Efekti i Marrëveshjeve të eleminimit të taksimit të dyfishtë në Ballkanin Perëndimor
Shumica e Marrëveshjeve dypalëshe të eleminimit të taksimt të dyfishtë lidhur me tatimet mbi të ardhurat dhe mbi kapitalin (MTD) bazohen në pjesën më të madhe në (a) Modelin e Konventës Tatimore mbi të Ardhurat dhe Kapitalin (Modeli i OECD) dhe (b) Modelit të Konventës së Taksimit të Dyfishtë midis vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim (Modeli i OKB-së).
Ndërkohë, secili shtet i Ballkanit Perëndimor, për secilin nga investimet me rëndësi strategjike nënshkruan edhe Marrëveshje tatimore me investitorin strategjik duke e kthyer këtë model Marrëveshje midis palëve (shtetit dhe grupit/kompanisë ndërkombëtare investitorë) të ngjashme për nga përfitimet me MTD midis shteteve. Dallimi midis dy modeleve të Marrëveshjeve është si lidhur me taksat që përfshihen apo përjashtohen nga to, por edhe nga shtrirja e efektit të saj bazuar mbi parimin e rezidencës fiskale.
Studime të ndryshme tregojnë se pas nënshkrimit të një MTD midis dy ekonomive me pozicione reciproke të investimeve të huaja të ndërsjellta nuk përbën problematikë rishpërndarja e të drejtave tatimore ndaj vendit të rezidencës. Megjithatë, kur një Marrëveshje e tillë nënshkruhet ndërmjet dy vendeve me pozicione investimi asimetrike, atëherë vendi importues i kapitalit rrezikon të humbasë tatimin mbi të ardhurat. Vendet burimore mund të përfitojnë nga ndikimi i IHD-ve. Por, efektet pozitive në IHD kanë më shumë gjasa për vendet me të ardhura mesatare dhe më pak gjasa për vendet me të ardhura të ulëta. Nëse një vend importues i kapitalit përfiton nga nënshkrimi i një MTD-je varet edhe nga dimensionet e bazës tatimore të tij. Përfitimi primar që vendet në zhvillim kërkojnë nga nënshkrimi i një MTD është rritja e ofertës për tërheqjen e investimit të huaj. Por, një nga problemet që janë bërë të njohura nga praktikat e zbatimit të Marrëveshjeve është se Marrëveshjet tatimore munden tu paraprijnë investimeve, jo sepse nxisin ato, por sepse ato mund të konkludohen vetëm kur ekziston pritshmëria e një investimi.
Në gjithë sa më lart, por pa u kufizuar në arsyetimet dhe logjikën e përfitimeve nga nënshkrimi i MTD një rëndësi të veçantë merr momenti i nënshkrimit të tyre dhe mosvënia e sistemit fiskal dhe buxhetit në kushte të disfavorshme konkurence me vendet fqinj.
P.sh. nënshkrimi i Marrëveshja fillestare midis grupit ndërkombëtar, që zotëron projektin e gazsjellësit TAP dhe shtetit shqiptar, si vend pritës i investimit ishte për shtetin e disfavorshme, pasi norma e tatimit mbi fitimin dhe tatimin mbi të ardhurat në momentin e nënshkrimit ishte në nivelet e ulëta historike 10%. Ndërkohë, cdo rritje e ardhme e normave tatimore nga shteti shqiptar do të ishte subjekt rimbursimi për aq sa do të ishte rritja në raport me bazën e normës kur ishte firmosur Marrëveshja. Pas rinegociimit të Marrveshjes fillestare duke shfrytëzuar klauzola që krijonin mundësinë e rinegociimit, shteti shqiptar e rivendosi pozicionin e vet fiskal njësoj si shteti fqinj grek, i cili kishte nënshkruar të njëjtën model Marrëveshje më parë, por duke patur në zbatim norma tatimore që i përgjigjeshin një barre fiskale të lartë, në raport me Shqipërinë. Prandaj, studimet që matën në këtë rast ndikimin e MTD, por edhe Marrëveshjes midis palëve lidhur me fluksin e këtij investimi në vend u treguan “të ndjeshme” ndaj shqetësimit se vlera e vërtetë përfituese e MTD ishte të mos shkaktonte deformim të barazisë tatimore Brenda sistemit shqiptar tatimor, por edhe të shërbente si këndvështrim I ri lidhur me ndryshimin e modelit për investime të tjera në të ardhmen.
Me nënshkrimin e një MTD, nxitja e biznesit ndërkombëtar është të marrë fitimin duke u taksuar pak ose aspak me tatimin në burim për fitimet që do të transferojë në vendin e tij të rezidencës. Nga ana tjetër, duke u mësuar vetëm me lehtësira, investitorët bëjnë presion te qeveritë në momentet e nënshkrimit të Marrëveshjeve me ta edhe për lehtësira të tjera shtesë, krahas atyre që ju garantohen paraprakisht nga MTD dhe ligji specifik për investitorin.
Problem kryesor i nënshkrimit të një MTD midis një vendi të zhvilluar dhe një vendi të Ballkanit Perëndimor është përpjekja për të zhvendosur lehtësirat fiskale të investimeve që do të ndodhin drejt vendit mikpritës të investimeve.
Përfitimi i vendeve të zhvilluara në këtë rast janë arkëtimet nga tatimet mbi të ardhurat, të cilat janë baza kryesore e të ardhurave buxhetore në vendet e tyre. Ndërkohë, që vendet e Ballkanit Perëndimor, i cili bazohet mbi taksat e konsumit nuk i jepet mundësia për të rritur bazën e të ardhurave buxhetore me rritje të arkëtimeve të tatimeve mbi të ardhurat për të ndryshuar tendencën e buxheteve që pjesën më të madhe të arkëtimeve e kanë nga taksat mbi konsumin.
Ashtu si ka ndodhur me normat e tatimit mbi fitimin, po ashtu edhe normat e tatimeve mbi të ardhurat kanë qenë objekt konkurence në vijimësi në rajonin e Ballkanit për të nxitur tërheqjen e investitorëve. MTD e instrumentalizojnë dhe e inkurajojnë më tej këtë politikë që po zbatojnë shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Por, në fakt secili shtet i Ballkanit Perëndimor ka hartuar edhe paketa për zona të lira ekonomike duke shtuar dozën e nxitjes edhe me lehtësira fiskale për segmente të caktuara të ekonomisë, apo zona gjeografike brenda secilit shtet.
Ndërkohë, me miratimin e këtyre lehtësive, bashkë me Marrëveshje që në disa raste kopjohen nga modele të këqia të nënshkruara më parë çojnë në krijim të shtrembërimeve të parimeve fiskale, por edhe ndikim në performancën e buxhetit me raste të caktuara.
Një përvojë mund ta përmendim nga Shqipëria. Megjithëse, invetitorë të mëdhenj kanë mbi një dekadë që shfrytëzojnë burimet natyrore shqiptare, nisur nga përfitimet nga MTD, por edhe nga Marrveshje specifike që kanë qenë objekt lobimi nuk kanë kontribuar pothuajse asnjëherë në buxhet me tatim mbi dividentin, apo qoftë edhe me tatime të tjera, të cilat janë objekt debati në vijimësi mes tyre dhe administratës fiskale shqiptare.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.