Listimi i Shqipërisë si juridiksion tatimor jo bashkëpunues dhe llogaridhënia e munguar mbi përgjegjshmërinë e lidershipit fiskal
BE-ja punon për të promovuar dhe forcuar mekanizmat e qeverisjes së mirë tatimore, taksimin e drejtë dhe transparencën globale tatimore, me qëllim që të trajtohet mashtrimi, evazioni dhe shmangia tatimore.
Duke pasur parasysh natyrën globale të konkurrencës së pandershme tatimore, kjo nënkupton gjithashtu adresimin e sfidave të jashtme ndaj bazave tatimore të vendeve të BE-së.
Në dhjetor 2017[1], BE prezantoi një listë të juridiksioneve tatimore jo bashkëpunuese (lista e BE-së). Qëllimi i kësaj liste është të shërbejë si një burim për të luftuar shmangien e taksave, praktikat e dëmshme tatimore, konkurrencën e pandershme tatimore dhe pastrimin e parave. Po kështu, në tetor 2022[2] ishte listimi më i fundit bazuar mbi identifikimin e mangësive tatimore nga juridiksionet e përfshira në listë.
Në 14 Shkurt 2023, BE ka azhornuar listën e juridiksioneve jo bashkëpunuese, ku e veçanta për publikun shqiptar është përfshirja e vendit tonë në të[3] bashkë me Turqinë, Izraelin, Hong Kongun, Armeninë, Botsvanën etj.. Ndërsa disa nga këto vende kanë qenë edhe në listimet e viteve më përpara (Turqia, Botsvana etj.), Shqipëria prej listimit të publikimit në listën fillestare në 5 Dhjetor 2017 dhe që vazhdoi edhe në 9 publikime të ardhës deri në 14 Qershor 2019 tashmë rishfaqet përsëri në vitin 2023.
Nga konstatimet që shpreh BE-ja për rastin e Shqipërisë e klasifikon si një juridiksion që pavarësisht se bashkëpunon me BE-në konstatohet se ka angazhime të papërmbushura ende apo në pritje për tu përmbushur.
Lista është rezultat i një shqyrtimi të plotë dhe procesi të dialogut me vendet jo anëtare të BE-së, për t’i vlerësuar ato sipas kritereve të dakorduara për qeverisje të mirë. Këto kritere kanë të bëjnë me transparencën tatimore, taksimin e drejtë, zbatimin e masave BEPS[4] të OECD dhe kërkesat bazike për vendet me tatime zero.
Lista e BE-së e juridiksioneve jo bashkëpunuese për qëllime tatimore, si pjesë e punës së BE-së për të luftuar evazionin dhe shmangien fiskale përfshin vendet që kanë dështuar të përmbushin angazhimet e tyre për të përmbushur kriteret e qeverisjes së mirë tatimore brenda një afati kohor të caktuar, dhe vende që kanë refuzuar ta bëjnë këtë.
Cilat janë kriteret[5] e listimit?
Për t’u konsideruar bashkëpunuese për qëllime tatimore, juridiksionet kontrollohen sipas një numri kriteresh:
Transparenca tatimore
- Juridiksionet duhet të shkëmbejnë të dhëna tatimore me të gjitha shtetet anëtare të BE-së përmes shkëmbimit automatik të informacionit tatimor (AEOI), qoftë përmes sistemit të raportimit të përbashkët (CRS) të krijuar nga OECD ose përmes marrëveshjeve ekuivalente
- Juridiksionet duhet gjithashtu të jenë në gjendje të shkëmbejnë informacion tatimor sipas kërkesës (EOIR)
- Juridiksionet duhet të jenë palë e Konventës Shumëpalëshe të OECD-së për Ndihmën e Ndërsjellë Administrative në Çështjet Tatimore, ose të kenë një rrjet marrëveshjesh shkëmbimi që mbulojnë të gjitha shtetet anëtare të BE-së.
- Aspekti i pronësisë përfituese do të inkorporohet në një fazë të mëvonshme
Taksimi i drejtë/ i ndershëm
- Juridiksionet nuk duhet të kenë masa të dëmshme tatimore preferenciale
- Juridiksionet nuk duhet të lehtësojnë strukturat ose marrëveshjet në det të hapur që kërkojnë të tërheqin fitime pa ndonjë aktivitet real ekonomik
Masat anti-BEPS (erozion i bazës tatimore dhe zhvendosjes së fitimit)
- Juridiksionet duhet të angazhohen për zbatimin e standardeve minimale anti-BEPS të OECD, të cilat kanë të bëjnë me masat e dëmshme tatimore, raportimin nga vendi në vend dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve
- Juridiksionet duhet të marrin vlerësime pozitive nga kolegët për zbatimin efektiv të standardit minimal anti-BEPS për raportimin nga vendi në vend
Në nivel të BE-së, për vendet që përfshihen në listë vendosen disa masa tatimore dhe jotatimore. Këto sanksione përfshijnë, por nuk kufizohen vetëm në tatimet e mbajtura në burim, rregullat e kontrolluara të kompanive të huaja, kufizimin e përjashtimit të pjesëmarrjes dhe moszbritje të kostove që lidhen me subjektet në një juridiksion të listuar.
Qëllimi i listës së BE-së për juridiksionet jo-bashkëpunuese, e cila është publikuar në datë 14 Shkurt 2023, si një aneks i konkluzioneve të miratuara nga Këshilli [6], nuk është të cilësojë si të mira apo të këqia sistemet tatimore të vendeve të përfshira, por të inkurajojë ndryshime pozitive në legjislacionin dhe praktikat e tyre tatimore nëpërmjet bashkëpunimit.
Procesi i listimit në BE ka patur një ndikim shumë pozitiv pasi shumica e juridiksioneve janë angazhuar në mënyrë konstruktive me BE-në gjatë procesit të listimit. Shumë prej tyre kanë bërë angazhime konkrete dhe të nivelit të lartë për të përmirësuar standardet e tyre, si rezultat i ushtrimit të shqyrtimit të BE-së. Kjo është arritja kryesore e procesit të listës së BE-së.
Kush mund të jenë pikat më të dobëta për Shqipërinë?
Në materialet e publikuara deri më tani nuk gjendet një listim i pikave të dobëta, por nga analiza e dokumentit të progres raportit, si një përmbledhje që vlerëson dhe skanon aktivitetin e vendit tonë ne veçojmë disa nga momentet më kryesore, që mendojmë se ndikojnë direkt.
Në takimin e ECOFIN u morën mjaft vendime, ku më i prekshmi lidhej me shtimin e vendeve jo bashkëpunuese në listat e saj. Ja si shprehet pas takimit të 14 Shkurtit, Ministrja e Financave të Suedisë lidhur me disa nga vendimet që u morën: “Sot, ne vendosëm të shtojmë katër juridiksione në listën e BE-së të juridiksioneve jo bashkëpunuese për qëllime tatimore: Ishujt e Virgjër Britanikë, Kosta Rika, Ishujt Marshall dhe Rusia. Ne kërkojmë nga të gjitha vendet e listuara të përmirësojnë kuadrin e tyre ligjor dhe të punojnë drejt përputhshmërisë me standardet ndërkombëtare në tatimet. Në të njëjtën kohë përgëzoj ngrohtësisht Maqedoninë e Veriut, Barbadosin, Xhamajkën dhe Uruguain pasi përmbushën me sukses angazhimet e tyre dhe mund të hiqen nga dokumenti i gjendjes.”
Ky listim nuk vjen si një rastësi për qeverinë shqiptare, nëse i referohemi edhe progres raportit 2022 të Komisionit Europian për Shqipërinë[7], ku në përmbledhjen e Kapitullit 16 “Taksimi”, në raport konstatohet se, “Është bërë përparim i kufizuar, në veçanti duke adresuar rekomandimet e vitit të kaluar, duke përfshirë respektimin e planeve të pagesave të dakorduara për rimbursimet e TVSH-së dhe reduktimin e stokut të detyrimeve të prapambetura në rimbursimet e TVSH-së, miratimin e një kalendari të ri për akcizën e duhanit dhe konsultimin e draft strategjive afatmesme, në të cilën përfshihen propozimet për adresimin e shpenzimeve tatimore. Miratimi i një amnistie tatimore dhe penale kundër këshillave të BE-së dhe Moneyval mund të rrezikojë përparimin në këtë fushë”.
