Efektet financiare dhe kostot fiskale nga katastrofa natyrore
Ndërsa një fatkeqësi natyrore mund të formësojë imagjinatën dhe kujtesën e një komuniteti, ndoshta edhe për breza, efekti i tyre në ekonomi është më i kufizuar.
Fatkeqësitë natyrore si tërmetet, përmbytjet, zjarret masive etj., sjellin dëme serioze. Nga studime të ndryshme duket se përveç humbjes së jetës së njerëzve pasojat janë po aq të këqija edhe për ekonominë.
Nisur nga përvoja në vende të ndryshme ndikimi negativ në treguesit ekonomikë ndodh më së shumti në terma afat të shkurtër, ndërsa në terma afatgjatë këto efekte janë kalimtare dhe të papërfillshme për ekonominë dhe buxhetin e shtetit.
Më i dukshëm është ndikimi i drejtpërdrejtë i fatkeqësive natyrore, që ne e pamë me pasojat e tërmetit të 21 Shtatorit 2019 dhe 26 Nëntorit 2019 në Shqipëri. Ky efekt u duk në dëmtimet në infrastrukturë, kapitalin e bizneseve dhe individëve, si dhe cënimin potencial për të ardhmen në shfrytëzimin e burimeve natyrore.
Këto ndikime të mundshme ngrenë një seri pyetjesh se si duhet të vlerësojmë kostot fiskale të katastrofave natyrore. Në mënyrë të veçantë:- Si mbartet barra e katastrofës te biznesi dhe buxheti? – Si shpërndahen këto shpenzime në vite të ndryshme buxhetore? – Si e ndihmon qeveria rishpërndarjen e burimeve midis viktimave të katastrofës dhe taksapaguesve të tjerë që nuk preken direkt? – Si mund ta parashikojmë ekspozimin financiar të buxhetit ndaj fatkeqësive të ardhshme natyrore dhe parashikimi i buxhetit të duhur për këto goditje? Të gjitha këto pyetje bëhen gjithnjë e më të rëndësishme si për politikë bërësit ashtu edhe për analistët. Sipas disa vlerësimeve të studiuesve (Melecky dhe Raddatz 2011), katastrofat natyrore kanë rritur shpenzimet e qeverisë me një mesatare prej 15 përqind dhe kanë ulur të ardhurat me rreth 10 përqind gjatë pesë viteve pas një katastrofe, duke çuar në një rritje të konsiderueshme të deficitit të përgjithshëm të buxhetit.
Ndërkohë, në rastin e tërmetit të Nëntorit 2019, stoku i shkatërrimeve të aseteve publike dhe private pritet të ndikojë në një ulje të produktivitetit të bizneseve të zonave të prekura, por edhe më gjerë se këto zona. Kjo pritshmëri lidhet me faktin pasi ka humbje të efikasitetit kur bizneset kalojnë në forma alternative të prodhimit dhe shërbimit për shkak të prishjeve të zinxhirit të furnizimit dhe të shërbimeve transportit.
Për shkak të dëmtimeve në inventarin e bizneseve, si dhe ndërprerjeve të përkohshme të prodhimit e shërbimit, në periudhën afat shkurtër mund të shfaqen edhe prirje inflacioniste, si pasojë e uljes së ofertës për mallra e shërbime dhe rritjes së kërkesës. Këto çmime të rritura do të përqendrohen në industritë dhe shërbimet e mallrat kryesore përreth zonës së katastrofës. Në fakt, niveli i uljes së produktivitetit varet nga zhvillimi relativ ekonomik dhe social i vendit. Ndërsa vendet më të zhvilluara përjetojnë një shkallë më të ulët të vdekshmërisë dhe humbje më të madhe të stokut të kapitalit në krahasim me ta vendet më pak të zhvilluara (ku përfshihet edhe Shqipëria) përballen me humbje më të mëdha në produktivitetin e bizneseve, por edhe të nivelit të vdekshmërisë.
