Turizmi shqiptar arrin kulmin historik në 2025, por humbet 40–60 milionë euro në vit nga informaliteti i akomodimeve afatshkurtra

Turizmi shqiptar arrin kulmin historik në 2025, por humbet 40–60 milionë euro në vit nga informaliteti i akomodimeve afatshkurtra

Sektori i turizmit në Shqipëri ka shënuar një rekord të ri në vitin 2025, duke kontribuar me 26.4% në PBB (rreth 6.45 miliardë euro ose 685.3 miliardë lekë), me 12.466 milionë vizitorë dhe 7.137 milionë netë qëndrimi nga jo-rezidentët. Kontributi fiskal qendror ka arritur nivele historike prej 970–1.230 milionë euro, por një hendek i rëndësishëm fiskal prej 40–60 milionë euro në vit vazhdon të mbetet i pazgjidhur kryesisht për shkak të informalitetit në segmentin e akomodimeve afatshkurtra (Short-Term Rentals – STR).

Këto janë gjetjet kryesore të analizës së re të ALTAX (Qendra e Kërkimeve Fiskale dhe Ekonomike), të publikuar në mars 2026 me titull “Asimetria fiskale e Turizmit Shqiptar: Kulmi Historik Ekonomik, Hendeku i Qëndrueshëm Fiskal dhe Disa Zgjidhje”.

Sipas studimit, tregu i STR-ve (përfshirë Airbnb, Booking.com dhe rezervime direkte) arrin një vlerë bruto prej 130–170 milionë euro në vit, që përfaqëson rreth 33% të netëve totale të qëndrimit. Megjithatë, 70–80% e njësive operojnë jashtë sistemit fiskal, duke shkaktuar humbje të llogaritura si më poshtë:

  • TVSH 6% midis 5.5–8.2 milionë euro
  • Tatim mbi të ardhurat 15% midis 9–14 milionë euro
  • Tarifa lokale 2–4 milionë euro

Analiza integrohet për herë të parë me të dhëna specifike nga Airbnb 2024 (të siguruara nga DPT), ku 8.472 subjekte aktive, 39.7 milionë euro rezervime dhe komision efektiv 4.4%. Xhiroja mesatare prej vetëm 4.680 euro për subjekt në vit tregon një treg ekstremisht të fragmentuar, të dominuar nga mikro-operatorë sezonalë. Të dhënat e AirDNA 2025 vlerësojnë tregun e monitoruar në 106–130 milionë euro, ndërsa Booking.com kontribuon me rreth 107 milionë euro të annualizuara.

Studimi identifikon tri boshllëqe sistemike që riprodhojnë këtë hendek çdo vit:

  1. Boshllëku ligjor – mungesa e transpozimit të Direktivës DAC7 të BE-së dhe mosnënshkrimi i marrëveshjes OECD MRDP.
  2. Boshllëku administrativ – varësia nga kontrollet manuale jo të shkallëzueshme për mijëra njësive STR.
  3. Boshllëku analitik – matja e suksesit vetëm me numër vizitorësh, pa lidhje të qartë me formalizimin fiskal.

ALTAX propozon një reformë në tri faza bazuar në logjikën e DAC7:

  • Faza I (2026) – Raportim i detyrueshëm vjetor nga platformat (Airbnb, Booking.com etj.) tek Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
  • Faza II (2027) – Mbajtje në burim e TVSH-së 6% dhe tatimit mbi të ardhurat nga platformat.
  • Faza III (2028+) – Harmonizim i plotë me standardet e BE-së.

Kjo reformë pritet të gjenerojë 25–40 milionë euro të ardhura shtesë në vit, të mbyllë 70–90% të hendekut fiskal dhe të ngrejë indeksin e fizibilitetit të Planit Sektorial të Turizmit 2025 nga 74 në 94/100, me kosto praktikisht zero për buxhetin e shtetit (kostot bien mbi platformat).

“Turizmi shqiptar nuk ka problem rritjeje, por problem kapjeje fiskale të rritjes. Të dhënat ekzistojnë plotësisht në platformat dixhitale dhe mungon vetëm kuadri ligjor për t’i kthyer ato në të ardhura publike pa rritur taksat apo ngarkesën administrative”, thuhet në analizën e ALTAX.

Studimi thekson se formalizimi i STR-ve nuk është vetëm çështje fiskale, por edhe garanci për konkurrencë të ndershme, zhvillim më të balancuar rajonal dhe qëndrueshmëri afatgjatë të sektorit, që tashmë përbën mbi një të katërtën e ekonomisë kombëtare.

Raporti i plotë është i disponueshëm në faqen elektronike të ALTAX.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.