Barra Tatimore në Kosovë*
Në Kosovë barra tatimore ka ardhur në rritje nga viti në vit. Barra tatimore e Kosovës, që peshon sa 26.2% e PBB-së kombëtare të vitit 2017. Barra tatimore është ulur lehtë me 0.1% të PBB-së kur e krahasojmë me vitin 2016. Peshën kryesore e mban Regjioni i Prishtinës me një barrë tatimore që është sa 9.4% e PBB-së e Kosovës dhe me një ulje të peshës me 1% të PBB-së. Regjioni i dytë me barrën më të lartë në PBB është Prizreni me një barrë sa 4.5% e PBB-së. Gjithë regjionet e tjera kanë një peshë poshtë nivelit mesatar të barrës regjionale. Më shumë se gjysma e barrës tatimore që është derdhur në formën e taksave dhe tatimeve në buxhet nga administrata tatimore dhe doganore kosovare i përket Prishtinës, Ferizaj dhe Prizrenit.
Regjioni i Ferizaj mban vendin e katërt, ku pesha e taksave dhe tatimeve është sa 3.4% e PBB-së së Kosovës. Në vend të katërt renditet regjioni i Gjakovës me 2.8% të PBB-së dhe më tej vijon regjioni i Gjilanit, i cili është i ngarkuar me një barrë sa 2.7% e PBB-së. Në regjionin e Pejës barra tatimore peshon sa 2.3% e PBB-së. Vendin e fundit e mban regjioni i Mitrovicës me një barrë tatimore sa 1.7% e PBB-së.
Nga analiza e renditjes së peshës së të ardhurave në PBB me peshën e banorëve ndaj popullsisë së vendit shikohet, se përveç tre qyteteve më të mëdhenj të Kosovës, të pozicionuar në tre vendet e para, të gjithë zonat e tjera kanë një peshë të ardhurash më të vogël se pesha e banorëve. Kjo mospërputhje ashtu si edhe në rastin e Shqipërisë spjegohet me përqëndrimin e konsumit dhe industrisë e tregtisë me shumicë në këto qarqe. Nga ana tjetër, edhe në Kosovë janë shfaqur vit pas viti probleme me performancën e administrimit fiskal. Treguesi më i plotë është rënia e efekteve të arkëtimeve nga TVSH, pas shkallëzimit të saj, si dhe rritjes me 2% për vitin 2016. Edhe pse pati këtë rritje në normën e TVSH nuk pati një administrim që të tregonte se kjo vlerë e shtuar duhet të shkonte direkt në buxhet, në mënyrë vullnetare.
Një faktor ndikues gjithashtu edhe në Kosovë lidhet me shpërndarjen e mallrave dhe shërbimeve për konsum, të cilat kanë një prirje të konsumohen jashtë zonës ku krijohen apo prodhohen drejt eksportit apo në zonat me dendësi popullsie. Por, problemi që ende nuk po kufizohet është evazioni, i cili vjen nga një ekonomi informale e rritur. Përqindja më e lartë e shërbimeve të pataksuara është një ndër problemet më të mprehta dhe masive për tregun kosovar.
Lufta ndaj evazionit fiskal, duhet të jetë fokusi kryesor i politikave fiskale, si pjesa e munguar që të mos jetë vetëm një mënyrë për të rritur të hyrat e qeverisë, por gjithashtu të shndërrohet në një mënyrë për të rritur barazinë e sistemit tatimor për tatimpaguesit. Kjo luftë do të diktojë edhe një transparencë më të plotë dhe një nevojë për të përmirësuar besueshmërinë e sistemit tatimor te qytetarët dhe bizneset.
Regjionet me barrën tatimore më të ulët
Sipas raportit të tatimeve të paguara në vitin 2017 me prodhimin e brendshëm të regjionit për vitin 2017, barra tatimore më e ulët është në regjionin e Mitrovicës duke zbritur në 2017 tre pozicione më poshtë nga pozicioni që mbante në 2016 (vendi 4). Në këtë regjion barra tatimore është jo më shumë se 24.8% e PBB-së respektive regjionale. Ky regjion, nisur edhe nga mungesa e një stabiliteti social dhe mosfunksionim me kapacitet të plotë të administrimit fiskal është kthyer edhe në një zonë që po kthehet në strehën e evazionistëve dhe kontrabandistëve fiskalë.
