Kush është qasja më e mirë për të rritur ekonominë?

Kush është qasja më e mirë për të rritur ekonominë?

Më shumë investime për shërbimet sociale, të alternuara me investimet e huaja në sektorë të orientuar?

Më shumë para për të pasurit, apo paga më të mira për punonjësit?

Le të shikojmë këta të fundit.

Punonjësit me paga deri 30 mijë lekë kanë një peshë me mbi 50% të gjithë punëmarrësve shqiptarë. Po te shtosh edhe numrin e punonjësve me pagë mesatare, atëherë mbi 2/3 e punëmarrësve shqiptarë përfitojnë paga deri në 60 mijë lekë në muaj.

Natyrshëm qe nuk mund të kenë efekte te shtimi i kursimeve/depozitave, por pagat e tyre janë baza më e gjerë e mundshme e konsumatoreve në vend. Megjithatë, në vlerë absolute, të ardhurat vjetore që zotëron kjo kategori potenciale për konsum nuk shkon më shumë se 6-7% e konsumit të brendshëm apo sa 5-6% e Prodhimit të Brendshëm. Konsumi kryesor për ekonominë vjen nga zgjerimi i tregut dhe ekspansioni i prodhimeve shqiptare jashtë vendit.

Nisur nga fakti se rritja e të ardhurave individuale vjen kryesisht, si produkt i investimeve, po ashtu edhe analiza duhet të fokusohet te politika dhe modeli ekonomik.

A duhet nga ana tjetër të presë qeveria dhe ekonomia për thithjen e investimeve duke parë në sy investitorët se si dhe ku do të investojnë?

Përvoja e mire na tregon se pritja është e kotë nëse nuk sistemohet ambjenti për tu kryer investimet. Në këtë qasje nevojitet një fokusim ne jo me shume se 1-2 sektorë për investime, te cilët do të jenë minimalisht edhe modeli për të tjerët që do të vijnë.

Shqipëria nuk mund t’u përgjigjet gjithë kërkesave të investitorëve për investime. Qeveria duhet të jete selektive ne përzgjedhjen e investimeve.Ne këtë kontekst, kur themi fokusim te modeli nuk mund të përfshihet ende modeli i prodhimeve fason. Te mburresh me krahun e lire te punës është njësoj sikur nuk po synon për zhvillimin afatgjate ekonomik, por për te mbajtur gjallë ekonominë me atë çfarë bie dita.

Kjo do të thotë që investimet publike të plotësojnë kërkesat e perditshme te tregut dhe ekonomisë, por edhe të orientohen drejt përgatitjes së kushteve për realizimin e investimeve që plotesojne terrenin për investitorët strategjikë.

Investitorët do ti kryejnë investimet vetëm nëse ata ndihen të sigurt se fitimet e tyre do të jenë në tendenca rritëse (rimarrja e shpejtë e investimeve) dhe se nuk do të preken nga destabiliteti i politikës dhe veçanërisht politikes fiskale (siguria e investimeve). Taksat e ulta edhe pse ndikojnë në shpejtësinë e rimarrjes së investimit mbeten politika populiste. Madje janë treguesi i një shteti që bën skonto se nuk ka formë tjetër për të tërhequr vëmendjen. Shtetet e BE-së, që politikanët tanë të rëndomtë i paraqesin si standarti i ardhëm i ekonomisë së Shqipërisë nuk publikojnë ulje taksash (çmimesh).

Taksat në radhë të parë duhet të investohen për rritjen e vlerës së punës, për modernizimin e  shtetit, por edhe për të forcuar prodhimin e brendshëm nëpërmjet barazisë dhe luftës ndaj evazionit. Politikanët që mburren se do të bëjnë ulje taksash e çmimesh janë komedianët e radhës, që nuk i kanë munguar asnjë ditë skenës politike shqiptare.

Taksat e ulura nuk janë arsyeja e pare për nxitjen e investitorëve.

Investitorët do të “dynden” në Shqipëri nëse nga analizat e tregut u rezulton se ka një klasë punëtore te afte për përdorimin e teknologjisë dhe me kosto të pranueshme për rikthimin e investimit. Nga ana tjetër do të duan të ketë një infrastrukturë shumë më dinamike dhe me kosto më të ulët në lidhjet e nyjave brenda vendit dhe ndërlidhjen me jashtë.
Por, një pikë tjetër që u ndikon në vendimet e tyre është shëndeti buxhetor i vendit. Pasi institucionet kryesore financiare të jenë shprehur me pozitivitet për ekonominë dhe financat publike shqiptare, atëherë qeveria ndërkohë që ka mbaruar së pastruari (barrierat), rregulluari (infrastruktura) dhe sistemuari (shtet i fortë) ekonominë për mikpritje duhet të hapë portat dhe të ftojë investitorët në sektorët e bërë gati për ta.

Pra, nevojitet së pari të rregullohet pozita e Shqipërisë në lidhje me treguesin e transparencës dhe korrupsionit; treguesin e lirisë ekonomike; treguesin e konkurrueshmërisë së ekonomisë, si dhe treguesë të tjerë plotësuesë.

Konkluzioni apo mbyllja e kapitullit të gjithë sa më lart, si dhe produkti i strategjive pa fund, qasjeve dhe politikës së thithjes së investimeve duhet të jetë çuarja e “ujit” te “mulliri”. Produkti që presim të gjithë është rritja e të ardhurave për frymë.

Tre dekada janë mjaftueshëm për të mos mbetur ende në bisht të Europës me te ardhurat për frymë.

Justifikimet nuk qëndrojnë.

Shqipëria ka mjaftueshëm burime natyrore nga ajri, deti dhe toka për të jetuar në një mirëqenie që duhet të jetë të paktën në rritje më të lartë se vendet e tjera të rajonit. Dhe të mos llogariten ketu kapacitetet njerëzore qe jane ne rritje e forcim dhe qe dukshem konkurojne fort me kapacitetet e rajonit.

Po nuk u rriten të ardhurat për frymë do te thotë se Shqipëria ka ecur qorrazi. Kjo vërdallisje e rrezikshme në raport me kohën e humbur shton shanset, që vendi të gjendet përsëri në të njëjtin rebus ekonomik si tre dekada më parë.

Është ciklika e shoqerisë dhe ekonomisë, ajo që shtron nevojën që Shqipëria të ngjitet në një stad më të lartë zhvillimi  dhe standarti ekonomik dhe politik.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: