Çfarë ka ndryshuar për tatimin e shërbimeve me pak klientë?

Çfarë ka ndryshuar për tatimin e shërbimeve me pak klientë?

Me Ligj nr. 81/2025, datë 11.12.2025 (ndryshime dhe shtesa në Ligjin nr. 29/2023 “Për tatimin mbi të ardhurat”), Parlamenti shqiptar ka miratuar ndryshime të rëndësishme në sistemin e taksimit të të ardhurave për individë dhe biznese. Ky ligj synon të qartësojë dhe përmirësojë rregullat e tatimit për të vetëpunësuarit dhe profesionistët, duke adresuar edhe problematikat e interpretimit që lindin kur individët sigurojnë pjesën dërrmuese të të ardhurave nga vetëm një ose dy klientë.

Një nga ndryshimet kyçe është saktësimi i kushteve për të shmangur trajtimin e të ardhurave të një vetëpunësuari si të ardhura nga punësimi – një çështje që ka shkaktuar paqartësi në praktikë, veçanërisht për profesionistë që punojnë kryesisht me një numër të vogël klientësh. Me këtë ligj është futur një dispozitë e re që i mundëson individit të vetëdeklarojë statusin e tij si biznes i pavarur, pavarësisht përqindjes së të ardhurave nga pak klientë, duke ruajtur kështu trajtimin si biznes dhe jo si marrëdhënie pune.

Këto ndryshime synojnë të ofrojnë siguri më të madhe fiskale dhe të eliminojnë rrezikun e riklasifikimit arbitrar të të ardhurave nga ana e administratës tatimore, duke e bërë kuadrin ligjor më të qartë dhe më të drejtë për vetëpunësimin modern në sektorë të ndryshëm profesionistësh.

Në vijim marrim një rast shembull për të sqaruar një nga pikat më të rëndësishme, për trajtimin tatimor për të vetëpunësuar me 2-3 klientë të mëdhenj.

Një individ i vetëpunësuar ushtron aktivitet me objekt të regjistruar “shërbime marketingu digjital”, që përfshin menaxhim rrjetesh sociale, fushata reklamuese online, optimizim SEO dhe analiza performance. Aktiviteti zhvillohet mbi bazën e kontratave formale me vetëm dy kompani tregtare, për të cilat ofrohen shërbime mujore kundrejt komisioneve ose tarifave fikse. Individit i lëshon fatura tatimore vetëm për këto shërbime dhe administron në mënyrë të pavarur punën e tij – organizon oraret, përdor pajisjet e veta, mbulon shpenzimet operative dhe vendos vetë metodologjinë e realizimit të projekteve.

Ky model bashkëpunimi është i zakonshëm në sektorin e marketingut digjital, ku profesionistët e pavarur shpesh bashkëpunojnë me një numër të kufizuar klientësh strategjikë, pa qenë në marrëdhënie pune të varur. Megjithatë, rreziku ligjor mund të lindte nga rregulli anti-shmangie i parashikuar në nenin 12 të Ligjit nr. 29/2023 “Për tatimin mbi të ardhurat”, sipas të cilit një individ i vetëpunësuar mund të riklasifikohej si i punësuar nëse siguronte pjesën dërrmuese të të ardhurave nga një ose pak klientë.

Në formulimin fillestar të ligjit 29/2023, nëse mbi 80% e të ardhurave siguroheshin nga një klient i vetëm ose mbi 90% nga më pak se tre klientë, ekzistonte mundësia që të ardhurat të konsideroheshin si “të ardhura nga punësimi”. Në një situatë të tillë, kompania do të trajtohej si punëdhënës, do të mbante tatimin mbi pagën dhe kontributet shoqërore, ndërsa individi do të humbiste statusin e biznesit të pavarur.

Kjo situatë u korrigjua me hyrjen në fuqi të Ligjit nr. 81/2025, i cili shtoi një dispozitë të re në nenin 12. Sipas kësaj dispozite, rregulli i riklasifikimit nuk zbatohet nëse individi vetëpunësuar vetëdeklaron pranë administratës tatimore se nuk ndodhet në kushtet e marrëdhënies së punësimit. Kjo deklaratë dorëzohet sipas modelit përkatës (Shtojca nr. 1) dhe bashkëngjitet me deklaratën vjetore të të ardhurave (DIVA) brenda muajit mars të çdo viti.

Në rastin konkret të shërbimeve të marketingut digjital, për sa kohë që:

  • aktiviteti është i regjistruar si biznes i pavarur,
  • ekzistojnë kontrata shërbimi dhe jo kontrata pune,
  • lëshohen fatura për shërbime të realizuara,
  • individi ruan pavarësinë organizative dhe ekonomike,

atëherë të ardhurat klasifikohen si të ardhura nga biznesi sipas nenit 13 të Ligjit nr. 29/2023 dhe jo si të ardhura nga punësimi.

Kjo do të thotë se tatimi llogaritet mbi fitimin neto të aktivitetit (pas zbritjes së shpenzimeve), sipas normave në fuqi, dhe klientët nuk mbajnë tatim në burim si për paga. Individit i takon të administrojë vetë detyrimet tatimore dhe kontributet si i vetëpunësuar.

Në praktikë, për vitet pasuese, individi duhet të:

  • jetë i regjistruar me NIPT për aktivitetin e marketingut digjital,
  • lëshojë fatura fiskale për shërbimet e ofruara,
  • dorëzojë deklaratën e statusit të vetëpunësuarit (Shtojca nr. 1) së bashku me DIVA-n çdo mars,
  • ruajë dokumentacionin mbështetës (kontrata, fatura, shpenzime të dokumentuara),
  • kryejë parapagimet e tatimit sipas parashikimit të fitimit.

Nëse qarkullimi vjetor mbetet brenda pragut të përcaktuar nga ligji për biznesin e vogël me afat zbatimi deri në 2029, përfitohen gjithashtu lehtësitë përkatëse fiskale deri në afatin e përcaktuar ligjor.

Në thelb, mekanizmi i ri ligjor është ndërtuar për të mbrojtur realitetin ekonomik të vetëpunësimit në sektorë modernë si marketingu digjital, IT, dizajni grafik apo shërbime të tjera profesionale, ku përqendrimi i të ardhurave në pak klientë nuk do të thotë domosdoshmërisht ekzistencë e një marrëdhënieje punësimi, por shpesh është rezultat i strukturës së tregut dhe modelit të biznesit.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.