Është furnizimi me para, idiot!
Ndikimi më i madh në ekonomi mbetet ende të vijë nga tkurrja e informalitetit, i cili është konsumatori kryesor i ekonomisë formale. Megjithatë, informaliteti mund të shfrytëzohet si një instrument sigurie për qeverinë, aq sa mund të jetë garanci zhvillimi i rezervave të naftës.
Masat dhe programet zhvillimore janë shpallur dhe janë në fazën e plan veprimit. Përpjekjet për të modeluar ekonominë po kryhen me korrektësi, sipas këshillave nga jashtë dhe brenda vendit. Zhvillimi i kapaciteteve dhe forcimi i menaxhimit po prezantohet në çdo ambient të mundshëm publik. Konsolidimi buxhetor është në rrugën rutinë të tij, ku asgjë e papritur nuk pritet të ndodhë.
E megjithatë, diçka mungon. Duhet ta gjejmë dhe ta përdorim për të marrë kthesën e fortë të rigjallërimit ekonomik.
Për kapitalin nevojiten para. Për paranë duhen rezerva. Për rezervat kërkohet kohë.
Kohë ka pasur gjithmonë ky vend, por vendimet dhe veprimet më të rëndësishme i ka zgjidhur në momentin e fundit.
Në një periudhë, kur niveli i inflacionit luhatet midis 0.7% në fund të 2014 deri 1.7% në fund të 2019, për qeverinë shqiptare bëhet e domosdoshme që të shikojë me sytë në të ardhmen për t’ju përgjigjur dilemave ekonomike dhe sociale të sotme dhe atyre që ka trashëguar. Situata e investimeve të huaja, por edhe atyre vendase, ka ende hapësirë të lirë. Kërkesa agregate është në tregues pozitivë, por nuk është në nivele që premtojnë siguri për periudhën afatmesme. Edhe pse konsumi i qytetarëve ka një rritje të lehtë, ai vjen vetëm si një reagim i nxitjeve fiskale të vitit të kaluar, si dhe prej lehtësimit nga rënia e kostos së karburantit.
Rreziku i deflacionit është te porta e ekonomisë sonë. Normat e interesit kanë shkuar poshtë e më poshtë, por kreditimi me likuiditete nuk po pompohet ende ashtu si pritej.
Po çfarë mungon atëherë që motorët të shkëputin ekonominë nga “graviteti” torturues i tranzicionit shqiptar?
Unë them se mungojnë pjesët e nevojshme që kapitalizmi në Shqipëri më në fund të instalohet për të funksionuar. Ashtu si në socializëm na mungon ende e drejta e pronës. Ndërsa, për sa kohë që kapitali nuk tregtohet në vendin që i takon, në bursën e këmbimit na mungon edhe ai në formën e vet funksionale. Për të plotësuar kushtet e funksionimit të kapitalizmit, na duhet me shumicë një përbërës elementar, por i pazëvendësueshëm që quhet PARA.
Në këtë situatë globale, ku dëshpërimi ekonomik i fqinjit tonë jugor nuk është i vetëm në Europën Jugore, një numër gjithnjë e më i madh i ekonomistëve dhe financierëve janë duke sjellë në vëmendje të qeverive europiane konceptin e nobelistit Friedman, mbi furnizimin me para falas të ekonomisë në situata të tilla ekonomike dhe sociale. Edhe pse kjo teori është në debate të ashpra me teorizimet e akademikëve, që mbrojnë mënyrat e sigurta, unë e gjej me vend teorinë se furnizimi me para në mënyrë të kontrolluar dhe të ndërsjellë nga politika monetare dhe ajo fiskale është një stimul fiskal shumë i fortë. Ky stimulim duhet të ketë një justifikim të fortë pse do të mund të përdorej (p.sh. Likuidimi i faturave ende të papaguara për shtresa dhe problematika të caktuara). Ai do të duhej të ndërthurej me format e tjera të financimit të deficitit të buxhetit, si huamarrja e brendshme dhe e jashtme.
Është furnizimi me para, idiot!
Mund të themi të përshtatur për diskutimin tonë shprehjen e ish-presidentit amerikan Klinton:
– Është furnizimi me para, idiot!
Hedhja e kësaj paraje të re në konsum, apo thënë ndryshe direkt e në llogaritë e bizneseve, pronarëve, qytetarëve, pra gjithë atyre që shteti u ka borxh, nga njëra anë do të mbyllte llogarinë e qeverisë me ta. Nga ana tjetër, do të nxiste një besim të ri ndaj qeverisjes, i cili ka munguar që kur s’mbahet mend, por dhe do t’i jepte një shtytje shumë të fortë konsumit. Kjo rritje konsumi do të krijonte efektin zinxhir, pasi do të nxiste më shumë prodhim dhe marrëdhënie tregtare, më shumë punësim dhe si rrjedhojë, më shumë të ardhura buxhetore dhe rritje ekonomike.
Disa studiuesë do të thoshin të merret shtruar. Dhe do të fillonin të përmendnin se ky “cunam” i parasë do të sillte “përmbytjen” e tregut nga inflacioni dhe normave të interesit. Pas kësaj situate do të binin në vëmendje kaosin e tregut dhe rrëmujat financiare.
Hedhja e parasë së re në qarkullim do të realizohej në rrugën më normale të mundshme, nga Banka e Shqipërisë. Hedhja e parasë në qarkullim, sipas modelit të prezantuar gjysëm shekulli më parë prej Friedmanit, do të ishte një kombinim i veprimeve të Bankës së Shqipërisë me Ministrinë e Financave. Ato kanë bërë shpeshherë gjatë viteve të fundit shitje të bonove të thesarit. Ndryshimi nga kjo rutinë është përfshirja e politikës së nxitjes fiskale duke i pozicionuar të dyja institucionet në një qasje interaktive.
Banka e Shqipërisë, në vend të përdorë paranë për të blerë asete financiare, do të paguajë borxhet ndaj qytetarëve, duke jua dhënë direkt atyre paranë. Kjo qasje ka efekt të dyfishtë: (a) likuidimin e menjëhershëm të borxheve dhe (b) shtytjen direkt të tyre për konsum dhe investime. Pas këtij hapi futet politika fiskale që gjen instrumentet e duhura për të nxitur konsumin dhe për të rritur investimet. Ja pse duhet që të veprojnë në unison politika monetare me atë fiskale.
Në vend që qeveria të ulë taksat dhe në këtë mënyrë rrit deficitin buxhetor dhe borxhin publik, me hedhjen e parasë së re kjo nuk do të ndodhë. Ndërkaq Banka do të influencojë dhe monitorojë tregun për të ruajtur objektivat për inflacionin, duke qenë më aktive me shitjen dhe blerjen e aseteve financiare dhe të tjera asete. Në këtë mënyrë, ajo do të menaxhojë në mënyrë më interaktive borxhin publik të qeverisë.
As Banka, por as Qeveria, nuk mund ta bëjnë të ndara këtë monitorim dhe kontroll të tregut dhe parasë në qarkullim. Të gjithë duhet ta kuptojnë se qëllimi nuk është rritja e inflacionit, por pagimi i borxheve me stimulim fiskal. Ky i fundit lidhet me pasigurinë që ka secili nga ne për të ardhmen në lidhje me rritjen e barrës fiskale.
Duhen hedhur në treg sa më shumë para. Ekonomia dhe njerëzit kanë nevojë për to.
Është koha e furnizimit me para!
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.