Inflacioni, konsumi, rritja ekonomike dhe ndikimet në 2024
Në publikimin e datës 10 Janar 2024 të indeksit të çmimeve të konsumit (inflacioni) për muajin Dhjetor 2023 vërehet se norma e tij në muajin Dhjetor 2023 është 4,0 % krahasuar me një vit më pare. Në muajin Dhjetor 2022 norma e inflacionit ishte 7.4%. Rritja mesatare vjetore e çmimeve në vitin 2023 është 4,8 % nga 6,7 % që ishte në vitin 2022.
Në krahasim me Dhjetor 2020 çmimet janë rritur mesatarisht 15.8%. Kjo do të thotë se nga efekti i rritjes së çmimeve kostoja mesatare e jetesës është rritur më shumë se 15.8%, pasi ka një tjetër fokus nga inflacioni[1].
Rritja më e madhe e çmimeve është për ushqimet dhe pijet joalkoolike me 29.6%, hotelerinë, kafenetë dhe restorantet janë rritur me 13.5%, mirëmbajtja, mobilimi dhe paisjet elektroshtëpijake janë rritur me 12.6%, pijet alkoolike dhe duhani janë rritur me 12.4%, transporti është rritur me 11.8%, shërbimet turistike (argëtim dhe kuturë) janë rritur me 11.3%, veshjet dhe këpucët janë rritur me 8.7% dhe qeratë dhe çmimi i karburanteve me 7.5%.
Nëse shikojmë nivelin e inflacionit në Dhjetor 2022 i krahasuar me Dhjetor 2020 rritja mesatare është me 11.4%, ku ushqimet dhe pijet joalkoolike janë rritur me 21.4% dhe transporti me 15.6%. Mallrat dhe shërbimet e tjera janë rritur midis 2.8% deri 8.7%[2].
Ndërkohë, kur shikojmë nivelin e inflacionit në Dhjetor 2021 i krahasuar me Dhjetor 2020 rritja mesatare është me 3.7%, ku ushqimet dhe pijet joalkoolike janë rritur me 6.4% dhe transporti me 9%. Mallrat dhe shërbimet e tjera janë rritur midis 0.5% deri 4.2%[3]. Madje zëri i mallrave dhe shërbimeve të ndryshme në Dhjetor 2021 ka një rënie të lehtë me 0.3% nga një vit më parë.
Një ndikim i inflacionit në konsum duket se nuk e ka dhënë efektin e vet në rënie të tij, deri në tremujorin e tretë 2023, ku konkretisht:
Për vitin 2021 konsumi final i popullatës[4] u rrit me 5.06%, krahasuar me vitin 2020[5]
Për tremujorin e parë të vitit 2022, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2021 konsumi final i popullatës, u rrit me 8.63 %[6].
Për tremujorin e dytë të vitit 2022, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2021, konsumi final i popullatës, u rrit me 8.95 %[7].
Për tremujorin e tretë të vitit 2022, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2021, konsumi final i popullatës u rrit me 8.09%[8].
Për tremujorin e katërt të vitit 2022, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2021, konsumi final i popullatës u rrit me 4.49%[9].
Për tremujorin e parë të vitit 2023, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2022 konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi u rrit me 3,05 %[10].
Për tremujorin e dytë të vitit 2023, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2022, konsumi final i popullatës, u rrit me 4,03 %[11].
Për tremujorin e tretë të vitit 2023, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2022, konsumi final i popullatës u ul me 0,53%[12].
Si funksionon dhe ndikohet lidhja midis inflacionit dhe konsumit final të popullatës (konsumi final)?
Si rregull në ekonomitë e zhvilluara, inflacioni duke qenë se rrit koston e jetesës, ai ndikon në uljen e nivelit të të ardhurave të familjeve dhe si rrjedhojë shkakton një rënie të shpenzimeve për konsum. Kështu, situata e rritjes së çmimeve ndikon drejtpërdrejt të ardhurat e familjeve dhe kapacitetet e tyre shpenzuese duke ndikuar në rënien e fuqisë blerëse dhe konsumit.
Në një rishikim të kësaj logjike që ndodh në vendet me ekonomi të zhvilluar, informalitet të ulët dhe korrupsion më të ulët se Shqipëria, shihet se ndryshe nga logjika konsumatore e tregut në këto vende prania e informalitetit në vendin tonë zbuti presionet inflacioniste që vijnë nga kërkesa dhe goditjet financiare. Ky efekt zbutës mundet të mos ndikojë direkt në fuqinë blerëse, për sa kohë kostoja e rritur prej inflacionit amortizohet edhe nga prania e dërguesave të parave (remitancat)[13] nga jashtë vendit në ndihmë të konsumit. Paratë e dërguara nga jashtë në një masë të madhe nuk kanë të njëjtin ndikim në perceptmimin e inflacionit në krahasim me ato që fitohen nëpërmjet punës apo kapitalit.
Ky argument bazohet pikërisht te rritja e konsumit të popullatës në vitet 2021 dhe 2022. Kjo rritje e ndikuar nga informaliteti, remitancat dhe optimizmi i tregut pas periudhës së pandemisë kanë ruajtur një nivel të vlefshëm në ndikimin edhe të rritjes ekonomike, që bazohet kryesisht te konsumi i popullatës.
Zgjatja e inflacionit dhe tendenca e tij për të vazhduar edhe në vitin 2024 ndikoi direkt me një rënie të tendencës konsumuese në vitin 2023. Në këtë vit rritja e çmimeve edhe pse më e ulët se në vitin 2022 vijoi të jetë e ndikuar edhe nga një zhvleftësim i Euros, që vepron mbi vlerën e parasë gjendje të konsumatorëve shqiptarë. Kështu, 57% e parave të depozituara në banka në nivel vendi është në Euro dhe monedha të huaja të tjera. Humbja e fuqisë së tyre blerëse dhe prania e inflacionit ende të lartë ka dhënë ndikim në uljen e konsumit për mallrat dhe shërbimet që nuk janë të domosdoshme dhe ka rritur vigjilencën për të kontrolluar dhe menaxhuar më mirë portofolet individuale dhe familjare.
Ndërkohë, mbi gjysma e ekonomisë shqiptare ndërvepron me monedhat e huaja dhe kjo ndikon kryesisht në konsumin e popullatës në vitin 2023 për arsye të pasigurisë për të ardhmen.
Por, sa ndikim ka inflacioni në të ardhurat e familjeve përreth nivelit të varfërisë?
Së pari le të shikojmë ndikimin e inflacionit te pensionet dhe vlerësimi i indeksimi të tyre
Krahasuar me Dhjetor 2020 pensionet për vitin 2021 – 2023 janë indeksuar (rritur) mesatarisht gjithsej 14.3%[14], duke rezultuar një diferencë mesatare midis rritjes së çmimeve dhe indeksimit të pensioneve mesatarisht prej – 1.5%.
Kjo diferencë e vogël është e barabartë me vlerën e 400 lekëve për çdo pensionist. Qeveria këtë diferencë që vjen nga mosazhornimi i të dhënave për llogaritjen po e jep nën emërtimin e bonusit në çdo Dhjetor duke barazuar rritjen mesatare të inflacionit me indeksimin mesatar të pensioneve.
Kur llogaritim natyrën e shpenzimeve të një familje pensionistësh, ku vlera e shpenzimeve ushqimore, mirëmbajtes së shtëpisë bashkë me shpenzimet shëndetësore zënë mbi 70% të totalit të shpenzimeve mujore, atëherë inflacioni për këto tre grupe shpenzimesh nuk është më si më lart por shkon te 21.2%. Tashmë ndikimi i rritjes prej inflacionit te familjet e pensionistëve shkon me të paktën 3% më shumë se llogaritja më lart. Nga gjithë kjo llogaritje shikojmë që është e nevojshme që të gjenden mekanizmat e duhura për një indeksim më të lartë se metodologjia që përdoret deri më sot[15]
Së dyti, nga një shikim të ndikimi i inflacionit te familjet me paga minimale të rritura në vitin 2023 dhe efekti i përballimit të tyre duket se është në nivele jo të kënaqshme, nëse konsiderojmë rritjen e kostove të ardhme.
Rritja e pagës minimale në periudhën kohore 2021 – 2023 është rritur 33.3% në një kurbë ngjitëse nga 30 mijë lekë në vitin 2021 në 40 mijë lekë në vitin 2023 (rritje prej 10 mijë lekë në muaj për punonjës).
Nisur nga ndikimi i inflacionit, shihet se shpenzimet mesatare të familjeve me 4 persona janë rritur mesatarisht me 15.8% në po të njëjtin hark kohor si më lart (rritje me 12 mijë lekë në muaj).
Në këtë rritje të shpenzimeve përfshihen gjithë natyra e shpenzimeve të një familje.
Nëse llogaritim një familje që bazohet në të ardhurat nga puna dhe ku dy të punësuarit marrin këtë pagë minimale, atëherë nga krahasimi midis rritjes së pagës minimale dhe rritjes së shpenzimeve mujore të familjes për arsye të inflacionit, llogaritjet tregojnë një rritje reale të fuqisë blerëse të pagës minimale prej 11.7%. Kjo rritje që po rrudhet edhe më tej nga inflacioni që vijon të ketë tendenca për të vijuar i lartë edhe në fillim të vitit 2024 po ndikon në masë të konsiderueshme në rritjen e kostos së jetesës, e cila preket shumë fort nga vlera e ushqimeve dhe shpenzimeve të tjera bazike.
Nëse një llogaritje të ngjashme e bëjmë për kategorinë e nivelit të pagave të mesme ( 40 mijë deri 90 mijë lekë), ndikimi i inflacionit në nivelin e pagave të rritura ndikon më pak se 10% e rritjes së tyre për sektorin publik dhe afër 12% e rritjes së tyre për sektorin privat.
Po me bizneset si ndikohen nga inflacioni dhe përballimi i kostove në rritje?
Inflacioni në 2023 ndikoi mbi të gjitha bizneset nga ana e ofertës, ku kostot e materialeve, lëndëve të para dhe produkteve u rritën edhe pse në mënyrë të moderuar në raport me ushqimet. Por rritja e shpenzimeve të transportit, për arsye të nderhyrjes në lirinë e tregut prej vendimit të qeverisë në vitin 2022, si dhe paqartësive të çmimeve të tregut jashtë vendit mundi të ndikojë në kostot që lidhen me tregtinë dhe kjo ka ndikuar direkt edhe mbi importuesit, të cilët të nxitur edhe nga tregu informal i pangacmuar nga mosveprimi i institucioneve antievazion nuk reflektuan ulje të çmimeve në masë të madhe. Nga ana tjetër, një politikë çorientuese dhe e paqartë fiskale nga krahu i ofertës ndikoi në frenimin e tendencës rënëse të çmimeve.
Ndërsa nga ana e kërkesës kjo qasje e importuesve ka dhënë efektin edhe në rënien e importeve, për arsye të rënies së kërkesës konsumatore në vitin 2023[16]. Në vijim të ndikimit nga ana e kërkesës duket se tregu dhe bizneset u ndikuan nga mungesa e politikave të koordinuara për fuqizimin e tregut dhe vlerës së punës në funksion të rritjes së produktivitetit dhe si rrjedhojë vijuan shkurtesat e punonjësve dhe një rritje e kërkesës së punonjësve që ende janë pjesë e tregut për paga më të larta ku në këtë rast përfshihet edhe ndikimi i rritjes së njëanshme të pagës minimale dhe pagave mesatare të sektorit publik. Këto kosto më të larta vijojnë të transferohen te konsumatorët përmes çmimeve më të larta, por edhe paqartësisë së tregut se si do të vijojë të përgjigjet ndaj kërkesës konsumatore për të ardhmen.