Fatkeqësitë gjithashtu mund të paraqesin tronditje të mëdha në operacionet qeveritare dhe financat e shtetit, sepse këto ngjarje shikohen gjerësisht si një problem publik që kërkon ndërhyrje të qeverisë. Shpenzimet që bëhen kur qeveria nuk ka kohë për të humbur përveç se të japë përgjigje emergjente, lehtësim nga katastrofat dhe ndihmë për rikuperimin e komuniteteve të prekura, të cilat në fakt rrisin shpenzimet publike dhe kërkojnë modifikime buxhetore. Ndikimi makroekonomik prej katastrofave mund të ndikojë në bazën tatimore dhe rrjedhimisht mbi të ardhurat e buxhetit.
Fatkeqësitë mund të kenë pasoja potenciale të rëndësishme për financat publike, duke rritur shpenzimet dhe njëkohësisht duke zvogëluar të ardhurat e buxhetit, duke rezultuar potencialisht në rritje të huamarrjes së brendshme ose të jashtme, ndryshime thelbësore në investimet ekzistuese dhe ato të planifikuara në terma afatmesëm. Tërmeti që ndodhi në fund të vitit 2019 në Shqipëri duket se imponoi presione shtesë në financat publike duke i diktuar qeverisë të ndërmarri ndryshime në projekt buxhetin 2020, si dhe duke reflektuar përkohësisht edhe masa zbutëse tatimore.
Ndërsa efekti shkatërrimit të aseteve publike e private ekzistuese nuk mund të pretendohet se ndikojnë dukshëm në PBB, efekti i rimëkëmbjes mund të jetë shpresëdhënës për biznesin dhe ekonominë. Kështu, zëvendësimi i aseteve të luajtshme dhe të paluajtshme me gjasa mundet të ndikojë në PBB-së pasi rriten direkt shpenzimet për investime kapitale. Për më tepër, konsumi privat dhe publik pritet të rritet.
Duke përdorur qasjen e shpenzimeve ndaj PBB-së, kjo do të thotë se do të pritet rritje e zërit të investimeve nga fondet publike, por edhe ato private, rritje të konsumit dhe shpenzimeve qeveritare për mallra dhe shërbime në funksion të rimëkëmbjes së pasojave të tërmetit. Kjo më tej do të çojë në rritje pozitive ekonomike që konvergon në rikthimin e ekonomisë në pozitat që ishte para katastrofës dhe ndoshta me efekte që mund të kalojnë këtë nivelet e rritjes ekonomike të para katastrofës (tërmetit).
Në kohën kur asetet e shkatërruara do të zëvendësohet nga asete të reja, që normalisht do të jenë më të sigurta dhe më të avancuara teknologjikisht, produktiviteti do të ngrihet mbi nivelet e para-katastrofës dhe fatkeqësia natyrore mund të veprojë si një formë e amortizimit të përshpejtuar dhe të rriti potencialet e ardhshme të rritjes ekonomike të vendit.
Por, një efekt dytësor mund të jetë inflacioni për shkak të rritjes së kërkesës për shërbimet e industrisë së ndërtimit, ku politikat monetare me ato fiskale duhet të veprojnë në kohë për të mbajtur nën kontroll gjithashtu edhe tendencat për abuzime dhe shmangie të detyrimeve fiskale që lindin nga zgjimi i ndërtimeve dhe shërbimeve që shoqërojnë këtë industri dhe industritë e lidhura me të.
Sidoqoftë, përkundër rezistencës së ekonomisë dhe konsumatorit, politikat monetare dhe fiskale ekspansioniste janë të rëndësishme për kontributin e tyre reale dhe psikologjike në procesin e rimëkëmbjes. Mbajtja e normave të interesit të qëndrueshme ose më të ulta mund të rritë besimin e publikut, ndërsa shpenzimet shtesë qeveritare teksa ofrojnë solidaritet për ata që preken japin edhe ndikim në rritjen e ofertës në treg nëpërmjet fondeve që hidhen për rindërtim të aseteve dhe ndikimin në konsum.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.