Ja një nga aspektet përsa i përket parandalimit të pastrimit të parave, që duket se ndikon edhe në listimin e ri të Shqipërisë, ku shprehimisht në raport progres, Kapitulli 4 pas konstatimit, se “Megjithëse FMN-ja përsëriti në maj 2022 këshillën e saj për Shqipërinë që të mos përfshihet në një amnisti të mundshme tatimore, duke pasur parasysh shqetësimet për ndikimin e saj në pajtueshmërinë tatimore, si dhe rreziqet e pastrimit të parave dhe të qeverisjes, në qershor qeveria publikoi për konsultim një projektligj për fiskale dhe amnisti penale për ata që do të bëjnë zbulimin vullnetar të pasurisë”, u rekomandohet autoriteteve shqiptare që të “shmangin rrezikimin e progresit në këtë fushë[8] duke miratuar një amnisti tatimore dhe penale kundër këshillave të BE-së dhe Moneyval”
Për më tepër lidhur me shkëmbimin e informacionit, një vend interesant në raport progres vërehet lidhur me konstatimin se “Krahasuar me vitin 2020, në vitin 2021 kishte 3 143 më pak mesazhe të Aplikacionit të Sigurt të Shkëmbimit të Informacionit të Rrjetit (SIENA) të ndara nga Policia e Shtetit të Shqipërisë me partnerët ndërkombëtarë, që përfaqëson një rënie prej 35%. Kjo rënie mund të shpjegohet me ricentralizimin e aksesit në kanalin SIENA brenda një Drejtorie të Policisë së Shtetit Shqiptar. U nënshkrua një marrëveshje”.
Përveç listës së BE-së, shumë shtete anëtare të BE-së kanë listën e tyre kombëtare.
Ndërveprimi ndërmjet listave kombëtare dhe listës së BE-së ndryshon, pasi disa lista kombëtare përfshijnë të gjitha juridiksionet në listën e BE-së (qoftë me përfshirje individuale ose me referencë të drejtpërdrejtë), të tjerat janë plotësisht të pavarura nga lista e BE-së.
Për më tepër, jo çdo shtet anëtar i BE-së ka legjislacion kombëtar të lidhur me një listë juridiksionesh jo bashkëpunuese dhe nëse një shtet anëtar i BE-së ka një legjislacion të tillë, ai ndryshon se çfarë lloj legjislacioni është dhe me cilën listë të saktë lidhet.
Në varësi të ndikimit të listës së BE-së në një shtet të caktuar anëtar të BE-së, një ndryshim i listës së BE-së mund të aktivizojë potencialisht masat në nivel kombëtar dhe si rezultat ka një ndikim në kompanitë në BE.
Prandaj është kritike për lidershipin aktual qeverisës, por edhe atë të financave publike që të analizojnë dhe kuptojnë problematikave mbi të cilat referohet lista e BE-së, por dhe çfarë lloj legjislacioni kombëtar i lidhur me listën e BE-së është përgjegjësi e secilit, pa vijuar të mbahet një qëndrim jo transparent dhe aspak reflektues, pasi kjo lidhet me sigurinë kombëtare, po aq sa dhe me fatin e gjithë atyre që mendjen dhe zemrën e kanë të lidhur me Shqipërinë.
[1] Kriteret u miratuan nga Shtetet Anëtare në Nëntor 2016 dhe u përdorën si bazë për një vlerësim të bazuar te “tabela e rezultateve”
[2] https://taxation-customs.ec.europa.eu/system/files/2022-10/221004.%20Tax%20deficiencies%20table.pdf
[3] https://taxation-customs.ec.europa.eu/system/files/2023-02/eu-list-update-14-02-202.pdf
[4] erozioni i bazës tatimore dhe zhvendosja e fitimit
[5] https://www.consilium.europa.eu/media/24230/08-ecofin-non-coop-juris-st14166en16.pdf
[6] https://taxation-customs.ec.europa.eu/news/ecofin-member-states-update-eu-list-non-cooperative-jurisdictions-tax-purposes-2023-02-14_en
[7] https://neighbourhood-enlargement.ec.europa.eu/system/files/2022-10/Albania%20Report%202022.pdf
[8] zbatimin e rekomandimeve të Moneyval dhe të Planit të Veprimit të FATF
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.