Taksimi sipas perceptimit të tatimpaguesve
Një përqindje e madhe e tatimpaguesve e perceptojnë legjislacionin tatimor si shumë kompleks; pra, legjislacioni tatimor dhe tatimi në përgjithësi vlerësohen negativisht dhe mungon gatishmëria për të përmbushur kërkesat e legjislacionit tatimor, ndërkohë që nga ana tjetër, nganjëherë, administrimi i legjislacionit tatimor është i dykuptimtë për shkak të rregulloreve të paqarta, gjë që bën që tatimpaguesit ta gjejnë atë të vështirë për të përgatitur deklaratat e tyre tatimore në mënyrë të saktë.
Ata e perceptojnë kompleksitetin e legjislacionit tatimor dhe dykuptimësinë e tij si shkak për evazionin tatimor dhe për këtë arsye, sistemi tatimor ka pak legjitimitet dhe prospekte të zvogëluara për arritjen e përmbushjes së kërkesave të legjislacionit tatimor me vullnet të mirë, veçanërisht, në qoftë se një legjislacion i tillë lejon që administrata tatimore t’i trajtojë dosjet tatimore në mënyrë të paqëndrueshme, gjë që rrit përqindjen e veprimtarisë së ekonomisë në hije.
Morali tatimor shërben si shpjegim në lidhje me përqindjen e përmbushjes së kërkesave të legjislacionit tatimor.
Marëdhëniet ndërmjet tatimpaguesve dhe administratës tatimore mund të modelohen si një kontratë e nënkuptuar ose lidhëse, e cila përfshin gjithashtu lidhje të forta emocionale dhe besnikërie; për shembull, në qoftë se administrata tatimore përdor gjobë për shkelje të vogla, një gjobë më e madhe e rrit shmangien dhe evazionin tatimor, për arsye se perceptohet se është shumë ndërhyrëse në punët e biznesit të tatimpaguesve.
Përmbushja e kërkesave të legjislacionit tatimor udhëhiqet nga “kontrata psikologjike” tatimore ndërmjet qytetarëve dhe administratës tatimore, ose nga mënyra se si kjo administratë i trajton ata, gjë që e ndikon moralin tatimor të tatimpaguesve dhe gatishmërinë e tyre për të paguar.
Nëse administrata tatimore zgjedh ndëshkimin për mashtrimet ose shkeljet madhore, atëherë një gjobë më e madhe dhe sidomos kërcënimi për dënim me burg nuk e zvogëlon evazionin tatimor për arsye se e bën të qartë se është vënë bast mbi termat e “kontratës psikologjike” tatimore.
Ndërsa dhënia ndaj tatimpaguesve te disa tipeve nxitjesh/shpërblimesh për të qenë një tatimpagues i mirë (për shembull, lotaria me short fitues mbi bazën e kuponit tatimor) perceptohet si mjet mbështetës dhe priret të forcojë dhe të rrisë moralin tatimor.
Mënyra e trajtimit të tatimpaguesve sipas sjelljes së tyre tatimore, si dhe qasja që u bëhet duke rritur shërbimin që u jepet tatimpaguesve me sjellje të mirë është thelbësore për efektet e saj.
Dëshmi nga neuroshkenca mbështesin fort lidhjen e trajtimeve të paparashikuara, që ndikojnë shumë më fort sjelljen në drejtime të parashikuara, gjë që tregon se trajtimi i tatimpaguesve me respekt të plotë, procedura tatimore transparente dhe të qarta të përdorura nga inspektorët e kontrollit tatimor në kontaktet e tyre me tatimpaguesit, trajtimi i tatimpaguesve si partnerë të një kontrate në vend të trajtimit si inferiorë (vartës) në marrëdhënie hierarkie janë faktorë nxitës për përmbushjen vullnetare prej tyre të kërkesave të legjislacionit tatimor.
Njëkohësisht trajtimi neutral dhe me drejtësi nga politika dhe administrimi janë dhe një aspekt shumë i rëndësishëm në lidhje me përmbushjen e kërkesave të legjislacionit tatimor, ose në të kundërtën e tyre, lidhen me shmangien dhe evazionin tatimor, ose barrën totale të përmbushjes së kërkesave të legjislacionit tatimor dhe atë të administrimit të shpenzimeve qeveritare.
Kostot që duhet të llogarisin aktualisht tatimpaguesit janë tejet më të mëdha krahasuar me shumat neto të tatimeve të mbledhura nga administrata tatimore. Kostot e eficencës që rezultojnë nga shmangia dhe evazioni tatimor janë të vështira për t’u llogaritur në mënyrë sasiore në para, por mund të jenë kostot më të mëdha nga të gjitha kostot e para përmendura.
Në thelb, sipas përditshmërisë së aktivitetit tatimpaguesve u duhet të paguajnë më shumë se sa 100 lekë për llogari të kostove të qeverisë për të marrë 100 lekë shërbime nga qeveria, për arsye se para se tatimpaguesit të paguajnë detyrimin e tyre tatimor, ata duhet të shpenzojnë kohë për të mbledhur të dhënat, për të organizuar ato, për të notuar në “detin” e kërkesave të legjislacionit tatimor, për të përcaktuar në mënyrë shumë të saktë sa është detyrimi i tyre tatimor.
Përveç këtyre kostove direket dhe indirekte tatimpaguesve u duhet të blejnë produkte dhe shërbime të tillë, si: programe kompjuterike për kontabilitetin dhe fiskalitetin, që i ndihmon ata për të përcaktuar saktë dhe në pajtueshmëri me kriteret teknike ligjore detyrimin e tyre tatimor. Nga ana tjetër, tatimpaguesve u duhet të paguajnë edhe për kostot e administratës tatimore për të mbledhur tatimet me masa shtrënguese.
Tatimpaguesve u duhet të paguajnë gjithashtu për shërbimet që ata sigurojnë nga llogaritarët, ekspertët kontabël, juristët dhe të tjerë, infrastrukturë kjo që përdoret për të optimizuar detyrimin e tyre tatimor për biznesin. Tatimpaguesit ndryshojnë sjelljen e tyre për t’iu përgjigjur ndryshimit të shpeshtë të kërkesave të politikave tatimore, duke përdorur ekspertë për të minimizuar detyrimet e tyre tatimore, por edhe për të përballuar kostot në rritje nga korrupsioni.
Në këtë kontekst, ligji i procedurave tatimore në Republikën e Shqipërisë ka një nen për Këshillin Tatimor, që si një nga detyrat kryesore ka dialogun në lidhje me zvogëlimin e këtyre kostove. Ndërkohë, që shoqatat përfaqësuese të biznesit kanë shprehur shumë shqetësime dhe ankesa në lidhje me paketat fiskale kjo status quo duhet të ndryshohet nga qeveria duke i mëshuar gjithnjë e më shumë gjithpërfshirjes.
Prej një ambjenti me keto dilema lind pyetja:
-A janë llogaritur nga Ministria e Financave mundësitë për shmangie dhe evazion tatimor që mund të krijojnë paketat fiskale jo të pranuara me vullnetin e mirë nga tatimpaguesit, por edhe me shumë shtigje të pambyllura nga administrimi?
Pa koment!
Së fundmi, por për nga rëndësia e para, a mund të futen në burg të gjithë tatimpaguesit që nuk lëshojnë kuponin/faturën tatimore?
Jo!
Por, për ti dhënë kuptim duhet që të hartohet dhe zbatohet drejt tatimi sipas të ardhurave për ta kthyer në mekanizmin më efektiv për të marrë një kontribut të drejtë nga ata që janë më të aftë për ta përballuar atë dhe për të shmangur vendosjen e barrëve të rënda mbi masën e madhe të tatimpaguesve të vegjël.
Pra, ligjzbatuesit duhet të veprojnë në zbatim të detyrimeve ligjore pa cënuar të drejtat kushtetuese të tatimpaguesve.
Vlorë, 2013
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.