Drejtësia tatimore parakusht për rindërtimin e besimit mes qeverisë dhe tatimpaguesve

Drejtësia tatimore parakusht për rindërtimin e besimit mes qeverisë dhe tatimpaguesve

Drejtësia tatimore i referohet ideve, politikave dhe advokimit që synojnë të arrijnë barazi dhe drejtësi sociale nëpërmjet taksave të drejta ndaj anëtarëve më të pasur të shoqërisë dhe bizneseve shumëkombëshe[1].

Për këtë qëllim, drejtësia tatimore shpesh fokusohet në trajtimin e parajsave fiskale (ato që nuk paguajnë sipas ligjit, brenda dhe jashtë vendit) dhe kufizimin e korrupsionit dhe abuzimit tatimor nga bizneset dhe individët e pasur dhe super të pasur.

Drejtësia tatimore përfshin trajtimin e lehtësive tatimore, por gjithashtu shkon përtej kësaj, pasi ka lidhje edhe me administrimin e dobët dhe korrupsionin që mbajnë të fuqishëm evazionin tatimor.

Për juridiksione si Shqipëria, problemet e evazionit tatimor dhe politikave tatimore të kapura nga interesa të bizneseve dhe individëve të pasur janë çelësi për të kuptuar deformimet tatimore. Ky debat për drejtësinë tatimore është madje përtej taksave dhe përfshin edhe ligjet preferenciale në fushat e rregullimit financiar, ligjit penal, kontabilitetit, ekonomisë dhe shumë më tepër.

Lidhja midis taksave dhe të drejtave të njeriut është komplekse.

Pa taksa shtetet nuk mund të përmbushin detyrimet e tyre për të drejtat e njeriut. Të drejtat e njeriut në të njëjtën kohë, kufizojnë gamën e politikave të lejueshme tatimore[2].

Në këtë kontekst, a është e mundur të zbatohet parimi i mosdiskriminimit kur analizohet pajtueshmëria e një sistemi tatimor me të drejtat e njeriut?

A ka ndonjë lidhje midis regresivitetit tatimor dhe diskriminimit?

Taksat regresive marrin një përqindje më të madhe të të ardhurave nga personat me të ardhura të ulëta sesa nga ata me të ardhura të mesme dhe të larta. Si e tillë, barra tatimore zvogëlohet me taksat regresive me rritjen e të ardhurave. Është në kontrast me një taksë progresive, e cila merr një përqindje më të madhe nga personat me të ardhura të larta.

Termi taksë regresive i referohet një takse që zbatohet në mënyrë uniforme pavarësisht nga të ardhurat[3]. Taksat regresive marrin një përqindje më të madhe të të ardhurave nga personat me të ardhura të ulëta sesa nga ata me të ardhura të mesme dhe të larta. Si e tillë, barra tatimore zvogëlohet me taksat regresive me rritjen e të ardhurave. Është në kontrast me një taksë progresive, e cila merr një përqindje më të madhe nga personat me të ardhura të larta. Format e zakonshme të regresive përfshijnë tatimin mbi shitjet, taksën e gazit dhe taksën e pagave.

Sistemi aktual tatimor konsiderohet regresiv duke u bazuar te pjesa e taksave regresive që aktualisht përbëjnë shumicën e buxhetit (TVSH, akciza, tarifat dhe pagesat jotatimore duke përfshirë gjobat dhe kamatë-vonesat, taksat e pasurisë, taksa e sheshtë e kapitalit në masën më të madhe 15%, taksa e pagave në masën më të madhe 13%, gjobat dhe penalitetet).

Por a kemi realisht taksë progresive pas 10 vitesh deklarimi politik dhe zhurmës taksë e sheshtë dhe taksë progresive?

Disa aspekte të taksave nga renditja si më lart lidhen me një sistem tatimor regresiv. Tatimet mbi konsumin (42% të të ardhurave tatimore) , taksat mbi pronën dhe taksat dhe tarifat e tjera (11% e të ardhurave tatimore) janë shpesh regresive.

