A ndikojnë aleancat politike/ushtarake për të forcuar fluksin tregtar dhe ekonominë?
Aleancat kanë rëndësi në parashikimin e rezultateve tregtare, sepse qeveritë i harmonizojnë politikat tregtare me interesat e sigurisë kombëtare dhe bizneset marrin parasysh marrëdhëniet politike midis shteteve kur vlerësojnë rrezikun[1].
Shtetet dhe bizneset jo vetëm që marrin parasysh marrëdhëniet politike dhe aleancat kur formojnë tregtinë ndërkombëtare, por ato gjithashtu fokusohen në mënyrë thelbësore në përfitimet direkte dhe indirekte të aleancës.
Është e ngjashme si partneriteti mes dy bizneseve, ku ai që përpiqet të hyjë në këtë marëdhënie njihet dhe përpiqet të përfitojë edhe nga emri i mirë i partnerit tjetër.
Nivelet më të larta të tregtisë rezultojnë kur shtetet kanë më shumë aleanca të përbashkëta dhe kur janë në të njëjtin komunitet aleance. Anëtarësimi i përbashkët në një komunitet aleance parashikon një rritje të tregtisë. Ky efekt zmadhohet kur merren parasysh shtetet me peshën ndikuese më të madhe në rrjetin e aleancës dhe që ofrojnë edhe tregjet e mëdhenj të vendeve të tyre
Kështu, nëse komentojmë pjesëmarrjen në NATO të Shqipërisë prej vitit 2008 duket se e gjitha kjo qasje e ngushtë drejt aleancës politiko-ushtarake ka kontribuar kryesisht në rritjen dhe frocimin e integritetit territorial dhe të të sigurisë duke krijuar
– një tjetër rrjet komunikimi dhe informimi, garantim i shpenzimeve të përbashkëta për mbrojtjen dhe lehtësimin e buxhetit
– përmirësim marëdhëniesh me partnerë brenda aleancës dhe rritje e vëmendjes për ekonominë e vendit nga ta
– reformim të demokratizimit të vendit
– siguri dhe hapje më të lartë për marëdhëniet tregtare të importit dhe eksportit
Nëse shikojmë statistikat e tregtisë së jashtme të vendit tonë me jashtë vërehet se nga viti 2008 eksportet dhe importet kanë shënuar rritje[2] me 16% dhe ky volum vijoi i tillë dhe në rritje prej atëherë[3].
Ndërkohë, konfliktet globale dhe të vazhdueshme gjeopolitike duket se kanë patur ndikimin e tyre mbi tregtinë, inovacionin teknologjik dhe rritjen ekonomike të secilit vend të aleancës politike, pasi kjo marëdhënie e krijuar bazuar mbi sigurinë politike harmonizon në mënyrën më të mirë të mundshme kërkesat për lëndë të para, mallra dhe shërbime së pari brenda komunitetit dhe më tej në po të njëjtën mënyrë ofron edhe mallra, shërbime dhe teknologji që i shërben interesave specifike të secilit vend për të ruajtur balancat e veta rajonale.
Në këtë marëdhënie natyrisht që ka një qasje ekonomike mes vendeve, që përshtatet edhe me kostot dhe nivelin e ekonomisë së vendeve të vogla dhe në zhvillim brenda aleancës. Ndërkohë, në kushtet e zbatimit të pikave të marrëveshjes mes vendeve, natyrisht që vendet që kanë edhe rol të spikatur gjeostrategjik janë edhe më të përshtatshmit të përfitojnë më shumë duke krijuar edhe përshtatjen e territorit të tyre për transferim teknologjie, vendosje baza ushtarake apo teknologjike, të cilat janë një rritje e konsumit brenda vendit edhe pse pesha e konsumit në nivel kombëtar mund të jetë modeste. Por, përfitimi në këto raste shikohet me shtrirjen kohore të marrëveshjeve të tilla dhe një rast që mund të përmendet pozitivisht është Greqia fqinje dhe përfitimi nga bazat e NATO-s në Kretë, apo baza në Bondsteel në Kosovë dhe baza të ngjashme në vende të tjera të Europës[4].
Mirëpo, ndikimi në rritje i Kinës[5] apo Rusisë ka gjeneruar efekte të thella në vendimet politike dhe ekonomike të vendeve të saj partnere, por edhe atyre ku ajo synon që të rritë ndikimin e vet nëpërmjet qasjes së marrëveshjeve ekonomike dhe pastaj duke e kushtëzuar me marëdhënie më të forta politike dhe pse jo edhe ushtarake.
Duke u mbështetur në teorinë e dobisë, marrëdhënia politike duket se është një përcaktues kryesor i marëdhenieve që lindin të pakontrolluara nga shtetet midis konsumatorëve dhe kompanive tregtare dhe rrjedhimisht edhe ndërveprimet midis importuesve dhe eksportuesve. E gjitha kjo ndodh në kushtet e përdorimit të teknologjisë për komunikim dhe aktivitet në rritje në vitet e fundit. Ndërkohë, marrëdhëniet politike mes shteteve duket se ndikohen pak nga ndryshimet dhe kahet e marëdhënieve të individëve dhe kompanive në tregti.
