Nga Modeli “Shqipëria 1.0” drejt Modelit “Shqipëria 2.0”

Libri “The Limits to Growth” (Kufijtë e rritjes), botuar në vitin 1972 nga një ekip studiuesish nën drejtimin e Donella Meadows, Dennis Meadows, Jørgen Randers dhe William Behrens, përdori modelin kompjuterik World3 për të simuluar ndërveprimet midis popullsisë globale, prodhimit industrial, ndotjes, prodhimit të ushqimit dhe konsumit të burimeve të pakthyeshme.

Modeli parashikoi se, nëse trendet e rritjes eksponenciale vazhdojnë pa ndryshime, sistemi do të arrijë kufijtë e tij brenda shekullit të 21-të, duke çuar në një “overshoot” (tejkalim) dhe kolaps të popullsisë dhe kapacitetit industrial rreth vitit 2070.

Ky punim që kemi realizuar i përket asaj lloj analize që zakonisht mbetet në periferi të debatit publik, jo sepse mungojnë faktet, por sepse implikimet e tyre janë strukturore, afatgjata dhe politikisht të pakëndshme.

Sipas qasjes që do të spjegohet në vijim, sistemet ekonomike rrallë dështojnë nga një goditje e vetme. Ato dështojnë sepse kalojnë gradualisht kufijtë e tyre strukturorë dhe hyjnë në një fazë tejkalimi, ku rritja vazhdon përkohësisht, por me koston e konsumimit të kapaciteteve të ardhshme.

Nëse lexohet me vëmendje dinamika e treguesve ekonomikë, demografikë dhe institucionalë të Shqipërisë gjatë dy dekadave të fundit, bëhet gjithnjë e më e qartë se vendi po hyn në një fazë delikate zhvillimi, ku rreziku kryesor nuk është kolapsi i menjëhershëm, por humbja graduale e kapacitetit për të prodhuar zhvillim real.

Në rastin shqiptar, ky “tejkalim” nuk lidhet me rritjen eksponenciale të popullsisë, si në modelin global të vitit 1972, por me tejkalimin e kapacitetit ekonomik, fiskal dhe mjedisor për të mbështetur modelin aktual të rritjes. Me fjalë të tjera, Shqipëria po operon mbi kufijtë e saj realë të riprodhimit ekonomik dhe social, duke shtyrë në kohë pasojat, por duke i bërë ato gjithnjë e më të pashmangshme.

Ndryshe nga kolapset dramatike, Shqipëria rrezikon një kolaps funksional të ngadaltë, ku shteti ekziston formalisht, por humbet kapacitetin për zhvillim real.

Ky është një proces i heshtur, i ngadaltë dhe shpesh i maskuar nga tregues formalë të stabilitetit, ku shteti vazhdon të funksionojë në dukje normalisht, por gjithnjë e më pak është në gjendje të gjenerojë rritje të qëndrueshme, mirëqenie të shpërndarë dhe perspektivë afatgjatë.

Në këtë kuptim, rreziku me të cilin përballet Shqipëria nuk ka formën e krizave klasike të kolapsit financiar, politik apo social, por atë që mund të përkufizohet si kolaps funksional i butë, apo një gjendje ku institucionet ekzistojnë, ekonomia rritet nominalisht dhe shoqëria ruan një ekuilibër minimal, por themelet prodhuese, demografike dhe fiskale gërryhen gradualisht.

Pikërisht kjo logjikë përkon drejtpërdrejt me qasjen sistemike të modelit World3 të “The Limits to Growth”, ku kolapsi nuk konceptohet si një ngjarje e papritur, por si rezultat i një procesi të zgjatur erozioni, i shkaktuar nga ndërveprimi kumulativ i variablave kryesorë të sistemit.

Skenarët kryesorë përfshijnë (a) “Standard Run” (biznes si zakonisht, që çon në kolaps), (b) “Comprehensive Technology” (teknologji e avancuar, por ende kolaps në shumicën e rasteve) dhe (c) “Stabilized World” (ndryshime në tendenca për një ekuilibër të qëndrueshëm).

Për Shqipërinë, kemi ndërtuar një skenar të ngjashëm duke u bazuar në të dhënat aktuale dhe projeksionet deri në vitin 2045.

Shqipëria nuk përballet me rritje eksponenciale popullate si modeli global (popullsia po bie për shkak të emigracionit), por sfidat kryesore janë varësia nga burimet natyrore (hidroenergjia, pyjet, uji), ndikimet e ndryshimeve klimatike (thatësira, përmbytje, humbje ekonomike deri në 14.6 miliardë euro deri në 2036 pa adaptim) dhe rritja ekonomike e bazuar në turizëm, bujqësi dhe pak industri të lehtë.

Modeli i thjeshtuar përdor variabla të ngjashme, si Popullsia (në milionë), GDP (në miliardë USD), Indeksi i Prodhimit Ushqimor (relativ ndaj 2026=100), Indeksi i Ndotjes (relativ ndaj 2026=100, duke përfshirë emisionet dhe degradimin mjedisor) dhe Indeksi i Burimeve (uji/pyjet, 100=nivel i qëndrueshëm).

Përshkrim

Punimi “Nga Modeli ‘Shqipëria 1.0’ te ‘Shqipëria 2.0′” analizon strukturën socio-ekonomike aktuale të Shqipërisë si një sistem vetë-dëmtues, i ngjashëm me skenarin “Business as Usual” të modelit “Limits to Growth” (Meadows et al., 1972), ku rritja nominale e PBB-së (~3–4% në dekadën e fundit) maskon degradimin e bazave demografike, fiskale dhe mjedisore.

Modeli “Shqipëria 1.0” mbështetet në konsum të nxitur nga remitanca, turizëm sezonal dhe borxh, pa akumulim kapitali produktiv, duke krijuar një cikël që konsumon kapitalin e ardhshëm dhe çon në “kolaps të butë”, një stanjacion kronik pas 2035–2045, me rënie popullsie (~2.35 milionë në 2045), deficite pensionesh (~3–5% PBB), ulje produktiviteti dhe presione klimatike (humbje 7–15.7% PBB deri 2050).

Duke përdorur simulime të përshtatura nga modeli World3, punimi krahason dy skenarë: BAU (vazhdimi i trendeve, me PBB ~52.8 miliardë USD në 2045 por stanjacion) dhe Sustainable (ndërhyrje proaktive si NDC reduktim emisionesh 20.9%, investime ~9.8 miliardë USD në adaptim dhe energji rinovueshme, duke arritur PBB ~51 miliardë USD por me rritje të qëndrueshme ~3.2–3.6%, mirëqenie per kapita +20–30% dhe reziliencë klimatike).

Problemi nuk qëndron te qeveritë, por te dizajni sistemik që injorohet për arsye si efekte graduale, kostot mbi brezat e ardhshëm dhe maskim statistikor.

Punimi propozon riformatim drejt “Shqipëria 2.0”, nga konsumi te prodhimi, nga rritja sasiore te rezilienca dhe nga politika ciklike te ndërbrezore, duke e kthyer klimën në mundësi zhvillimi përmes investimeve, si Karavasta PV, etj.

Rekomandohet veprim urgjent në 2026 për të shmangur kolapsin e vonuar dhe për të ndërtuar qëndrueshmëri.