PBB rajonale 2024 dhe lidhja me modelin e rritjes nga “Shqipëria 1.0” drejt “Shqipëria 2.0
Të dhënat e INSTAT për PBB-në sipas rajoneve statistikore (botuar nëntor 2026, me rishikim metodologjik që integron Censin e Popullsisë 2023) japin një pamje të rëndësishme të strukturës dhe shpërndarjes territoriale të ekonomisë shqiptare.
Rritja reale kombëtare prej 4,03 % në vitin 2024, e parë në vetvete, mund të krijojë përshtypjen e një ecurie pozitive dhe relativisht të qëndrueshme. Megjithatë, analiza e shpërndarjes rajonale dhe e përbërjes sektoriale tregon se kjo rritje mbështetet në një bazë të përqendruar gjeografikisht dhe ekonomikisht. Në thelb, ajo pasqyron karakteristikat kryesore të modelit aktual të zhvillimit, të cilin e identifikojmë si “Shqipëria 1.0”.
Treguesi më domethënës që del nga të dhënat e vitit 2024 është përqendrimi i lartë i aktivitetit ekonomik në Tiranë dhe në rajonin qendror. Pesha e kryeqytetit në PBB-në kombëtare ka arritur në 46,94 %, me një rritje prej 1,19 pikësh përqindjeje krahasuar me vitin 2023. Kjo do të thotë se pothuajse gjysma e prodhimit të brendshëm të vendit gjenerohet në një qark të vetëm.
Kontributi i Tiranës në rritjen reale kombëtare arrin në 3,24 pikë përqindjeje, ose rreth 80 % të rritjes së përgjithshme. Me këtë tendencë kuptohet, se zgjerimi ekonomik i vendit nuk është rezultat i një dinamike të shpërndarë ndërmjet territoreve, por mbështetet kryesisht në performancën e një qendre të vetme ekonomike. Përqendrimi bëhet edhe më i dukshëm kur Tirana analizohet së bashku me Elbasanin, duke e çuar peshën e rajonit Qendër në 52,87 % të PBB-së kombëtare.
Dallimet ndërmjet rajoneve janë të konsiderueshme, siç tregon edhe krahasimi i mëposhtëm.
| Treguesi | Vlera 2024 | Kontributi / Shënim |
|---|---|---|
| PBB kombëtare (çmime korente) | 2.517.279 mln lekë | Rritje reale +4,03 % |
| Qarku Tiranë | 1.181.513 mln lekë | 46,94 % e PBB-së (+1,19 pp nga 2023) |
| Kontributi i Tiranës në rritje | +3,24 pp | Rreth 80 % e rritjes totale kombëtare |
| Rajoni Qendër (Tiranë + Elbasan) | 52,87 % e PBB-së | Rritje reale +6,43 % |
| Rajoni Veri | 21,68 % | Rritje reale +1,60 % |
| Rajoni Jug | 25,45 % | Rritje reale +1,31 % |
Në kontrast, qarqet periferike si Dibra, Kukësi dhe Shkodra kanë kontribuar secili vetëm me rreth 0,01 pikë përqindjeje në rritjen kombëtare. Përveç Tiranës, vetëm Durrësi me +0,29 pikë përqindjeje dhe Vlora me +0,15 pikë përqindjeje paraqesin kontributet më të dukshme. Kjo shpërndarje dëshmon se ekonomia shqiptare po zhvillohet me ritme dhe kapacitete të ndryshme territoriale, duke krijuar një hendek ndërmjet qendrave që tërheqin investime, kapital dhe fuqi punëtore dhe territoreve që kanë vështirësi të gjenerojnë aktivitet ekonomik të mjaftueshëm.
Pabarazitë në PBB-në për frymë dhe diferencat e mirëqenies territoriale.
Përqendrimi i prodhimit ekonomik shoqërohet me diferenca të theksuara në PBB-në për frymë. Mesatarja kombëtare në vitin 2024 është 1.059 mijë lekë, por kjo vlerë fsheh dallime të konsiderueshme ndërmjet qarqeve.
Tirana arrin në 1.556 mijë lekë për frymë, rreth 47 % mbi mesataren kombëtare, ndërsa Durrësi pozicionohet në 1.152 mijë lekë, ose 8,8 % mbi të. Fieri, me 1.034 mijë lekë, mbetet pak nën mesataren. Në skajin tjetër, Kukësi regjistron vetëm 568 mijë lekë për frymë, ndërsa Dibra dhe Berati arrijnë përkatësisht në 610 dhe 613 mijë lekë.
