Drejt rrugës së rimëkëmbjes ekonomike!
Të dhënat e publikuara nga agjensitë zyrtare të statistikave tregojnë se në tremujorin e tretë 2020 disa nga ekonomitë më të mëdha të botës kanë patur rritje që kanë arritur të dalin deri apo mbi nivelin 3-7%.
Fakti i rihapjes së ekonomive në këto vende nuk ka qenë i ngjashëm me hapjet e ekonomive në vendet në zhvillim, të cilat nuk kanë atë strukturë ekonomike dhe zinxhir të qarkullimit të mallrave dhe shërbimeve që të vihet në punë menjëherë dhe në mënyrë efektive.
Ky është problem pasi ritmet e rritjes ekonomike nuk mund të varen nga rrethana të momentit, asistenca e huaj dhe nga modele ekonomikë jofunksionalë, që mbartin vetëm emrin, por asnjë element të qëndrueshëm brenda tyre.
Ky fat na ka ndodhur me ekonominë tonë.
Pas rënies së kësaj krize dhe pasi u pamë në sy me njëri-tjetrin ka mbetur vetëm të themi se kush është ilaçi për të rifilluar të lëvizë edhe ekonomia.
Shumë vende i janë përgjigjur stopimit të ekonomive të tyre me masa masive mbështetëse fiskale, monetare dhe rregullatore, shkalla dhe shpejtësia e të cilave janë të pashembullta. Në Shqipëri këto masa u morën sipas “masës së jorganit” që qeveria e përshtati për të përballuar ato fatura buxhetore që i kushtojnë më shumë nëse nuk do të likujdoheshin.
Ndërkohë, nëse mund të shikojmë vlerat e alokimeve të buxhetit në përmasat e tyre reale duhet thënë se ky realitet është i lidhur me menaxhimin fiskal në gjithë këto vite të fundit.
Nga krahu i të ardhurave mentaliteti i menaxhimit të tyre duke mbetur te realizimi i planit buxhetor dhe drejtimi meskin dhe jo sipas vizionit, reflektohet te ndryshimi i planit të të ardhurave, por jo të mënyrës së të bërit taksa. Rezultati i gjithë sa diskutojmë për të ardhurat është njësoj si ndryshimi i velave të varkës sa herë fryn erë, por duke humbur garën me kohën.
Nga krahu i shpenzimeve ka ndodhur që oreksi i tepruar për të hapur projekte dhe investime, të cilat nuk mund të përballohen dot pikërisht edhe nga ky menaxhim i dobët i të ardhurave fiskale, të kalohet në rrudhjen e disa premtimeve politike, p.sh. lindjen e vërtetë të arsimit profesional që ti ofrohen biznesit punëtorë të kualifikuar dhe mundësi që ai të eci, si dhe edukimin e gjithkujt sipas talentit dhe aftësisë, duke e shndërruar shkollën në një kultivuese të vërtetë dhuntish e mundësish!
Përmbledhtazi, qeveria ka hapur shumë fronte dhe ka bërë nga pak e nga të gjitha, por ende shikohet se mbetet problem një standart i qëndrueshëm i tyre dhe një strukturim i ekonomisë bazuar te modeli i ri, me informalitet të ulët dhe pa korrupsion. P.sh. fronti i luftës ndaj informalitetit nisi me shumë energji, por ndërkohë problemet kanë mbetur të njëjtat duke shtuar si mbi taksë edhe taksën e korrupsionit, i cili tashmë është strukturar më tej.
Problemet sistemike dhe qasjet jo të duhura në të bërin shtet dhe ekonomi janë përmendur nga shumë studiuesë dhe analistë në paraqitjet tyre.
Pyetja që lind në të njëjtën kohë është nëse ka ndihmuar pandemia në përqendrimin e mendjes së njerëzve në rëndësinë e ndërtimit të një të ardhme më të mirë?
Ky është një moment i madh transformues për arritjen e një rikuperimi më të zgjuar, më të qartë dhe më gjithëpërfshirës.
Aq më tepër, se nisur nga dobësitë e grumbulluara me shumicë dje dhe sot, por nisur nga kjo situatë nuk humbim shumë po ta provojmë vendi duhet të përfitojë nga ky moment dhe të forcojë bashkëpunimin mes njeri -tjetrit. Kjo nuk duhet pritur të thuhet nga lindershipi i spektrit politik.
Koha e sloganeve dhe mbushjes së mendjes se kemi bërë shumë, por më shumë duhet të bëjmë duhet të zëvendësohen nga sinqeriteti, nga mirësia dhe nga thjeshtësia për të qenë njerëz që marrin përgjegjësitë e veta duke u organizuar sipas të përbashkëtave në bashkëbisedim dhe komunikim.
Në përgjithësi, recesioni ekonomik në vitin 2020 nuk është ai që u parashikua në fillim të vitit. Por, ata që bëjnë llogaritjet duhet të sqarojnë dhe me raste edhe të bëjnë një transparencë të një standarti më të lartë lidhur me ekonominë ku eshte dhe ku do orientohet.
– Cilat “organe” të ekonomisë janë prekur më shumë?
– Ku duhet të përqendrohet terapia e financimit dhe asistimit tashmë pas hyrjes në valën e dytë epidemike?
– Këto përgjigje mund ti merrni tek buxheti 2021 dhe progami buxhetor afatmesëm! – mund të përgjigjen zyrtarët.
Në fakt, buxheti i viti 2021 është një vijimësi rutinore e buxheteve të viteve të fundit. Në këtë buxhet ka pak analizë lidhur me qasjet se si do të nxiten ata sektorë që vlejnë më shumë, por edhe nuk adreson qasje që ta përfshijnë me shume situatën e vështirë të bizneseve që kjo krizë e ka thelluar deri në kufijtë e nivelit historik.
Ndërkohë viti 2021 varet edhe nga ambjenti politik, nga kuadri rregullator, nga programet dhe nismat në proces.
Duke qenë shumë nisma, ato natyrisht që janë në stade të ndryshme të historikut të tyre, por ato duhet të mbarohen dhe të shërbejnë për zhvillimet ekonomike lokale si dhe në fuksion të strategjive, që ngjajnë si dokumente informale pasi asnjëherë nuk kanë patur rëndësinë që u takon në gjithë këto vite.
Një fillim i ri dhe sfidues post-pandemik duhet të ruajë plotësisht vazhdimësinë e mbështetjes së politikës makroekonomike dhe të konsolidojë rimëkëmbjen. Mbështetja e politikës duhet të ketë përparësi për të arritur një rritje elastike dhe të qëndrueshme, duke përfshirë në veçanti një rikuperim të energjive të njerëzve brenda dhe jashtë. Por, shfrytëzimi i mundësisë për të filluar drejt rrugës së rimëkëmbjes ekonomike kërkon lidership më përfshirës, më të zgjuar dhe më të sinqertë.
Rimëkëmbja është një proces i gjatë, i pabarabartë dhe i pasigurt. Ajo do të kërkojë disa mandate qeverisëse, dhe si rrjedhojë do të nevojiten mbi të gjitha kapacitete të reja qeverisëse.
Nivelet aktuale të kapaciteteve qeverisëse, si të pozitës, por edhe ata që pretendojnë të bëhen pozitë janë të konsumuara, të pabesueshme në pjesë të caktuara dhe të jo shumë të nevojshme për stadin e ri që dikton koha pas pandemisë.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.