Kështu, nga njera anë bizneset prodhuese dhe specifikisht ato për eksport janë më të ekspozuarat në 2024 për të çelur sezonin e një krize financiare, e cila mund të ndikojë direkt në presione të shtuara ndaj buxhetit për rritjen e shpenzimeve sociale. Nga ana tjetër, rënia e fitimit në nivele të ulta dhe gati historike po nxit largimin e kapitalit jashtë vendit, si dhe stopimin e rritjes së kapitalit fiks[17], faktor me ndikim negativ në prodhimin e ardhëm.
Të marra së bashku të gjithë treguesit, janë duke sinjalizuar një vazhdimësi të tendencave të ngadalta të rritjes ekonomike për 2024 dhe rrjedhimisht edhe mirëqenies së popullatës dhe rishpërndarjes së saj në çdo segment të saj që e ka nevojë imediate.
[1]Me rritjen e kostos së mallrave dhe shërbimeve, fuqia blerëse e lekut bie. Norma e inflacionit matet shpesh nga ndryshimi në Indeksin e Çmimeve të Konsumit (CPI), një matje mujore që mesatarizon koston e një shporte standarde mallrash dhe shërbimesh nga zonat në të gjithë vendin.
Kostoja e jetesës ndryshe nga inflacioni përfaqëson koston mesatare të një standardi jetese të pranuar duke përfshirë ushqimin, strehimin, transportin, taksat dhe kujdesin shëndetësor. Kostoja e jetesës krahasohet me të ardhurat minimale të nevojshme për të jetuar në qytete të ndryshme, të cilat kanë çmime të ndryshme.
[2] https://www.instat.gov.al/media/11147/ick_dhjetor_2022.pdf
[3] https://www.instat.gov.al/media/9467/ick_dhjetor_2021.pdf
[4] Shpenzimet e konsumit final të familjeve mbulojnë të gjitha blerjet e bëra nga familjet rezidente (në Shqipëri ose jashtë) për të përmbushur nevojat e tyre të përditshme, si: ushqim, veshje, strehim (qira), energji, transport, mallra të qëndrueshme (veçanërisht makina), shpenzime për shëndetin, kohën e lirë dhe për shërbime të ndryshme.
[5] https://www.instat.gov.al/media/11413/produkti-i-brendshëm-bruto-final-2020-dhe-gjysmë-final-2021.pdf
[6] https://www.instat.gov.al/media/10255/pbb-tr1-2022.pdf
[7] https://www.instat.gov.al/media/10547/pbb-tr2-2022.pdf
[8] https://www.instat.gov.al/media/11117/pbb-tr3-2022.pdf
[9] https://www.instat.gov.al/media/11407/pbb-tr4-2022.pdf
[10] https://www.instat.gov.al/media/11807/pbb-tr1-2023.pdf
[11] https://www.instat.gov.al/media/12617/pbb-tr2-2023.pdf
[12] https://www.instat.gov.al/media/12905/pbb-tr3-2023.pdf
[13] Në vitin 2021 remitancat ishin 761 milionë euro, në vitin 2022 ato u rritën me 58% dhe arritën vlerën hyrëse prej 1.2 miliarde euro në ekonominë shqiptare dhe në 9-mujorin 2023 vijuan në vlera të larta dhe të ngjashme me vitin 2022 duke arritur te 1 miliard Euro
[14] 2.7% në vitin 2021, 9.5% në vitin 2022 dhe 8.6% në vitin 2023, por duke qenë se u përfituan prej tetorit 2023, efekti direkt është vetëm 2.3%
[15] https://faktoje.al/indeksimi-i-pensioneve-nje-e-drejte-e-parealizuar-sa-duhet/
[16] https://www.instat.gov.al/media/12880/tj-nentor2023.pdf
[17] Formimit bruto të kapitalit fiks shënoi rënie prej 2,81% në tremujorin e tretë 2023 edhe pse ka rritje në dy tremujorët paraardhës
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.