Diferenca ndërmjet Tiranës dhe Kukësit është gati 2,7 herë, një tregues që pasqyron jo vetëm ndryshimin në madhësinë e aktivitetit ekonomik, por edhe pabarazinë në mundësitë për punësim, të ardhura, investime dhe akses në shërbime. Në nivel rajonal, Qendra qëndron rreth 27 % mbi mesataren kombëtare, ndërsa Veriu dhe Jugu pozicionohen afërsisht 19–20 % nën të.
Diferencat nuk duhen interpretuar thjesht si rezultat i specializimit ekonomik të territoreve, pasi nuk jemi në këto situata zhvillimi. Më së shumti, ato tregojnë shpërndarjen e pabarabartë të faktorëve që mundësojnë rritjen e produktivitetit, veçanërisht të kapitalit njerëzor, investimeve, infrastrukturës ekonomike dhe aktiviteteve me vlerë të shtuar më të lartë. Për rrjedhojë, PBB-ja për frymë shihet si një tregues i rëndësishëm i distancës ndërmjet potencialit ekonomik të territoreve dhe mundësive reale të paaktivizuara, që ato i kanë për ta shndërruar këtë potencial në mirëqenie.
Struktura sektoriale shfaqet me dy realitete ekonomike brenda një vendi.
Diferencat territoriale bëhen edhe më të qarta kur shqyrtohet struktura sektoriale e ekonomisë. Në nivel kombëtar, bujqësia, pyjet dhe peshkimi përfaqësojnë rreth 17,7 % të Vlerës së Shtuar Bruto (VSHB), industria 12,8 %, ndërtimi 14,1 %, ndërsa tregtia, akomodimi dhe transporti së bashku arrijnë në rreth 21,8 %. Aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike përfaqësojnë 8 %, ndërsa administrata publike, arsimi dhe shëndetësia zënë 13,1 %. Informacioni dhe komunikacioni mbeten në një peshë relativisht të ulët, prej 2,8 %.
Megjithatë, mesatarja kombëtare nuk e pasqyron realitetin e ekonomive rajonale.
Në disa qarqe periferike, bujqësia vazhdon të jetë aktiviteti ekonomik dominues. Ajo përfaqëson 39,5 % të strukturës ekonomike në Dibër, 47,7 % në Berat, 45,6 % në Fier, 37,4 % në Kukës dhe 39,1 % në Korçë. Këto përqindje tregojnë varësinë e lartë të ekonomive lokale nga një sektor që, pavarësisht rëndësisë së tij për punësimin dhe sigurinë ushqimore, karakterizohet ende nga fragmentimi i fermave, produktiviteti i kufizuar, vështirësitë në aksesin në tregje dhe niveli relativisht i ulët i përpunimit të produkteve.
Në Tiranë, struktura ekonomike paraqitet krejt ndryshe.
Bujqësia zë vetëm 1,68 %, ndërsa ndërtimi dhe tregtia, akomodimi e transporti përfaqësojnë përkatësisht 17,2 % dhe 25,3 %. Aktivitetet profesionale dhe teknike arrijnë në 12,7 %, administrata publike, arsimi dhe shëndetësia në 17,2 %, ndërsa informacioni dhe komunikacioni në 5 %. Kjo strukturë tregon një diversifikim më të madh të aktivitetit ekonomik dhe një përqendrim të shërbimeve profesionale, administrative dhe tregtare në kryeqytet.
Durrësi paraqet një profil më të industrializuar, ku industria zë rreth 20,6 % të aktivitetit ekonomik, ndërsa Vlora karakterizohet nga një peshë më e lartë e ndërtimit dhe turizmit.
Këto dallime tregojnë se ekonomitë rajonale kanë profile të ndryshme, por aspak modele zhvillimi që krijojnë lidhje të qëndrueshme ndërmjet prodhimit, inovacionit, punësimit cilësor dhe tregjeve të eksportit.
Nga kjo situatë divergjencash sektoriale kuptohet se vendi jonë po përjeton një ndarje funksionale ndërmjet një ekonomie urbane të përqendruar në shërbime, ndërtim dhe aktivitete profesionale, dhe një ekonomie periferike që vazhdon të mbështetet në sektorë tradicionalë me produktivitet më të ulët. Kjo ndarje përbën një nga kufizimet strukturore të modelit aktual të rritjes.
Tendencat e zhvillimit dhe diagnostikimi i modelit “Shqipëria 1.0”.
