Kush e mbajti barrën e humbjeve nga efekti i bllokimit të ekonomisë?
Një nga surprizat pozitive për recesionin e vitit të kaluar është se sa pak dëm i shkaktoi konsumit mesatar të familjeve[1] dhe bizneseve në Shqipëri[2], por edhe në vendet e rajonit dhe në Evropë. Ndërsa në vitin 2019 konsumi individual në Shqipëri ishte sa 39% e mesatares së konsumit në vendet e Bashkimit Europian (BE), ky konsum u rrit në 2020 me 1% duke arritur sa 40% e mesatares në këto vende. Ndërkohë në Maqedoninë e Veriut, respektivisht për vitet 2019 dhe 2020, konsumi individual ishte sa 42% e vendeve të BE-së dhe u rrit në 44% të këtyre vendeve. Po kështu Serbia dhe Mali i Zi, të cilat respektivisht për vitet 2019 dhe 2020 ishin sa 49% dhe 60% e mesatares së vendeve të BE-së dhe u rritën në 52% dhe 61% të këtyre vendeve.
Ndryshe nga ngjarjet ekonomike në të kaluarën, recesionet janë shoqëruar me ulje të konsumit, si dhe me një mungesë të rritjes së inflacionit, pasi kriza ka patur pasojë lënien e problemeve të mëdha në mungesën e të ardhurave të familjeve, si dhe një mungesë të theksuar likujditeti dhe gjenerimi të ardhurash të bizneseve duke u shoqëruar me borxhe më të larta se në periudhat e parakrizës, por edhe me kapitalizim më të ulët.
Deri më tani kjo nuk ka qenë rasti që përkon me situatën e krizës prej Covid-19 në vendet e rajonit, kryesisht falë reagimit të politikave nga qeveritë, nga bankat qendrore, por edhe ndihmës së padukshme të fondeve që kanë garantuar familjet dhe bizneset nga të kursimet dhe të ardhurat nga burimet informale.
Në një vështrim mbi qasjet dhe tendencat, që prezantohen në ekonominë shqiptare pas vitit 2020, duket se rimëkëmbja vijon të merret përsipër dhe të administrohet nga qeveria. Megjithatë, politikëbërësi do të duhet të mbajë një vëmendje të shtuar në mbështetjen për segmentet më të goditura të ekonomisë dhe të qëndrojnë vigjilentë për shenjat e dëmit ekonomik që ende nuk do të shfaqet, përsa kohë bilancet e kompanive private ende nuk kanë transaprencën e duhur për të arritur në një analizë të plotë. Jo të gjithë bilancet private janë njëlloj transparente.
Por, si dhe kush e mbajti barrën e shumë diskutuar të humbjeve nga efekti i bllokimit te ekonomisë?
Në reflektim të treguesve të konsumit si më lart, në fakt duhet të kishim tatime mbi të ardhurat apo tatime mbi konsumin më shumë se një vit më parë, megjithëse të dhënat mund të jenë ende të paplota.
Në fakt asnjë nga këto tatime nuk i kemi dhe kjo meriton analizën përkatëse dhe shteruese nga Ministria e Financave dhe autoritetet fiskale.
Në mungesë të një përgjigje zyrtare, atëherë përgjigja më e shpejtë dhe direkte është: buxheti i shtetit dhe të ardhurat nga kreditimi nga bankat, si dhe evazioni.
Në vitin 2020 qeveria shqiptare miratoi dhe synoi të zbatonte instrumentet tradicionale të politikave të tilla, si: skema e sigurimit të papunësisë, paketat e politikave buxhetore emergjente, përfshirë grantet, shtyrjet e afateve të pagesave të tatimeve dhe taksave (disa falje tatimesh vendore) dhe huatë e garantuara.
Paketa financiare e buxhetit dhe garantimet nëpërmjet Bankës Qendrore ishin afërsisht sa 0.2% e Prodhimit të Brendshëm (PBB) dhe synojnë të mbeten në këto nivele edhe në 2021. Por borxhi që u mor dhe performanca negative fiskale e rritën borxhin e qeverisë në vitin 2020 me më shumë se 11.6 përqind të PBB-së[3].