Edhe pse barra tatimore midis regjioneve ka diferenca shumë të vogla, në vend të gjashtë për barrën tatimore të ulët është Prizreni me 25.1% të PBB-së regjionale, i cili në vitin 2016 mbante pozicionin e vendit të tretë. Në regjionet që mbajnë barrën më të ulët është Gjakova (25.4% të PBB-së regjionale), e cila ka një mbizotërim të biznesit të vogël dhe atij mikro duke krijuar vështirësi për të paguar tatimet sipas ligjit në mënyrë vullnetare, por edhe për shkak të mungesës së kulturës fiskale për pagimin e taksave.
Regjioni i Pejës, i cili në vitin 2016 mbante pozicionin e gjashtë, tashmë në vitin 2017 është ngjitur dy pozicione duke mbajtur një barrë tatimore sa 25.5% e PBB-së regjionale. Megjithatë, edhe pse barra është rritur, ajo konsiderohet si më e ulët se mesatarja e barrës tatimore të Kosovës.
Arsyet e një barre tatimore të ulët gjenden më së shumti te kufizime të biznesit në këto zona, por edhe në një performancë që lidhet me probleme në administrimin në terren. Nga ana tjetër, informaliteti dhe korrupsioni kanë dhën një ndikim në mbajtjen e barrës tatimore të paekspozuar dhe jotransparente për buxhetin.
Regjionet me barrën tatimore më të lartë
Barra tatimore më e lartë, në Kosovë është në regjionin e Prishtinës, që mban një barrë me të paktën 22.6% të PBB rajonale. Edhe për vetë strukturën e administrimit tatimor të Kosvës kjo barrë është më elartë për shkak të përqëndrimit të aktiviteteve private dhe publike përreth këtij regjioni.
Edhe regjioni i Ferizaj, i cili gjendet në kufi me Maqedoninë mban një barrë tatimore që renditet në vendin e dytë në Kosovë me 17.5% të PBB-së regjionale. Regjioni i Prizrenit, që për nga rëndësia e ekonomisë kosovare mban një peshë me më shumë se 22% ka gjithashtu edhe një barrë tatimore që renditet në vend të tretë me 14.5% të PBB-së.
Të gjashtë regjionet dhe komunat, që përfshihen brenda tyre konsiderohen me barrë tatimore më të ulët se barra tatimore e qarqeve të Shqipërisë, por edhe nën nivelin kombëtar të barrës tatimore.
Kështu nëse krahasojmë për nga ngjashmëria e pozicionit gjeografik dhe numri i popullsisë regjionin e Prishtinës me qarkun e Tiranës, krahasimi midis tyre nxjerr një barrë tatimore për takspaguesit e Tiranës 6.8 pikë përqind më të lartë. Po kështu edhe qarku u Kukësit që regjistron barrën më të ulët tatimore në Shqipëri është 11.8 pikë përqind më e lartë se barra tatimore e regjionit të Gjakovës.
Edhe pse krahasimi nuk mund të quhet korrekt gjithsesi është me vlerë për të parë se si ka ndikuar kjo barrë në zhvillimin ekonomik rajonal në të dy vendet, si dhe po ashtu a është shtuar investimi i huaj nsiur nga fakti se barra është më e ulët në Kosovë sesa në Shqipëri.
Në fakt, ashtu si u komentua edhe më lart barra tatimore nuk është elementi i vetëm që merret në konsideratë nga investitorët. Por gjithsesi një barrë e ulët tregon se zhvillimi i kapaciteteve dhe teknologjia në përdorim janë ende në rrugën e tyre të forcimit dhe depërtimit më të madh në ekonomi.
* http://altax.al/al/publikime-te-altax/product/barra-tatimore-ne-shqiperi-kosove-dhe-ballkan-2018
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.