ALTAX: Lojërat e fatit po funksionojnë në “zonë gri”, evazioni arrin nivele rekord, ligji mbetet i pazbatuar
ALTAX ka publikuar një analizë të thelluar mbi situatën e lojërave të fatit dhe basteve online në Shqipëri, duke nxjerrë në pah një nga problematikat më të mëdha fiskale dhe ligjore të viteve të fundit.
Raporti tregon se, pas ndryshimeve të Ligjit Nr. 155/2015 në mars 2024, sistemi pritej të futej në një fazë të re kontrolli, transparence dhe të ardhurash më të sigurta për buxhetin. Mirëpo kjo reformë ka mbetur pezull për shkak se 11 aktet nënligjore të nevojshme nuk janë miratuar ende nga Këshilli i Ministrave, duke bllokuar procesin e licencimit dhe duke krijuar boshllëqe të mëdha rregullatore.
Sipas analizës së ALTAX, situata aktuale ka sjellë pasoja të drejtpërdrejta ekonomike dhe institucionale.07
Rreth 70% e tregut të basteve online operon sot në mënyrë të paligjshme përmes platformave të huaja dhe përdorimit masiv të VPN-ve. Kjo ka shkaktuar një humbje vjetore për buxhetin që vlerësohet 7–12 miliardë lekë, ndërkohë që potenciali i pashfrytëzuar fiskal mund të sillte deri në 18 miliardë lekë në vit, nëse ligji do të zbatohej plotësisht.
Raporti tregon se pezullimi i dhënies së licencave deri në fund të vitit 2025 ka lënë operatorët e ligjshëm jashtë tregut, ndërsa tregu i paligjshëm është zgjeruar në mënyrë të paprecedentë.
Përfitimet ndërkohë i marrin platforma të huaja që nuk paguajnë tatime në Shqipëri dhe që nuk monitorohen nga autoritetet fiscale dhe financiare. Në këtë ambient informaliteti, rritet edhe rreziku për pastrim parash, duke e kthyer këtë sektor në një zonë të pa kontrolluar të ekonomisë dixhitale.
Raporti i ALTAX bazohet në burime institucionale (AMLF, Drejtoria e Tatimeve, KLSH), si dhe në materiale të verifikuara mediatike, duke dokumentuar çdo fakt me një metodologji të qartë hetimore.
Përmes analizës janë identifikuar disa problematika kyçe, si: mungesa e koordinimit mes institucioneve, mungesa e monitorimit elektronik në kohë reale, dobësia e kontrolleve të DPT-së dhe mungesa e një rregullimi funksional që do të siguronte konkurrencë të ndershme dhe formalizim të tregut.
ALTAX thekson se Shqipëria sot ndodhet përballë rrezikut të “legalizimit të ilegalitetit”, ku ligji ekziston, por nuk ka fuqi zbatuese. Për të shmangur thellimin e krizës, analiza sugjeron veprime të menjëhershme me miratimin e akteve nënligjore, rifillimin e procesit të licencimit, ngritjen e një sistemi dixhital monitorues të ngjashëm me modelin italian, si dhe forcimin e inspektimeve.
Raporti nënvizon se, nëse këto hapa ndërmerren brenda vitit 2025, sektori i lojërave të fatit mund të shndërrohet në një burim të rëndësishëm të ardhurash dhe transparence, duke ulur ndjeshëm evazionin dhe duke rritur besimin publik në administratën fiskale. Në të kundërt, çdo vonesë e mëtejshme rrezikon të konsolidojë informalitetin dhe të thellojë humbjet buxhetore që tashmë shkojnë në qindra milionë euro.
ALTAX sjell këtë raport si një instrument analitik për publikun, politikëbërësit dhe partnerët ndërkombëtarë, duke hapur një debat të domosdoshëm mbi reformimin e një sektori që ka ndikim të drejtpërdrejtë në integritetin financiar të vendit.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.