Buxheti 2025 në kushtet e paqartësisë fiskale
Niveli ende i lartë i borxhit publik (Qershor 2024 – 55.7%), së bashku me hapësirën e kufizuar fiskale[1] për të adresuar nevojat në rritje të shpenzimeve, si p.sh. programi i kushtueshëm infrastrukturor dhe dixhital, së bashku me nevojat për përmbushje të shpenzimeve sociale ngrejnë shqetësime për aftësinë e politikëbërësve për të krijuar konsensus mbi politikën fiskale në mes të thellimit të ndarjeve politike këtë vjeshtë të 2024.
Krizat e përsëritura të tavanit të borxhit në dekadën e fundit na tregojnë se si pasiguria e politikës fiskale e karakterizuar nga politika të paparashikueshme me objektiva afatshkurtra kanë gërryer besimin dhe kanë prodhuar negativitete në tregun shqiptar.
Ashtu si konkludohet në një studim të fundit të FMN (Gee Hee Hong, Shikun (Barry) Ke, Anh D. M. Nguyen, 2024/09) “Dykuptimësia e pasigurisë së politikës fiskale (FPU) në shpenzimet e qeverisë dhe planet tatimore, si dhe në vlerësimin e borxhit publik konsiderohet gjerësisht si një burim i problemeve ekonomike dhe financiare.”
Situata e pasigurisë fiskale shihet sa te shpenzimet e buxhetit që nuk kryhen sipas programimit dhe po ashtu edhe te realizimi i të ardhurave.
Projeksionet afatmesme të buxhetit rezultojnë në mosbalancime të rëndësishme nëse do ti shihnim për periudha afatgjata. Kështu në sajë të buxhetit afatmesëm, shpenzimet për infrastrukturën rrugore dhe atë të ujësjellës kanalizimeve tashmë duhet të ishin në fazat finale të tyre, nisur si nga të ardhurat në rritje, por po ashtu edhe nga borxhet në rritje të akumuluara në dekadën e fundit.
Në fakt, shpenzimet për këto dy programe me shumë peshë për aktivizimin e ekonomisë së vendit ende nuk kanë arritur në gjysmën e planifikimit të tyre.
Përgjigja e duhur ndaj pasigurisë është se duhet të ndërmerren më shumë veprime tani, si një masë paraprake kundër mundësisë së rezultateve më të këqija se sa pritej.
Në periudhën aktuale kur ka shumë mundësi të bëhen ndërhyrje efektive, pasi presupozohet se është mësuar prej gabimeve ajo që duam të besojmë është se do mund të adresohen me projekt buxhetin 2025 dhe programin afatmesëm 2025 – 2027.
Arsyeja duhet gjendur aty ku pak diskutohet dhe konsultohet nga qeveria.
Pjesa më e madhe e pasigurisë në deficitin afatshkurtër dhe afatmesëm lidhet me ciklin e biznesit. Në terma afatgjatë, burimet kryesore të pasigurisë buxhetore gjatë 15 viteve të ardhshme janë shkalla e rritjes së produktivitetit, norma e interesit për borxhin e qeverisë dhe shkalla e rritjes së kostos së shpenzimeve sociasle, shëndetësore dhe arsimore.
Nëse këta faktorë lëvizin në një drejtim të favorshëm apo të pafavorshëm, do të përcaktojë natyrën dhe shtrirjen e përgjigjes fiskale të nevojshme për stabilizimin e borxhit kombëtar si pjesë e PBB-së.
Një rezultat ndoshta i pafavorshëm duhet të peshojë më shumë në planifikimin e ardhshëm sesa kostoja oportune e kursimit tani.
Por, nëse shikojmë rritjen e produktivitetit dhe nivelin e kostos së shpenzimeve si më lart, duket se ato janë marrë me rezerva në konsideratë. Aq më tepër problematikat e shtuara nga mbajtja e ekonomi9së informale në atë masë që po sfidon politikat e qeverisë prej vitesh tashmë, shihen se merren përsëri pak në konsideratë kur hartohen programet fiskale.
