nga transporti e depozitimi i saj. Ja pse duhet që në ditët e mira të industrisë duhet menduar edhe për ditë të këqija që ekonomia që riciklohet i bie njësoj si vjen pas ditës së bukur një ditë me shi dhe nganjëherë edhe stuhi.

Efekti që krijohet nga akumulimi i fondeve nga sektori hidrokarbur dhe rihedhja e një pjese të kontributit të tyre në fonde të poscme do të ndikonin pozitivisht në stabilitetin ekonomik të vendit dhe efektin në rritje të konsumit, që lidhet direkt me ekonominë shqiptare.

Duke pasur parasysh madhësinë e vogël të tregut shqiptar, edhe nëse arrihet që të ngushtohet evazioni i karburanteve të naftës nuk mundet që të pritet ndikim i dukshëm në buxhetin e shtetit.

Duke pasur parasysh mundësinë e një periudhë të zgjatur të çmimeve të naftës, si dhe duke marrë në konsideratë zhvillimet negative të industrisë së djeshme të përpunimit të naftës është e këshillueshme për çdo qeveri për një ndryshim të qasjes ndaj reformave të vjetëruara me orientim nga nafta e përpunuar në vend. Edhe pse politika që është zbatuar deri më sot mundet të ndikojë vendimmarrjen e qeverisë për një vijimësi të ngjashme, përpunimi i naftës duhet konsideruar si një histori e bukur, por që nuk mund të ringjallet.

Çfarë do të thotë kjo për të ardhurat buxhetore?

Në një sqarim paraprak kjo situatë kërkon një përpjekje dhe ndryshim të vizionit fiskal në drejtim të rritjes së bazës së të ardhurave në sektorët e tjerë energjetikë, si dhe  në zgjerimin e bazës së tatimeve, duke shfrytëzuar efektivisht ato rezerva administrimi të papërdorura deri më sot. Nevojitet plani rezervë për të ardhurat e buxhetit, me qëllim kompensimin e efekteve negative nga industria e prodhimit të naftës. Ky plan duhet kërkuar sa tek gazi natyror dhe ai i lëngshëm, por mbi të gjitha te një sektor privat i prodhimit të energjisë elektrike, që tashmë ka arritur të marrë 1/3 e tregut të shitjes së energjisë brenda vendit.

Ndërkohë, fokusi duhet të rritet në përmirësimin e menaxhimit të burimeve natyrore dhe në përmirësimin e efikasitetit të shpenzimeve buxhetore duke e emërtuar shpenzimin buxhetor duke e krahasuar me kthimin mbrapsht të kontributeve që merren nga sektori. Nëse hartohen këto minibilance brenda buxhetit të madh të qeverisë, ku secili kontribuues duhet të përmbushë nevojat e veta (politika sociale, investime), atëherë edhe transparenca e qeverisjes do të krijojë premisat e duhura për bashkëqeverisjen me qytetarët.

Përveç sa përmendëm, korniza fiskale, e forcuar edhe nga monitorimi i Fondit Monetar është e nevojshme të zbatohet korrektësisht për të ndihmuar përballjen e ulje-ngritje të çmimeve të mallrave dhe të ardhurave.

Koha është aleati më i mirë aktualisht, si për importuesit e naftës dhe për eksportuesit, pasi tashmë kanë një mundësi historike për të përfituar nga tregu i naftës për të filluar procesin e reformimit të kuadrit rregullator dhe atij fiskal duke u ndarë përfundimisht nga evazioni që nuk e ka lënë të marrë frymë sektorin prej vitesh.

Inflacioni i ulët dhe çmimet e larta të karburanteve kanë krijuar një mjedis të favorshëm për reformimin e tregut hidrokarbur, si pjesë e tregut energjetik duke përfshirë brenda saj dhe reformën tatimore të energjisë.

Është koha për tu krijuar një model ekonomik, për dekadat e ardhme!

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *