Barra tatimore në vendet me taksim progresiv dhe ato me taksim të sheshtë, 2022
Sipas Raportit te barres tatimore te publikuar nga ALTAX, të hyrat fiskale nga vendet e BP-së që aplikonin para disa vitesh modelin e taksimit me norma progresive (Mali i Zi, Kosovë, Shqipëri, Serbi) të krahasuara me vendet që zbatonin taksimin me norma të sheshta (Maqedonia e Veriut, Bosnjë-Hercegovina) tregojnë barrë më të lartë me 1.8% dhe 2.1% të PBB-së në vitet respektive 2021 dhe 2022.
Pas këtyre viteve vendet e BP6 kanë filluar të modifikojnë sistemet tatimore drejt progresivitetit, si një nevojë për më shumë të ardhura, por edhe si një arsye për të rritur kapacitetin ne administrimit për shkak të krizës pandemike dhe presionit ndaj buxhetit në vitin 2022 e vijim prej luftës në Ukrainë dhe arsyeve mbrapa saj.
Në vitin 2022 dhe një vit para tij vërehet (Tab.6 dhe Tab.7), se përveç Serbisë që prezanton një nivel të lartë në rritje në 5 vitet e fundit, vendet e tjera nuk kanë efekt të dukshëm edhe pse kanë prezantuar norma progresive në tatimin mbi të ardhurat nga puna, por edhe nga kapitali.
Modeli i taksimit për të ardhurat mbi kapitalin dhe ato personale shikohet se nuk ka ndërlidhje me barrën e kontributeve të sigurimeve, apo edhe tatimet indirekte.
Shqipëria prej 2014 dhe pjesërisht edhe Mali i Zi dhe Serbia nga viti 2018-2019 aplikojnë sistem progresiv të tatimit mbi të ardhurat personale, i cili mbart mbi vete ende problemin e mprehtë dhe ende të pa adresuar për zgjidhje lidhur me zgjerimin e bazës së ngushtë të tatimeve mbi kapitalin dhe punën. Ballkani është karakterizuar në politika fiskale që janë fokusuar në stabilitet të normës së tatim fitimit, një tendencë përshtatje të taksimit progresiv për të ardhurat personale, ulje të lehta të normës së kontributeve sociale.
Po kështu, vendet që zbatojnë tashmë taksimin me norma progresive kanë barrë të kontributeve të ngjashme me vitet përpara aplikimit të normave tatimore progresive mbi pagën (viti 2019).
Në analizën e barrës së tatimeve mbi punën dhe normave tatimore, shihet se këto të fundit ndikojnë në mesataren e barrës fiskale dhe është e njëjta arsye edhe për barrën mesatare për barrën nga tatimet indirekte. Dizenjimi i sistemit tatimor, i cili mbahet ende prej tatimeve mbi konsumin është pak i fokusuar në shpërndarjen e barrës së tatimeve në tatimet direkte, pasi zgjerimi i bazës tatimore është një sfidë që lidhet me luftën ndaj informalitetit, luftën ndaj populizmit për taksa të ulëta, si dhe patronazhime politike të administratave
Nga krahasimi i nivelit të barrës fiskale për tatimet direkte të Ballkanit Perëndimor me mesataren për BE-28 diferenca është më shumë se dyfishi.
Ky fakt midis krahasimeve për të njëjtin model, ku nga njëra anë krahasohen politikat fiskale nëpërmjet normave tatimore, ndërsa nga ana tjetër krahasohen barra fiskale tregon se administrimi është ende duke punuar nën kapacitetet që mundëson legjislacioni fiskal në shtetet përkatëse, që ndër të tjera nënkupton praninë e lartë të evazionit fiskal.
Në barrën fiskale gjithsej, sipas kurbave të grafikut më poshtë duket se shtetet që kanë produktivitet të ulët në arkëtimet e një grupi përbërës të barrës fiskale gjithsej (p.sh. sigurimet, dhe taksat e tjera në Kosovë) kompensohen nga arkëtime më të larta nga një grup tjetër përbërës (tatimet Indirekte në Kosovë).
Nga studimet e ndryshme të kryera për informalitetin në tregun e punës në Ballkan është gjithnjë prezent shqetësimi i një informaliteti në tregun e punës që ndryshon dhe ulet me ritme më të ngadalshme se parashikimet dhe programet e qeverive ballkanike. Një bazë e ngushtë e tatimeve direkte tregon ende një tranzicion ende të pambyllur përsa lidhet me kontributin më të madh që duhet të mbajnë në buxhet tatimet direkte mbi të ardhurat nga kapitali dhe puna (kompanitë dhe individët).
Të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor zbatojnë një normë të sheshtë të tatimit mbi fitimin, përveç Shqipërisë dhe Kosovës.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.