Të dhënat e vitit 2024 nuk paraqesin një ndryshim të papritur në drejtimin e ekonomisë shqiptare. Përkundrazi, ato konfirmojnë dhe thellojnë prirjet e dekadës së fundit.
Rritja ekonomike vazhdon të jetë e përqendruar në pak territore dhe e mbështetur në aktivitete që nuk garantojnë domosdoshmërisht rritje të lartë e të qëndrueshme të produktivitetit.
Ndërtimi, tregtia, akomodimi dhe shërbimet e lidhura me turizmin kanë luajtur rol të rëndësishëm në zgjerimin ekonomik, por ndikimi i tyre në transformimin e kapaciteteve prodhuese mbetet i kufizuar kur nuk shoqërohet me investime teknologjike, zinxhirë furnizimi vendas dhe rritje të aftësive profesionale.
Bujqësia paraqet një tjetër kontradiktë të modelit. Pesha e saj në ekonominë kombëtare është reduktuar, por në shumicën e qarqeve vazhdon të jetë një nga burimet kryesore të aktivitetit ekonomik dhe punësimit. Kjo tregon se tkurrja relative e sektorit nuk është shoqëruar në të gjitha territoret me një zhvendosje drejt aktiviteteve më produktive. Në shumë raste, ekonomitë lokale nuk kanë arritur të krijojnë alternativa të reja që të kompensojnë kufizimet e sektorëve tradicionalë.
Ndërkohë, kapitali njerëzor dhe aktivitetet me vlerë të shtuar më të lartë, veçanërisht shërbimet profesionale, teknologjike dhe financiare, mbeten të përqendruara kryesisht në Tiranë. Ky përqendrim krijon një mekanizëm vetëpërforcues: investimet dhe talentet orientohen drejt qendrës, ndërsa territoret periferike humbasin gradualisht kapacitetet për të krijuar aktivitet ekonomik të ri.
Rritja e peshës së Tiranës me 1,19 pikë përqindjeje brenda një viti është një tregues domethënës i këtij procesi. Ajo tregon se diferencat territoriale nuk janë si një trashëgimi e zhvillimit të pabarabartë, por vazhdojnë të prodhohen dhe të thellohen nga dinamika aktuale e ekonomisë.
Në këtë kontekst, modeli aktual që ne e kemi emërtuar “Shqipëria 1.0” mund të përkufizohet si një model rritjeje që mbështetet në zgjerimin e konsumit, ndërtimit, turizmit sezonal, tregtisë dhe flukseve financiare nga jashtë, përfshirë remitancat, ndërkohë që akumulimi i kapitalit produktiv dhe diversifikimi ekonomik mbeten të pamjaftueshëm. Ai karakterizohet nga përdorimi intensiv i burimeve natyrore, territoriale dhe njerëzore, pa një proces të krahasueshëm rigjenerimi dhe rritjeje të produktivitetit. Pasojat shfaqen në dobësimin gradual të bazës demografike, ekonomike dhe fiskale të periferisë.
Kjo është arsyeja pse rritja e Tiranës nuk mund të barazohet me zhvillimin mesatar të gjithë vendit. Në mungesë të lidhjeve ekonomike funksionale me qarqet e tjera, zgjerimi i kryeqytetit mund të shoqërohet me përqendrimin e mëtejshëm të njerëzve, investimeve dhe talenteve, duke kufizuar potencialin e zhvillimit të pjesës tjetër të vendit. Në vend që të funksionojë si motor i shpërndarjes së zhvillimit, qendra rrezikon të shndërrohet në një mekanizëm që tërheq dhe përqendron burimet kombëtare.
Kalimi nga “Shqipëria 1.0” drejt “Shqipëria 2.0” nuk duhet kuptuar si objektiv për të arritur norma më të larta të rritjes ekonomike. Modeli kërkon ndryshim të vetë mekanizmit që gjeneron rritjen, të mënyrës se si shpërndahet ajo dhe të kapaciteteve që ekonomia krijon për ta mbështetur në periudhën afatgjatë.
Ky transformim nënkupton kalimin nga një ekonomi e mbështetur kryesisht në konsum dhe zgjerim të shërbimeve drejt një ekonomie që prodhon më shumë vlerë të shtuar, rrit eksportet dhe krijon lidhje më të forta ndërmjet sektorëve. Ky model kërkon gjithashtu kalimin nga përqendrimi gjeografik drejt diversifikimit territorial, ku rajonet të mos jenë thjesht burime të fuqisë punëtore dhe të lëndëve të para, por qendra me kapacitete të veta prodhuese, teknologjike dhe sipërmarrëse.