Kjo paqartësi e prejarshur edhe nga këta faktorë duket te ndryshimet 2-3 herë në vite të zakonshme të buxhetit, duke rialokuar shpenzime apo të ardhura që duket se nga të dyja krahët e bilancit të buxhetit kanë tejkaluar parashikimet.
Përcjellja më efektive e pasigurisë, ndoshta do të ishte duke i kërkuar zyrës së Buxhetit të Ministrisë së Financave të përfshijë një vlerësim sasior të shkallës së pasigurisë së pranishme në parashikimet e saj.
Kjo do të ishte një hap në drejtimin e duhur drejt adresimit të pasigurisë së përfshirë në politikëbërjen fiskale.
Një tjetër opsion i politikës do të ishte t’i nënshtrohej buxhetit të qeverisë një lloj “testi stresi”, në mënyrë që të përcaktohej aftësia e qeverisë për të përmbushur nevojat e saj nëse krijohen kushte të pafavorshme.
Së fundi, nëse do të përdoreshin rregullimet automatike për të siguruar stabilitet buxhetor dhe për të siguruar ndarjen e duhur të rrezikut ndër vite, kjo do të reduktonte nevojën që Kuvendi i Shqipërisë të bënte vazhdimisht ndryshime në legjislacion në përgjigje të rrethanave.
Pas një rritje të ekonomisë kryesisht, për arsye të pompimit të pamatur të parave në sektorin e infrastrukturës (fonde publike) dhe ati të pasurive të paluajtshme (fonde private), si dhe një shfrytëzimi të burimeve natyrore jo efektivisht, por në mënyrë shkatërrimtare për të ardhmen, tashme në kushtet kur sektorët e tjerë janë asistuar nga politikat dhe buxheti sa për të mbijetuar duket se po vijnë ato periudha kur parashikkimet buxhetore bëhen shumë të vështira dhe me rritje të pasigurisë.
Ne mund të përballemi me krizë ekonomike të parashikueshme në periudhat e ardhme, pasi pas një modeli ekonomik jokonkurues, pas vijimësisë duke i mëshuar shfrytëzimit të pasurive të paluajtshme për akomodim vizitorës (turizmi) dhe një shërbimi që nuk është me shumicë në librat e llogarive të buxhetit duket se tregu po fillon të lëvizë.
Ai nuk duket se po lëviz ngadalë, pasi shumë veprime nuk janë pjesë e transparencës dhe ndërkohë ato po lëvizin me shpejtësi. Ekonomia do të zgjohet një ditë dhe do të shikojmë buxhetin tonë dhe do të kuptojmë se sa jofunksionale kanë qenë politikat rregullatore dhe buxhetore, të cilat janë varur nga borxhi dhe rruga fiskale duke u bazuar te taksat e konsumit, në të cilin ne shikojmë se ka paqëndrueshmëri për arsye të largimit të konsumatorëve me peshë.
Një shpërthim i ri i pasigurisë në politikën tatimore në kaudër të Paketës Fiskale nuk është një faktor neutral për çmimet, sepse, kostot për bizneset për çdo vit që është diskutuar paketa fiskale kanë patur tendencë rritje, për të pararprirë paqartësitë e kësaj politike. Kur bizneset perceptojnë më shumë luhatshmëri në ekonomi (cilido qoftë burimi), ata do të duan të “gabojnë” në anën e çmimeve më të larta, gjë që rezulton në më shumë inflacion, rritje më të lartë dhe më pak aktivitet ekonomik.
Edhe me këto komente, ne ende nuk e dimë nëse do të dëshironim të eliminonim pasigurinë fiskale nëse mundemi për vitin 2025 e në vijim.
Një gjë duket se është e qartë se e gjithë politika fiskale ka një kosto, por ndoshta ky është një çmim i domosdoshëm për të paguar për debatin politik toksik dhe një buxhet që nuk shkon aty ku ka nevojë realisht qytetari dhe ekonomia prodhuese.
[1] fleksibiliteti i qeverisë në zgjedhjet e saj të shpenzimeve dhe, apo për mbarëvajtjen financiare
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.