Nisur nga çorientimi politik dhe ekonomik, i ndikuar nga ndryshimet gjeoekonomike dhe politike, si dhe rritja e egoizmit politik të liderëve të vendeve të vogla si Shqipëria, ku raportet që publikohen p.sh. nga Departamenti i Shtetit tregojnë probleme të mprehta mbi korrupsionin, përtej anëtarësimit në aleancën politike dhe ushtarake është e nevojshme edhe një sens më i zgjuar i ndërthurjes së pozitiviteteve që duhet të bjerë më tej ky anëtarësim.
Në këtë rast nevojitet që transparenca e munguar lidhur me përfitimet prej anëtarësimit në aleanca politike, të mos trajtohet si një avantazh politik prej qeverive duke synuar rritjen e kapitalit politik. Në secilin rast të përfitimeve duhet transparencë për mënyrën se si janë menaxhuar nga qeveria ofertat e integritetit dhe sigurisë me një qasje fitimprurëse në terma afatgjatë dhe jo për përfitime të momentit, kryesisht politike dhe elektorale.
Bashkëpunimi ekonomik dhe i sigurisë brenda aleancës mund të çojë në humbjen e avantazheve favorizuese të vendit (standartet demokratike, burime natyrore, etj.) duke vendosur në pozita disavantazhi bizneset vendase dhe ekonominë së bashku me objektivat për rritje të mirëqenies. Zakonisht, aleatët më të mëdhenj tolerojnë politika patriotizmi nën logon kombëtare nga aleatët më të vegjël për të mbajtur një bashkëpunim të qëndrueshëm. Edhe pse lidhja e marrëveshjeve ekonomike dhe të sigurisë në kuadër të aleancës mund të rezultojë në rritjen e shkëmbimit ekonomik midis shteteve aleate, kjo duhet parë e lidhur ngushtë me politikën afatgjatë dhe ruajtjen e bazave të garantuara nga Kushtetuta dhe tradita historike.
Megjithatë, është e rëndësishme të theksojmë se rritja e tregtisë midis aleatëve zvogëlon gjasat e luftërave me çdo vend tjetër, duke përfshirë dhe shtetet jo-aleate.
Në fund të fundit, pjesëmarrja e Shqipërisë në aleancën ushtarake duhet të bazohet në përmbushjen e disa objektivave të rëndësishëm, të tilla si: përmirësimi afatgjatë i marrëdhënieve ekonomike përmes shkëmbimit të teknologjisë civile dhe ushtarake, bashkëpunimin me efekte të ndjeshme në politikat tregtare dhe promovimin e stabilitetit përmes stimujve dhe politikave lehtësuese tregtare, ku kahet e marëdhënies të jenë të dyanshme.
Kështu, një shembull kuptimplotë në këtë drejtim është ndihma ushtarake që me gjasa vjen nga vendet e aleancës në buxhetin e mbrojtjes së Shqipërisë në vitit 2024, ku 1% të PBB-së mbulohet me fonde të brendshme dhe 1% tjetër të PBB-së mbulohet nga fondet e huaja.
Po kështu, puna për bazën ajrore dhe teknologjike e NATO-s në Kuçovë si dhe ndihma të karakterit teknologjik dhe logjistik në luftën ndaj krimit, ndaj paligjshmërisë dhe ndaj garantimit të integritetit territorial, si dhe rritja e rolit përfaqësues të Shqipërisë në forume me peshë shumë të lartë politike dhe historike janë të tjerë shembuj të vlefshëm për përfitimet e Shqipërisë nga pjesëmarrja në aleancën politike.
I gjithë ky fluks i ndikimeve direkte dhe indirekte rrit më së shumti edhe ekonominë, ku rasti i hyrjeve të numrit në rritje të vizitorëve të huaj në vend në vitin 2023 është meritë edhe e sigurisë që prezanton Shqipëria në panoramën e trazuar rajonale dhe më gjerë.
Në fund të fundit, çdo marëdhënie mes vendeve dhe njerëzve, që nga kohërat e lashta ka patur dhe ka në thelbin e vet pikërisht ekonominë dhe përfitimin për bizneset dhe individët prej zgjerimit të marëdhënieve.
[1] https://www.jstor.org/stable/43920602
[2] https://www.instat.gov.al/media/1472/foreign-trade-2005-2009.pdf
[3] https://www.instat.gov.al/al/temat/tregtia-e-jashtme/tregtia-e-jashtme-e-mallrave/#tab3
[4] https://ministrialajmeve.com/lista-e-bazave-ushtarake-te-shba-ve-ne-evrope/
[5] https://jshippingandtrade.springeropen.com/articles/10.1186/s41072-020-00076-w
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.