Një element tjetër thelbësor është ndryshimi i marrëdhënies me kapitalin natyror dhe njerëzor. Zhvillimi nuk mund të mbështetet pafundësisht në shfrytëzimin intensiv të tokës, mjedisit dhe punës me kosto të ulët. Ai duhet të orientohet drejt rigjenerimit të burimeve, investimeve në energji të rinovueshme, modernizimit të bujqësisë, përdorimit të teknologjisë dhe zhvillimit të aftësive profesionale. Në këtë model, produktiviteti dhe mirëqenia reale për frymë duhet të kenë më shumë peshë sesa rritja nominale e prodhimit.
Për vendin tonë, kjo do të thotë se zhvillimi rajonal duhet të mbështetet në specializime ekonomike të përshtatura me potencialet e territoreve, por edhe në lidhje më të forta ndërmjet tyre. Bujqësia duhet të kalojë nga prodhimi i fragmentuar drejt zinxhirëve të integruar të vlerës, përpunimit dhe eksportit. Industria duhet të rrisë përmbajtjen teknologjike dhe lidhjet me furnizuesit vendas. Turizmi duhet të orientohet drejt një modeli që gjeneron vlerë përgjatë gjithë vitit dhe krijon përfitime më të mëdha për ekonomitë lokale. Ndërsa shërbimet profesionale dhe teknologjike duhet të shtrihen përtej Tiranës, duke krijuar mundësi të reja punësimi dhe sipërmarrjeje në rajone të tjera.
Të dhënat e vitit 2024 tregojnë se ky tranzicion nuk ka marrë ende përmasa të gjera. Rritja e Tiranës vazhdon të lidhet në një masë të rëndësishme me ndërtimin, tregtinë dhe shërbimet publike e profesionale, ndërsa ekonomitë periferike mbeten të varura nga bujqësia me produktivitet të kufizuar dhe nga një numër i vogël aktivitetesh alternative. Për rrjedhojë, ndryshimi i modelit kërkon politika që nuk matin suksesin vetëm përmes investimeve të realizuara apo rritjes së PBB-së, por edhe përmes produktivitetit, diversifikimit të ekonomisë, punësimit cilësor, të ardhurave për frymë dhe aftësisë së rajoneve për të mbajtur kapitalin njerëzor.
PBB-ja rajonale e vitit 2024 përfaqëson më shumë sesa një “fotografi” statistikore të ekonomisë shqiptare, sepse ofron një evidencë të rëndësishme për mënyrën se si funksionon modeli aktual i rritjes dhe për kufijtë e tij strukturorë. Ekonomia jonë që rreth 80 % të rritjes kombëtare e gjeneron nga një qark i vetëm dhe ku diferenca e PBB-së për frymë ndërmjet Tiranës dhe Kukësit arrin gati 2,7 herë, si dhe ku shumë qarqe mbeten të varura nga sektorë me produktivitet të ulët duhet të mos ta konsiderojë rritjen agregate si tregues të mjaftueshëm të zhvillimit kombëtar.
Shumë mirë që Tirana po rritet, por pamundësia e ekonomisë për ta shndërruar këtë rritje në kapacitete të reja prodhuese dhe zhvillimore për të gjithë territorin po e rrit tensionin urban dhe social në përmasa mbytëse. Një qendër ekonomike e fortë, si Tirana mund të jetë avantazh kombëtar vetëm po të krijonte lidhje me rajonet e tjera, të nxiste investimet produktive, si dhe të zgjeronte tregjet duke kontribuar në rritjen e produktivitetit në shkallë vendi.
Nga ky publikmim statistikor i PBB-ve rajonale duhet të nxirren mësime se sfida e kalimit drejt “Shqipëria 2.0” nuk do të thotë të prodhojmë më shumë, por të ndërtojmë një ekonomi që krijon më shumë vlerë, e shpërndan atë në mënyrë më funksionale dhe rigjeneron burimet mbi të cilat mbështetet.
“Shqipëria 1.0”, kjo e sotmja (2026) po e mat suksesin përmes zgjerimit të aktivitetit ekonomik, por neve na duhet “Shqipëria 2.0” që ta masim suksesin përmes aftësisë për të krijuar produktivitet, mirëqenie dhe reziliencë territoriale.
Ndryshe nga sa deklaron politika e ditës ne nuk kemi nevojën më kryesore për një ekonomi më të madhe, por për një ekonomi që prodhon më shumë zhvillim sesa përqendrim dhe krijon më shumë kapacitete sesa konsumon.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.