Banka e Shqipërisë dhe bankat private kanë blerë një pjesë të madhe të këtij borxhi të ri publik. Banka qendrore ndihmoi veçanërisht për të mbajtur kosto të qëndrueshme dhe të ulëta të huamarrjes për biznesin dhe familjarët. Normat e ulëta të interesit duket se mbështetën vlerësimin e kapitalit dhe stimulin monetar, ndërkohë që aktiviteti ekonomik ishte në stanjacion. Së bashku me lehtësimin rregullator financiar, të tilla si marrëveshjet e huasë dhe lehtësimin e kapitalit bankar, këto politika ndihmuan në ruajtjen e kapitaleve dhe rritjen e likuiditetit në sektorin privat, duke parandaluar përkeqësimin e bilancit të biznesit, për sektorin publik, por edhe segmentet prodhuese dhe të ndërtimit e shërbimeve të sektorit privat.
Burimi tjetër i rëndësishëm, të ardhurat nga evazioni, që kanë një rrjedhë në rritje kryesisht në sektorin e ndërtimit ishin afërsisht sa 0.5% e PBB dhe synojnë të tejkalojnë nivelin e 1.2% të PBB-së në 2021[4].
Për interesin e debatit për këtë temë ende jo shumë prezente, le të analizojmë si rast diskutimi sektorin e ndërtimit duke u nisur nga ky këndvështrim. Një vlerësim i tillë, si ai më lart rezulton nga llogaritja e burimeve të mundshme formale të financimit të sektorit privat krahasuar me lejet (sipërfaqet) e ndërtimit. Ndërtimi mundet të furnizohet me likujditete ose nga të ardhurat nga dividenti, ose nga të ardhurat nga kreditimet nga bankat dhe institucionet financiare.
Burimi i parë i financimit rezulton të jetë shumë i vogël, pasi niveli i pagesave të dividentit në vitin 2020 ishte 2.32 miliard lekë[5], ndërsa duket se për vitin 2021 do të arrijë deri në 3.5 -4 miliardë lekë. Nëse supozojmë se i gjithë dividenti do të shkojë në sektorin e ndërtimit, me një shumë të tillë nuk mund të financohet më shumë se 3.5% të volumit të ndërtimeve (< 150 mijë m² ndërtime të reja, nga 4.5 milion m² leje në vitet 2019, 2020 dhe 6-mujori parë 2021).
Ndërkohë, burimi i të ardhurave nga kreditë dhe evazioni duket se mbushin hapësirën për financim.Nga të dhënat e sektorit bankar për vitin 2020 është disbursuar një shumë prej 245.6 miliard lekë (0.8% më pak se në vitin 2019), ku të paktën 60% e kësaj shume shkon për ndërtimin. Nga kjo shumë, gjatë vitit 2020 është marrë kredi nga individët për të blerë banesa 26.5 miliardë lekë[6]. Nga llogaritjet e kryera në raport me lejet e ndërtimi, rezulton se të pakëtn 72% e tyre mbulohen nga kreditimi i sektorit bankar. Pjesa e mbetur e pambuluar me dy burimet si më lart, duket se mundet të jetë ende pjesë që nuk do të zhvillohet, ose mundet të jetë pjesa që mbulohet nga burimet e evazionit, duke u përfshirë si kontribut i ortakëve nga jashtë shoqërisë ndërtuese, apo direkt në formën e blerjes nga individë me të ardhura informale, të cilët paguajnë ndërtimin me të ardhurat e tyre. Kontributi nga evazioni në këtë sektor mundet të jetë sa 24% – 25% e volumit ndërtimor.
Megjithëse llogaritjet për rastin e ndërtimit mundet të kenë nevojë për diskutime dhe të dhëna më të azhornuara, parandalimi i efektit prej Covid-19 nga dëmtimi i bilanceve të kompanive private dhe publike është thelbësor për vendosjen e bazave për një rimëkëmbje të suksesshme.
Në këtë kontekst duhet që të vijohet me analiza mjaft të veçanta për sektorët e rriskuar për evazion dhe pastrim parash nga burime informale. Kjo vlen të thuhet, kur qytetari dëgjon pothuajse në masën më të madhe të informacioneve të përcillen vetëm ato që lidhen me fiskalizimin, kur dihet se ky instrument fiskal është në funksion kryesisht për të lufutar edhe evazionin.