Por, problemi më i madh i një sistemi tatimor, pavarësisht nga kompozimi i tij është informaliteti i ekonomisë dhe mundësia për të kryer evazion tatimor.

Nëse, të ardhurave të munguara nga evazioni tatimor u shtohen edhe lehtësitë dhe përjashtimet tatimore (qokat politike), atëherë sistemi tatimor bëhet i pandjeshëm ndaj çdo reforme tatimore, sado mirë të jetë hartuar ajo.

Sistemi tatimor në Shqipëri është pikërisht me këto siptoma të cilat përcjellin për publikun ndjesinë se qeveria ka:

  • mungesa të theksuara të mbajtjes së balancave të drejtësisë dhe trajtimit të barabartë tatimor,
  • probleme të forta me sinqeritetin dhe qartësinë në zbatimin e kontratës sociale dhe ekonomike me publikun,
  • tregues të efektivitetit të dobët në zbatimin e ligjeve në fuqi, si dhe
  • nuk siguron të rinjtë dhe tatimpaguesit e tjerë se është në interesin e tyre ekonomik për të kontribuar për tatime dhe taksa për tu shpenzuar në interesin e tyre.

Evazioni tatimor, i cili ende nuk dihet se sa përfiton në disfavor të tatimpaguesve shqiptarë ka shumë vite që sfidon sistemin tatimor në mënyrë të qëllimshme duke mos respektuar atë që bëjnë një pjesë  e madhe e tatimpaguesve. Kjo mospërfillje e legjislacionit tatimor është në të njëjtën kohë edhe mospërfillje për të kontribuar për shumë shërbime dhe përfitime që i marrin nga pagesat tatimore nga qytetarët që paguajnë duke nxitur padyshim edhe një konflikt social që rritet përditë.

Nga reagimet e qytetarëve dhe bizneseve që kemi anketuar gjatë gjithë vitit 2023 nëpërmjet punës së përditshme në komunikim me ta vërejmë se qytetarët nuk i shmangen taksave vetëm për shkak të përfitimeve të mundshme personale, që sistemi me paaftësinë për të vepruar ja u ka lejuar.

Më tepër se kjo, ata besojnë se shteti është i paaftë të ndajë siç duhet paratë publike dhe se sistemi aktual politik dhe tatimor është joefikas ose i korruptuar. Rrjedhimisht, transparenca shteruese dhe e kuptueshme për tatimpaguesit është e një rëndësie të madhe për ta, në mënyrë që ata të besojnë se kontributi i tyre në të ardhurat publike është i rëndësishëm dhe i nevojshëm. Prandaj, është shumë e rëndësishme që shteti të ketë një kuadër ligjor që nuk ndryshon sipas interesit të qeverisë, por që i mban politikanët përgjegjës për vendimet dhe veprimet e tyre në lidhje me menaxhimin e parasë publike. Rindërtimi i besimit mes qeverisë dhe qytetarëve është e vetmja zgjidhje që rrit vlerën e emrit të mirë, si një aset që rivlerëson edhe vlerën e qeverisë. Ajo duhet të bazohet në vullnetin e pakorruptuar për të luftuar evazionin fiskal dhe paratë e pista, dhe këtu duhet të përqendrohen përpjekjet e sistemit aktual politik.

Si përfundim, shteti duhet të fitojë besimin e qytetarëve për të rritur drejtësinë tatimore dhe për të luftuar evazionin fiskal, duke i shpërndarë burimet e tij në mënyrë efikase dhe duke promovuar transparencën politike.

[1] https://taxjustice.net/faq/what-is-tax-justice/

[2] https://www12.senado.leg.br/ril/edicoes/58/230/ril_v58_n230_p219.pdf

[3] https://www.investopedia.com/terms/r/regressivetax.asp

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: