Nga të dhënat e Buxhetit të Shtetit 2021, si dhe të
Buxhetit Vendor të Bashkisë Berat 2021 duke i krahasuar edhe me të dhënat sipas monitorimit të buxhetit faktik vërehet se për menaxhimin e mbetjeve dhe mjedisin ka një vëmendje mbi nivelin e shpenzimeve për programet e tjera në Berat.
Nisur nga përmbajta e të dhënave të grafikut, shihet se Buxheti i Shtetit për vitet 2018-2021 ka planifikuar 75 milion lekë nga një fond i planifikuar gjithsej prej 2.89 miliard lekë për projektin “Sistemi i Menaxhimit te Mbetjeve te Ngurta ne Qarkun e Beratit”, i cili është programuar të përfundojë në vitin 2023.
Nga performanca e deritanishme duke se nuk është shpenzuar më shumë se 3% e fondit të programuar për investim. Këto ritme janë mjaft të ulëta në zbatim për tu konsideruar edhe si investime efektive dhe të ndjeshme për ekonominë dhe mjedisin e zonës.
Pra, në këtë rast megjithëse adresimi i problematikës së menaxhimit të mbetjeve është zgjidhur me alokimin e fondeve direkt nga Buxheti i Shtetit nëpërmjet FSHZH, shihet se fizibiliteti i këtij projekti nuk justifikohe me efiçencën e ulët që do të sjellë, për arsye të mosrealizimit të investimeve në kohë, që përkthehet në vlerë të shtuar dhe punësim më të ulët për secilin vit të programit, por edhe taksa dhe përfitueshmëri të munguar në rast se investimi do të zbatohej sipas planifikimit.
Ndërsa Bashkia Berat ka performuar me efektivitet duke shpenzuar 87% të fondit të buxhetit vendor të ndryshuar. Edhe në buxhetin vendor të Beratit vërejhet vëmendje e veçantë për adresimin e zgjidhjeve duke alokuar 10% të fondit gjithsej të shpenzimeve gjithsej (40% të totalit të investimeve kapitale të Bashkisë).
Vëmendje!
Ky është rasti i një praktike të mirë të koordinimit midis dokumentit të politikave strategjike kombëtare, politikës vendore në zbatim të strategjisë kombëtare dhe zbatimit në terren, megjithë rezervat për vonesat në zbatim nga FSHZH deri në fund të vitit 2021.
Adresimi i problemeve mjedisore dhe furnzimit me ujë dhe fondet e alokuara nuk janë në nivele të njëjta të vëmendjes si në programin për menaxhimin e mbetjeve urbane duke lënë mundësi për akumulim të problematikave dhe zvarritje të tyre.
Në buxhetin e shtetit fondet e alokuara për programin “Infrastruktura e Mbrojtjes nga përmbytja” për Bashkinë Berat janë planifikuar në vlerën 67.4 milion lekë (sa 2.2% e vlerës së programit për gjithë vendin). Ky projekt ka filluar në vitin 2021 dhe mbaron në vitin 2022 dhe është në proces zbatimi nga fondet e buxhetit të shtetit. Programet e tjera, si: “Ndërtim i linjës kryesore dhe shpërndarëse të furnzimit me ujë të njësisë administrative Velabisht, bashkia Berat” dhe “Ujësjellësi i fshatit Duhanas, fshati Lapardha 1, Otllak dhe Orizaj, Bashkia Berat” janë planifikuar në shumën e përbashkët prej 6.53 miliard lekë (sa 1.2% e fondit gjithsej të Buxhetit të Shtetit për “Furnizimi me Ujë dhe Kanalizime”), në zbatim nga AKUM duke filluar nga viti 2020 deri në 2024.
Nga monitorimi i zbatimit faktik për vitin 2021 janë shpenzuar 288.1 milion lekë (4.4% e fondit të programuar). Këto ritme zbatimi janë të ngjashme me performancën e dobët të përmendur më lart për programin për mbetjet urbane.
Në një përmbledhje të investimeve të programuara për mbrojtjen e mjedisit, ujitjen dhe kullimin, administrimin e pyjeve dhe kullotave, investime per projektin “Olive Culture”, ndërtim ujësjellësish janë paguar për zbatimin e tyre vlera 12.1 milion lekë (sa 7.7% e vlerës së shpenzuar për investimet kapitale gjithsej në 2021 prej Bashkisë). Niveli i kryerjes së shpenzimeve (performanca dhe faturimi i punimeve) është 76% të planifikimit.
Nga Anketimi jonë, pyetjes për publikun se “Si do ta renditnit performancën aktuale të ofrimit të shërbimeve në Bashkinë tuaj”, lidhur me pastërtinë e përgjithshme të qytetit dhe mbetjet 40% e tyre ju përgjigjën “Keq”, 30% e tyre ju përgjigjën “Jo mirë” dhe vetëm 30% e tyre ju përgjigjën “Mirë” dhe “Shumë mirë”. Ky paralajmërim i një grupi qytetarësh synon për vëmendje të shtuar që duhet të marrë kjo temë për Bashkinë.
Ekspertiza dhe analiza e shoqërisë civile në funksion të mbrojtjes së ambjentit duke asistuar monitorim dhe zbatim të paketave ligjore dhe nënligjore duhet të jetë në fokusin e programeve dhe politikave qendrore dhe vendore.
Ndër shqetësimet e mëdha qytetare është si cilësia e ujit, përtej problemit të furnizimit, por edhe cilësia e ujit dhe rritja e investimeve dhe zbatimit të ligjit në favor të uljes së ndotjes së ambjentit.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.