Megjithatë, përgjigja e politikës edhe pse ka qenë e shoqëruar nga mangësi dhe problematika që do të vijojnë të jenë prezentë deri më sot ka qenë gjëja e duhur për të bërë përballë një tronditje të paparë.
Por pandemia nuk ka mbaruar, kështu që këto komente duhet të ruhen në fazën tjetër të rimëkëmbjes. Rrisqet ndaj aktivitetit ekonomik mbeten prezente, përfshirë bilancet e sektorit privat nëse difektet nuk do të kontrollohen për të mos u kthyer në pengesa të mëdha, duke garantuar kështu mbështetjen e vazhdueshme të politikave, të paktën tani për tani.
Ndërsa vaksinimet përparojnë dhe rimëkëmbja ekonomike është ende një shpresë pozitive, politika e frymëzuar nga një vullnet i ri duhet ti japë mundësinë ndërhyrjeve të politikave të dedikuara gjithnjë e më shumë të synuara ndaj grupeve dhe bizneseve të goditura më keq.
Kështu, adresimi i nevojave për aftësi paguese të bizneseve të vlefshme në sektorin e turizmit dhe shërbime të tjera me intensitet, si dhe ofrimi i ndihmës së mëtejshme për bizneset e vetëpunësuara dhe të rinjtë mbetet ende një qasje thelbësore. Por ndërsa bilanci i buxhetit është i ekspozuar ndaj deficitit buxhetor mbi kufijtë e lejuar prej ligjit debati i politikave duhet të kthehet në një dialog kombëtar për mënyrën e duhur të uljes së borxheve të sektorit publik në kohën e duhur, me një qasje graduale dhe të kujdesshme.
Në nivelin e debatit politik, ne mendojmë një strategji gjithëpërfshirëse për të rritur pranueshmërinë dhe efektivitetin e vlerës së gjithsecilit faktor ndikues në ekonomi, formalizim dhe ambjentin social. Zhvillimet e brendshme dhe konsideratat ekonomike e politike mund të kërkojnë përdorimin e skemave financiare ose masave rregullatore që përkthehen në një kosto të ndryshme nga më përpara, si lidhur me nivelin e jetesës, por po aq edhe me mënyrën e të bërit biznes.
Në këtë drejtim, investimet publike në rrjetin e infrastrukturës dhe reformat e tregut financiar duhet të mos harrojnë reformat e premtuara për energjinë, ujin, arsimin profesional dhe teknologjinë bazuar te një lidership i ri në mentalitet dhe i ndryshëm në vizion, si rruga e re për të plotësuar masat e duhura për të rritur investimet private.
Çdo moment më shumë i arratisjes nga Covid-19, jo vetëm si rrezik për shëndetin shpresojmë të jetë një arsye për tu gëzuar. Por, duket se ekonomia e sotme edhe pse në gjallërim është ende një burim ankthi, sepse arsyet për tu trembur ndodhen nën sipërfaqe.
[1] https://ec.europa.eu/eurostat/statistics-explained/index.php?title=GDP_per_capita,_consumption_per_capita_and_price_level_indices
[2] https://www.financa.gov.al/permbledhje-e-performances-paraprake-6-mujore-te-te-ardhurave-dhe-shpenzimeve/
[3] https://financa.gov.al/wp-content/uploads/2021/06/Buletini-i-Borxhit-Q4-2020-versioni-shqip.pdf
[4] http://www.instat.gov.al/media/7056/lejet-e-nd%C3%ABrtimit-t1-2020.pdf
http://www.instat.gov.al/media/7384/lejet-e-nd%C3%ABrtimit-t2-2020.pdf
http://www.instat.gov.al/media/7773/lejet-e-nd%C3%ABrtimit-t3-2020.pdf
http://www.instat.gov.al/media/8089/lejet-e-nd%C3%ABrtimit-t4-2020.pdf
http://www.instat.gov.al/media/8423/lejet-e-nd%C3%ABrtimit-t1-2021.pdf
[5] https://www.tatime.gov.al/shkarko.php?id=10835
[6] https://www.monitor.al/kredia-per-shtepi-si-lulezoi-ne-kohe-krize-2/
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.